Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Muça: Lirizmi shumëdimensional

| E merkure, 04.09.2013, 06:51 PM |


Lirizmi shumëdimensional në   rrugëtimin  poetik     Kalosh   Çelikut

( Refleksione  mbi  mbledhëtarin  antologjik  “Grua vere “,  botim i SH. B ”      Asdreni “ , Shkup )

Nga Vladimir Muça

1.Perceptime    kuvend  me  lexuesin.

Jo për koiçidencë, por për bashkëjetësi, mbas leximit të librit të Bedri Tahirit “ Flakadanët e lirisë” , fillova të lexoj me dëshirë librin poetik “ Grua vere” me nëntitull metaforik: ( Libër me dhjetë plagë) të Kalosh Çelikut.

Shpata, pushka dhe pena kanë qenë ndër shekuj pjesë e qenësishme e lirisë shoqërore e kombit shqiptar. Ato i kanë shërbyer njera tjetrës  në mbajtjen zgjuar të ndërgjegjës kombëtare.

Vrulli I heroizmit, ndjenja e lirisë, vetmohimi; që përshkojnë paragrafët e monografisë të Bedri Tahirit po me atë force, po me atë jetësi , këmbëngulje, vetmohim, ndjehet dhe në ‘kullat ‘ poetike të vargjeve , strofave të librit poetik të Kalosh Çelikut .Në to pena ushton me gjëmërimën e topave dhe thumbon me bodecin e xha Dërrallës , për lirinë  e të mirën e kombit; për një jetë e harmoni  sociale aq shumë të dëshirueshme.

Azem Shkreli në formë vjershërimi na ka lënë një postulat: “ Mësojeni kohën të mos hajë të vetët /Ç’u shemb shëmtie, do ta ngrenë poetët.”

Në këtë kontekst , letrarizuar aq bukur në faqet e librit “ Grua vere” : ndjejmë të na shungullojnë perifrazimet e Ervin Hatibit : “ Se urdhërorja e fjalës Lexo! duke qenë një urdhër i kahershëm hyjnor  për të lexuar, ka ardhë dhe si shkëndija e parë katalizatore, për të vënë në lëvizje një popull, një qytetërim të tërë.”

Perceptime të tilla, përfton çdo lexues, kur lexon poezitë barot, të mprehta si shpata e Millosh Kopiliqit të Drenicës heroike, apo gjëmërimën  e topave prej druri qershie të Karadakut, stisur me aq mund e djersë, si amanete nga Kalosh Çeliku.

Metafora nëntitullore  e trifjalëshit : “ Libër me dhjetë plagë”, është kuptimorja e gjithçkaje që rrjedh nga shpirti i poetit në luftë pa kompromis si me vetveten e një personaliteti të dyfishtë, të fshehur në qënien e tij , por edhe më gjindjen që e rrethon.

Partiturat poetike , në formatura bedenash , vijnë si një burim bjeshkor, si bedena kullash, si kreshta e maleve kapuçbardhë. Vijnë mbarsur me një sinqeritet aq të pastërt , sa që detajet jetësore, ndodhitë, vijnë aq të trioruara në shoshën e jetës, sa që shkëlqejnë me atë virgjërinë e zanafillës, të mbështjellë me purpuranten e një dashurie, të një tejdukshmërie për cilindo lexues.

Tragjikja e kohës dhe fluiditeti i të përjetuarit janë bashkëudhëtare në këtë vjeshërim plot revolta e sarkazma therëse.

Nxjerrja në pah e nënkuptimeve që vijnë të strukur mes vargjeve ,është dhe karizma e fiksionit poetik, e cila me fuqinë e një metafore apo simboli, shpalos shpirtin e poetit si në ekran kinematik. Poetizimi i thellë, me qëllim dhe ide, del herë me buçimë, e herë me mërmërima nga transhetë e vargjeve. Raporti shtet ( në qoftë se e quajmë) etni, e personalitet i poetit, shkojnë të pandarë , si një trinitet, ku personaliteti  është përcaktues në mardhëniet shtetërore.

Jeta jashtë trungut amë të kombëtarisë , e dramat, absurdi që e ndoqi këmba këmbës , e bëri Kalosh Çelikun , që nga subkoshienca , në mënyrë të vetdijëshme ( por edhe të pavetdijëshme ) , mes shtambave me verë, t’i rridhte një lum poetik , ku raportet turbullirë – kthjelltësi , të kish hera herës një gjysëm turbullire , ku hija e  kalvarit t’a ndiqte si ato tufat e sorrave por pa mundur t’i  helmonin,besimin e rrënjosur tek njerëzorja , tek e mira, tek dashuria për kombësinë e vet.

Ndaj në këtë kaleidoskop , poezitë vinë si në jerm, vinë dhe si mikrodrama që hera herës shpërthejnë në këtë lirizëm, të kokolepsur me një impresionizëm sa i racional aq dhe racional.

Ndaj autori sikur kuvendon  me lexuesin , rrëfen duke poetizuar, ku me duf e ku me dhëmbje brisk, duke proklamuar me bindje prej Platoni se dhëmbjet , vuajtjet, shqetësimet, janë rrugëtare të jetës, janë të pandarë nga liria dhe dashuria universale.

2. Origjinaliteti në strukturën poetike

Në konceptin stilistiko – estetik, Kalosh Çeliku, në këtë mbledhëtar, na paraqitet disi i veçantë, ç’ka shkruhet në Kosovë, Mal të Zi, por dhe në trojet shqiptare të Fyrom –it. Ai vjen më origjinal në strukturimin poetik ; forca e shprehisë poetike nuk bazohet në manierat kozmofonike por tek thjeshtësia e ndodhive dhe detajeve. Figuracioni, metafora, simboli, similituda, fillojnë nga zanafillat e mikrokozmosit artistik, duke krijuar një klimë të përshtatshme  për një modernitet të natyralizuar , duke marrë shkëlqim nëpër kapriatat vargëzuese poetike, në formate të veçanta me atë madhështinë e piramidave acteke.

Në mënyrën se si e zgjedh  dhe e vendos fjalën , si e artikulon, si e përzgjedh figurën, si proçedon me gjuhën dhe me fonemat e traditës, tregon për një korsi dalluese në autostardën poetike. Një korsi emergjence , do të thoja në zhvillimet e reja poetike në tërë trojet kombëtare.

Siç duket , Kalosh Çeliku arrin në limitet e ekstarkteve, punon shumë me fjalën, e limon atë, i jep potencë figurës , gjer në format e dëshiruara.

Poeti arrin në ato nivele , ku siç thotë Janis Ricos : “ Të mbarte një fuqi të jashtëzakonshme, të krijojë e të maturojë njeriun, të krijojë heroin, e të nxisë evokime të fuqishme.”

Nga mënyra se si autori e sjell modernitetin europian në poezitë etij , tregon  për teknika të reja shprehëse. Siç duke ai ka marrë shumë nga stilistika e Sharl Bodlerit, Borgesit, Zhak Preverit dhe Xhuzepe Ungaretit, në përqasjet sociale dhe të natyralitetit poetik.

Parimet simboliste dhe impresioniste janë moto në krijimet poetike Çelikiane. Duke e bërë pronë në bahçen e tij krijuese parimin : Nxjerrjen e deduksioneve të filozofisë së jetës, efektet që lindin prej objektit, i cili merret si katalizator ndjenjësor.

Kjo i jep poezisë zërin e fuqishëm të misionit që ajo ka në lëmin shoqëror , vargut i jep dlirësinë, por dhe fuqinë meditive dhe filozofike.

Në dukje , poezia vjen e thjeshtë , por në brendësi alternohet me asonanca dhe aliteracione. Një poezi e tillë, ku toponimiteti dhe onomastika janë cilësi mbisunduese , vjen si burimore e vetë popullit , ndaj ajo  do të asimilohet nga shtresa të gjëra sociale; se ajo vjen thjeshtë si e vërteta ku: “ Por qenë të varfër / për një natë pa gjumë nën urë/ për një serenadë , për një aventurë”  ; se :” Dashurinë e mbajmë gjallë në varr/ mes plumbash e prangash në vite.”

Nga kjo burimore popullore vjen dhe  veçoria komplementare e poezisë të Kalosh Çelikut ; ndjekja e temave përditore , situatave, aktualititeve.

Në poezinë e sotme , si në trojet jashtë kufijve shtetërorë, por dhe në tokën amë ( Shqipëri ), vihen re prirje për t’ju shmangur përditshmërisë e tendencave sociale. Rendet në më të shumti, poezi për poezi pa qëllim , ide dhe mision.

Kaloshi i mbarështron lirizmat si në një shtrat të përbashkët , duke i dhënë sensin intrigues, me një thellësi mendimi, qëllimi e katarsisi shoqëror shumëplanësh. Kësisoj ai ironizon vetëlavdinë, egon, inflacionin në vlerësimin e figurave e të personaliteteve në suazat e një bajraktarizmi primitiv.

Në këtë luftë poezia , por dhe autori  edhe plagosen për këtë prosperitet shoqëror. Lorka thoshte se : “ Poezia është një dre i plagosur.”

Duke e pasur sentenceë  në plazmën krijuese, Kaloshi , poezitë i vesh me një përfytërim lirik aliazh ndaj dhe kjo “ kafshë magjike “ e quajtur poezi, na paraqitet e çiltër herë- herë dhe dehëse, por gjithnjë e ëmbël e plot ndjenjë ,siç mund të parafytërohet një dre dhe drenushë.

Ndonëse i veshur me një vrazhdësi nga ambjenti që e lindi , lirizmi të mallëngjen me njomështinë dhe erosin vetanak, apo shpalljet gjer në sublimitet, si një dashuri ankuese , në një infinit pangopësie, por që herë herë , kur futen temat social –politike bëhen vibrante , duke shungulluar si zulmet e Abaz Aliut në Baba Tomorr.

Ky lirizëm atdhetar në sinoptikën e Çelikut vjen si  një lidhje organike  e cila burimin e ka në Bit- Pazar , në kryeqendrën e parë të çliruar të truallit amtar.

Ndërthurja e lirizmave brenda një poezie evidenton ngjeshjen e trilleve poetike rreth një strumbullari ideor dhe qëllimor. Një amalgamë e tillë lirike realizohet vetëm në saj të një bohemizmi.

Bohemizmi lirik dhe personaliteti vinë si dy siamezë në kërkim të përbashkësive të reja, në konsolidimin e një antologjie gjithëpërfshirëse  sepse për poetin Çeliku “ Disku i Xhimi Handrix” është i ngushtë me  u “ shtri”. Ekspansioni kulturor është zero – hiç nga ato azgane gra në Gërmi ( ajo kulturë popullore, ndjenjësi.V.M. ) që të ipnin natë e ditë gji me pi.

Në zamallahinë e përndjekjeve morale- shpirtërore , tek lexon poezitë e këtij mbledhëtari shoh një  përbashkësi shpirtërore me poetin erotiko – bohem, të ndjerin Pano Taçi, me drerin poezi të plagosur, njëlloj i përndjekur nga Hadumet e Doktor Zijtë, njëlloj si në atdheun amë , Pano , në të gjitha rendet shoqërore.  Stilistika dhe sarkazma , thumbimi i këtyre kavieve sociale , natyrisht është edhe e ndryshme , por qëllimi dhe idea që përcjellin , thirrmat shpirtërore janë gati të njëllojta. Ndaj dhe erotiku arapçi Pano Taçi ish aq shumë i mirëpritur në Hijen e Rrapit , mes kotruveve me verë , të cilat ia vinte si jastëk poeti ekzistencial, po aq arapçi Kalosh Çeliku, bash binjaku lirik i tij.

Në kaleidoskopin lirik , ky binjak,  ka një  prizëm më të avancuar në nxjerrjen në ylberiadën poetike, lirizmin patriotik e atdhetar. Ai lufton në një vend ku trojet janë nën thundrën sllavo- maqedonase. Nga kjo lindi dhe poezia , si  shërbesë e luftës për liri e drejtësi shoqërore siç shprehet autori në “ Krisëm. Kushtrim në poezi për liri, sepse poeti shprehet qartazi : “Vetë jam zjarr ! Heu ! si do ta ndez flakën natën”.

Në at’ natë robërie nën thundrën sllave.

3. Jo!!! “ Shushuritje e vetmisë”

Në post – scriptumin  e shkruar nga Hilda Halimi evidentohet si frymë e dytë poetike “Shushuritje e vetmisë” . Në  këtë rast  për të argumentuar , merren si shembuj ciklet “ Prapa kësaj ikjeje” dhe “ Përcolla Natën” .

Unë kam një mendim krejt të kundërt nga Hilda Halimi. Në asnjë trill poetik, në asnjë detaj, rrëfimtari, poeti Kalosh  Çeliku nuk jeton në “Shushuritje vetmie” por ai është i ngërthyer herë me gruan, herë me Miken, herë me Ebu Xhehlin , Cucën Boheme, Ulkonjën, trusakatët, me Destan Balliun që i preu goricën e Dashur, më Shën Mërinë e  me të Eshkundurën.

Kjo metamorfozë lirike kalon nga poezia në poezi nën tingujt e fonema të ndryshme, ashtu siç i vinë  nga thellësia e shpirtit. Gjithçka që e rrethon , qoftë edhe në atë dhomë të akullt, me të është Mikja që e kolovit në ndjesira , apo në butet e verës.

Edhe atëhere : “ … Të nesërmen  pasi përcolla natën / E takova tjetrën nën Rrap.”

Kërkund , në asnjë poezi nuk e kam hasur të vetmuar, por me një sfurk poseidonik , si gjuajtës të mistikes dashuri. Qoftë edhe në një strofë katër – pesë vargëshe , me mjeshtri , ai fut mbi dy lloje lirikash.

Nganjëherë me finesë importon në lirikë një lloj nocioni balaidik natyral, të përjetuar sikundër tek poezitë : “ Ditën e tretë Luaneshën e hëngri Ujku” , “Qiri i Shën Mërisë ‘ , “Lotin tend nën rrap e pi”, “Ditën e pestë me djetë plagë u ngrita nga varri”,” E nesërmja vazhdon luftën”, “ Letër nënës në varr”, ku nocinet balaidike janë suportet artistike në krijimin e një aliazhi lirik.

Në krijimin poetik autori na servir veshulët e një vreshtarie lirike me shumë  varietete. Me lloje rrushi lirik për raki ball kazani , për verë por dhe për uthull që t’u thartojë turirin gjithë atyre që akoma pas “Doktor Ziut “ këndojnë këngën e “babaqemos”.

Në asnjë kohë poeti tek Rrapi nuk është vetak; ai gjen Miken të kryqëzuar nen rrezet e yllit të mëngjezit; kur kori i sorrave njofton për shi, e retë e zeza grisen në copa të ngrëna nga mola e kohës pansllaviste. Nga kjo grisje vjen një vezullim i çuditshëm Diellor. Atëhere nën këtë vezullim autori shigjeton me sy “ Pazarin e Grave” , largon një degë Rrapi  dhe sheh Tavernën, sheh Miken me dy shtama verë.

Eshtë një botë e tërë që të gicëlon çdo qelizë , shqisë dhe atë më të veçantën , shqisën e shpirtit. Që aty zen fill mishërimi i dashurisë , mbështetja , zgjidhja e halleve, respekti, domosdoshmëria e tjetërsimit , një katarsis të moralit shoqëror. Ndaj autori , me miq e shokë , nga ky vend sublim , i quajtur “ Nën hijen e Rrapit”  bëhet “kaçak “ e në vend të pushkës merr penën e në vend të gjerdanit me fishekë, ngjesh në brez vargjet me poezi.

Në sinoptikën e sotme në Shqipëri nga Koçi Petriti , Nikolla Spathari , Bardhyl Agasi , Agim Mato, Bardhyl Maliqi aplikohet një vështrim lirik i cili jep e merr edhe me heroin lirik, mishëron portrete e kapjen fortas pas atdhetares.

Siç evidentohet dhe nga shembujt e mësipërm edhe Kalosh Çeliku , në trojet amtare në Fyrom, e ka bërë të vetën këtë estetikë në stilet e të bërit poezi. Nocionet balaidike e buronjat epike hera – herës vine si letër – lakmues që tregojnë se kemi të bëjmë me një lirizëm të veçantë , aliazhonant, i cili me aq shumë përkushtim, po kultivohet në letërsinë shqiptare

të përtej kufijve shtëtërorë.

4. Njeriu – zot  dhe  metafizika  shoqërore  e  kohës.

Duke futur në poezi botën e gjërë shoqërore, me të gjithë handikapet e saj; digresionet që e ndjekin njeriun, kontradiktat e thella morale dhe politike. Vendosjen e njeriut – zot në strumbullarin e këtij cirkuiti në metafizikën shoqërore të kohës , Kalosh Çeliku i bën epikrizën kësaj shoqërie , duke rekomanduar dhe psiko- terapinë e saj.

Si udhëzues estetiko – stilistik në këtë rrugëtim poetik ai ka gjithmonë nocionet e Uendi Veb – it i cili proklamon; “ Bota e poezisë nuk është festë…, e shtruar dhe e thjeshtë , është një botë e karakterizuar nga prezenca e strukturave të forta dhe të larta. Nuk është një botë e shkërmoqur dhe e zvogëluar , që ka zhgënjime dhe konflikte. Eshtë një botë plot kontraste , kënaqësi dhe rreziqe , dashuri dhe urrejtje, fitore dhe humbje të mpleksura me njëra tjetrën.”

Kjo e bën poezinë tepër të çuditshme. Kjo çuditshmëri e bën dhe jetën e poetit po aq të çuditshme sa që thirrjojnë nga brendësia e kësaj bote atë çfarë ne quajmë poezi. Në statusin e një lexuesi të kualifikuar, tek lexoj  këto poezi , më godet në mëndje si trakullore mendimi popullor “ zoti njeri” ose “ njeriu zot”.

Në konceptin metafizik ngre krye parimi niçenian njeriu është mbi gjithçka, është zoti vetë. Që këtu zë fill koncepti i “mbinjeriut “ nëpër bedenat poetikë të këtij mbledhëtari.

Bindem dhe nga konceptet e Kalosh Çelikut në vendosmërinë për të nxjerrë dritën nga errësira që ai përjeton, si edhe këmbëngulja për të fundosur errësirën në një koshiencë poetike. Në to unë gjej reminishenca filozofike , gjej një gjuhë nga shkrimet e Niçes në këto poezi.

Mbinjeriu i përshkrimit nga Niçja tek tregu i mbushur me qënie njerëzore , ku papritur një “mbinjeri”, lakuriq, vrapon duke bërtitur : “ Zoti ka vdekur, Zoti ka vdekur”. Po, po! Për ateistin Çeliku zoti s’është më i zoti i kësaj bote që po përjeton autori se edhe Ebu Xhehli ka dalë nga rruga e këtij zoti.

Në këtë katrahurë zoti s’ka më fuqi po poeti po; “ Nuk e kthej kokën. Eci për në Baba Tomorr/ Turma për mua le të lehi sa të dojë. Shaj. /Unë jam profet. Librave vjell zjarr / Edjeg armikun . Diell kam në ballë.”

Për Kaloshin sikundër për Niçen , poezia është një vullkan në errupsion , i cili shkon përtej vargut , strukturës e brishtësisë së saj. Ajo nuk duhet që të shfajësojë qënien njeri në intelekt, në rrebelim.

Autori gati në çdo poezi , e nxjerr njeriun të lakuriqtë në handikapin shoqëror; I ve në ballë shumë pikëpyetje , duke u nisur nga një racionalitet i përjetuar , drejt një iracionaliteti të ëndërruar.

Gjithçka vjen , hera herës si lëndë e lojës imagjinative ,e herë  deri në disa ndarje të copëzave të ndjenjave , emocioneve. Në konceptin dialektik, të ligjit të mohimit – mohimit, duke vënë në pikëpyetje rregullin ( çrregullin) ai nxjerr lakuriq regjimin autokratik të shoqërisë , ku qëniet njerëzore  mbeten pambarimisht të mashtruara.

Populli im ! Kujdes!... Vigjëloni! –  thirrmon autori.

Kur kokrra e grurit mohon bimën ( kallzën ) që e ka lindur , kujdes me këto Du Dumë e trutharë, -  bën thirrje nëpër bedenat e strofave poeti. Me pasthirrmën që i del nga thellësia e shpirtit në rrolin e atij mbinjeriu , kërkon nga qendra e një civilizimi , jashtë çdo xhehnemi e xheneti , një prosperitet të jetës kontemporane psiko – formuese.

Kjo është aftësia poetike e Kalosh Çelikut , që nëpërmjet trilleve poetike ( provokuese ) të një mendimi e gjykimi kryengritës , të kalojë marzhet e konflikteve reth të mirës e së keqes, të na japë nëpërmjet poezive, nënkuptimoret e perspektivave të jetës.

Dyrrah gusht – shtator 2013.

Vladimir Muça

Shkrimtar , studiues

Nën kryetar i  KSHA  Durrës