Kulturë
Dimal Basha: Profetët kanë pushuar së ekzistuari!
E marte, 13.08.2013, 07:32 PM
Profetët kanë pushuar së ekzistuari!
Nga Dimal Basha
Kriza e
një shoqërie eskalon në luftë kur jopajtueshmëria e njërës palë kalon në dhunë
përmes legjitimizimit të autoriteteve. Kjo formë radikale e qasjes haset tek
besimtarët fetarë gjithandej në planetin tonë, tek nacionalistët e tepruar që
shëndrohen në nacistë e fashistë, por edhe nga shumë ideologji tjera që
thirrnin në linçimin e të gjithë atyre që nuk ndajnë të vërtetën e plotë të
tyre. Derisa radikalizmi definohet nga dhuna si mjet për të arritur objektivat,
linçimi intelektual përmes ‘legjitimitetit’ individual është gjithashtu “dhunë”
ndaj fjalës së lirë që e ngulfat debatin dhe thellon edhe më shumë
uniformitetin. Prandaj, për ata që flasin ndryshe, sa do të çmendur të duken,
le ti trajtojë historia dhe jo politika e individ që thirren në të vërtetën
absolute sepse me gjithë ngritjen e niveleve intelektuale, në mesin dhe kohën
që jetojmë, fatmirësisht, profetët kanë pushuar së ekzistuari.
Debatet e
mëdha shpesh sfidojnë bindjet e çimentuara që jo rrallë herë shkaktojnë
tronditje mentale tek publiku gjerë. Mirëpo, sado banale që duken në kuptimin e
parë (e jo në shikimin e parë siç ndodh tek ne ku një numër i madh lexon
titullin hollivudian dhe i bashkangjitet turmës në rreshta) këto debate ngrisin
nivelin e vetëdijes dhe japin hapësirë që të sfidohet uniformiteti.
Kjo nuk
ndodh vetëm në vendin tonë, kjo trysni ka ngjarë gjatë tërë histories së
njerëzimit në vende dhe kohëra të ndryshme. Shpeshherë pari të
llojllojshme kanë zaptuar ndjesinë e
publikut për të sakrifikuar një pakicë. Me siguri se ju kujtohet kur Kisha
katolike shpalli Galileon si heretik për teorine e heliocentrizmit dhe
përfundoi në arrest shtëpiak. Kemi edhe Giordano Brunonë në shekullin e XVI-të,
i cili gjithashtu u shpall heretik dhe u ndez për së gjalli nga inkuzicioni
Romakë. Autoritetet i cilësuan si të çmendur në kohën e tyre dhe i sakrifikuan
perms legjitimizimit të kuptimit kohorë vetëm për të qenë gabim shekuj më pas.
Vrasja e Bruno-s dhe arresti shtëpiak i Galileos u konsiderua çmenduri e
vrasësve. Muhamedi ishte i shpallur heretik në kohën e tij dhe u luftua nga
kundërshtarët duke u cilësuar si i çmendur, Krishti gjithashtu u sakrifikua si
heretik kurse sot të dy njifen si profetë. Nietzsche portretizoi çmendurinë e
njeriut duke i shpallur Zotin të vdekur. Historia na dëshmon se heretikët (që ështe një term pegjorativ që përdorej nga
‘autoritetet’ për ti diskredituar kundërshtarët që nuk pajtonin me ortodoksitë
e etabluara) e një kohë shpalosen si mendje e ndritur në një kohë tjetër.
Po dua të
ju kujtoj që mendimi ndryshe sado i çmendur të duket, e kërkon vëmendjen tonë
sepse idetë tronditëse shpesh shfaqin sfida për intelektin dhe hapin kanale të
reja mendimi. Nuk duhet të ju vij çudi kur ndëgjoni hoxhën duke thënë se “Zoti
është një” sepse fundja hoxha vetëm po kryen punën e vet. Në momentin kur një
hoxhë del dhe thotë se “dyshoj në ekzistencën e Zotit,” atëherë duhet ti
kushtohet vëmendje edhe më shumë sepse ndoshta hoxha kësaj radhe ka diçka
interesant apo ndryshe për të shtuar.
Prandaj,
është e frikshme kur dikush kap të vërtetën absolute sepse një devijim i vogël
nga të tjerët krijon devijim dhe lejon hapësirë për linçim. Kjo është edhe
frika që kam nga intelektualët, autoritetet por edhe atyre që hidhen si
zëdhënës të Zotit sepse monopolizimi i të vërtetës i jep shkak dënimit të
gjithë atyre që nuk qëndrojnë në linjë me qëndrimin “zyrtarë.” Këtu përfshihen
edhe zëdhënsit e Zotit që e besojnë plotëfuqishmërinë e tij mirëpo prap i
japing vetes të drejtën të përdorin dhunën që ti dalin në ndihmë Atij .
Mendoj se
shumë nga pyetjet e karakterëve si Arben Idrizit janë legjitime, sidomos kur
sfidojnë mendime njëdimensionale. Pyetja për flijimin e familjes Jashari është
legjitime por kërkon më shumë hulumtime para se ti jipet një konkludim sepse
Arben Idrizi e ka mundësinë e hulumtimit të vërtetës poaq sa edhe z. Krasniqi
dhe ngritja e dyshimeve në mundësi të shpalosjes së panjohurës nuk i bën nder
debatit në këtë rast. Arbeni mohon të ketë një konstatim, por kërkimi i
dëshmive dhe së vërtetës nga dikush tjetër nuk ja mohon atij të kryej vet një
kërkim të dëshmive nga ato çfarë na kanë mbetur për ti dhënë një përgjigje
vetes. Prandaj, nuk pajtoj në këtë pikë me z. Idrizi sepse për bazë të një
lufte që i kërkohet drejtësi duhet të kemi parasysh se shqiptarët nuk kishin
dalë për të vdekur e as sakrifikuar, regjimi serb kishte ardh për të vrarë.
Megjithatë, është e shëndetshme për një shoqëri që ka ngritje të këtyre debateve nga këso personalitete pyetjet e të cilëve janë aq spektakulare saqë krijojnë çmenduri tek shumica që kërkojnë ti mbyllin gojën por edhe ti sakrifikojnë nëse kanë mundësitë sikur në kohën mesjetare. Sado i çmendur të duket ky debat, unë jam kundër një linçimi intelektual përmes ‘legjitimitetit’ individual sepse kjo gjithashtu është “dhunë” ndaj fjalës së lirë që e ngulfatin debatin dhe thellon edhe më shumë uniformitetin. Debati dhe fjala nuk ka vra njerëz asnjëherë, janë gjithmonë autoritetet që nuk pranojnë të jenë pjesë e tij dhe përmes jopajtueshmërisë thirrin e legjitimizojnë dhunën për ta shuar këtë debat. Çka kërkohet nga ne është që së paku të lejojmë debatin dhe ta lejojmë historinë ta trajtojë validitetin e çmendurisë por asesi politikat apo individ që thirren në të vërtetën absolute dhe tentojnë të fundosin debatin. Askush nuk përmban të drejtën e as të vërtetën absolute dhe kjo fatmirësisht pasi që në kohën tonë profetët kanë pushuar së ekzistuari.