E enjte, 14.11.2024, 05:18 PM (GMT)

Kulturë

Gëzim Llojdia: Folklori i këngës bolenase

E diele, 21.07.2013, 07:20 PM


FOLKLORI I KËNGËS BOLENASE- FRYMA E AJRIT ËSHTË PIKË VESË

NGA GËZIM LLOJDIA

1.

Nertesi Asllani është një poet  lab. Djepet e labëreshave që kanë përkundur trima,kanë përkundur midis  tyre edhe  poet e rapsod. Dihet se të gjithë llojet krijesave janë krijuar në mjedise misterioze, që i përkasin ekstazës shpirtërore. Mirëpo krijesat që kanë shfaqur habi,pra  shpejtësi mendore në kohët e  hershme të fëmijërisë së tyre, çuditërisht  u rritën ,aty mes halleve, mizerjes, varfërisë nga pantallonat shkurta e flokët qethur me gërshërë dhish,nga trasta e librave  te çobani magjër me llabane nga  i zoti që tërheq       për dore gomarin e zëmëruar  keqas, një ditë i takon krejt të ndryshuar, i gjen  poet,rapsod,ushtarak,arsimtar pse ishin njerëz me palcë me vlera shpirtërore me vepra të mira .Dashuria njerëzore tek kjo pjesë ka lerë vet. Fryma e ajrit është pikë vesë.

2.

Ç’janë rapsodët. Në viset ku kemi lindur ,shkoza,panja,prralli, janë vargjet e këngës. Po rapsodi cili është? Rapsodi është ai bujku që mrih pleh në të vërtetë është kopshtari që mbjell trëndafilishte. Trëndafilishta lulëzon e kompozon lulërin . Cicërimat zogjve që shpojnë veshët. Ah i madhi Zoti kur lodron ëndrra  e shpirtit. Buke misri e bërë me hi,kulloshtër nga bagëtia. Pyjet që uturijnë nga bukuria, marrëzia e çmendur e gjinkallave,velesim shpirti me trëndelinë. Manaret uratat ku shkojnë kështu të uruarat të bekuarat...Rapsodët e kësaj treve u rritën në këtë vise,me det mali me retë qumështore,me ujë stere atje ku xixëllonjat shuhen në duar,gruri aty mblidhet në  duaj. Do të kujtojë flladin që të zilepsë dhe frymëzim që merr shpirti. I gjithë ky arsenal shpirtëror pikëzohet vetëm tek ata njerëz, që shpirti i tyre uturin netëve dhe ditëve. sepse mëndja bredh sëbashku me shpirtin nëpër këtë det hapësire.

3.

Ç’është në të vërtetë kënga e Bolenës Nertesi Asllani shprehet:Kënga e Bolenës:Jehonë malesh, /aromë trëndeline,/ dallgë Shushice, /iso burimesh, dashuri e krenari njerëzore./Brenda një shkrimi të vetëm shkruan ai, është e pamundur të trajtosh në imtësi, thellësi e gjerësi vlerat estetike dhe ideore të këngës polifonike qoftë edhe të një fshati të vetëm siç është Bolena. Një studiues i huaj thotë: është një veçanti e çuditshme ku kënga e çdo fshati bile e çdo lagjeje është e dallueshme dhe e ndryshme nga njëra te tjetra. Megjithatë për këngën e Bolenës zakonisht thuhet: “shtruar Bolençe”. Me sa duket kënga ngjan me hapin e shtruar dhe fjalën e shtruar të këtij fshati.“ Bolena me emër/Me ty jam në ëndërr/  Me viset e tua Det me dallgëzime

Mali me shpërthime/  Me këngët e virua”.Më shfaqen para syve ata burra si Haris Matua, Mico Trakua, Malo Razipi, Maze Hysi, Riza Koçiu, Sejko Zeneli, Hajro Dulja,etj. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më. Ata jetojnë e kanë mbetur të gjallë me zërin e tyre, në këngët dhe vallet e tyre, në dollitë dhe shakatë e tyre.

4.

Cila është përvoja e grupit të Bolenës.Nertesi Asllani thotë:Në vitet e para të fëminisë time kujtoj me nostalgji të veçantë, unë dhe brezi i moshës time, grupin polifonik të oficerëve të Bolenës (siç u quajt) të cilët bënë incizimet e para në Radio – Tirana.Ishte aty nga mesi i viteve 60-të. Ishte krenari e madhe për ne kur dëgjonim spikeren që thoshte në orarin e Radio-Postës së asaj kohe “Këndon grupi polifonik i Bolenës”. Grupet e tjera polifonike të Vlorës e të jugut akoma nuk ishin dëgjuar. Më vonë do ti njihnim nga afër bashkëfshatarët tanë si Ysniun, Istrefin, Reshatin, Mullahun etj.etj.Aty nga vitet 70-të, kënga e Bolenës do të merrte një hov të ri. Erdhi një brez burrash e grash me dëshirë, pasion e talent, të cilët u dalluan dhe u vlerësuan edhe nëpër festivale zonale e rrethi. Davua, Rrapua, Razipi, Dilaveri, Idajeti, Lavdoshi, Petrua, Faizi, Votimja, Sheqerja, Zana, Qenerja, Durimja, etj.etj. U bënë edhe incizimet e para në Radio-Gjirokastra, ku shumë këngë e valle u bënë “Hite” për atë kohë. E ndiej për detyrë të përmend këtu poetin e mirënjohur popullor dhe folkloristin Kujtim Mici, i cili shërbente si drejtor shkolle në Bolenë dhe njëkohësisht furnizonte me tekste dhe drejtonte në atë kohë grupin e Bolenës .

5.

Pra dhe cilat ishin temat që realizoi ky grup polifonik:Nertesi Asllani shprehet:Ndihem sa i detyruar aq dhe i privilegjuar që mu dha rasti të punoja si drejtues i shtëpisë së Kulturës Bolenë në vitet 80-të e në vazhdim. Krahas detyrave të tjera më duhej të merresha direkt me këngën e fshatit. Kënga e Bolenës vinte që nga shekujt brez pas brezi duke shoqëruar këtë popull në dasma e gëzime, por edhe nëpër halle të mëdha e dramat e kohës. Ligjërimet dhe vajet e nënave heroina shamizeza, kishin fiksuar ngjarje tragjike e trima kordhëtarë që i kishin bërë hije e dhënë emër këtij fshati nëpër breza të pa dorëzuar e gjunjëzuar përpara hasmit.Si një jehonë e largët vjen kënga e rëndë me vargje brilante kushtuar Leskoduke pallëlarë që shkuan në Stamboll te Veziri dhe mbenë andej bashkë me kokën e prerë të Ali Pashait.

“...Leskodukaj të më ziri,/Rrathë në kokë tu viri,/Pisha në thoj tu shtiri,/Me duar prapa të lidhi,/Në Stamboll brënda ti biri,/Sadik Guxhë e Birçe Trimi./Shkuan trimat, shkuan tutje,/Në Stamboll të shtatë vanë,/Pallë e larë e Leskoduke,/Vetëtin mbi supet tanë.  .”

Cilat janë disa nga rritjet  këtij grupi folklorik ndër vire?Nertesi Asllani përgjigjet:Erdhi një brez tjetër djem e vajza të talentuar që përfaqësuan me dinjitet grupin folklorik të Bolenës në vitet 80-të, si Lavdoshi, Pajtimi, Vangjeli, Mirvetja, Vitoria, Fatbardha, Petrua, Harizi, Vasili, Davua, Selmani, Eqeremi, Totua etj..Për hir të së vërtetës dua të pohoj se grupi folklorik (miks) i Bolenës në ato vite u barazua me grupet më të mira të Vlorës e gjithë Labërisë. Nisën incizimet e filmimet e para në Radio-Televizionin Shtetëror, Tiranë e Gjirokastër. Doli fitues në të gjitha konkurrimet zonale, rrethi e ato kombëtare.Në vitin 1983 grupi folklorik i vajzave të Bolenës me soliste Vitori Hosi do të shpallej laurante e F.F. Kombëtar Gjirokastër, me vallen humoristike “Plaku me plakën ç’u zunë”. “Kënga ime mal e rëndë, kënga ninull fëminije, unë notoj në det me këngë, po s’këndova plas mërzija”- thuhet diku në vargjet e një kënge .Krahas grupit të burrave, grupi i vajzave apo grave të Bolenës ka dhënë një kontribut të veçantë dhe është vlerësuar si një risi edhe nga studiues të Institutit të Folklorit. Studiuesi i Folklorit Spiro  Shituni thotë në librin e tij se “Kënga grarishte e Bolenës për nga unifikimi dhe harmonia është një perlë e vërtetë”. Në vitin 1988 në Festival Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ninulla e djepit :“Rritu se te pret martina” kënduar nga Fatbardha Hosi do të shpallej luante e këtij festivali dhe do të shkonte me numrat e zgjedhur në Koncertin qeveritar në Tiranë. Më vonë, në përbërje të ansamblit të Vlorës do të shkonte në Francë ku do të korrte një sukses të jashtëzakonshëm. Ninullat dhe logatjet në Bolenë janë një pasuri të cilat vijnë si pasojë e dramave dhe tragjedive që kanë ndodhur në shekuj. Ligjërimet e grave bolenase me zëra dhe vargje brilante janë thesare të rralla. Një vend të veçantë zë në reporterin e këngës së Bolenës edhe lirika baritore dhe ajo e dashurisë. Dua ta them brenda modestisë time se nuk mbaj mend ndonjëherë që ky grup të ketë dështuar në skenë. Në dhjetëra e dhjetëra koncerte e festivale grupi i Bolenës u shfaq me dinjitet të plotë. Ja një poezi e poetit Nertesi:

Çoban ta dëgjova zënë

Përtej në shullë

Kur i bjerje me të qarë

Natën culisë

Unë kam dalë në dritare

Se gjumi s’më zë

Desha të vija të tinë

Po nëna s’më lë

Për muhabetin që bëmë

Apo skemi gjë?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora