E enjte, 14.11.2024, 05:21 PM (GMT)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Homonimia e shpifur

E diele, 21.07.2013, 09:12 AM


RRETH HOMONIMISË SË SHPIFUR TE NE

NGA  PJESOREZIMI FORMAL

I PASKAJORES ME"ME"

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Në realitetin tonë gjuhësor krahas arritjeve të pamohueshme në përvetësimin e konsolidimin e sistemit foljor të shqipes letrare (standarde) ende te disa individë ose grupe intelektualësh e përgjithësisht nuk është arritur e dëshirueshmja, madje ka edhe ndonjë shfaqje spontane të pamirë, siç është edhe "homonimia e shpifur lidhur me më se të kryeren e dëftores", dukuri kjo e shkaktuar si rezultat ipjesorezimit formal arbitrar të paskajores së mirëfilltë me + pjesore.të formës së dytë të së tashmes së  kushtores, përkatësisht të së ardhmes së shkuar të dëftores.

Meqenëse një dukuri e tillë, sipas paraqitjeve të disa njerëzve tanë, jo të pa emër, qoftë në politikë, qoftë në kulturë (që pata rast t`i dëgjoja, madje edhe nga Radio Tirana, TVSH-ja  e sidomos RTP ja etj., priret të shtrihet si mikrob infektues edhe më gjerë, edhe pse, ndoshta për dikë nuk është i pavend gjykimi se kjo lajthitje mund të korrigjohet edhe vetëm me një vërejtje mbi bazë shoqërore, ne,. megjithatë e pamë të arsyeshme që pikërisht këtë dukuri ta shtrojmë në diskutim si çështje të hapur problemore, duke vënë në pah:

së pari, përcaktimi  i problemit,

së dyti, shkaqet e një dukurie të tillë dhe

së treti, rruga më e përshtatshme për mënjanimin e permutacionit të tillë.

1. Rreth përcaktimit të çështjes problemore

Ndonëse, problemi nuk qëndron në trajtën e pluskuamperfektit të shqipes, por gjetiu, ne, konceptin e kësaj forme, përkatësisht emërtimet në shqipe lidhur me këtë, po e shfrytëzojmë si prelud për me dalë te tema kyçe: pjesorezimi  formal i paskajores  që është objektivi i punës sonë në këtë trajtesë.

Për pluskuampefektin (lat. plusquamperfectum) nga fusha e gramatikës si term ndërkombëtar që përdoret në gjuhët moderne për të mbuluar një pozicion të nocionit kohor të një shkalle kuptimore të caktuar të kohës së shkuar, me të cilën "tregohet një veprim i përfunduar para një çasti të caktuar të së shkuares", në gjuhët kombëtare dolën barasvlerës përkatës vetjakë. Kështu ndodhi, edhe në gramatikat e gjuhës shqipe. Sami Frashëri,  b.f., në gramatikën e tij kohën në fjalë e quajti mot i mëparthimA. Xhuvani i bëri një kalkim të pjesshëm nga trajta e latinishtes, e quajti: kohë e kryeme e plotëD. Sheperi duke u mbështetur në faktin se në ndërtimin e kësaj forme analitike merr pjesë si komponente përbërëse kryesore trajta e të pakryeres së foljes përkatëse, e quajti kohë e pakryeme e përngjitur, ndërsa prof. Selman Riza e sforcoi më tepër këtë fakt duke e quajtur kohë e parpakryemeK. Cipo e përqafoi po formën e A. Xhuvanit, por atë e toskëzoi në i kryer i plotë. M. Ndrecanë fjalorin e tij të fjalëve ndërkombëtare (FFSHH 1986, f.551) pluskuaperfektin e sqaron në shqipe me barasvlerësin e kryer e tejkaluar, ndërsa prof. Sh. Demiraj edhe pse fillimisht në shkrimet e tij manipulonte me emërtimin e kryer e plotë, më pastaj e modifikon, më mirë e kalkëzon, pothuaj, fjalëpërfjalshëm formën e latinishtes, duke e quajtur kohë më se e kryer, trajtë kjo që tashmë  ka zënë rrënjë në gramatikën normative të gjuhës sonë (morfologji). Mirëpo, mbase për arsye të shprehisë së fituar më parë a ku ta dimë, trajta e kryer e plotë ende vazhdon të figurojë aty-këtu, madje edhe në burime normative, siç është, p.sh. fjalori i fjalëve ndërkombëtare të Institutit Albanologjik të Prishtinë (FFH 1988, f. 471), Gramatika e gjuhës shqipe (Sintaksa), Tiranë (1996, f. 383) etj. Sidoqoftë, emërtimikohë më se e kryer për pozicionin kohor në fjalë i përgjigjet ndoshta më së miri kuptimit leksikor të pluskuampefektit. Themi "më së miri" sepse kemi konsideratë të lartë ndaj autorit të krijijmit të këtij termi. Por ç'është e drejta, në shqipe, përveç më se të kryerës  (it. trapassato prossimo, tipi: kisha thënë (trajtë e përbërë) dhe kisha pasë thënë (trajtë e mbipërbërë) del edhe një shkallë-kohe tjetër sinonime që funksionon me kuptim të përafërt me të. Ajo është e quajtura koha e kryer e tejshkuar  (it. trapassato remoto), e cila nga S. Frashëri: quhet mot i parëshkuar, te  S. Riza: kohë e parkryeme). Në të vërtetë, tipi pata thënë, nënfusha semantike e së cilës në formulim (sipas gramatikës së Akademisë), pothuaj, nuk ndryshon nga ai i më se të kryeres, d.m.th.: kjo trajtë foljore është në përdorim e sipër që "të tregojë një veprim të përfunduar para një çasti të caktuar të së shkuares", megjithatë tipi: pata thënë, ndryshon jo vetëm për nga ndërtimi, ngase te kjo kohë si gjymtyrë e parë e formës analitike shërben trajta e së kryerës së thjeshtë e foljes kam (pata), por edhe për nga nënfusha aspektore a pozicioni semantik që mbulon, ndërsa te më se e kryera shërben trajta e pakryer e të njëjtës folje ndihmëse kam (kisha). Krahaso: pata thënë ndaj kisha thënë. Gjithashtu sa i përket shtrirjes dhe dendurisë së përdorimit më se e kryera ka përparësi shumë më të madhe ndaj sishoqes tjetër, ngase kjo përveç mënyrës dëftore, ka shtrirje përdorimi edhe në mënyrën habitore si dhe në atë lidhore, madje me përshkallëzim (mbindërtim).

Rikujto: kisha thënë (kisha pasë thënë)paskësha thënë (paskësha pasë thënë);

të kisha thënë (të kisha pasë thënë).

Pra më se e kryera "si kohë korelative, e cila përdoret vetëm me njërin a tjetrin aspekt të kohës së kaluar", mund të konsiderohet si trajtë përfaqësuese e denjë në shqipe kundrejt pluskuamperfektit të gjuhëve të huaja përkatëse, pa i mohuar specifikën sinonimit: e kryera e tejshkuar.  Prof. V. Kokona , në fjalorin e tij, për plus-que-parfait-in e frëngjishtes sipas versionit përkatës i shënon të dyja trajtat, përkatësisht: e kryera e plotëe kryera e tejshkuar.

Edhe pse studimi krahasues i raportit semantik i më se të kryeres kundrejt semantikës që mbulojnë trajtat e tjera të pozicioneve të ndryshme kohore, qoftë në raport me kohët e tjera të mënyrës dëftore në kuadër të pesë formave të kohës së shkuar, qoftë  në raport me të tashmen dhe me format përkatëse të së ardhmes, ashtu si edhe ndërmjet mënyrave dhe aspekteve të caktuara, nuk është pa interes praktik e teorik, ne, në këtë trajtesë i vumë vetes për detyrë të vëmë në pah, siç e cekëm në fillim, një dukuri të pamirë, të diskutueshme a një homonimi, ta quajmë të shpifur ose të shpërshfaqur (me prapakthim)nga pjesorezimi formal i paskajores me me, e cila kishte formë të veçantë për  nocione kohore të së ardhmes, por tash del identike me termin togfjalësh të më se të kryeres, por që sigurisht nuk ka lidhje aq as kuptimore as aq fqinjësore e trashëgimore me shkallën e tillë semantike strukturore për nocionin kohor të së kryerës.

Për të kuptuar më mirë se për çka është fjala dhe ku qëndron shkaku i kësaj rastësie homonimike arbitrare më poshtë po i sjellim disa shembuj që kemi pasë vjelë më parë nga disa burime informative te ne:

1)  Nga revista Zëri (Prishtinë): Ju kisha sugjeruar që të fusni që tashti formulimin si më poshtë (6.12.`97, f. 21); Ju kisha lutur të punojmë në funksion të një zgjidhjeje më  të mirë të problemit (6.12.'97 f. 21); Nuk kisha dashur t'ju prejudikoj në lidhje me atë që do të bëjmë, por... (17.01.'98, f.21); Unë kisha pyetur si delegat pse zoti kryetar i mbron këta persona... (7.3.'98,f.21); Unë këtu vetëm kisha shtuar këtë se intelektualit nuk i takon të... (7.03.'98 f.21); T`u kisha lutur që të bësh diçka lidhur me ... (7.03.'98, f.29); Ju kisha lutur që të jeni të përmbajtur... (14.3.'98 f. 39); Kisha pasur dëshirë që këtë mendim që e thatë ta elaboroni më mirë... (18.IV.`98, f. 16) Kisha dashur që sinqeriteti e humaniteti të vazhdojë  edhe pas. (20.10. '05, f 10).

2) Nga revista Jeta: Këngëtarët kisha lutur që të jenë të gatshëm për ... (28.10.'97 f.17);

3) Nga gazeta Bujku: Kisha pyetur disa mësues përse shkolla nuk është pagëzuar me emrin e XH. H. (28.02.'98 f.8); Ju kisha ftuar që  në të ardhmen të jeni të përmbajtur ... (19.3.`98 f.39); E kisha nxjerrë me qenë ytja (dhëmballa)... (17.IV.`98, f. 10).

4) Nga revista Fjala jonëJu kisha prejudikuar ta zgjidhni vetë çështjen...( 3-4/98, f.35;

5) Vetëm në librin Filozofia e gjuhës (Prishtinë 1998) formën kontestuese të tipit: "më mirë kisha thënë..." e ndeshim në më se 10 raste!

Po shtojmë edhe këtë se edhe aktualisht, jo në pak raste, për mos me thënë, rregullisht, kemi rast me ndëgjue shprehje të tilla, qoftë në debate që organizojnë masmediat tona, madje deri edhe edhe në seanca kuvendesh shtetërore të të gjitha niveleve, veç tjerash tash së voni kemi vërejtur se vetëm në një këngë të re popullore të një autori të njohur përsëritet disa herë, pothuajse në çdo strofë shprehjakisha dashtë  në vend kisha me dashtë (do të doja), ngase sipas tekstit kemi të bëjmë  me kuptimin e së  ardhshmes së afërt e jo të së kaluarës.

Pra, edhe pse këtu, më sipër, ne, nuk dhamë sekuencat e plota përkatëse të shembujve, shihet qartë se nuk kemi të bëjmë fare kuptimisht me një "veprim të përfunduar (të dyshuar a me mundësi përfundimi) para një çasti të caktuar të së shkuarës", formulim ky karakteristik që i takon nocionit të kohës më se të kryer, por kemi të bëjmë me një veprim që kërkon të kryhet në një të tashme, përkatësisht në një të ardhme jo të largët, nocion ky që i përgjigjet kuptimisht së tashmes së mënyrës kushtore, përkatësisht të ardhmes së shkuar të mënyrës dëftore. Siç dihet, këto dy pozicione (kushtorja e dëftorja), edhe pse në shkrim dalin identike, ndryshojnë njëra nga tjetra në aspektin e ngjyrimit semantik mënyror, sepse trajta e dëftores më tepër i përgjigjet realitetit efektivisht ekzistues, ndërsa ajo e kushtores  me tëpër shpreh një realitet potencialisht ekzistues, por sqarimi i këtyre nuancave  nuk është qëllimi i punimit tonë. Synimi ynë del i përqëndruar në përpjekje për të sqaruar homoniminë e shpifur, dhe për të hyrë në thelbin e kësaj teme e shohim të nevojshme që fillimisht të krahasojmë trajtën përfaqësuese të më se të kryeres, në njërën anë, me trajtën e të tashmes së kushtores, përkatësisht të ardhmes së shkuar të dëftores, në anën tjetër, dhe këtë po e paraqitim më poshtë në dy rubrika duke i paravendosur treguesit përfaqësues përkatës kohorë:atëherë / tash:

I.                                                II.

(atëherë, në atë kohë...)   / (tash, në këtë kohë, për të ardhmen e afërme...)

kisha thënë:              /    kisha thënë !!!??? (trajtë e shpifur).

Krahaso  në vijim trajtat normale korresponduese të këtyre kohëve:

____________________I._________________________II._______________

kisha thënë (kisha pasë thënë)  / do të thosha ose kisha për të thënë (kisha me thënë);

kisha dalë (kisha pasë dalë)        do të dilja ose kisha për të dalë (kisha me dale);

kisha hapur (kisha pasë hapur)    / do të hapja ose kisha për të hapur (kisha me hapë);

kisha punuar (kisha pasë punuar) / do të punoja ose kisha për të punuar (kisha me

punue)

etj.

Të vihet re se përveç trajtave të shënuara me kursiv që si bazë i njeh dhe i kultivon gjuha e sotme letrare, në rubrikën I. është shënuar e bollduar (nxirë) në kllapa edhe trajta  e mbipërbërë, tipi: kisha pasë thënë, ndërsa në rubrikën II. del e bollduar dhe e nënvizuar trajta e tipit me paskajore kisha me thënë, tash e quajtur dialektore(!), e cila ka rëndësi argumentimi për t'u sqaruar çështja në shqyrtim, sepse pikërisht kjo është ajo trajtë, modifikimi i së cilës, pa mëdyshje, ka shkaktuar permutacionin e shpifur lidhur me homoniminë që po trajtohet këtu. Gjithashtu të vihet se brendapërbrenda rubrikës II. dalin dy forma ndërsinonimike të kohës përkatëse dhe pikërisht është forma e dytë ajo, e nënvizuara prej nesh, tipi kisha për të thënë, e cila ka baravlerësi, por si me thënë, edhe rivalitet me formën me paskajore, tipi kisha me thënë, trajtë kjo e fundit e lënë jashtë standardi, dhe si e tillë ka pësuar permutacion kisha thënë, duke e shkaktuar kështu edhe homoniminë formale arbitrare me trajtën e kohës më se të kryer.

2. Shkaqet e një dukurie të tillë

Për mendimin tonë, nisur nga gjendja e sotme, supozojmë se janë tri shkaqe, të cilat asociacionisht kanë ndikuar e po ndikojnë edhe sot, sidomos te ne, në të shfaqurit e një homonimie të tillë:

e para ka të bëjë me mënjanimin e trajtës së paskajores së mirëfilltë me + pjesore nga shqipja e sotme letrare, tipi: kisha me thënë,

e  dyta lidhet paksa me ndkimin e formës, sidomos te ne, të kondicionalit barasvlerës të serbishtes: (ja) bih rekao kisha (me) thënë (koncepti: do të thosha), dhe

e treta, ka të bëjë me hamendësinë rreth historikut të raportit paskajore sintetike (sipjesore e supozuar!) ndaj paskajores së mirëfilltë të sotme analitike (me + pjesore).

Meqë qëllimi ynë është të shtruarit e problemit ekzistues në mënyrë sa më të plotë, andaj e shohim të nevojshme që po për këto tri shkaqe tash fill t'i themi ca fjalë, qoftë edhe guximtarisht.

1)  Përjashtimi i paskajores së mirëfilltë nga standardi si shkak

Është e vërtetë se pikërisht trajta: kisha + paskajorja me "me" tipi: kisha me thënë, që ishte trajtë e normuar në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes, gjë që dëshmon edhe versioni i lejuar në letrarishten e sotme  me paskajoren e dytë kisha për të thënë, edhe sot e kësaj dite, sidomos te ne, del e ravijëzuar thellë në sistemin tonë ligjërimor të përditshëm, edhe pse nuk mohohet, goditja që i është bërë dhe  po i bëhet sidomos në gjuhën e shkrimit nga, tipi: kisha për të thënë (më pak) ose ajo më e rekomandueshmja: do të thosha (më shumë) që dalin të rekomandueshme për të njëjtin koncept. Së ketejmi, shtrohet pyetja pse nuk u zëvendësua plotësisht trajta me barasvlerësit përkatës të rekomanduar, përkundër faktit se njëzimi i normës standarde ishte përqafuar me dëshirë, bile edhe me entuziazëm e eufori te ne? Lidhur me mënjanimin e paskajores me + pjesore, tipi: kisha me thënë nga gjuha e sotme letrare, sidomos pas sanksionimit të gjuhës letrare kombëtare para e pas viteve të `70-a, pati hapa të nxituar apo jo, lypset vlerësuar esëll, por që pati keqkuptime lidhur me flakjen e paskajores së mirëfilltë nga standardi nuk do koment. Po themi "pati keqkuptime", sepse ajo (paskajorja e mirëfilltë) ndërkohë korrigjohej vend e pa vend, madje edhe në tipizime ku e drejta universale e përdorimit të saj kurrsesi nuk mund të mohohet. Si pasojë e kësaj fushate kundër paskajores gege(!), përpjekja e zëvendësimit të saj me barasvlerës të imponuar ose të ofruar pa kriter, edhe pse  përkrahej me autocensurë e nga cencorë, lektorë e redaktorë etj, edhe ky realitet po flet se gjithçka nuk shkoi si në vaj, apo jo? Madje edhe për ndonjë gaf të shkaktuar nga një veprim i tillë, me sa dimë, askush nqa standardologët, kujdestardite të standardit, nuk tërhiqte vërejtje, ngase edhe propaganda ishte në dobi të hiperkorrektësisë ndaj bazës normëzuese të proklamuar, duke menduar se në këtë mënyrë ndihmohej njëzimi i shqipes letrare. Është periudhë kjo kur e flaknin pa diskutim nga përdorimi paskajoren e mirëfilltë. Kështu filloi të "përftohej" pothuaj spontanisht, te një rreth mjaft i gjerë individësh "intelekualë"pjesorezimi i paskajores së mirëfilltë dhe si pasojë u përftua homonimia e shpifur në fjalë e tipit: kisha thënë në vend:  kisha me thënë. Kjo ndodhi edhe për shkak se trajta e konceptit të sinonimit barasvlerës të ofruar do të thosha nuk ishte e ngulitur aq në sistemin ligjërimor te ne, ndërkaq për sinonimin e dytë barasvlerës, kisha për të thënë, as që kishte farë gjurme, andaj më lehtë u përftua e u pranua(!) forma e re kisha + pjesore, nga intelektualët e tillë, pa i ndryshuar fare konceptin e kuptimësisë kësaj trajte, i cili mbulohej me paskajore kisha me thënë. Kjo që thamë shihet qartë, pothuaj tek të gjitthë shembuj e sipërshënuar prej nesh, teksti i të cilëve, para se të publikoheshin i shtrohesin një kontrolli mjaft rigoroz gjuhësor nga ekspertët e kohës, të cilët për çudi as që e shihnin një shpifje të tillë si lajthitje(!?) Kështu, pra ndodhi që trajta me paskajore nuk u zëvendësua me trajtat sinonime të rekomanduara, po me një formë krejt tjetër të shpifur, duke i dhënë pjesores faktikisht rolin e paskajores,  dhe si pasojë u përftua homonimia formale  me trajtën e më se të kryerës.

Sidoqoftë, për ta pasur edhe më të qartë problemin përkatës që po analizohet në trajtesën tonë, po i krahasojmë edhe njëherë të dyja trajtat në shqyrtim duke i  nënvizur pikërisht treguesit sqarues kohorë:

a) më se e kryera e dëftorëskisha thënë /atëherë/, d.m.th. kisha + pjesore, /e cila mund të cytë ndërkëmbimin me pata thënë(!)/ ndaj

b) e tashmja e kushtores ose e ardhmja e së shkuarës së dëftorës: kisha me thënë /tashti/, d.m.th. kisha + paskajorja (me + pjesore), e cila mund të cytë ndërkëmbimin me të tashmen, e cila në letrarishten e sotme mbulohet me trajtën: do të thosha ose kisha për të thënë.

Nga sa u tha më sipër  del se homonimia u shpif, pra, si rezultat i amputimit që iu bë spontanisht paskajores me + pjesore, duke ia hequr arbitrarisht pjesëzen me, sigurisht pa menduar as keq as mire, por duke e nënkuptuar  në nënndërdije treguesin kohor (të kohës së tashme a të ardhme). Andaj themi se kuptimi që mbeti i pandryshuar  i paskajores u  pjesorëzua brenda togfjalëshit dhe kështu doli,siç u tha papandehur, ngjashëm me trajtën më se të kryer dhe si rrjedhojë kjo formë "e re"(!) vazhdoi të përdoret po për të njëjtin koncept, siç e kishte përpara të shprehur me  paskajoren e mirëfilltë, d.m.th. për  kohën e tashme ose për kohën e ardhshme, jo të largët të mënyrës kushtore, përkatësisht të asaj dëftore. Kështu pra, pandërgjegjshëm u bë e po bëhet ende shkelje e rëndë e strukturës së sistemit foljor të gjuhës sonë nga individë ose grupe të caktuara, pa e vrarë mendjen se me një modifikim të tillë fillimisht u gjymtua e vazhdon të gjymtohet gjthnjë e më keq, jo vetëm trajta e paskajores së mirëfilltë me + pjesore po edhe vetë struktura kohore e sistemit foljor të shqipes standarde.

2) Barasvlerësi i serbishtes si element ndikues

Përveç shkakut që u tha më sipër, në dukurinë e homonimisë së tillë të shpifur mbase te persona të caktuar te ne do ta ketë hisen e vet të ndikimit edhe trajta e kondicionalit (kushtores) të gjuhës serbe dhe kjo damkavite te ne për një periudhë jo të shkurtë, kur gjithçka zyrtare përkthehej bukvalisht nga ajo gjuhë, ndikim ky që vërehet qartë si kalkëzim edhe nga shembujt konkretë barasvlerës që u solën më sipër. Në serbishte prin shprehja, tipi: ja bih (vam) rekao da... /shq. (unë) (ju) kisha thënë se... (në vend: unë kisha me (ju) thënë...

Siç mund të shihet nga shembulli i krahasuar në gjuhën serbe kondicionali (pogodbeni na?in) ndërtohet me të shkuarën e dëftores me trajtën e  ndihmëses biti  (me qenë): bih + participi i foljes përkatëse. Pra në atë gjuhë si formë bazë për këtë shprehje përdoret pjesorja, kurse te ne përdoret natyrshëm paskajorja, tipi: kisha me thënë, prandaj nga ky aspekt pjesorja e serbishtes si dhe tërë togfjalëshi terminologjik mund të ketë pasur ndikim në të shpifurit e pjesore te ne. Krahaso edhe njëherë: (unë) kisha /me /thënë ja bih rekao ose rekao bih (fjalëpërfjalë): (unë) kisha thënë (!)). Po e shtoj edhe këtë fakt se në serbishte edhe pluskuamperfekti (davno prošlo (svršeno) vreme) si gjymtyrë të dytë e ka pjesoren, trajtë kjo që përkon me atë të shqipes. Krahaso: ja bejah (beh) rekao = (unë) kisha thënë ose me mbindërtim në shqipe: kisha pasë thënë.

Në ndonjë rast kemi vërejtur se trajta e tipit: ja bih rekao e kondicionalit të serbishtes në shqipe është përkthyer  jo pa vend me barasvlerësin: do të kisha thënë, që është trajtë e të ardhmes së përparme të shkuar të dëftores, përkatësisht të së shkuarës së kushtores, e cila mbulon konceptin që "paraqet veprimin si të parealizuar deri në çastin e ligjërimit", por edhe në këtë version vërehet prirja që të bëhet amputimi i pjesëzave nistore: do të - ose vetëm të dytës: kisha thenë ose do kisha thënë dhe kështu përsëri shfaqet njëfarë hominimie si në rastin e pjesorëzimit të paskajoren me me:kisha (me) thënë, veprime këto që gjithsesi gjuhësisht ashtu edhe logjikisht pamëdyshje dhe me të drejtë cilësohen si lajthitje të rënda në letrarishten e sotme kombëtare, edhe pse trajta do të kisha thënë.  edhe për konceptin në shqyrtim po përdoret  mjaft shpesh.

3)  Raporti ndërfërkues paskajore e supozuar sintetike (sipjesore!)

/   paskajore mirëfilltë analitike

Edhe nga ndërfërkimi kohor historik i formave pjesore /paskajore,  siç është rasti te tipi: duhet (lypset) thënë ndaj duhet (lypset) me thënë (për të thënë),  mund të ketë hise apo jo, në përftimin e një homonimie të tillë, si me thënë, veprim me prapakthim.  Kur themi kështu kemi parasysh faktin se ka mendime jo pa vlerë shkencore, që paskajorja e mirëfilltë e shqipes që sot del analitike (me + pjesore), fillimisht në protoshqipe e ku ta dimë, mund të ketë qenë e thjeshtë (sintetike) pikërisht në formë të (si)pjesores po me kuptim të paskajores, së sotme, supozim ky që ne nuk e kontestojmë, por kjo punë i mbetet shkencës ta zbardhë e kullojë më mire. Së andejmi edhe qëmtimi i fakteve të tilla mund të ndihmojë mbase edhe në zbardhjen e çështjes sonë në shqyrtim. Sidoqoftë, edhe nëse vërtetësohet një dukuri e tillë, në gjendjen e sotme assesi nuk mund të tolerohet rehabilitimi i trajtës së tillë homonimike, po sidoqoftë, një dukuri e tillë ndërfërkuese në raportin pjesore/paskajore nuk del krejt pa gjurmë edhe sot, andaj kërkon sqarim.

Është vërtetë se duke bërë fjalë rreth raportit pjesore/paskajore ndër të tjera prof. Besim Bokshi, zë në gojë si për rrëshqit edhe këtë temë, ku sipas tij më se e kryera e gjuhës shqipe, ashtu si edhepluskuamperfekti i latinishtes, meqë tregon një veprim të ndodhur para veprimit të së shkuarës, sipas natyrës dhe origjinës është formë kohore e relativit, dhe lidhur me këtë sjell mendimin se kurmë se e kryera përdoret në vend të së kryerës, atëherë ajo më se e kryera e dëftores  në të kaluarën ka mundur të dalë edhe në funksionin e kushtores si apodosë . Kështu autori këtë gjurmë e sheh, madje në të dyja trajtat diatezore,  dhe për këtë jep këta dy shembuj:

a. në trajtën veprore: Kisha ardhë me dijtë se të gjej edhe ty atje  ose

b. në trajtën joveprore: Isha la me dijtë se uji  asht i vokët

dhe së këtejmi, sipas tij:

Në këtë mënyrë më se e kryera e dëftores merr kuptimin modal, në fillim atë që korrespondon me kushtores anteriore (të kryer) e në vijim atë të kushtores joanteriore (të tashme).Kështu në gjuhën shqipe mëse e kryera mund të dilte në përdorim si apodosë e kushtores, duke e modifikuar një pjesë të kuptimit modal që merrte nga përdorimi në vend të së kryerës. Ajo pjesë e kuptimit është pasiguria e folësit ndaj kryerjes së veprimit. Kështu shihet se më se e kryera e dëftores. ishte baza e krijimit të formës së parë të mënyrës habitore në gjuhën shqipe. (Aty,  f. 110 - 111.)

Sidoqoftë, siç po shihet, edhe pse çështja e shtruar nga prof. B. Bokshi, ka të bëjë me supozime për diçka të kaluar që, mund të dilte ose ka mundur të dale etj, ajo ka rëndësi dhe zgjon shumë interes, sepse, si me thënë, hedh njëfarë drite  jo vetëm për bazën e krijimit të formës së parë të mënyrës habitore, por në atë drejtim edhe ndaj ndërfërkimit pjesore/paskajore e për gjëra të tjera, të cilat kërkojnë sqarime të mëtejshme. Ne nuk dimë  si të cilësohen trajtat e shënuara nga prof. Bokshi tipit kisha ardhë+ paskajoreose isha la + paskajore, trajtat e bolduara janë mbetje e së kaluarës apo janë ende të gjalla në të folmet tona?! Me sa dimë, tashmë shprehjet e tilla në ligjërimin tonë masivisht dhe në mënyrë më të natyrshme dalin të formëzuara jo me pjesore (të paskajorezuar), po të konvertuara plotësisht në paskajore: kisha me ardhë., përkatësisht kisha me u la. Gjithsesi dukuria e ndërfërkimit kisha + pjesore/ kisha + paskajore e mirëfilltë, qoftë mbase edhe si mbeturinë, është e pranishme, apo jo, në ligjërimet tona, kërkon studime e sqarime shtesë.

Sidoqoftë, vështruar nga gjendja e sotme trajta kisha + pjesore për konceptin e paskajores assesi nuk duhet ringjallur, ngase trajtat e tilla mbeturinore  bien ndesh me paradigmën strukturore të kohëve foljore që tashmë i ka të konsoliduara shqipja e standarde, prandaj, dukurinë e tillë kisha + pjesore në vend kisha + paskajore ndaj më se të kryerës ne e quajtëm homonimi të shpifur me prapakthim. Krahaso edhe këtë shembull që po e sjellim nga realiteti ynë i sotëm gjuhësor:

a) Me pasë ku, kisha me punue (trajtë e drejtë)

ndaj    b) Me pasë ku, kisha punue  (!!?) (trajtë e shpifur).

Letrarishtja e sotme:

a) Si të kisha ku, do të punoja  (trajtë e drejtë)

b) Si të kisha ku, kisha për të punuar(!??)(trajtë pothuaj sisurrogate e ekspozuar për zëvendësimin e formës kisha me punue, apo jo?

Në të vërtetë, edhe ky fakt pështjellimi, e kemi fjalën për dy shembujt nën b), na nxit edhe më shumë, duke na dhënë të drejtë në përpjekjen tone për të kërkuar ndriçimin sa më parë të kësaj dukurie jo vetëm për gjetjen e rrugës sa më të qëndrueshme për flakjen e dukurisë së pamirë të homonimisë, por edhe për sqarimin rreth ofrimit të  trajtës kisha për të... si surrogat zëvendësues për formën me paskajore të mirëfilltë: kisha + psakajore, ngase me veprimet e tilla (ofertë sa për formë?!) zor se sforcohet struktura kohore e sistemit foljor të shqipes standarde, përkundrazi. Sidoqoftë edhe kjo punë do vlerësim.

3. Rruga më e mirë e zgjidhjes së problemit në shqyrtim

Nga sa u tha më sipër, na merr mendja, se homonimia e shpifur, e cila u shfaq  si rezultat i një veprimi të pandërgjegjshëm spontan nga ndividë  të caktuar te ne, qoftë për shkak të heqjes së paskajores nga standardardi, qoftë nga ndikimi i trajtës së serbishtes, apo edhe si rast rikthimi tek pjesorja formale e paskajorezuar kuptimishtngase tashti ajo rimerr funksionin e paskajores së mirëfilltë analitike, trajtë kjo e shpifur tash  homonim formal me formën e  më se të kryer të dëftores, e cila, gjithsesi duhet të flaket nga përdorimi, ngase bie ndesh, siç u tha, me strukturën kohore tashmë të konsoliduar të sistemit foljor të shqipes standarde. Po tash shtrohet pyetja: si është  më së miri të bëhet kjo flakje?

Lidhur me këtë, duke pasur parasysh si metodë qasjeje, parimin e mirënjohur që aplikohet në raste të kësaj natyre, kur ngulitja është e thellë:

"njësimi si qëllim i fundit nuk arrihet me mohimin,

por me kultivimin e ndryshimeve"

mendojmë se mënyra më e mirë për flakjen e dukurisë së tillë si problem që është pasojë e keqkuptimit lidhur me "mënjanimin e paskajores me + pjesore nga gjuha e sotme letrare" do të ishte që forma e tipit: kisha me thënë, në situatat përkatëse të lihet e lirë në përdorim, d.m.th.të jetë e lirë në konkurrencë lojale ndaj sinonimeve: kisha për të thënë, përkatësisht do të thosha, pa u hequr të drejtën e normëzimit dy tipave të trajtave të fundit. Këtë po e themi për arsye se trajta e tipit: kisha me thënë, siç u cek më përpara, ka gjallëri përdorimi  dhe  qëndron e ravijëzuar thellë në sistemin ligjërimor, jo vetëm te ne, por edhe më gjerë. Si paskajore është e pranishme te shumica e shqipfolësve, apo jo?. Me fjalë të tjera mund të themise forma e tipit: kisha me thënë, sipas të drejtës universale assesi nuk duhet frenuar nga tipizimet përkatëse, por, edhe në situata të tjera, kur këtë e kërkon konteksti. Ajo duhet përdorur, jo vetëm për nevoja stilistike, por edhe për ato kuptimore me kuptimësi neutrale, siç është edhe rasti kur duam ta sforcojmë dallimin e konceptit të dëshirës ndaj atij të detyrimit. Krahaso:  do të thosha (dua a dëshiroj të them (të bëj) diçka ndaj: kisha me thënë kam detyrim me thënë (me bë) diçka. Në anën tjetër kjo metodë veprimi do të ndihmonte që më lehtë dhe më natyrshëm, në rast domodoje,  ndërkohë të bëhet zëvendësimi adekuat i formës përkatëse, zëvendësim ky, apo jo, i cili do të varej kryesisht nga ndjenja dhe ngritja gjuhësore e individit, por edhe nga kërkesa që shtrohet nga prestigji në rritje i gjuhës standarde dhe i normës së saj. Me një veprim të tillë, pra nuk do të lihet shteg i hapur që spontanisht të bëhen amputime arbitrare të formave, siç është rasti shformëzues  permutativ që po diskutohet këtu.

Gjithashtu për hir të së vërtetës shkencore e pragmatike del e nevojshme që në gramatikën normative të gjuhës sonë (morfologji) në tekstin përkatës ngjitas me sqarimin lidhur me përdorimin e formës së dytë të pashtjelluar, tipi: për të thënë: "si pjesë përbërëse e kohës së ardhme të së shkuares të dëftores", përkatësisht të së "tashmes së kushtores" forma e dytë, të shtohet sqarimi si vijon:

Edhe sinonimi: kisha me thënë, kryen po atë funksion si forma e mësipërme dhe se ka shtrirje të gjerë përdorimi në vise të caktuara shqipfolëse. (Shih: GGJSH (1995) (Morfologjia) f.341, 317, 329.)

Së  këtejmi, për të mos u përsëritur lajthitjet e tilla, siç u tha, është mirë të sillen ndërmend, qoftë  treguesit kohorë, qoftë sinonimet përkatëse ndërkëmbyese, si :

a) për më se të kryerën, të sillen ndërmend treguesit: atëherë, në atë kohë etj., të cilave u përgjigjet trajta: (ju) kisha thënë , (ju) kisha pasë thënë), ndërsa

b) për të tashmen e kushtores, përkatësisht për të ardhmen e shkuar të dëftores, të  kujtohen treguesit: tash për tash, tash fill, tash e menjëherë etj.  që u përgjigjet trajta: kisha me (ju) thënë (kisha për t'u thënë (!) ose do t`u thosha)...

Sido që të jetë, tashti, para se ta pëmbyllin këtë paraqitje edhe njëherë po shfaqim mendimin tonë se kërkesa për përdorimin e formës së tipit: kisha me thënë në situata të caktuara, aspak nuk kundërshton normën e sanksionuar lidhur me përparësinë që u jepet tash për tash, sipas rregullave në fuqi, trajtave: do të thosha a kisha për të thënë, përkundrazi një veprim i tillë do të ndihmonte ngulitjen e formës së vërtetë të domodoshme  në mënyrë më të natyrshme, duke e pranuar ose duke mënjanuar vetvetiu në situata të caktuara mbase trajtën dialektore "partikulariste" kisha me thënë, siç e quan prof. Selman Riza  ose  ndoshta trajtën e paskajores së dytë, tipi kisha për të thënë, ngase kjo trajtë vërtet duket se është ekspozuar si surrogat ndaj  trajtës me paskajore të mirëfilltë, nga prejektuesit e shqipes së sotme letrare pa paskajoren gege. Së këtejmi, me sa dimë, nëse mbështetemi në realitetin  tonë gjuhësor trajta me paskajoren e dytë pothuajse del jashtë funksioni në krahasim me formën e paskajores së mirëfilltë (gege) si dhe me trajtën letrare do të thosha. Sidoqoftë, me një veprim të tillë  duke respektuar konkurrencën e lirë lojale, gjithsesi nuk do të lihej asnjë shteg hapur për t'u shpifur trajta homonimike,me më së të kryerën, siç është rasti që  u trajtua këtu, rast ky i cili mjerisht nuk është i vetëm i kësaj natyre në raportin letrarishte/gegnishte.

E thamë mjerisht, ngase edhe sot ende është e pranishme një alergji a fobi e tillë e pakuptimtë ndaj paskajores së mirëfilltë të shqipes dhe ndaj shprehjeve të sajuara me të, gjë që dëshmohet nga mosintervenimi i kuadrove të caktuar profesionalë, jo vetëm ndaj kësaj dukurie, por edhe ndaj dukurive të tjera, siç është injorimi i frazeologjizmave dhe i shprehjeve lapidare me paskajore, nga studiuesit e standardologët përkatës, shprehje këto të cilat janë pasuri unike me vlerë të paçmueshme të gjuhës kombëtare dhe nuk mbulohen dot ose kënaqshëm me forma të shqipes së sotme standarde dhe për këto lëshime që varfërojnë gjuhën tonë dhe njëjherazi e dëmtojnë imazhin e natyrës së shqipes globale dhe të normës së saj ndaj globalizmitgjuhësor botëror, për çudi, duket se askë nga kompetentët tanë gjuhësor nuk po e bren ndërgjegjja, kur dihet, pa hyrë në hollësi, se ashtu siç ndryshon kuptimësia e formave (shprehjeve)  kisha thënë  ndaj kisha me thënë, që u analizuan këtu, po ashtu  ndryshon kuptimësia edhe te shprehjet paralele si më poshtë:

bluaj (bluan) hollë ndaj me blue hollë, bie shi ndaj me ra shi, të punosh me nder ndaj  me punue me nder, flet shumë për lumë  ndaj me folë shumë për kumë;  të zësh në thua do të pësoshndaj me zënë në thue ke me pësue,  fol mirë e mate fjalën jo ta lëshosh si lopa baglën ndaj me folë mirë e më matë fjalën jo me lëshue si lopa baglën, etj etj.

Nuk e shohim të arsyeshme që këtu të ndalemi në shpjegimin e  ndryshimeve  kuptimore të shprehjeve paralele të mësipërme, sepse kemi bindjen se  tashmë të gjithë e dinë dhe e kanë të qartë se integrimi i paskajores së mirëfilltë në standard aspak nuk e lëndon themelin e letrarishtes së sotme, përkundrazi e sforcon atë bazë, duke bërë atë dhe më të shëndetshme, edhe më shqipe. Mjerisht ende kanë mbetur studiues e standardalogë në ato pozicione që shqipen, sistemin foljor të saj  e shohin  nga prizmi i një dialekti, duke injoruar kështu vlerat si paskajorja e mirëfilltë, vetëm pse ajo qenka gurrë që buruaka nga bjeshkët e një areali tjetër gjuhësor të pa zbukuruar propagandisht, edhe pse dihet se nga burimet e asaj gurre njomen e rriten vlera të shqipes globale, prej nga i vjen njomësi kurorës gjuhësore mbarë truallit shqipfolës.

P ë r f u n d i m

Konceptit të formës së pluskuamperfektit, përkatësisht më se të kryeres së dëftores, i cili mbulohet me trajtën, tipi: kisha thënë, në realitetin tonë gjuhësor e më gjerë nga individë ose rrethe të caktuara i është shpifur arbitrarisht si homonim  trajta kisha thënë që vjen nga e tashmja e kushtores, përkatësisht e ardhmja e së shkuar të dëftores, si pasojë e pjesorezimit të paskajores nga trajtë-forma e tipit: kisha me thënë (= do të thosha), veprim ky që bie në kundështim me strukturën e konsoliduar kohore të sistemit të sotëm foljor të shqipes standarde.

Në të shpifurit e homonimisë së tillë alogjike për mendimin tonë, siç del nga analiza, kanë ndikuar këto tri shkaqe:

E para, ka të bëjë me mënjanimin e paskajores me + pjesore nga gjuha e sotme letrare pa e zëvendësuar natyrshëm koncept-formën e saj me trajtën e caktuar barasvlerëse. Në fakt paskajores së mirëfilltë i është bërë amputimi i pjesëzës me dhe kështu spontanisht është shpifur pjesorezimi i saj, përkatësisht është përftuar togfjalëshi homonim me trajtën e  më se të kryeres së dëftores. Krahaso: kisha thënë (kisha pasë thënë) ndaj kisha (me) thënë - kisha thënë(?!).

E dyta, ndërlidhet me ndikimin i trajtës gjegjëse të gjuhës serbe, në kohën kur nga ajo gjuhë përkthehej çdo gjë zyrtare te ne,  tipi: (ja) bih rekao (fjalëpërfjalë: (unë) kisha thënë(!!) në vend: unë kisha me thënë, ndikim ky ngase në serbishte si gjymtyrë e dytë përbërëse  e shprehjes përdoret pjesorja e jo paskajorja si në ligjërimin shqip te ne.

E treta, supozohet, gjithashtu, se një hise ndikimi mund të ketë ardhur nga ndonjë pjesore e mbetut në funksion të paskajores sintetike ende e pakonvertuar formalisht në paskajore të mirëfilltë analitike.Kujto raportin me + pjesore/me + paskajore, hamendje kjo që kërkon sqarime më të thella, ngase nuk është krejt pa gjurmë.

Sido që të jetë, homonimia e tillë, e shkaktuar me pjesorezimin arbitrar të paskajores, duhet të mënjanohet nga pëdorimi dhe kjo hëpërhë është mirë të bëhet, duke  u lënë  të lire në përdorim standard në konkurrencë lojale edhe trajta me paskajore me + pjesore, tipi: kisha me thënë. Kuptohet se me një veprim të tillë aspak nuk do të goditet prestigji normëzues i trajtave sinonimike: do të thosha ose kisha për të thënë, por nga konkurrenca lojale duhet me dalë edhe përparësia e përdorimit të trajtës përkatëse të domosdoshme.

Për të mos lajthitur më në këtë ngatërresë formash, si mjet orientues mund të shërbejë treguesi përkatës kohor si p.sh.:

atëherë a në atë kohëkisha thënë  (më se e kryera) ndaj

tash menjëherë a tash fill,: kisha me thënë, (e tashmja e kushtores përkatësisht  e ardhmja e së kryerës së dëftores), trajtë kjo, e cila në realitetin tonë gjuhësor bashkëjeton apo duhet të bashkëjetojë në konkurrencë lojale me dy trajtat tash  të normëzuara : do të thosha, kisha për të thënë..

Sigurisht më mirë është të përdoret trajta e tipit: kisha me thënë se sa trajta e shpifur kisha thënë, e cila, formon homonimi formale me trajtën e më se të kryer, tipi kisha thënë.

Ndërkohë, pasi të kuptohet drejt çështja mund të bëhen thjeshtëzimet ose zëvendësimet eventuale në mënyrë normale  të sinonimeve: kisha me thënë ,do të thosha apo kisha për të thënë. Fundi i fundit një sinonimi e tillë gjithsesi del më e pranueshme se sa të mbetet e tolerueshme ose të heshtet ndaj një homonimie të tillë të shpifur kisha thënë  (kryesisht kosovarishte?!) që bie ndesh me strukturën kohëformuese të sistemit foljor të shqipes  standarde.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora