E enjte, 26.12.2024, 02:16 PM (GMT)

Faleminderit

Nasho Jorgaqi: Ministri reformator dhe rënia e mbretërisë

E shtune, 17.05.2008, 05:11 PM


Mirash Ivanaj
Ministri reformator dhe rënia e mbretërisë

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Në 55 vjetorin e ndarjes nga jeta të Mirash Ivanajt. Jetë në mes një akordi triumfues dhe fundit tragjik e publicistit dhe ministrit reformator të arsimit në vitet 30. dëshmitë e Ivanajt për pushtimin fashist dhe tradhëtinë e Mbretit Zog

Mirash Ivanaj, një emër gati i panjohur për brezat e sotëm, radhitet në mes asaj plejade intelektualësh që kontribuan dhe hapën shtigje të reja në vitet '20-30 për emancipimin shqiptar. Koha do ta njohë Ivanajn për atdhetar të flaktë dhe demokrat të bindur, luftëtar të mendimit të lirë dhe veprimtar të guximshëm, njeri me karakter të fortë dhe intrasigjent. Mbi të gjitha ai është reformator i arsimit kombëtar në hapat e parë të shtetit shqiptar.

Jeta e tij ndjek vijën e jetës shqiptare të gjysmës së parë të këtij shekulli, fatin e një kohe me kthesa historike, plot kontraste dhe batica e zbatica, me ngjarje nga më tronditëset. Vetë fati i tij kontraston në mes të një akordi triumfues dhe një fundi tragjik. Mirash Ivanaj vinte në hapësirat e historisë shqiptare nga viset e Malësisë së Madhe. Ishte ndër të parët intelektualë të këtyre anëve që do të barte virtyte dhe tipare fisnike të botës dhe njëmendësisë malësore, atdhedashurinë dhe trimërinë, zgjuarsinë dhe vullnetin e pathyer, besën dhe natyrën realiste.

Prindët e tij të ndjekur nga pushtuesit turq kishin zbritur nga Begaj i Trieshtit në Podgoricë. I ati Dodë Ivanaj ishte dënuar tri herë me vdekje nga qeveria turke. Në këtë familje patriotike lindi më 12 mars 1891 Mirashi. Prindët, me sa duket qenë arsimdashës sepse, ndryshe nga shumë bashkëfshatarë u përkujdesën për shkollimin e fëmijëve të tyre. Mirashi, pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, ndoqi Liceun klasik të Beogradit, për tu regjistruar më vonë në Universitetin e atjeshëm në fakultetin e letërsisë. Nuk dimë arsyet përse i ndërpret studimet, sepse më 1913 shkon në Itali. Atje qëndroi dhjetë vjet (1913-1923) dhe mbaron dy fakultete, duke u doktoruar me lavdërime për letërsi dhe drejtësi.

Më 1923 kthehet në atdhe, me një formim jo të zakonshëm për kohën dhe vendoset në Shkodër. Këtu së bashku me publicistin-patriot Nikolla Ivanaj, të cilin e kish kushëri, dhe shok idesh, nxjerrin gazetën "Republika". Për afro tre vjet, (1923-1925) kjo gazetë u bë tribunë e mendimit të lirë, për një Shqipëri të bashkuar dhe të përparuar, me një qëndrim të theksuar kritik ndaj rretheve konservatore të klerit katolik. Një nga pendat që bëri emër në faqet e saj ishte dhe ajo e Mirashit. Publicisti i ri u shqua për trajtimin e temave të ditës, për idetë republikane që shpaloste, për guximin atdhetar dhe qytetar. Dëshmonte me këtë për formimin letrar dhe për talentin, për të cilin kish dhënë prova qysh student me ciklin poetik "Epopeja e njeriut" apo me dramën italisht me tri akte "Zjarri i Shën Elmos", shkruar me të vëllanë Martinin.

Më 1925, Mirashin e shohim drejtor të gjimnazit të shtetit në Shkodër dhe më pas profesor në gjimnazin e Tiranës. Në fushën e arsimit, ai dallohet shpejt si një pedagog i përgatitur e serioz, me kërkesa shkencore. Horizonti i gjerë dhe konceptet pedagogjike bashkëkohore i krijojnë atij një shtat intelektual që e bëjnë të shohë më larg nga kufijtë e ngushtë të kohës. Prandaj, nuk është një rastësi që në pranverën e vitit 1933, ai ngarkohet me detyrën e Ministrit të Arsimit. Në këtë detyrë do të shfaqet si reformator i shkollës shqiptare dhe do ti mbetet emri në historinë e arsimit kombëtar. Ideoi dhe zbatoi reformën më radikale në këtë fushë, mbylli dhe shtetëzoi të gjitha shkollat fetare dhe private, me synimin atdhetar për të krijuar një shkollë unike shqiptare, mbi baza kombëtare, laike dhe shkencore. Kjo reformë që ishte një bombë për mjediset dhe mendësitë konservatore të kohës nuk kish si të mos prekte interesat e ngushta madje dhe antishqiptare të qarqeve të caktuara të brendshme e të jashtme. Drejtimi kombëtar, por njëkohësisht modern dhe evropian i shkollës shqipe ngjalli reaksion të madh sidomos te kleri katolik dhe iu kundërvu synimeve të fuqive të huaja që kishin interesa pushtuese në Shqipëri (si Italia, Greqia etj.) Ai ishte i bindur në drejtësinë dhe nevojën imperative të reformës, siç qe dhe i ndërgjegjshëm për entuziazmin me të cilin e priti brezi i ri. Por tek e fundit, fati i reformës nuk varej prej tij. Mbreti kapitulloi para presionit të Italisë fashiste dhe arrogancës së klerit dhe në këto kushte, pas dy vjetësh, Ministri reformator u detyrua të jap dorëheqjen dhe t'i hapë rrugën mbretit për të bërë lëshime. Megjithatë, fara e shëndoshë në fushën e arsimit shqiptar ishte hedhur. Emri i Mirash Ivanajt qe kthyer në simbol qëndrese dhe parimësisë së lartë. Prandaj mendjen e mençur e të guximshme të Ivanajt, Zogu nuk mundi të mos e përfillte. Ishte kjo arsyeja dhe popullariteti i merituar dhe i padiskutueshëm, që mbreti e emëroi më pas anëtar dhe kryetar të Këshillit të Lartë të Shtetit.

Në këtë post e gjeti pragu i pushtimit fashist. Në rrethanat e tradhtisë kombëtare dhe të sabotimit të qëndresës së organizuar, ai do të ndjehet i tronditur dhe i zhgënjyer keq. Për ngjarjet tragjike të 7 prillit, ai na ka lënë ditarin "Na që shpëtimin e gjetëm në t'ikun. Shkëndi dhe hije të prillit 1939", i botuar nën titullin "Orët e fundit të mbretërisë së Zogut" (1997). Nga ky moment i rëndë, patrioti demokrat do të ndahet përfundimisht nga Zogu dhe në rrethana që s'vareshin prej tij do të merrte rrugën e hidhur të mërgimit. Në fillim në Greqi, e pastaj në Turqi, Liban dhe Egjypt, ai do t'i kalonte vitet e rënda të Luftës së Dytë Botërore në Jeruzalem. I shkëputur krejtësisht nga Zogu, dhe përpjekjet e tij për të organizuar pasuesit në mërgim, Mirash Ivanaj ndjek nga larg fatin e popullit të vet dhe punon me aq sa mundet për çështjen shqiptare.

Çlirimin e atdheut e pret me gëzim të madh dhe këtë e dëshmon fakti se nga fundi i shkurtit 1945 lë Stambollin dhe pa asnjë mëdyshje niset për në Shqipëri. Pas shumë peripecish, duke kaluar nëpër Bullgarinë dhe Jugosllavinë e shkatërruar nga lufta, mbërrin më në fund në atdhe. E presin shumë mirë dhe ai ndjehet plot shpresa se Shqipëria kish hyrë në rrugën e demokracisë dhe të përparimit. Dëshmi për këtë është ditari, janë ngjarjet dhe mendimet që ai shënon në të. Ishreformatorin e shkollës kombëtare e pret në audiencë dhe Enver Hoxha. "Më priti si s'ka më mirë – shkruan ai, - siç i ka hije një kryetari të zgjedhur prej 50 mijë shqiptarëve, shpëtimtarëve t'Atdheut. Mbeta shumë i kënaqun." (Ditari, 8-10-1945, Shih: L. Radi: "Misteret e një ministri" f. 27) Në atmosferën e fill pas luftës, luftëtari i mendimit të lirë Mirash Ivanaj s'kish si të mos mbështeste disa nga reformat demokratike të kohës. "Sende të mëdha asht tue ba kjo qeveri e dalun nga lëvizja që me armë në dorë e liruen atdheun" (Ditari 3.1.1946 AQSH).

Mbi të gjitha atë e gëzon goditja e asaj pjese të klerit katolik, që ishte komprometuar me pushtuesit dhe mbeturinat e reaksionit. Ky antiklerikal i vendosur do të shkruajë në ditar tërë entuziazëm: "Erdhi dita që unë kam pritë 21 vjetë!"

Qëndrimi i tij i prerë antiklerikal nuk kurseu individë dhe urdhrat e njohur katolikë atë jezuit dhe françeskan. Për këtë të fundit shkruan: "Duhet me doemos që Shqipnia të lirohet përgjithmonë prej një çerdhe tjetër tradhtarësh të vërtetë: franceskajve të Shkodrës nga të cilët kanë dalë gjarprinjtë si Gjergj Fishta dhe Anton Harapi." (Ditari, 22-I-1946)

Ndërkaq Ivanaj ndjek me vëmendje jetën politike që zhvillohet në vend. Republikani i vjetër përshëndet shpalljen e Republikës Popullore nga Asambleja kushtetuese dhe gëzohet që "kështu, Zogu sot mbaroj" (Ditari, 11-I-1946). Por situata politike nga brenda është e mbarsur me probleme. Elemente guximtare të forcave demokratike, jashtë radhëve të partisë komuniste shprehen për një demokraci pluraliste. Miku i tij, Gjergj Kokoshi, deputet, kërkon krijimin e një opozite legale dhe botimin e një gazete opozitare. Presioni i demokracisë perëndimore mbi fatin e demokracisë shqiptare sa vjen e bëhet më i ndjeshëm. Krijohen situata para të cilave Ivanaj nuk mund të rrinte indiferent, nuk mund të pajtohej me dhunën dhe diktatin. Shpirtërisht është me ato forca që kërkonin liri mendimi, oponencë politike, diversitet pikpamjesh për një shoqëri shqiptare të hapur. Megjithëse i kishin ofruar poste të ndryshme, bile të vinte dhe kandidaturën për deputet, ai nuk kish pranuar. Detyrën e tij ai e shikonte në vendin e edukatorit të brezit të ri, në rimëkëmbjen e një arsimi të vërtetë kombëtar e laik. Për më se dy vjet punon si profesor në shkollën pedagogjike të Tiranës, gjithnjë i përgatitur dhe kërkues, serioz dhe fjalëpakë. Sipas një raporti të drejtorisë së shkollës ai paraqitet "shumë i aftë si mësues i palodhur, i papërtuar, për të ndihmuar nxënësit dhe jashtë orarit, por indiferent me mbledhjet e sindikatave dhe mitingjet". Kjo indiferencë që shprehte jo aq tipin e tij të vetmuar e të mbyllur se sa zhgënjimin gradual që po pësonte e vuri në opozitë shpirtërore me pushtetin e ri dhe e afroi me qëndrimin e elementëve opozitarë. Megjithëse nuk beson se Gjergj Kokoshi, të ciline kanë burgosur, të ketë "mohue parimet për të cilat ka shkue në mal dhe luftue me shokë", Ivanaj në ditar tërthorazi shpreh një të vërtetë kur shkruan: "Këtu publiku nuk kupton. Ndoshta Kokoshi përfaqëson një rrymë ma të butë të lëvizjes kombëtare të atyre vjetëve" (Ditari 25-I-1946).

Në këtë atmosferë të vështirë për intelektualët demokratë, më 15 janar 1947, Mirash Ivanaj arrestohet dhe pas afro një viti hetuesije, më 7 prill 1948 dënohet me shtatë vjet burg, me akuzën absurde si "ish ministër i regjimit zogist dhe agjent i anglo-amerikanëve". Merret me mend drama e rëndë dhe e pamerituar e këtij njeriu aq të ndershëm dhe të drejtë, të gjendur para një dënimi të pashembullt. I habitur dhe i revoltuar për një çast kur dëgjon vendimin, ai do t'i drejtohet prokurorit me zë të lartë në sallën e gjyqit: "Po a ka ligj në botë, zotni, që të dënojë mendimin?"

Koha që erdhi më pas do të qe një kalvar i vërtetë për profesorin e nderuar, po të marrim parasysh karakterin e fortë dhe moshën e tij të kaluar. Besnik i bindjeve të veta, i papërkulur para situatave të rënda ai i kaloi vitet e burgut duke përkthyer vepra nga gjuhë të ndryshme. Pas afro shtatë vjetësh, 12 ditë para mbarimit të afatit të burgimit, profesor Ivanaj vdes në spitalin e Tiranës, në moshën 62-vjeçare (1953). Ishte një vdekje tragjike, e trishtueshme, një fund aspak i merituar po të mendosh përpjekjet e tij fisnike për një mendim të lirë dhe një shoqëri shqiptare të emancipuar.

Ditari i tragjedisë së 7 prillit 1939

Ndonëse erudit, me një përgatitje solide e të gjithanshme, Mirash Ivanaj, më shumë se intelektual kabineti, u tregua intelektual i aksionit arsimor dhe kulturor: publicist, organizator i arsimit të mesëm, edukator i rinisë e mbi të gjitha reformator i shkollës sonë kombëtare. Në tërë këtë veprimtari ai mbajti ditare të rregullt të cilët janë një pasqyrë e saktë dhe e sinqertë e mendimeve dhe punës së tij, dhe kronikë për ngjarje dhe probleme të kohës. Kurorën e Ditareve të Ivanajt e përbën ditari i fundit, ai më madhori që la në dorëshkrim nën titullin "Na, që shpëtimin e gjetëm me të ikun... (Shkëndi dhe hije të prillit 1939"), botuar më 1997 nën titullin "24 orët e fundit të mbretërisë së Zogut".

Ditari sipas një shënimi të dorëshkrimit është shkruar në bashkëautorësi me të vëllain Martin Ivanaj. I vëllai, i cili vdiq në mërgim në vitet 40, njihet si një nga juristët më të shquar të kohës, që mbajti dertyra të larta në drejtësinë shqiptare të periudhës ë pavarësisë. Nuk mund të pohojmë me bindje se sa e saktë është bashkautorësia e këtij libri, po të shqyrtojmë mënyrën e hartimit të tij, paraqitjen e ngjarjeve, njerëzve dhe mendimeve, pozitën e treguesit në ditar, veçoritë stilistike a të përbashkëta në mes kësaj vepre dhe ditareve të tjerë të Mirash Ivanajt.

Ky ditar është një vepër dokumentare për një nga momentet më dramatike të historisë sonë të re, siç paraqitet pragu i pushtimit fashist të vendit. I ndarë në dy pjesë, ai përfshin dhe jep në mënyrë autentike ngjarjet e pragut të pushtimit dhe fill pas tij. Pjesa e parë është kronologjia e 24 orëve të fundit të mbretërisë shqiptare, të një segmenti të ngushtë kohor, por me ngarkesa të forta politike e psikologjike. Para lexuesit ngrihet perdja e dramës që u luajt në kapërcyell të ditëve 6 e 7 prill 1939, kapitullimi dhe sabotimi i luftës, arratisja e mbretit Zog dhe besnikëve të tij nga atdheu. Pjesa e dytë, merret kryesisht me ditët e para (deri më 22 prill 1939) të qëndrimit në Larisa të Greqisë të mërgatës politike shqiptare.

Boshtin e ditarit e përbën autori, pozita e tij në raport me ngjarjet dhe njerëzit e dramës së prillit të vitit 1939. Duke qenë nga funksionarët e lartë të shtetit shqiptar dhe qytetar me ndërgjegje atdhetare, ai arrin të zbulojë nga brenda dhe nga jashtë, nga lart dhe nga poshtë, me përmasa të gjera gjithë situatën e jetës politike të kryeqytetit në prag të pushtimit fashist. Për autorin është e qartë se duke qenë atdheu në rrezik, detyra e çdo shqiptari është të vihet në mbrojtje të tij. Në mbrojtje të atdheut, nënvizon Ivanaj askush nuk është i zëvendësueshëm. Ai vetë kërkon dhe jep shembullin i pari.

Gjatë aktit të fundit të tragjikomedisë së mbretërisë shqiptare, Ivanaj zbret në skenë dhe merr pjesë në të. Roli i tij paraqitet i dyfishtë, pjesëmarrës dhe dëshmitar, po një dëshmitar aktiv. Pasqyrë e këtij qëndrimi është gjithçka që ai përshkruan dhe nga ç'pozita e përshkruan. Nga një anë jep gjendjen e rëndë të popullit, zemërimin dhe shqetësimin e tij, nga ana tjetër, tregon për pasivitetin, frikën, kapitullimin deri në tradhti ndaj atdheut të parisë, të baballarëve të kombit, të monarkisë zogiste. Pragu i kësaj katastrofe shpaloset nëpër faqet e ditarit si përjetim i thellë individual që ka një rezonancë më të gjërë. Autori nuk fshihet pas anonimitetit dhe pohimeve të përgjithshme. Ajo që mendon e që thotë është reagim dhe qëndrim i përftuar nga situata konkrete, nga ballafaqimi pa asnjë ekuivok me kohën, larg çdo subjektivizmi dhe iluzioni. I gjithë ditari përshkohet nga një tension i vazhdueshëm, tensioni para rrezikut të pushtimit, po dhe i mobilizimit shpirtëror e fizik i shqiptarëve.

Kundrejt kësaj tabloje, Ivanaj, pa bërë asnjë kompromis me ndërgjegjen, duke u ngritur mbi pozitën e lartë shtetërore, guxon të tregojë së ç'ndodh në qarqet drejtuese të mbretërisë shqiptare. Ato janë të paafta për t'u vënë në mbrojtje të vendit; aparati sa vjen e shpërbëhet, egoizmi dhe egocentrizmi shfaqet sheshazi në trajtat më të neveritshme. Tradhtia kombëtare nga çasti në çast merr frymë të qartë në figurat më përfaqësuese të regjimit. Dëshmia e autorit në këtë rast është konkrete për njerëz e vende, për rrethana e situata. Ai rrëfen për rolin sabotues të "kollonës së pestë", e cila i ka vënë minat pavarësisë së Shqipërisë, akoma pa u pushtuar ushtarakisht. Për këtë jep fakte dhe përmend figura të ndryshme, pa kursyer as emra si Gj. Fishta, E. Koliqi, L. Shantoja, A. Harapi etj.

Vend të rëndësishëm në faqet e ditarit zë figura e mbretit Zog. Ndonëse me shpirt të vjetër republikan, por për hir të unitetit kombëtar, Ivanaj, shpresat për fatin e Shqipërisë i ka varur te mbreti. Kjo është arsyeja që në situatën e krijuar në prag të pushtimit fashist ai beson dhe ushqen iluzione se sido që të vijë puna, Zogu do të vihet në ballë të mbrojtjes së atdheut. Kjo linjë në vepër përshkruhet me vërtetësi dhe sinqeritet prekës. Lexuesi përjeton tok me autorin shpresën që ai ka te Zogu dhe se si ato shpresa tronditen, zbehen dhe shkatërrohen për të mos u ngjallur më kurrë. Braktisjen dhe largimin tinëzar të Zogut jo vetëm e përjeton në mënyrë tragjike, si një përdhosje dhe shkelje të shpirtit të tij patriotik nga ana e sovranit, por ka kurajon ta dënojë pa mëdyshje. Ai bëhet dëshmitar i ndarjes së Zogut nga truproja e ushtrisë mbretërore në Kapshticë para se të kalojë kufirin. Kjo skenë gati e pabesueshme për të, përshkruhet si një akt tradhtie dhe varr i mbretërisë shqiptare.

Në atmosferën e pështjellimit të përgjithshëm, figura e Ivanajt spikat për atdhetarizmin dhe kurajon shpirtërore, për qëndrimet realiste dhe orientimet e drejta. Ai tregohet njohës i situatës politike, i psikologjisë së popullit dhe i individëve të veçantë. Për të, në këto raste janë të huaja sentimentalizmi, iluzionet pa baza, luhatjet, mëshira ndaj tradhtarëve. Të gjithë këtë dialektikë të brendshme, aq transparente në faqet e ditarit, lexuesi e ndjek me emocion. Autori nuk qëndron dorëjashtë, ai nuk bën përpjekje për t'u justifikuar, për t'i shpëtuar përgjegjësisë historike, deri sa dhe vetë i përket asaj klase politike që i ktheu shpinën atdheut. Edhe titulli i veprës "Na, që shpëtimin e gjetëm në të ikun...", pohon pozitën autokritike që ai mban. Është një vepër e mirëfilltë dokumentare, nuk ka aspak fantazi, trillim, çdo kapitull është gatuar me lëndë të gjallë nga ato rrethana që ofronte momenti historik. Ajo çka i jep nerv është këndvështrimi vetjak i një personaliteti të lartë e të palëkundur, veçori nuk e prek objektivitetin e gjithë asaj që dëshmohet në vepër.

"Na, që shpëtimin e gjetëm në të ikun...", që botohet nën titullin "Orët e fundit të mbretërisë së Zogut", është një kontribut i rëndësishëm në letërsinë tonë dokumentare, veçanërisht në atë të kujtimeve për një ngjarje që shënon rënien e mbretërisë zogiste dhe pushtimin fashist të Shqipërisë. Për këtë moment të rëndë historik janë të interesuar të gjithë brezat e lexuesve, por sidomos historianët dhe shkrimtarët.

Ideoi dhe zbatoi reformën më radikale në këtë fushë, mbylli dhe shtetëzoi të gjitha shkollat fetare dhe private, me synimin atdhetar për të krijuar një shkollë unike shqiptare, mbi baza kombëtare, laike dhe shkencore.

I habitur dhe i revoltuar për një çast kur dëgjon vendimin, ai do t'i drejtohet prokurorit me zë të lartë në sallën e gjyqit: "Po a ka ligj në botë, zotni, që të dënojë mendimin?"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora