Mendime
Enver Robelli: Dhunuesit e Kosovës
E shtune, 15.06.2013, 10:42 AM
Dhunuesit e Kosovës
Nga Enver Robelli
Nuk është
aspak befasi që një deputet i tarafit sundues i fyen të gjitha femrat e
dhunuara gjatë luftës, duke thënë se “nuk janë viktima”. Befasi e neveritshme
është që edhe në vitin 2013 populli i Kosovës duron që persona të tillë (si
puna e Shaip Mujës) të jenë deputetë. Derisa njerëzit nuk ballafaqohen me
marrëzinë – marrëzia nuk do të marrë fund...
“Atë ditë
kur krimi stoliset me trofetë e pafajësisë përmes ndonjë kthese të çuditshme që
i përshtatet kohës sonë, atëherë do ta detyrojë pafajësinë që ta arsyetojë
veten.” - Albert Camus: Njeriu i revoltuar
Ky koment
ka të bëjë me shtetasin Shaip Muja. Për arsye të higjienës publike nuk është e
nevojshme që emri i tij të përmendet më tutje. Personi në fjalë është deputet
në Kuvendin e Kosovës. Ai me gjasë është i bindur se është zgjedhur me vota të
lira, ndërsa pak qytetarë të Kosovës do t’i besonin kësaj përralle, duke ditur
se pjesa më e madhe e deputetëve të partisë sunduese (dhe jo vetëm të saj) në
Parlament janë futur me vjedhje e blerje votash, me premtime në stilin “ti mua
një duq me vota, unë ty një tender ose një vend pune” dhe me lloj-lloj
marifetesh të njohura nga bota e nëntokës kriminale.
“...sepse
nuk janë të vrara”
Vini re
këto fjalë të deputetit:
“Nuk janë
viktima”!
Pse?
“...sepse
nuk janë të vrara”!
“Viktimat
janë të vrarët”!
Pra, jo
të vrarat, por të vrarët.
Meshkujt,
jo femrat.
Burrat,
jo gratë.
(Natyrisht
deputeti mund të dalë e të thotë se krejt ndryshe i ka menduar gjërat, por në
këtë rast ishte gjuha që e tradhtoi dhe e nxori para publikut pa fije
dinjiteti).
Dhe
pastaj ai i ra vulë: “Unë kam qenë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm të
UÇK-së”.
Pikërisht
për shkak se të tillët kanë qenë pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të
UÇK-së, asaj UÇK-së së hotel Rognerit në Tiranë, gjendja në Kosovë sot është
kaq e tmerrshme, kaq e padurueshme, kaq bizare.
Deputeti i tarafit sundues vazhdon: “Të themi shumë thjesht, ne do t’i futim në ligj, ua japim edhe 200 euro ose 250 euro, një pagë dhe i harrojmë ato. Kjo nuk është zgjidhje”. Logjikë më e mbrapshtë se kjo zor të gjendet. Kështu me gjasë tentohet t’i vishet “një etje grabitqare” një shtrese të shoqërisë - grave , të cilat janë poshtëruar në luftë - përmes armës më të fëlliqur, dhunimit. Nga ana tjetër, sipas kësaj mendësie, dhembja e femrave s’mund të matet me heroizmin e luftëtarëve të lirisë - një heroizëm shpeshherë i kufizuar në rrahjen e shqiptarëve nëpër kampe të UÇK-së në Shqipërinë veriore dhe vrasje pas shpine.
“Dhurues” dhe rrenacakë
Për të
folur budallallëqe në emër të kësaj politike - sunduese e arbitrare - ndër
personat më të kualifikuar me siguri është deputeti i lartpërmendur i PDK-së.
Ai tashmë ka bërë një karrierë të bujshme në mediet ndërkombëtare si i përzier
në aferën “Medicus”, me ç’rast në Prishtinë janë sjellë “dhurues të organeve”
nga Izraeli dhe vende të tjera. Këtu, në klinikën “Medicus” u janë nxjerrë
veshkat këtyre njerëzve fatzinj. Një dhurues e patën lëshuar këmbët në
Aeroportin e Prishtinës dhe qe ndalur nga policia. Pastaj filluan hetimet, që
çuan në ngritjen e aktakuzës.
Para gati
një viti revista gjermane “Der Spiegel” ia kushtoi një hulumtim të gjerë
tmerreve të klinikës “Medicus” dhe shkroi, duke iu referuar aktakuzës së
Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, se mjeku Lutfi Dervishi nga kjo klinikë kishte
mbajtur lidhje “me qarqet më të larta qeveritare të Kosovës”, përfshirë edhe
këshilltarin e kryeministrit për shëndetësi (fjala ishte për deputetin, emrin e
të cilit e përmendëm në fillim). Ç’të pritet më shumë nga një person i tillë
përveç fyerjeve për viktima dhe disa broçkullave të treguara nga “prizmi i
profesionistit” - mos të harrojmë deputeti “ynë” me profesion është edhe mjek.
Me fjalë të tjera: versioni kosovar i Dr. Frankensteinit.
Në vend
se të merret me mijëra e mijëra rrenacakë që, duke shfrytëzuar ligjin për
veteranë po tentojnë të kontrabandohen si “heronj të luftës” me të drejtë
pensioni të përjetshëm dhe në dëm të shoqërisë së varfër kosovare, regjimi
aktual rrugëdaljen e sheh në fyerjen e grave të dhunuara. “Kishim shumë ushtarë
në UÇK, por jo
Rezoluta 1820 e OKB-së
Këta që
fyejnë gratë e dhunuara gjatë luftës më mirë do ishte të lexonin dokumentet
përkatëse ndërkombëtare në lidhje me dhunimet gjatë konflikteve të armatosura
dhe jo të ndotnin ambientin me helm oral. Dhe meqë në çarshinë politike të
Prishtinës edhe për gjërat më të vetëkuptueshme kërkohet ndihmë mendore nga
miqtë amerikanë, po theksojmë se ishte ministrja e Jashtme amerikane,
Condoleezza Rice, e cila më datën 19 qershor 2008 prezantoi në Këshillin e
Sigurimit të OKB-së një rezolutë, e cila në të ardhmen do të gjendet në çdo
libër serioz të historisë. Fjala është për Rezolutën 1820, e cila u miratua nga
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e cila në mënyrë
të qartë dhunimet e femrave gjatë konflikteve të armatosura i klasifikon si
“krim lufte”, “krim kundër njerëzimit” dhe veprim që plotëson elementet e
gjenocidit. Rezoluta kërkon nga shtetet anëtare të OKB-së të respektojnë
obligimet e tyre për ndjekjen penale të dhunuesve dhe mundëson sanksione kundër
atyre vendeve, në të cilat ushtrohet dhunë seksuale gjatë konflikteve të
armatosura.
Viteve të
fundit politikanë të niveleve të ndryshme të Kosovës “kanë raportuar” në
Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi “përparimet në Kosovë”, por për aq sa është
dëgjuar publikisht asnjëherë nuk i kanë përmendur gratë e dhunuara gjatë
konfliktit të viteve 1998/99. Ky është vetëm njëri nga shembujt e mendësisë
patriarkale – një mendësi që sot është mbizotëruese në politikën e vendit.
Dhembja, poshtërimi, dhunimi, çnderimi, shkelja mbi dinjitetin e femrës nga
çizmja e kriminelit pushtues duket se janë vetëm fjalë pa përmbajtje në
botëkuptimin e figurave “n’kajde të njeriut”, që ndotin debatet publike në
Kosovë.
Kjo arrogancë ndaj viktimave ndoshta është vetëm përpjekje e disa komandantëve të UÇK-së jo vetëm për të fshehur krimet e tyre “të rëndomta” (vrasje, “plagesa”, rrahje brutale), por edhe dhunimet që mund t’i kenë bërë edhe ata gjatë luftës. Në sytë e tyre dhunimet mund të mos duken si krime, por në sytë e çdo shoqërie normale janë krime, ashtu siç i kishte definuar ministrja e Jashtme amerikane, Condoleezza Rice. Dhe ashtu siç nënvizon Rezoluta 1820 e OKB-së.