E diele, 22.12.2024, 11:45 AM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Sjellje të trasha ‘elektorale’

E marte, 11.06.2013, 08:05 PM


Sjellje të trasha ‘elektorale’

Nga Vangjush Saro

Krahas klimës agresive e të ndezur, si dhe premtimeve që janë tejet poshtëruese, shtirja vjen si një nga episodet më qesharake e të ulëta të fushatës elektorale në zhvillim e sipër. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë gjithë karrierës “së dytë” politike, këtë herë si demokrat apo antikomunist, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë takim të shënuar - në kuptimin që të jetë i njohur, me reflekse zgjidhjeje - me atë komunitet që padrejtësisht titullohet ish-pronarët e Shqipërisë. Kryetari i Shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Rapo Danushi dhe eksponentë të tjerë të kësaj shoqate, këto ditë kanë pasur një polemikë me përfaqësuesen e Bankës Botërore. Përmidis ka shumë probleme, tash u bënë 23 vjet me të tilla. Faktet tregojnë se në Shqipëri parimet e mbrojtjes së pronës private - mbi të cilat ndërtohet ekonomia e tregut dhe demokracia - nuk janë respektuar. Mjaft të përmendim një sërë gjyqe të fituara nga pronarët në Strazburg, ndërkohë që qeveria shqiptare është e detyruar të paguajë shuma të mëdha, midis të tjerave edhe për shkak të kokëfortësisë së saj.

Po ashtu, kryeministri aktual i Shqipërisë, gjatë gjithë karrierës “së dytë” politike, këtë herë si demokrat apo antikomunist, nuk ka pasur ndonjë takim të shënuar me të persekutuarit politikë dhe ekonomikë të vendit. (Dje ka thënë diçka kështu, që duhet të durojnë...) Përkundrazi, marrëdhëniet e tij e të qeverisë së tij me këto komunitete - të cilëve Shqipëria e djeshme dhe e sotme iu ka shumë borxhe - aktualisht mbeten mjaft të acarruara. Greva më e fundit e ish-të përndjekurve politikë, që përfundoi edhe me viktima, na tregoi se ish-komunisti i konvertuar në demokrat sa për sy e faqe, nuk është i prirur të vështrojë me realizëm mbi jetën dhe problemet e kësaj shtrese. Mund të thuhet ndërkaq, se edhe me komunitete a individë të tjerë, që kanë sjellë vlera, nuk ka pasur ndonjë afrim delikat.

Por ndërkaq, drejtuesit e shtetit shqiptar, përfshi kryeministrin Berisha, e kanë gjetur gjithnjë kohën të zhvillojnë takime me futbollistët e Ekipit Kombëtar. Kryeministri ka bërë edhe humor të trashë madje, duke marrë shkas nga disa mbiemra përkitës atje. Një shembull tjetër i trashësisë - gjithë në këtë linjë sjelljesh të shtirura - ishte pritja që iu bë këngëtarit italian Rikardo Konçante dhe këngëtares së re Elhaida Dani, fituese e “The Voice of Italy”. Me sa u duk, ajo vajzë ishte mjaft e sojme, e edukuar dhe modeste, me këmbë në tokë; gati i tha kryeministrit se ishte e tepruar ajo çka po bëhej për Konçanten dhe për atë. Por kryeministri ngulte këmbë që ajo e meritonte…

Sigurisht, Ekipet Kombëtare, shkencëtarët, shkrimtarët, kineastët apo edhe këngëtarët që tregojnë vlera më shumë se lokale, meritojnë të gjitha nderet. Problemi është që drejtuesit e shtetit shqiptar, në veçanti kryeministri aktual, përpiqen që përmes këtyre takimeve të shfaqin “anët e tyre më pozitive”. Të fitojnë ‘pikë’. Të mbulojnë ca halle. Kështu, Berisha shtiret sikur merr vesh mirë nga futbolli; kurse e ecura e tij dëshmon se vështirë të ketë lozur ndonjëherë futboll. Ai shtiret mjaft i dhënë pas notit dhe, sigurisht, me atë vullnetin e paepur që ka, çatis edhe noton për një kohë të gjatë, sigurisht në mënyrën më qesharake. Po kështu, ai shtiret sikur merr vesh nga muzika dhe artet; mund të thuhet se për të lexuar ka lexuar mjaft; por sa i takon muzikës, mënyra se si ai flet, gropa-gropa, dëshmon që është “out” në këtë art. Fundja kujt i duhen të gjitha këto, teksa njerëzit me pushtet fusin hundët gjithandej, për të xhvatur diçka nga arritjet e të tjerëve!

Shtirja është një ves i vjetër sa bota. Vështirë që përmes saj të performohet në mënyrë pozitive dhe me përfitim. Megjithatë, zotëria veshhollë rregullisht takohet me ekipe kombëtare apo këngëtare e modele që kanë bërë emër, me qëllim që të duket inkurajues, vlerësues, largpamës. Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje, kjo sjellje e shtirur prej lideri komunist, i ka ulur edhe më tej aksionet e tij politike, edhe kështu mjaft në krizë. (Në Shqipëri, gjithçka përsëritet si në një komedi. Edhe ish-kryeministri Fatos Nano, që tani ka humbur si sëpata pa bisht, i ka bërë shpesh këto lojëra me lojtarë dhe këngëtarë, për të përmirësuar sadopak aksionet në rënie. Kryetari i opozitës, Edi Rama, sa kohë ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, gjithashtu e ngrinte në këmbë administratën dhe krejt mjetet e rekuizitën e Bashkisë dhe i degdiste në ndihmë të takimeve elektorale të Partisë Socialiste. Hileja është vetja e dytë e tyre.)

Kështu erdhëm te thelbi. Pjesa më e rënduar dhe më e trashë, edhe në këtë fushatë, mbetet përfshirja me dhunë e administratës, çka bie në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi. Nuk dimë se deri ku mund të shkohet edhe këto pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet, por është e dukshme që njerëzit po pushohen nga puna padrejtësisht, po detyrohen të dalin nëpër mitingje, përndryshe kërcënohen se do të pushohen nga puna; po ashtu, iu bëhet presion në mënyrë të vazhdueshme për të dhënë garanci për votën pro qeverisë aktuale, madje iu kërkohet të sigurojnë edhe disa vota të tjera. Kulmi i hipokrizisë politike dhe i ‘pastërtisë’ së këtyre zgjedhjeve, është poshtërimi për ta shpallur votën, madje për ta filmuar...Më tej, në këtë fushatë sërish po përdoren fënijët, që për fat të keq lënë mësimin, braktisin shkollën, duke e kuptuar jetën si një sherrnajë pa fund midis politikanësh. Është për të ardhur keq.

Nga një vështrim i shpejtë vetëm rreth disa sjelljeve posaçërisht ‘elektorale’, shenjat janë që edhe këto zgjedhje do të njollosen, paçka se partnerët e duruar dhe organizmat monitoruese mund të flasin sërish për përmirësime dhe...hapa para. Një histori që vazhdon të ‘shugurojë’ tranzicionin e zgjatur të vendit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora