Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Shkupi historik i shqiptarëve
E hene, 03.06.2013, 08:05 PM
SHKUPI HISTORIK I SHQIPTARËVE
NGA KALOSH ÇELIKU
Ditë e
vite krekosen nëpër fushata parazgjedhore lokale e parlamentare politikanët
shqiptar se do ta bëjnë sheshin “Skënderbeu” më të madhin në Shkup. Jo, o burra
mejdani! Shesh të madh ka bërë Gruevski: Aleksandrin e Madh të Maqedonisë mbi
çati të pallateve, matanë Urës Gurit. Në anën shqiptare, te këmbët e urës
mitropolitë të Beogradit: Shën Klimentin dhe Shën Naum Ohërin me kryqa e Biblën
në duar. Para porte, në Bit – Pazar Filipin e Maqedonisë me gjithë gra e fëmijë
në gji. E, jo Izet Mexhiti që mezi i ka shtruar disa pllaka betoni mbi çati të
shtëpizave, në Bit – Pazar.
Inatin ia
ki “armikut”, ama mos ia ha hakun. Vërtet ka ndërtuar një ndër sheshet më të
bukur të Shkupit, rrethuar nga të katër anët me katunde shqiptar. Përmëtepër, e
zgjëroi edhe në këtë anë të Vardarit. E hapi qytetin nga qielli të marr lirisht
frymë. Edhe me fontana gjigante, që syri t’i sheh vetëm nëpër metropolet e
mëdha të botës.
Skënderbeut
tonë mes parkingut të makineve, përditë i zihet fryma. Asnjë pëllëmbë livadh
nuk ka për ta kullotur kalin. E ku më ta shalojë me të katra nëpër Çarshi te
ndonjë fontanë t’i japi ujë. Hasan Prishtina para semaforëve në udhëkryq, pret
ta kaloj udhën më këmbë. Ngjyra e kuqe ia ka lidhur këmbët mes makinave në
trotuar. Kalit të tij në breg të Vardarit i ka hipur në shpinë Karposhi.
Rasti ma
kujtoi Xhangon, kur erdhi nga Amerika në Shkup. Autobusin me të cilin duhej të
ktheheshim në shtëpi. Biletën që donte të ma paguaj atë ditë. Jo, i them: unë
kam “meseçna” (mujore), që të më kuptojë ai me katër vjet shkollë fillore. Aty
për aty tërbohet: çka është ajo “meseçna”, nuk e kuptoj fare këtë fjalë?!
Mujore, i them unë. Ëhë, fol shqip bre vëlla të të marrë vesh edhe Zoti! Ne
shqiptarët në Amerikë, kemi sjellur vendim për të gjithë ata që përdorin
barbarizma, nëse gabojnë t’i dënojmë me nga një shuplakë. Xhango atë ditë ma kujtoi
edhe një histori interesante. Vëllain e tij, që punonte dhe jetonte me gjithë
familje në Zvicër, kur ndërtoi shtëpi moderne me strehimore në Katund. Një
ditë, kur edhe përpara oborrit ndërtonte pishinë. I them unë Xhangos: Çka i
duhet pishina, ai në Katund vjen për pushime vetëm dy javë. Edhe ato pak ditë i
kalon në Ulqin ose Greqi. Para me thasë derdhë kot për tulla e mure betoni
(kapital të vdekur), në vend që të ndërtojë hotel në ndonjë bregdet turistik.
Heshtë, më thotë Xhango. Mos i thuaj atij asgjë, ne do të na mbesë edhe shtëpia
edhe pishina t’i kalojmë ditët e nxehta me vapë gjatë verës duke u freskuar në
Katund.
E kanë
thënë moti pleqtë tanë se, shqiptarët shum pak kanë punuar dhe punojnë për vete
(Atdheun) si popull më i moçëm i Ballkanit. Historikisht kanë luftuar për të
tjerët, pushtuesit. Punën më të madhe mes të këqijave, shqiptarëve ua kanë bërë
“miqtë” historik si “çlirimtarë”. Gjermanët dhe italjanët i bënë edhe “Shqipëri
të madhe” (Marrëveshja historike bullgaro – shqiptare). Tashti, kjo nuk ka
gjithaq rëndësi, me vetëdije apo pa vetëdije. E rëndësishmja është se, koha sot
po punon me të madhe për shqiptarët. Përçudi, shqiptarët nuk punojnë për kohën.
Mos e teproj ta them: Zoti i do shqiptarët. Punë tjetër është ajo se,
shqiptarët nën hije të Rrapit si te ajo vjersha e Çajupit: lozën kuvendojnë.
Pika që s’u bie se nga “vëllezërit” rrojnë. Armikun gjithë jetën e vrasin nëpër
dasma, restorante e kanale televizive me çifteli, këngë e valle.
Edhe sot
si dje, dal unë për të zënë në grep ndonjë temë interesante për gazetë ose
libër. Asgjë. Shadërvanët e Gruevskit plot me ujë Vardari, nuk kanë asnjë
peshk. Në Bit – Pazar, hipur mbi kalë më pret Skënderbeu me shpatën në brez:
Ndaluni, o burra! Për ku jeni nisur?! I përgjigjem: Vendin ta çlirojmë. Pak më tej, Filipi i Maqedonisë me gratë e
tija azgane me fëmijë në gji e ka ngritur dorën lartë si dikur Xhaxhi Enver.
Ndaluni, o shqiptarë, këtu është kufiri natyror! Mu te këmbët e Urës,
mitropilitët e Beogradit: Shën Klimenti dhe Metodi. Matanë Urës Gurit,
Aleksandri i Maqedonisë me Goce Dellçevin dhe Nikolla Karevin hipur mbi kuaj
shale.
Mirë, u
them unë rrugës. Në rregull disi, vetëmse nuk i dorëzoj armët. Lufta vazhdon me
penë. Po, ku i keni shqiptarët?! E dini se, pa shqiptarët ju deri më sot nuk e
keni bërë asnjë luftë?! Shtet në Ballkan. Edhe në kohën e Serbisë, edhe në
kohën e Turqisë, edhe në kohën e Gjermanisë, edhe në kohën e Jugosllavisë. Jo,
më përgjigjen në heshtje heronjt e sotshëm që me ndihmëm e shqiptarëve e kanë
pushtuar sheshin e Shkupit. Atëherë, si do të bashkëjetojmë ne në një shtet të
përbashkët si “vëllezër”?! Ku i keni edhe heronjt shqiptar?! Vargjet e Naim
Frashërit që i kishit para fushatës zgjedhore në ballë të ish “Ilindenit”
(Shtëpisë së mallërave), në Bit – Pazar: “Dhe drita e diturisë përpara do na
shpjerë”?! Nuk i shoh më ato vargje pas “fitoreve” të zgjedhjeve lokale në
ballë të pallatit nën një çati me studentët e Universitetit Shtetëror të
Tetovës?! Frikë kam se, një ditë nuk do ta shoh as Skënderbeun në parkingun e
makinave, në Bit – Pazar. Ani. Vetëm se, le ta hipin së paku atje ku e ka
vendin, në Kala heroin tonë kombëtar legjandar.
Megjithatë,
e di: vështirë e ka sot për sot Skënderbeu në Bit – Pazar. Hasan Prishtina edhe
më vështirë si diplomat shqiptar. Intelektualët e vërtetë shqiptar të marrin
lirisht frymë mes këtij bërlloku Stambolli. Dorën në zemër, e them publikisht:
Vërtetë, Nëna Parti shumë pak ka bërë për shqiptarët dhe Atdheun, ama punë të
madhe ka bërë që e solli Skënderbeun tinëz dudumëve në mes të Bit – Pazarit, në
Shkup. U lumtë! E vetmja punë patriotike që meriton duartrokitje.
Urat e
gurit mbi lumë, hamamet, shtëpitë publike, xhamitë dha kalatë i trashëguam nga
Perandoria osmane. Nesër, do t’i trashëgojmë edhe përmendoret, sheshet,
teatrot, institucionet arsimore e kulturore të “vëllezërve”, që sot mbijnë si
këpurdha.
Vite me
radhë “vëllezërit” jemi duke i bërë shtet. Fatkeqësisht, siç duket “vëllezërit”
nuk duan shtet. Prandaj, kështu siç e kanë nisur “bashkëjetesën” nën një çati
me shqiptarët, nesër “vëllezërit” edhe nuk do të kenë shtet. Një burrë i mençur
(Mahmut Dumani), që ka punuar e vepruar në këto anë, gjatë Luftës së Dytë
Botërore ka thënë: Shqiptarët, patjetër një ditë do të bashkohen në një shtet.
E, ajo ditë nuk është larg, mvaret nga ecuria e proçeseve historike në Ballkan.
Nëse çështja shqiptare zgjidhet me luftë, do të ndodhë së shpejti bashkimi
kombëtar i shqiptarëve. E, nëse me penë, do të zgjasë edhe pak kohë për të
arritur te qëllimi i shekullit, Shqipëria Etnike.
Shkupi historik dhe shteti, nesër do t’u mbetet shqiptarëve…