Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Papagaj politik kafazi
E hene, 27.05.2013, 08:49 PM
PAPAGAJ POLITIK KAFAZI ME DYER TË HAPURA
Nga Kalosh Çeliku
Namën e
turkut gati të gjithë e dimë, që nga koha e Baba Dovletit. Shqiptarët, kur ia
kthyen pushkën dhe shpinën Turqisë, i nemi turku: kurrë, mos t’u heqtë nga
shpina robëria. Njëri - tjetrin e hënkshi me gjithë lecka për karrike e
pushtet! Mallkimin e asaj Perandorie osmane, herë pas here na e kanë bërë me
dije edhe të parët tanë kaçakë, që gjithë jetënë me pushkë në dorë e luftuan
“lirinë e dhuruar të vëllezërve” nga Anadolli. Rilindasët tanë, (jo këta
politikanët e sotshëm) e futën edhe nëpër libra ose këngë popullore. Edhe,
përçudi “vëllezërit” këtij populli liridashës ende nuk i zbresin nga shpina
krah për krahu me kalorësit e arratisur. Punemadhe, që gomari asht e lëkurë me
të katra këmbët me gjithë Nastradinicën në shpinë është rrasur deri në bark mes
batakut. I zbresin “vëllezërit” sllav, i hipin “vëllezërit” turq. I zbresin
“vëllezërit” turq, i hipin përsëri “vëllezërit” sllav.
Interesant,
pas Luftës së parë botërore si “çlirimtarë” i hipën edhe italjanët bashkë me
gjermanët. Në fund të Luftës “nacional-çlirimtare” si “shpëtimtarë” edhe
partizanët e xhaxhit Enver e shokut Tito. Kohën e sotshme me ndihmën e argatëve
shqiptar, përsëri e vallojnë livadheve me “politikë madhore vëllezërit” sllav.
Tymemjegull me të katra e shalojnë nëpër histori. Dhashtë Zoti, këtij populli
historik, nuk i hip mbi samar përsëri turku. Amani, le t’i hipi kush të dojë
nesër, vetëm jo edhe turku se, nuk mund ta bartim edhe pesqind vjet të tjera
samarin e tyre historik mbi shpinë me gjithë barrë.
Përjashtim,
deri diku sot bëjnë Shqipëria dhe Kosova. Sllavi vështirë më i shalon me të
katra nëpër stadiume sportive e sheshe të qyteteve. Ndoshta, i shalojnë miqt e
tyre “strategjik”: Bashkimi Evropjan dhe Amerika. Dihet, me vullnetin dhe
dëshirën e tyre mikpritëse njëzetëvjeçare në një sofër: me bukë, kripë e zemër.
Shkak ky, që bëjmë “sefa” nën hije si në kohën e Turqisë me këngë e valle duke
e vrarë armikun shekulllor nëpër dasma e “konaqe” televizive. Copë-copë i bëmë
daullet. Çiftelitë me dy tela. Duart duke u rënë shuplakë e përdredhur bythët
në valle me kënëgën e Adem Jasharit. Vetë u hipim kuajve të arratisur për
pushtet, vetë u zbresim pas fushatës së zgjedhjeve lokale e parlamentare nëpër
kabinete të Qeverisë. Betejave të “përgjakshme” na prinë në ballë “bajraktarët”
me Skënderbeun e postere të Rilindasëve shqiptar nëpër foltore. Herë pas here,
në çdo tubim madhështor - parazgjedhor para popullit, rrugën na e shtrojnë me
lule, e bëjnë sa çelë e mëshelë sytë Shqipëri Etnike.
Rrugë
shtrojnë me qindra kilometra, hapin vende pune, ujësjellësa nëpër qytete,
shkolla moderne e universitete nëpër katunde. Edhe pse, nëpër ato vendbanime
nuk na ka mbetur asnjë fëmijë për shkollë. Fshatarëve Nëna parti u bënë edhe
fëmijë. Vetëm e vetëm, që t’ua vjedhin në mes të ditës “votën e lirë demokratike”.
Nesër,
pas zgjedhjeve lokale e parlamentare, që zakonisht ndodhin në pranverë, verë
ose vjeshtë, vjen “Dimri i vetmisë madhe”, siç shkruan në romanin e tij Kadare.
Gurë e dru mbi politikanë shqiptar: tradhtarë, hajdutë, spiunë… Na mashtruan
për një thes miell, vende pune në administratën shtetërore e pak para.
Mirë,
them unë mes këtyre rreshtave të këtij shkrimi. Njëzet vjet me radhë ta
mashtrosh popullin shqiptar, e ky përsëri të të besoj për liri?! Nuk e mba këtë
rrenë politike asnjë kandar në botë. Njëzet vjet, të njëjtët individë me “votën
tonë të lirë” rrotullohen me ushtrime akrobatike nëpër parti politike, kabinete
e qeveri me të njëjtat parulla patetike “për ndryshime”?! Premtime boshe nëpër
sheshe e stadiume sportive. Herë me ngjyrë qielli, herë me ngjyrë bordeli e
herë kuqezi… Shpenzime marramendëse bëjnë nëpër fushata zgjedhore anë e mbanë
Shqipërisë. Fishekzjarre me qindra mijëra mbi qytete duke e ndezur flakë edhe
qiellin. E merreni me mend, sikur gjithë ato para t’i derdhnin për arsimin dhe
kulturën shqiptare?! Qindpërqind, nuk do të ishim në këtë gjendje të mjerueshme
kombëtare siç i kemi sot punët, po krah për krahu me të arriturat shkencore
para dyerve të botës përparimtare.
Gojën
plot them: Jo, kjo aspak nuk është e besueshme në Ditën e sotshme. Problem siç
duket, ne nuk kemi me armikun shekullor, po me vetëdijen e popullit shqiptar?!
Vetveten, që na ngatërrohet me vite nëpër këmbë. Shqiptarët nga dy më të
këqijat politike, duhet të zgjedhin atë më të mirën për Shqipërinë. Nuk e marr
guximin t’ua them në sy se cilën rrugë demokratike. Shkaku se, populli shqiptar
është vetë i mençur. Përmëtepër, vetë i zgjedhë rrugët historike dhe prijësit e
tij politik për Nesër. Patjetër, në këtë shkrim duhet ta përsëris edhe se, një
popull për të ardhë deri te qëllimi historik i duhen t’i pri tre faktorë
kryesor: në ballë - njerëzit e ditur, pastaj vijnë të pasurit dhe në fund
populli. E, a i ka sot populli shqiptar këto tre faktorë për të arritur deri te
qëllimi historik?! Fatkeqësisht, ende jo.
Përpjekjet
e disa fundrrinave politike me inetresa personale për ndryshime në politikën
shqiptare, përfunduan siç thotë populli: “si qeni në rrush”. Mësim të cilin
duhet ta marrin parasysh politikanët e ardhshëm shqiptar, nëse duan të
themelojnë lëvizje politike për ndryshime, që me verprimet e tyre politike të
mos u shërbejnë më këmbekrye partive politike në pushtet. Parti politike mund
të themelojnë individë që nuk i ka shtrydhur dhe harxhuar deri më sot asnjë
parti politike, pjellë pas porte si Kuaj Troje. Shembull më i freskët është ai
i papagajve politik të kafazit me dyer të hapura. Partizanë, që u kanë shërbyer
padronëve partiak deri në themelimin e lëvizjeve të tyre politike, që me
veprimet “nacionaliste” ende i mbajnë gjallë në pushtet.
Shqiptarëve
u duhet tjetër kalibër i politikanit:
Burrë mejdani, që tjetër flet e deklaron në mjetet e “pavarura” të informacionit. Tjetër mendon
dhe tjetër punon për Atdheun. Dhe, krejtë tjetër vepron në politikë.
Koha
është pra, ta ndryshojmë veten ne shqiptarët në veprime dhe politikë, e jo
partitë politike që njëzetë vjet me radhë bëjnë luftë demagogjike për pushtet
si ato Dhitë kryeneqe mbi vigun e lumit te Abetarja! Votën e lirë kësaj radhe
në këto zgjedhje parlamentare t’ua japim individëve që e kanë dëshmuar veten
për zgjidhjen e çështjes shqiptare e jo partive politike që bëjnë luftë për
pushtet.
Papagajve
politik të kafazit me dyert e hapura krah më krah, që para zgjedhjeve lokale e
parlamentare rrinë “gju më gju” me popullin, e pas “fitoreve historike” i zë
gjumi me sy të hapur në Qeveri, erdhi dita t’ua mbyllim dyert politike me
çelës, t’i lëmë të çirren pas porte për pushtet .
Dhe, me shqelma (votën e lirë demokratike) t’i përzëmë nga politika shqiptare…