E shtune, 21.12.2024, 03:00 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Flet eksperti i pyjeve Rexhep Ndreu

E merkure, 22.05.2013, 05:47 PM


Flet eksperti i pyjeve Rexhep Ndreu: Federata Kombëtare e Pyjeve, pjesë e shoqërisë civile për ruajtjen e pyjeve në nivel komunal

“Ne nuk mbështesim shërbimin që pylli i bën jetës së njeriut, ajrit, tokës dhe ujit”

Nga Albert ZHOLI

Kombet e Bashkuara e shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe përmirësuar vlerësimin e çështjeve të biodiversitetit. Fillimisht, në fund të vitit 1993, Komiteti i Dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shpalli si Ditë Ndërkombëtare të Biodiversitetit 29 Dhjetorin, ditën e hyrjes në fuqi të Konventës së Biodiversitetit. Por në Dhjetor 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 22 Majin si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, për të kujtuar miratimin e tekstit të konventës në 22 Maj 1992 nga Akti Final i Konferencës së Nairobit për Miratimin e tekstit të Konventës së Biodiversitetit. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara deklaroi 2013 si Viti Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Ujin në Kombet e Bashkuara. OKB i ka deleguar promovimin dhe organizimin e aktiviteteve globale UNESCO-s për nismën e 2013-s, për shkak të qasjes unike multidisiplinare të kësaj organizate, e cila ka në objektiv të saj shkencat natyrore dhe shoqërore, arsimin, kulturën dhe komunikimin. Duke pasur parasysh rolin e ujit, si një element i ndërmjetëm dhe universal i jetës në Tokë, Viti Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Ujin në Kombet e Bashkuara duhet të përqafojë dhe të preki të gjitha këto aspekte. Në këtë ditë ne zhvilluam këtë intervistë me ekspertin e pyjeve z. Rexhep Ndreu.

Cili është qëllimi i takimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve?

Gjithë aktorët  ndërkombëtarë shqetësimin e kanë për pyjet dhe biodiversitetin në nivel global. Qëllimi i këtij  Simpoziumi Ndërkombëtar është që ta ndaj përvojat nga rajonet dhe  Shqipëria këtë radhë është zgjedh si, një model zhvillimi  dhe për të parë gjendjen aktuale për pyjet dhe kullotat, për menaxhimin e qëndrueshëm në nivel global, me qëllim që edhe Shqipëria të integrohet drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Natyrisht, këtu vijnë shumë përvoja nga vendet europiane, sidomos asaj Juglindore, vijnë shumë përvoja nga perëndimi  ku të gjitha diskutimet që bëmë ndalen aty ku Shqipëria kohët e fundit po zhvillon reforma të thella në proces të decentralizimit të pyjeve dhe kullotave dhe ku decentralizim çon drejt zhvillimit të qëndrueshëm.  Një ndër problemet më të rëndësishme që u diskutua ishte pyjet dhe zhvillimi rural. Përfaqësuesi i Komitetit Evropian paraqiti në këtë Simpozium disa pikëpamje, disa hapa që duhet të kryhen nga, vendet e ndryshme, me qëllim që të përfshihen në programet e  zhvillimit rural e sidomos në pyjet, pasi toka dhe bujqësia janë të përfshira në këtë  zhvillim rural ku ka 3 vjet që programi IPAD  funksionin në Shqipëri me skemat e subvencioneve, ku janë  rreth 40 skema  të tilla në fushën e bujqësisë, por mendohet që shumë shpejt këto skema, pikërisht në vitin 2015 të futen edhe në pyje. Kjo është  shumë e rëndësishme për Shqipërinë sepse meqenëse  Shqipëria po hapet drejt pronave dhe po transferon pronat tek përdoruesi tradicional, tani kemi një përvojë shumë të mira pasi shumë nga përdoruesit tradicional po kthehen t’i mbrojnë pyjet e tyre, d.m.th pas vitit 1990, ku ndoshta  projekti i skemave të mbështetjes nga IPA dhe IPRARD -4, do të jetë, apo më mirë të themi do të përfshijë dhe pyjet. Dua të theksoj se në këtë skemë është shumë e rëndësishme që të përfshihen pyjet, pasi  këtu do përfshihen pyje të reja, mirëmbajtja e pyjeve ekzistues, lufta kudër erozionit, përfshihen  agro-pylltaria në shkallë të gjerë, pasi është pjesë  shumë e rëndësishme e zhvillimit të pyjeve  të qëndrueshëm në Shqipëri. Ndoshta ky element, ku ne po diskutojmë shumë gjatë është shumë i rëndësishëm, kështu u shpreh dhe përfaqësuesi i Komitetit Europian, që foli  për pyjet që të përfshihen në skemën e zhvillimit rural, e cila ishte pjesa më e rëndësishme më e prekshme për ne, e këtij Simpoziumi.

Përse ishte më e prekshme për ne?

Kjo sepse, ne e quajmë domosdoshmëri zhvillimin e pyjeve në zonat rurale, pasi fermeri ka një copë tokë, ku aty ka pyllin, ka kullotën, ka ujin, ka blegtorinë, ka pemëtarinë. N.q.s të gjitha këto shërbime ne do t’i grupojmë apo do t’i menaxhojmë, ashtu siç fermerët  kanë një traditë duke i mbështetur ata edhe për pyjëzime të reja edhe për zhvillimin e këtyre sektorëve  atëherë ne do  të themi se do të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, drejt një zhvillimi rural  që do të ndikoj në zbutjen e varfërisë, në gjithë  zonat e Shqipërisë por edhe më gjerë. Probleme të tilla ka edhe Ballkani, ka edhe Kosova dhe Maqedonia, ndaj pyjet duhet të përfshihen totalisht, në  zhvillimin e vendeve rurale.

Cilat janë problemet e pyjeve shqiptare në kohën që po bisedojmë?

Janë  shumë komplekse këto probleme, janë shumë të gjera ti diskutosh veç e veç. Sot në përgjithësi  ka një situatë të vështirë për pyjet. Situata është e rëndë sepse  vazhdojnë shfrytëzimet në pyje, situata është e rëndë se ka pas zjarre në pyje, sepse  erozioni i tokës vazhdon me intensitet të lartë. Të gjitha  këto elementë që diskutojmë kanë ndikime shumë të rëndësishme në përmirësimin e situatës edhe për zjarret edhe për erozionin  edhe për zhvillimin rural. N.q.s ne kemi problematikë zhvillimin e qëndrueshëm, është sepse ne akoma se kemi të qartë pronësinë e tyre.

Pse vjen ky shqetësim?

Akoma shqiptarët nuk e dinë se kush është pronari real  i pyjeve. Megjithë  zhvillimet e mira, megjithë mbështetjen që qeveria ka dhënë për këtë  proces dhe një ndër reformat e pronësisë, ne kemi  kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë vazhdimisht se kjo reformë duhet të thellohet, pra duhet të shkojë prona tek i zoti që do të thotë, pyjet tradicionale historikisht i ka pas fermeri, i ka pas fshatari i cili duke i pasur nën pronësi, nën kujdesje, ai  do të rrit edhe përgjegjësinë, edhe kujdesin për të shtuar pyjet dhe kullotat. N.q.s ne themi kjo është e shtetit, ajo është e komunës, ajo e tjetrit  kjo nuk përbën zgjidhje. Zgjidhja është kur pyjet i jepen pronarit që i ka pas. Atij i jepet e drejta, i jepet mbështetja, i jepet prona dhe në kohë të përshtatshme i jepen dhe buxhete, për ta  mbështetur fermerin, si për të mirëmbajtur atë që ka por edhe për shtimin e pyjeve. Ne  na mungojnë edhe shërbimet në ekosistem. Ne themi se tradicionalisht fermerët e kanë pyllin e vet, por ne  nuk e mbështesim, kur ai e mbron pyllin, ne nuk e mbështesim kur ai i shërben pyllit, apo nuk mbështesim për shërbimet që pylli i bën mjedisit, apo shërbimeve që ai i bën natyrës. Ne nuk  mbështesim shërbimin që pylli i bën jetës së njeriut, ajrit, tokës, ujit që janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, që janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm. Të gjitha këta tregues me reformat që duhet t’i zhvillojmë, në tërësi që duhet të ecin më me shpejtësi në Shqipëri, kur prona të shkojë tek i zoti, atëherë do të rritet përgjegjësia edhe e strukturave, edhe e banorëve të komunitetit edhe e strukturave të komunave që i kanë marrë pyjet në pronësi, por akoma nuk, kanë përgjegjësinë e duhur për të vendosur ekspertë për të siguruar një shërbim brenda komunave, për të siguruar të drejtat dhe detyrat e tjera që kanë, për të menaxhuar pyjet. Ndoshta këto janë, reformat  që qeveria duhet t’i përshpejtojë.

Si kanë qenë porositë e qeverisë dhe të Federatave Rajonale për pyjet?

Shpeshherë është diskutuar dhe në nivelin e qeverisë  edhe në nivelin e ministrive dhe për fat tonë edhe nën ndikimin e Federatave rajonale, ku Kryeministri dha një porosi që të shkohet drejt mekanizmave të privatizimit  të pyjeve. Ngërçi pastaj filloi të qëndrojë në struktura të nivelit të ulët, në nivelet e ministrive, sepse edhe këto kishin merakun se pyjet kështu mund të prishen, mund të dëmtohen. Në fakt në Shqipëri ndodh e kundërta, asnjëherë  njeriu nuk e prish shtëpinë e vet, përkundrazi, pyllin e vet, pronën e vet e mban shumë mirë, e sistemon  shumë mirë, e punon shumë mirë, e përmirëson shumë mirë, po kështu  edhe pyllin. Dhe kjo ka ndodh në Shqipëri. Ne për pyjet i kemi modelet në Shqipëri, i kemi bërë presion qeverisë se urdhëro si ruhet pylli,  ku dhe ti si shtet duhesh të kujdesesh në këtë formë, sepse pronari e mbron pyllin, kurse ti si shtet edhe pse paguan  një shërbim nga taksapaguesit shqiptarë (dhe pse paguhen shumë pak), por duhet thënë  se kështu duhen administruar pyjet. Në këtë drejtim secili duhet të merret me drejtimin e vet. Qeveria detajon pronat, Ministria harton politika, ndërsa menaxhimin e bëjnë poshtë njerëzit,  shoqatat, komunat, komunitetet  lokale, njerëzit në terren.  Ja pra, nuk duhet të ketë një strukturë siç kemi ne ministrinë, që edhe harton politika, edhe  nxjerr ligje, edhe nxjerr udhëzime, edhe direktiva, edhe realizon plane, bën implementimin e tyre. Këto të dyja nuk shkojnë. Ministritë hartojnë politika dhe ndërtojnë strategji me përfshirjen e njerëzve, ndërsa qeverisjen, menaxhimin, përdorimin, projektet duhet t’i menaxhojnë shoqatat në terren, njerëzit në terren, sepse ato janë  më të përgjegjshme për t’i zhvilluar pronat e veta. Fermeri ka më shumë interes se një strukturë  shtetërore për një zhvillim të qëndrueshëm dhe përdorim më të qëndrueshëm të inerteve, pyjeve, gjuetisë se sa  në nivel qeverie, pasi është e pa mundur që një ministri t’i menaxhojë të gjitha. Është e pamundur që ministri t’i bëjë të gjitha detyrat, ato duhen ndarë, sidomos në një demokraci demokratike duhen deleguar kompetencat, përgjegjësitë. Në këto raste përgjegjësitë t’i mbajnë aktorët lokalë, ndërsa aktorët qendror monitorojnë, kontrollojnë  politika, hartojnë strategji. Kjo është filozofia e demokracisë dhe kështu mendoj se duhet të funksionojë dhe në Shqipëri. Ne kemi shumë përvoja nga të gjitha  vendet dhe aty ku kemi vizionin ne n.q.s ju japim  të drejtën njerëzve, ju japim të drejtën dhe përgjegjësinë pronarëve  tradicional që historikisht u është mohuar kjo e drejtë  atëherë ne do të realizojmë çka duhet. Në kohën kur Europa e çonte pronën tek i zoti, ne realizonim, kolektivizimin, tufëzimin, i bënim çdo gjë shtetërore. Sot duhet të ndryshojë kjo strategji, duke hartuar politika të qarta për gjithë aktorët. N.q.s bëjmë këto hapa ne atëherë do themi se po ecim drejt zhvillimit të qëndrueshëm, drejt uljes së varfërisë në zonat rurale, drejt  pakësimit të përmbytjeve, pakësimit të zjarreve, pakësimit të erozionit, drejt përmirësimit të situatës së ajrit, përmirësimit të situatës së Shqipërisë në tërësi.

Pse gjithë këto probleme në Shqipëri?

Ne vijmë nga një sistem tepër i centralizuar ndaj kemi këto probleme tek pyjet, sidomos tek prerjet pa kriter, pa strategji.  Në vitin 1990, në pyjet e ulëta afër fshatrave i kishim të shkatërruara, pyjet e larta i kishim të mira. Në atë kohë njerëzit pyjet i kishin si situatë më të favorshme për t’i kapur, i kishin më afër dhe filluan t’i presin pyjet e larta, parqet kombëtare, për të fituar, pasi vinim nga një varfëri ekstreme. Këtu faj nuk kishte as shteti, as njeriu. Por sot pas 23 vjetësh faji është i të dyve, sepse tek njeriu duhet të ndryshojë koncepti që pyjet janë ose pronë private ose shtetërore. Ndaj duhet që të vendoset përfundimisht pronësia mbi to. Ose t’u jepet pronarëve, por duke u vënë disa kritere, kushte, rregulla, që mos ta shpërdorojë, por ta presë në mënyrë të qëndrueshme. Ta presë, por të mos e shpërdorojë të gjithë, duke siguruar ajër. Ky fenomen ka ndodhur në 200 mijë ha dushku pyje. Ulza është një model kombëtar për ruajtjen e pyllit. Por ka dhe në vende të tjera. Pra me këto modele duhet të ecim. Në pyjet privat në këto 20 vjet nuk ka asnjë zjarr, në pyjet shtetëror ka rreth 320 zjarre. Fermeri bën roje nate për zjarret, këtë s’e bën as shteti, as komuna. Delegimi i pronës dhënia e pronës njerëzve rrit përgjegjësinë ndaj pyllit. Unë dua të përshëndes z.Peter Herbts dhe Haki Kola për organizmin e këtij simpoziumi kaq perfekt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora