Kulturë
Ymer Çiraku: Letërsia arbëreshe
E shtune, 18.05.2013, 08:35 AM
Letërsia arbëreshe – si ftesë për (ri)interpretim
Nga Ymer Çiraku
Letërsia
mbetet pika kulmore brenda kulturës së njohur arbëreshe, e krijuar nga ai
komunitet shqiptarësh – të emigruar në disa valë, gjatë shekujve të Mesjetës,
në drejtim të viseve jugore të Italisë dhe të vendosur kryesisht në Kalabri e
Sicili. Kjo letërsi ka një moshë pothuaj 5-shekullore, aq sa vetë letërsia
shqipe dhe nis qysh me autorë të shek. XVI–XVIII (L. Matrënga, J. Varibova, N.
Figlia, Gj. Guzzetta, N. Brankati, Gj. Barbaçi etj.) dhe vazhdon të lëvrohet
sot e kësaj dite, me emra të njohur poetësh, si K. Xukaro, M. La Luna e të
tjerë. Kjo do të thotë se letërsia arbëreshe nuk mbetet thjesht në përmasën e
një kujtese apo roli historik të realizuar, të përfunduar. Është vërtet fakt
impresionues kjo vijimësi e pandalur kulturore, që vjen gjer më sot. Por,
informacioni i dhënë me pikatore në mjaft botime tekstesh rreth kontributit të
autorëve të shek. XVI-XVIII, madje i (mos)përfillur ai, si i kufizuar kryesisht
brenda kuadratit didaskalik e religjioz; gjithashtu lënia pothuaj në hije e
krijimtarisë së shek. XX; doemos kanë krijuar te lexuesi një perceptim
fragmentar rreth rolit e statusit të saj.
Por,
krahas sasisë, pra njohjes së anës tërësore (vëllimore) të këtij procesi,
mbetet sfidë njohja e cilësive që ajo mbart, që do të thotë, shtrohet si detyrë
e studiuesit për të depërtuar në vlerësimin e indeve të saj artistikë dhe
konceptualë.
Prej
botës arbëreshe, letërsia shqipe ka pasur rastin fatlum të ekuilibrojë e të
plotësojë vakumet e saj estetike, të krijuara për shkaqe rrethanash historike e
kulturore – ku gjendej hapësira shqiptare ballkanike, nën sundimin e
Perandorisë Osmane. Si banorë italo-shqiptarë, arbëreshët ishin gjuhësisht,
kulturalisht dhe me botëperceptim të dyfishtë. Me shtysën obsesive për të qenë
të pashkëputur me atdheun e të parëve, por dhe me civilizimin e fituar brenda
botës latine ku jetonin, ata në fakt u bënë një urë reale lidhëse mes letërsisë
shqipe dhe asaj italiane e perëndimore në përgjithësi. Si i tillë, ky komunitet
fitoi autoritetin, që, krahas mbartjes së shumëçkaje prej origjinës, të merrte
edhe misionin dhënës drejt saj, d.m.th. të kishte atributet mirëfilli të
ndikimit për atje nga ku lindi e u shkëput në rrethana të njohura. Pra, ajo
ishte bijë e kësaj letërsie, por njëherazi dhe limfë ushqyese e ripërtëritëse
(krijuese) për të. Këtë pozitë të dyfishtë e prek qartazi Çabej në një nga
esetë e tij të vitit 1964, botuar me rastin e 150-vjetorit të lindjes së De
Radës, ku formulimi dikotomik Vatra dhe Bota (pra vetja dhe tjetri, njësia dhe
sistemi) përcjell idenë e rolit përvijues (pasurues) e jo kundërshtues që kanë
në letërsitë nacionale ndikimet prej letërsive të tjera të zhvilluara. Për të,
poezia italo-shqiptare (arbëreshe) është lëndë ballkanike e derdhur në formë
romane; autorët e saj në rrafshin estetik, në themel janë drejtuar nga
Perëndimi. Në studimin e gjerë “Romantizmi në Europën Lindore e Juglindore dhe
në literaturën shqiptare” ai parashtron pikëpamjen se romantizmi arbëresh vjen
si një model kontribuues e pasurues jo vetëm për letërsinë shqipe, por dhe në raport
me romantizmin nacional në letërsitë e popujve ballkanikë, që nuk e patën
rastin ta kishin pjesë të tyre natyrale një rrjedhë të tillë letrare
perëndimore, siç e kishte letërsia shqipe.
Pra,
romantizmi arbëresh, si pjesë integrante e trungut kulturor amtar, vjen dhe me
specifikat e romantizmit europiano-perëndimor, pra, me kultin e ndjenjës, të
botës së gruas, të pasionit e mallit nëpër ëndërrime, të përjetimeve religjioze
e mistike, të pozitës së individit në kontrast me shoqërinë… Si një letërsi që ushqehet
nga dy burime kulturore dhe me dy nivele lexuesish, pra krijesë multikulturore
e njëherazi multifunksionale, ajo vlerësohet si një krijimtari sui generis,
aspak eklektike, por tepër origjinale. Brenda këtij formati, ajo përcillej për
në Shqipërinë ballkanike të pushtuar më shumë se vetëm si letërsi, e më shumë
se vetëm si kulturë. Ajo shpallej kësisoj si peshë e fortë gravitacionale për
të mbajtur gjallë shpirtin e etnosit
shqiptar.Këtë oksigjen mbijetese që merrte letërsia shqipe përmes komunitetit
arbëresh dhe këtë lloj shansi të bekuar për të pasur një urë lidhëse e një
dritare të hapur komunikimi me letërsitë e mëdha të Perëndimit, e kanë vërejtur
qysh kohë më parë edhe studiues të tjerë, si Karl Gurakuqi, Justin Rrota, Namik
Resuli, R. Petrotta, Ernest Koliqi… Por, pas Luftës së Dytë Botërore, kjo tezë
mbeti në mes të rrugës, sigurisht për shkaqe ideologjike. E kjo sepse do të
shpalleshin të anatemuara theksimet e vlerave pasuruese që vinin nga bastionet
kulturore të Oksidentit – të
ashtuquajtur “capitalist” (!) Kjo ka shpurë pastaj deri në inkosekuenca të
tilla, sa dhe në disa tekste të historisë së letërsisë shqipe – të ndërtuara
mbi kritere kronologjike, arrihet të kapërcehet (devijohet) artificialisht
pikërisht ky kriter kronologjik dhe spostohet rendi i autorëve të njohur
arbëreshë, si De Rada, Gavril Dara, Santori e të tjerë. Kështu, çmontohet fakti
real historik, që romantizmi ynë rilindas fillimet e veta i nis brenda qarkut
kulturor italo-shqiptar.
Si një
vlerësim mjaft koherent i kësaj letërsie, duhet kujtuar një shkrim i Kadaresë i
vitit 1963, i botuar në gazetën “Drita”, me titull: Duke lexuar Milosaon.
Megjithëse çuditërisht i pavënë re nga kritika, i vështruar nga horizonti i
sotëm, ai përmban formatin e një lloj manifesti letrar. Nisur nga shqyrtimi i
një kryevepre të letërsisë arbëreshe, brenda rrjetit të sinjaleve alegorike që
formulon në këtë shkrim, Kadare merr shkasin të dëshmojë për vlerat e
njimendëta që duhet të përcjellë prej traditës së saj letërsia e re shqipe, si
një mision përkundër dogmatizmit asfiksues të realizmit socialist. Ai e
vlerëson atë si romanin e parë lirik në vargje në letërsinë shqipe, si
bashkëkohëse e denjë me poemat e Bajronit, Lamartinit e Pushkinit. E veçon De
Radën si novatorin më të madh, ku errësira, fragmentarizmi dhe nënteksti në
poemë janë të kalkuluara artistikisht, si dëshmi tiparesh sintetizmi e
universaliteti. E gjithë kjo poemë gjykohet e konceptuar si një megametaforë e
dritares së hapur përkundrejt detit, pra, bëhet një vlerësim që përcjell filozofinë
e marrëdhënieve dhe kontakteve mes kulturave dhe jo të izolimit e mbylljes, që
ishin themeli i socrealizmit. Me argumente, që në fakt ia jepte bujarisht kjo
vepër, shkrimtari i ri 27-vjeçar ndërtonte alegorikisht padinë e divorcit
estetik me letërsinë zyrtare dhe projektonte modelet natyrale që duhej të
ndiqte letërsia bashkëkohëse, gjë që ai vetë e realizoi suksesshëm me veprën e
tij.
Por, sidomos letërsia arbëreshe e shek. XVI-XVIII mbetet një hipotekë vlerash të mëdha për letërsinë shqipe, ende e paeksploruar sa dhe si duhet. Me rolin e instituteve, seminareve dhe kolegjeve famoze, sidomos ato në Shën Mitër Korona e Palermo, u formuan një radhë shkrimtarësh e studiuesish, të cilët krijojnë e mbajnë gjallë hallkën lidhëse e vijuese me proceset letrare shqipe të mëvonshme. Kjo është konfirmuar qartazi dhe te vepra e njohur “Shkrimtarët shqiptarë” (1941), por mbetet detyrë e pritshme të ravijëzohet fryma e renesancës, e periudhës së barokut, sensizmit, racionalizmit dhe neoklasicizmit, që ajo letërsi arbëreshe mbarti prej letërsisë italiane në atë shqipe, ku u realizua. Për të vazhduar pastaj me letërsinë arbëreshe të shek. XX, ku mund të hetohen tipare të futurizmit, dekadentizmit, neorealizmit, poezisë së muzgut, hermetizmit e lëvizjeve të tjera letrare, të cilat qarkullonin asokohe në mjediset letrare italiane. Evidentimi i tyre, sigurisht që do të krijonte një profil më kompleks mbi letërsinë shqipe, nga ç’jemi mësuar ta njohim gjer më sot dhe do t’i jepnin asaj më shumë prestigj përfaqësimi, sigurisht real e të merituar. Dhe letërsia arbëreshe do të njihej më mirë për rolin e saj të shquar kontribuues e emancipues në mbarë letërsinë shqipe.