Mendime
Elida Buçpapaj: Temë tabu e censurë në Tiranë
E enjte, 25.04.2013, 06:55 PM
RAPORTI I
DASH – TEMË TABU
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
As një
javë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi
gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku si zakonisht përfshihet edhe
raporti për Shqipërinë, i cili ishte me nota shumë kritike.
Ky raport
do të duhej të botohej në mënyrë integrale dhe të përhapej nga mediat e
Tiranës, duke shërbyer si objekt i tryezave të rrumbullakta, temë për
opinionistët dhe ballafaqim me politikanët e Tiranës. Por në fakt, reagimi ndaj
tij ishte indiferenca dhe heshtja.
Raporti
thekson midis të tjerave se «korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe
veçanërisht në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz; se « Institucionet
shtetërore tepër të ndara në linja partiake, duke përfshirë edhe Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtat e qytetarëve për të sifiduar
drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverinë e tyre»; se
«Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët për abuzime ishin sporadike
dhe jo të vazhdueshme», se “Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër
korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen
në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.»
Theksi
kritik në Raport do të duhej të «kënaqte» opozitën, sepse faktet e hidhura të
rreshtuara aty janë argumenta të patundura që duhet të shqetësojnë jo vetëm
atë, por duhet të trondisin shoqërinë civile, mediat dhe gjithë shoqërinë. Në
fakt të gjitha palët heshtën ose kush botoi diçka e bëri në mënyrë të përciptë
dhe spekulative, sepse fshehu faktet ose i përmendi sipas interesit partiak.
Në Tiranë
u kthye në tabu dhe u censurua në të gjitha nivelet kur në Raportin e DASH
flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë dhe përmendet
«vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta
nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e
tregon atë të diskutojë për rryshfet».
Asnjë
gazetë e Tiranës nuk e botoi pjesën e Raportit të Departamentit të Shtetit, kur
ky Raport përmend Ilir Metën. Dhe ky fakt nuk u përmend nga asnjë opinionist,
nga asnjë politikan! Nga asnjë mace dhe asnjë qen! Nga askush!
Vetëm
Balkanweb e ka botuar raportin në anglisht, po e ka bërë kot, sepse vetëm
gazetarët skrupulozë do të shkonin tek teksti. Dhe në Tiranë mungojnë të
tillët. Pasi ata e kishin tekstin në shqip, të gatshëm dhe e shmangën edhe
gazetat dhe mediat e Tiranës e shkuan deri aty sa nuk botuan dhe e censuruan
edhe versionin e Zërit të Amerikës shqip, ku përmendet Ilir Meta.
Kur
arrihet dhe censurohet Zëri i Amerikës, ju lutem, a e merrni me mend se në
çfarë niveli është censura në Shqipëri?
Po jua
them unë, censura është si në diktaturë, nëse kihet parasysh sot IT -
Information technology - dhe fakti se jetojmë në mileniumin e tretë!
Tashmë
dihet botërisht se politikanët e Tiranës kanë mediat nën kontroll absolut, dhe
se përpiqen për të mbajtur nën kontroll edhe rrjetet sociale duke filluar nga
Facebook që është më i populluari.
Tre javë
përpara u përpoqa të dialogoja me Kreshnik Çollakun, që dje u emërua
zëvendësministër i Jashtëm, pas një statusi të tij, ku shkruante se „tani që
Ilir Meta u largua nga koalicioni, 40 % e elektoratit demokrat që i iku PD prej
tij, tani me zhbërjen e aleancës, do t’i rikthehen“ (!!!) Merrni me mend se
çfarë absurditetesh nxjerr nga truri një zyrtar i lartë dhe kur u përpoqa të
komentoja dhe t’i thosha se shqiptarët demokratë nuk janë lopë që gënjehen me
bar, ai nisi të më fyente si të ishte një stalinist i fëlliqur.
Merreni
me mend, kur bëjnë shantazh nëpër rrjete sociale se çfarë kontrolli ushtrojnë
në shtypin e shkruar dhe atë viziv.
Prandaj
nuk e përmendi askush raportin e DASH ku përmendet Ilir Meta, sepse ky fakt në
raport i diskretiton të gjitha palët. Edhe Sali Berishën, edhe liderin e PS, që
sapo ka filluar muajin e mjaltit me Ilir Metën, i cili nuk bëri asnjë reagim
serioz ndaj raportit të DASH, veç në Twitter më 19 prill komentoi se „Raporti i
Departamentit te Shtetit një flakerime syve te pushtetit te korruptuar qe po
rrenon Shqiperine! Ky pushtet eshte nje turp kombetar“. Po kur DASH përmend
Ilir Metën nuk e tha asnjë fjalë!
Ky është niveli i integritetit të klasës tonë politike, i shoqërisë civile dhe mediave të shkruara e vizive! Të cilat duhet të shkunden, sepse kur censurojnë dhe e kthejnë në tabu raportin e DASH, merreni me mend se si mund të çajnë kokën për hallet dhe dertet e popullit dhe të shqiptarëve të thjeshtë!