E enjte, 26.12.2024, 09:55 AM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Stalinisti akuzon "komunistët" e Titos

E merkure, 03.04.2013, 06:38 PM


MOS HARRO DOSJEN E BABËS

Kur stalinisti akuzon "komunistët" e Titos

Përkitazi me shkrimin e dr. Dukagjin Goranit: "Sheradin, edhe kujt e ke ndërmend t`ia shpalosësh dosjet?"

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Dr. Dukagjin Gorani, i frymëzuar nga shkrimet, më sakt, dosjet e publikuara nga Sheradin Berisha, në faqen e tij të internetit (www.pashtriku.org), i shkruan një letër panegjerizmi, jo të zakonshme për një titullar doktor, me lutje - kërkesën për të gërmuar në dosjet, kryesisht, të disa të vdekurëve, por edhe të disa të gjallëve, (publikuar më 10.03.2013, linku: http:/www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1375). Në shenjestër vë edhe disa intelektualë (këtë emërtesë hyjnore e thonjëzon(!), "të mitizuar kosovarë", edhepse disa syrësh gëzojnë titullin më të lartë, të marrë zyrtarisht viteve të fundit, "Hero i Kosovës"!

Kur stalinisti akuzon "komunistët" e Titos

Dr. Dukagjini bën një tiradë të gjatë sharjesh e mallkimesh për kuadrot e komunizmit, por gjithnjë nga pozitat e stalinizmit, njësoj si i ati, profesor Hajrullah Gorani. "Jo me kot thonë: "Më bëj baba të të ngjaj", por, në rastin konkret, me dozën e negativitetit. Në thumb të armës të tij, prej kallamit, i vë drejtuesit dhe kuadrot e LDK-së. Ai thotë se i "i hidhnin me nxitim librezat e LKJ-së dhe anëtarësoheshin në LKJ-në e re të Shoqatës të Shkrimtarëve të Kosovës"! A thua nuk e din ky dr. profan se pikërisht ajo barake është si një seli e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; në atë barake u vunë konturët, themelet e shtetit të Kosovës. Duket qartë se vërbëria ideologjike staliniste ka mjegulluar kokën e këtij sharlatani neveritës, shërbyes besnik i pushtetit aktual korruptiv e kriminal.

Në letrën e tij, servile dhe fort të rrëmujshme, shkruan se "në RTP (Radio-Televizioni i Prishtinës) sërish punojnë gadi 60% e atyre  që dikur bënin përzgjedhjen e komenteve kundër "nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar". E vërteta është se pavarësisht kohës të monizmit, politikës redaktuese zyrtare të centralizuar, RTP, gazeta "Rilindja"  dhe mediat tjera informative të pas Plenumit të Brioneve, në gjysmën e dytë të viteve `60-a, me përjashtime të pakta, kanë shfrytëzuar, madje maksimalisht, kundërvënien politikës zyrtare, duke u rrezikuar individualisht dhe kolektivisht. Dhe, shembujt e ndëshkimeve, të diferencimeve, të largimeve nga puna, të gjobitjeve e deri ke dënimet dhe buegimet kanë qenë të bollshme.

Shumë më e ashpër ishte cenzura në gazetën "Rilindja", e cila transferoi botimin në Tiranë, në vitet `90-a, nën drejtimin e stalinistit Berat Luzha, se sa ajo përgjatë viteve 1966-1990 të botimit të saj në Prishtinë. Pushtimi i RTP-së dhe largimi i dhunshëm e kriminal që andej, njësoj si forcat policore pushtuese serbo-sllave një dekadë më parë, i stafit profesional, nga banda staliniste pas çlirimit të Kosovës nga NATO dhe sjellja e një personeli amatorë, që prodhon vetëm injorancë, servilizëm dhe militantizëm partiak për pushtetarët aktual, është një goditje e rëndë për median, informimin dhe demokracinë në Kosovë. Njëanshmëria e RTK-së sot, mund të krahasohet vetëm me RTP-në të kohës së Hajrije spikericës, zërit cinik e shurdhues të bandës millosheviçiane.

Gjakova - djepi i parë i arsimit dhe i atdhetarisë

"Vetëm për faktin se Gjakova përjetoi aso tragjedie gjatë bombardimeve të NATO-s, nuk guxojmë të përmendim faktin se ajo qytezë sundoi mbi Kosovë me "kuadrot" e veta njo 40 vjet..." - shkruan dr. Dukagjini në letrën e tij, drejtuar menagjuesit, moderatorit të faqes të internetit - www.Pashtriku.org - Sheradin Berisha.

Në këtë pasazh, dr. Dukagjini është tejet kontravers e vetëdemantues. Pse Gjakova e pësoi më se shumti, qoftë me rrënimin e kalljen e saj; me vrasjet masive dhe zhdukjet numerike, si askund tjetër në Kosovë? Janë pikërisht kuadrot e saj, janë intelektualët gjakovarë, të shkolluarit e parë masiv në Kosovë, ata që mençurisht, duke qenë në ato poste zyrtare në Prishtinë, rrast të kontrolluar nga Beogradi, shfrytëzuan gjithçka të mundshme, për të ndryshuar statusquonë mjerane të Kosovës.

Nisma për hapjen e gjimnazeve në çdo komunë, fillimisht klasët e para dhe të dyta, siç quheshin në atë kohë paralele dhe pastaj kompletimi katër klasësh; institutet e larta dy vjeçare; kërkesa për të drejtën e shpalosjes të Flamurit Kombëtar; të lirimit të të burgosurëve politikë; të  Universitetit; të autonomisë të zgjeruar e, deri ke fitimi i amandamenteve, ligjeve shtesë të vitit 1974, janë vepra ekskluzive të shkollarëve të hershëm gjakovarë, të cilët, Mbretëria Shqiptare, e kryesuar nga djali i zgjuar e patriot i Burgajetit të Matit, Mbreti i Shqiptarëve - Zogu i Parë, i kishte arsimuar në Gjimnazet, Normalet dhe Kolegjet e Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe gjetkë, si dhe  kishte financuar studimet e shumë syrësh në Universitetet e Evropës, me gjithë mundësitë financiare të kufizuara që kishte shteti shqiptar i kohës, enkas, që në rastin më të parë të mundshëm të kthehen në Kosovë, për të shpërndarë dritën e arsimit, dritën e diturisë, si pishtarë dhe luftëtarë të arsimit dhe të emancipimit të popullit të vet, të zhytur në varfëri, mjerim dhe injorancë të skajshme.

Dihet, Serbia gjithmonë është udhëhequr nga Kisha dhe Akademia. Ata e dinin burimin e të keqes në dëm të tyre. "Tamo gde je zastava, tamo je i drzava", (atje ku është flamuri,  atje është edhe shteti). Dhe, ishte pikërisht kjo arsyeja, hakmarrja e tmerrshme mbi Gjakovën dhe gjakovarët e qytetit dhe të fshatrave të saj. Nga Gjakova nisi arsimi, prej andej erdhi drita, për ta përzënë errësirën, analfabetizmin, injorancën, ku dremiste një popull i tërë, një Kosovë e ndarë nga trungu amë - Shqipëria.

Është një dizinformim, një shpifje bajate, një gënjeshtër e vrazhdët ajo e filosllavit Enver Hoxha me lakejtë e tij komunistë në Shqipëri dhe qenushët stalinistë në Kosovë, kur thonë se "çlirimi" e gjeti Shqipërinë me 95% të analfabetizmit"! E vërteta është se Mbretëria Shqiptare, pavarësisht varfërisë shtetërore, arsimin e kishte primat, parësi dhe lufta kundër analfabetizmit kishte elemente të organizimit ushtarak. Mësuesit emëroheshin, njësoj si oficerët dhe obligoheshin të shërbenin anekënd Shqipërisë londineze, pavarësisht vendlindjes, komunës, rrethit të tyre. Ironia e fatit, pikërisht këta djem e vajza, intelektualët e parë të Shqipërisë, u bënë gjahu i parë, viktimat e para të komunizmit stalinian, duke i varur, pushkatuar, burgosje të përjetshme, internuar dhe poshtëruar, sepse këtë e donte Rusia dhe Jugosllavia, për ta çrrenjosur kombëtarizmin shqiptar, duke e urdhëruar lakeun e tyre, Enver Hoxhën, për ta krijuar "njeriun e ri" të ideologjisë sllaviste, për çka monstra Hoxhë dhe tellallët e tij mburreshin pacipshëm.

Për të qenë përkushtimi në arsim më i madh, më serioz, më frytdhënës, preferohej  këmbimi i kuadrit arsimor, mësuesit nga Veriu i vendit shërbenin në Jug, deri në Gjirokastër e Dropull, ndërsa ata nga Jugu deri në Kukës e Tropojë, njësoj siç mbuluan mësuesit gjakovarë Kosovën dhe Sanxhakun në kohën e Shqipërisë të Bashkuar. Kjo mënyrë e shpërndarjes të kuadrit arsimor kishte edhe një qëllim të dytë madhor - hedhja e bazës të një gjuhe unifikuese, letrare, duke shmangur zhargonet, dialektalizmat, të cilat ishin të theksuara dhe armiqëve tanë, në veçanti, fqinjëve lakmitarë të trojeve tona këto dallime u shkonin përshtat, të cilët trumbetonin se "Shqipëria nuk është unike, është e ndarë në toskë e gegë" dhe si e tillë mund të bëhet pre e tyre, pronë e tyre!

Prof. dr. Zekirja Cana - atdhetar trim dhe luftarak

Dr. Dukagjini, për të qenë sa më i bujshëm në betejën e tij kundër të vdekurëve të zëshëm, nuk kurseu as profesor Zekirja Canën, (ndjesë pastë),  me bashkëkohësit e tij intelektualë. Prof. dr. Zekirja Cana ishte një intelektual trim, me guximin e madh qytetar, guxim që është privilegj vetëm i atdhetarëve mirëfilli të shkolluar dhe të kompletuar. I një mendjeje me dr. Dukagjinin në luftimin e profesor Canës, është edhe një akademik, i cili , me klanin e tij nepotik, e ka ngulfatur edhe LDK-në. Edhe ai thotë se "boll na kanë sunduar gjakovarët dhe të mos i jipet titulli akademik prof. dr. Zekirja Canës"! Dhe, ashtu u bë! Jo vetëm ai, por edhe dy presidentët e fundit të Kosovës, për turpin e tyre, nuk akorduan çmim, nuk e nderuan, nuk e përkujtuan prof. Canën, këtë luftëtar të papërsëritshëm të çështjes shqiptare!

Kur publikoi librin për 215 nënshkruesit intelektualë të Kosovës, në mbrojtje të kushtetutshmërisë të Kosovës, i thashë: - Profesor Cana, shumë armiq po bën. Dhe, ai u gjegj prerazi: -"Historia nuk duron lajka e lavde të pamerituara. Ata që iu shmangën, refuzuan nënshkrimin, mund të kenë bërë mrekullira më parë dhe ndoshta do të bëjnë edhe më vonë. Por, me rastin e mosnënshkrimit treguan frikë, paburrëri, dobësi dhe kjo është shumë e rëndë, neveritëse dhe krejt e dënueshme për intelektualët". Vërtet, intelektuali nuk guxon ta këtë frikën e pushtetit, siç e ka bujku e bariu. Ai është i shkolluar, kjo është privilegj dhe duhet ta shpërblejë shpenzimin e bërë për shkollimin e tij. Duhet të dëshmohet dinjitoz e trim kur  interesi i Atdheut kërkon këtë. Është njësoj si një ushtarak që një jetë të tërë trajtohet me pagesë të majme, për të qenë në gadishmëri të një lufte të mundshme, edhepse ajo mund të mos ndodhë kurrë përgjatë karrierës të tij.

Profesor Zekirja Cana ishte i kudondodhur, madje edhe në raste të rënda, të rrezikshme për jetën, për të qenë i pranishëm. Ai i respektonte dhembjet e mëdha. Kur policia serbo-sllave bëri një masakër makabre familjare, në nismë të eskalimit të presionit enormë, të shtuar, për të realizuar boshatisjen e shqiptarëve nga trojet e tyre, për të varrosur viktimat dhe për të ngushëlluar pjesëtarët e familjes të mbijetuar, i pari nga Prishtina do të vinte në vend-ngjarje tragjike, në Drenicë profesor Cana. Dhe, në ditë lirie, kur përkujtohej përvjetori i parë i kësaj masakre të dhimbshme, kryefamiljari e "harroi" Profesorin, nuk e ftoi. Dhe, prof. Cana do ta denonconte rastin, madje me shkrim se "x.y. u tregua burrë i lig, sepse nuk më ftoi mua, por ftoi ata që kishin qenë kundërshtarë të familjarëve të tij".

Në Studenicë të Istogut përkujtoheshin babë e djalë. Babai kaçak i vjetër, ndërsa i biri luftëtar i nacionalizmës shqiptare, i rënë dëshmor në mbrojtje të Rozhajës më 1944. Prof. Cana, për ta nderuar këtë rast, ishte nisur i vetëm nga Prishtina me një taksi deri në Klinë dhe prej andej e kishte përcjellur kryetari i asaj komune për në Studenicë. Ai iu drejtua masës të tubuar në këtë përkujtim: "Dëshmori që sot e përkujtojmë, ishte vetëm 17 vjeçar kur plumbat e çetnikëve pushtues e përshkuan trupin e tij të njomë. Sipas të dhënave që posedon Instituti i Historisë, ky është dëshmori më i ri i nacionalizmës shqiptare, i rënë me pushkë në dorë. Prandaj edhe meriton përkujtesë dhe respekt të veçantë." Kryetari i komunës, tashmë i amshuar, Fadil Ferati, kur familjarët e dëshmorit donin ta përcillnin mysafirin e nderuar me makinën e tyre, urdhëroi që profesor Cana të përcillët në kthim me makinën e tij. Kryetari fisnik dinte të nderonte atdhetarët e mirëfilltë, siç ishte prof. Cana. Ndërsa puthadorët bastardë, si dr. Dukagjini, baltosin atdhetarët, për hatrin e padronëve të tyre, për qejfin e hiçëve.

Komunistët 40 vjet pushtet, asnjë milioner

"Nga fëlliqësitë e tyre krijuan edhe pasuri, edhe familje, edhe para... Gjatë viteve `90-a, përmes LDK-së, e fituan edhe autoritetin dhe në fund - edhe pushtetin", - shfrynë dr. Dukagjini kundër të vdekurëve të monizmit dhe të gjallëve të LDK-së.

Vërtet, disa kuadro të shtetit monist qenë zyrtarë të lartë për dekada me radhë, por asnjëri syrësh nuk vrau, aq sa kanë vrarë shqiptarë pushtretarët aktual; asnjëri prej tyre nuk arriti të bëhet milioner, ashtu siç u bënë pushtetarët aktual brenda një dekade. Një hajni legale e zyrtare të tillë, nuk është dëshmuar asgjëkundi në hapësirat e kontinentit tonë plak. Nuk marr përsipër të mbroj  ndonjë kuadër batakçi e grykës të LDK-së. Por, partia ku militon dr. Dukagjini është e zhytur në krime seriale dhe vjedhje masive  e zyrtare.

Sindikata e Pavarur - pjesë e strategjisë të Beogradit

Babai yt, profesor Hajrullah Gorani, në opinionin shqiptar, u bë i njohur me katapultimin e tij në krye të Sindikatës të Pavarur të Kosovës. Informata të besueshme flasin se ajo Sindikatë ka qenë pjesë e strategjisë të shërbimit sekret serb, të udhëhequr nga Ivica Stanishiç, arkitektit të ndërmarrjeve të Millosheviçit në Jugosllavinë e asaj kohe. Ekziston dyshimi i bazuar se nga ky shërbim profesor Hajrullahu u orientua, u përcaktua në këtë detyrë, si militant stalinist dhe rusofil. Besimin tek masa shqiptare e fitoi me burgosjet e herpashershme, megjithëse fort dyshuese.

Krejt papritur prof. Hajrullahu kërkoi që të gjithë të punësuarit në tërë Kosovën ta lëshojnë punën, të largohen nga vendet e punës vullnetarisht! Dhe, këtë e paraqiti si rezistencë ndaj Serbisë, duke kërcënuar se "ata që nuk lëshojnë punën, janë tradhtarë"!!?

Policisë, që ishin 90% shqiptarë, u kërkoi, ngulmërisht, t`i zhveshin uniformat dhe t`i lënë vendet e punës! Pikërisht këtu konsistonte edhe synimi i Serbisë, që shqiptarët të vetëlargohen nga puna dhe Beogradi para botës të jetë i justifikuar.

Në botën perëndimore kapitaliste e demokratike, personi që mungon tri ditë në punë pa leje, pa arsyetim të pranueshëm, vetëvetiu e humb vendin e punës. Ne jemi dëshmitarë se Evropa, bota nuk e konceptoi, nuk e pranoi, nuk e përligji largimin vullnetar të shqiptarëve nga puna. Dhe, kjo nuk ishte rezistencë ndaj Serbisë, por mungesë qendrese në vendin dhe për vendin e punës, në Atdheun tënd, edhepse i robëruar. Është bërë i njohur për opinionin rasti i tre punëtorëve nga Podujeva, të larguar dhunshëm nga vendet e tyre të punës. Ata u ankuan deri në Gjykatën e Lartë të Serbisë, për çështjen në fjalë njoftuan edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut dhe, së fundi, Serbia u detyrua të paguajë dëmshpërblimin

prej mijëra eurove.

Hezitimi, ngurrimi i punëtorëve për ta lëshuar lehtësisht punën, dinamika e largimit nuk e kënaqte prof. Hajrullahun, madje as padronët e tij në Beograd. Dhe, ai, djallëzisht, (dyshohet fort, me sugjerimin, porosinë e atyre që u konvenonte, u shkonte për shtati, pra, Serbisë), e shpalli grevën tri ditëshe, të mbylljes të njerëzve shqiptarë të Kosovës në shtëpi, madje edhe të kafshëve shtëpijake në torishte e shtalla!! Për rrjedhojë, Serbia përfitoi nga preteksti, shkaku i gatshëm, për të ndërhyrë në ndërmarrjet punuese e prodhuese, duke sjellur punëtorë nga Serbia, me arsyetimin se shqiptarët nuk duan të punojnë!

Qeveria e Kosovës e asaj kohe, e konsultuar edhe me dr. Ibrahim Rugovën, i cili kryesonte Lëvijen Kombëtare Shqiptare, të tubuar në masën 90% në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ishin kundër kësaj greve, por nuk arritën ta parandalonin, sepse profesor Hajrullahu thirrej në pavarësinë e Sindikatës.

Pra, faktet, zhvillimet e kohës, me shpejtësi marramendëse, gjithnjë në dëm të shqiptarëve, e forcojnë bindjen se kjo Sindikatë ishte pjellë e Serbisë, ndonëse me veprimet e saj, tejet të dyshimta, përmbushi qëllimet e pushtuesit. Ndryshe, vështirë të kuptohet katapultimi në krye të Sindikatës i prof. Hajrullah Goranit, meqë ai nuk kishte asnjë lidhje me punëtorët dhe as me interesat e tyre.

Çfarë përputhshmërie? Në Gjilan ishin dy shefa të SUO dhe UDB-së, Krsta Krstiç dhe Ivica Deniç, të plotpushtetshëm, që të dy nga Peja e Goranit. Dhe, pikërisht në Gjilan vjen pejani Hajrullah Gorani. Ai njihej për hipotekë staliniste. Këtë e dinte edhe UDB-a. Në vitet `60-a në Gjilan, si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Ekonomike, Hajrullahu ndjehej i fortë dhe i solli probleme drejtorisë të kësaj shkolle, duke notuar ulët nxënësit, madje edhe ata më të mirët në mësime. Drejtoria e shkollës, brenda kuadrit ligjor, në disa raste, u detyrua të krijojë komisione të rivlerësimit me notë të nxënësve.

Më vonë zotëri Hajrullahu u emërua asistent i Bogdan Bogdanoviçit në Universitetin e Prishtinës. Edhepse ishte nga Beogradi, pothuajse, më shumë jetonte në Rusi se sa në Jugosllavi. Përsëri sjellje hiç korrekte e tij me studentët shqiptarë. Ai mbrojti tezën e doktoraturës para shefit të tij, Bogdanoviç, edhepse nuk ishte shquar me punime shkencore!

Bythëpambuku Gorani i ri - kopje e Goranit plak

"Më bëj baba të të ngjaj", - thuhet, zakonisht, në kontekstin pozitiv. Por, në këtë rast, këtë shprehje e përdorim për negativitet, duke parë qasjen skandaloze të të birit të prof. Hajrullah Goranit, dr. Dukagjinit, me sulmin e rreptë kundër të vdekurëve, duke ngulmuar për të gërmuar në dosjet e tyre, por, duke harruar babain e tij. I rritur bythëpambuk nga privilegjet që gëzonte i ati, me shtëpi-kullë në Prishtinë dhe të ardhura të majme, edhe i biri u përkujdes për trashëgimin e privilegjeve në vijimësi. Dr. Dukagjini iu bashkua të atit në mbledhjen e ndihmave për Sindikatën. Dihet rasti i marrjes  në dorëzim të 6o mijë frangave në Zvicër, por asnjëherë nuk është dëshmuar dorëzimi i tyre në Sindikatë.

Profesor Hajrullah Gorani, duke qenë në cilësinë e të parit të Sindikatës të Pavarur të Kosovës, shfrytëzoi mirëbesimin e një bisnesmeni, tragtari patriot shqiptar në Slloveni, duke porositur vaj ushqimor me vlerë 850 mij DM (marka gjermane), mjete këto të marra nga fondi i Sindikatës dhe kurrë nuk janë paguar! Për rrjedhojë, tregtari shqiptar bankrotoi, falimentoi, humbi gjithçka dhe njëri nga anëtarët e ish-qeverisë të Prishtinës, të asaj kohe, i strehuar në Lublanë, mezi arriti t`ia shpëtojë banesën.

Testimi i mërgatës nga kryesindikalisti Gorani

Profesor Hajrullah Gorani pyet nga Zvicra, nëse mund t`i organizohet një takim me mërgimtarët në Ludwigshafen, Gjermani. Edhepse i dija pikëpamjet e tij, indoktrinimin dhe rrjeshtimin e tij tërësisht majtas, qëllimin pse vinte, në respekt të titullit, detyrës dhe moshës, së bashku me shokët, vendosem t`ia organizonim një pritje dinjitoze. Ftuam edhe mysafirë të tjerë, në mes tyre edhe dy profesorë nga Tirana, të cilët prej dy vitesh ishin me shërbim në Universitetin e Mannheim-it.

Salla e madhe, me afro njëmijë ulëse, me pagesë simbolike, sepse gjermanët i dinin hallet tona, ishte mbushur përplot, ashtu siç ndodhte rëndom në fillim vitet `90-a. Prof. Hajrullahu,alias Baba Dimri i Salih Kabashit, i pranishëm, pothuajse, në çdo numër të revistës "Republika", arriti me suitën e kuqe, militantë të së majtës ekstreme, me një vonesë rekorde asaj nate. Ekspozeja informative e tij për gjendjen në Kosovë, nënkuptonte nevojën për ngritjen e komisioneve, për të tubuar ndihma për Sindikatën e Pavarur të Kosovës.

Nostalgjikët e stalinizmit, kancerozë të shoqërisë shqiptare

Pjesa informative pyetje - përgjigje, u shoqërua me tensione, replika e kundërshti, si rrallë ndonjëherë. Mysafirët ishin ekstrem të indoktrinuar majtas. "A e dini çka do të thotë Enver Hoxha për popullin shqiptar" (?!), - provokoi masën njëri nga profesorët e Tiranës. Reagimi ishte i menjëhershëm, ngaqë në sallë kishte djemë shkodranë dhe tiranas, të cilët ishin burgosur në moshën 20 vjeçare dhe ishin liruar si 40 vjeçarë të thinjur. Ata të përlotur, e njëri syrësh edhe në vajë, dëshmonin gjurmët e plagëve, të shkaktuara nga hekurat dhe torturat në burgjet e kriminelit Hoxha.

Si pritës dhe drejtues i takimit, ndërhyra, maturisht, duke iu përgjigjur profesorit nga Tirana se Enver Hoxha për popullin shqiptar është një vrasës ordinier, një diktator i urryer, një lake filosllav. Por, ka edhe nostalgjikët e vet, klasën e privilegjuar dhe të indoktrinuarit e ideologjisë staliniste.

Për ironi profesori nga Tirana ishte dhëndër i një intelektuali të shquar nacionalist të Kosovës, i cili kishte vuajtur burgun dhe internimin hoxhist. Thonë se "çika të ban mik edhe me gabelin"! Dhe, kur kujtoj mikun tim të sakatosur, një profesor i zëshëm, i cili duhej t`i maste fjalët mirë në bisedë me dhëndërrin e tij komunist, me vijë të lotoj. Vajza është një stoli në shtëpi dhe martesës të saj prindi i gëzohet se zënë edhe një mik, hapë edhe një derë. Por, ndodhë edhe gjëma, përzgjedhja e gabuar, zhgënjimi në krijesën tënde, të rritur me dashuri e përkujdesje. Dhe, çfarë të duhet një dhëndërr, mbrojtës i krimit dhe i kriminelit?! Një robot ideologjik, që flet si një kasetë inçizimi.

Profesor Hajrullahut i fola hapur e çiltërisht se ne, mërgata shqiptare në Gjermani, mbështesim fort institucionet legale të Kosovës, Presidentin Rugova, Qeverinë në ekzil dhe pëmbushim detyrimet si qytetarë të Atdheut tonë të pushtuar, Kosovë. Të drejtat e punëtorëve këtu janë të garantuara me ligj dhe Gjermania shquhet në botë si shtet thellësisht ligjor. Krijimi i një Sindikate të dytë këtu, do të ishte i tepërt dhe paradoksal. Personalisht kryesoj LDK-në në Republikën e Rheinland Pfalz-it dhe jam anëtar i Kryesisë të Degës për Gjermani. Andaj po flas për qëndrimin tonë në këtë shtet. LPK-ja në Gjermani është e papërfillshme në numër dhe roli i ndoca individëve është negativ dhe shumë i dyshimtë, sepse po përpiqen ta sabotojnë mbijetesën në Kosovë, synim ky edhe i Serbisë. Dhe, u ndamë si miq, edhepse nuk mbështetëm nismën e tij hiç fisnike, përçarse, të dyshimtë dhe kundëvënie e vrazhdët të fondit shtetëror të Kosovës, të shprehur në 3%-in obligativ.

Të nesërmen, një telefonatë nga shefi i Qeverisë në ekzil: -"Si kaluat me Goranin, a petullohej"? - Mirë. Si erdhi, shkoi. Asnjë mbështetje për misionin e tij. Përndyshe, thonë se në Zvicër ka gjetur njëfarë përkrahje dhe ka vjelur disa mijëra franga, - u gjegja unë.

Edhepse i dënuar, Gorani u plak i privilegjuar

Dr. Dukagjin Gorani shkruan për dënimin e babait të tij, me 6 vjet burg, në vitin e largët 1950, por nuk tregon nëse e vuajti dënimin dhe as akuzën përse është dënuar. Duke pasur parasysh Rezolutën e Byrosë Informative, të dirigjuar nga Stalini, me anë të së cilës akuzohej Jugosllavia e Titos, për devijim nga komunizmi, mund të supozohet të jetë dënuar për "mustaqet e Stalinit"! Përkrahja që gëzoi kjo Rezolutë nga disa komunistë dogmatikë e fanatikë, mund të hamendësohet se edhe zoti Hajrullah ishte kontigjent i vijës dogmatike staliniste. Malazezët, duke u ndihmuar me bukë nga nëna Rusi ndër shekuj, përshkak të reliefit gjeografik malor e shkëmbor të Malit të Zi, shumë syrësh u rrjeshtuan përkrah Stalinit dhe afro 8 (tetë) mijë oficërë u përplasën në burgjet politike, sidomos në ishullin famëkeq Goli Otok.

Pavarësisht dënimit, ndoshta politik, zoti Hajrullah Gorani nuk e humbi të drejtën e profesionit delikat, siç është arsimi, madje ngjiti edhe shkallët e karrierës deri ke ligjërimi në auditorin autoritar të Universitetit të Prishtinës. Prandaj, i biri i tij, Dukagjini, para se t`i kërkojë Sheradinit shpalosjen e dosjeve të të tjerëve, nuk duhej të harronte assesi dosjen e babait të tij, e cila, gjithësesi, duhet të jetë e begatë, voluminoze. Tashmë, askush nuk mund ta mohojë se dëmi që ai i shkaktoi Kosovës. me manipulimin në emër të Sindikatës të Pavarur, përgjatë dekadës të viteve `90-a, është i dukshëm, i prekshëm, i pallogaritshëm. E bëri këtë dëm me porosi të dikujt apo nga mosdija, shpalosja e dosjes të tij duhet ta sqarojë.

Personalisht kam qenë dhe jam për hapjen e dosjeve, madje në të dy shtetet shqiptare dhe në trevat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Moshapja e dosjeve vazhdon t`i sjell shumë telashe Shqipërisë, madje pikërisht nga të dosuarit katran të zi, të cilëve nuk do t`u jipej shansi, rasti të ishin pjesë e politikës, e qeverisë, e parlamentit. Ngurrimi për hapjen e dosjeve ka vënë në dyshim edhe kuadro të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ndërsa hapja e dosjeve në Kosovë, do ta pastronte politikën shqiptare nga krimi, të cilët, duke qenë në shërbim të Serbisë, sabotuan luftën dhe ekzekutuan kundërshtarët politikë, me qëllim të gëzimit të pushtetit të tyre të përgjakur.

Zvarranikët akomodohen në çdo parti

Teza e doktoraturës të Goranit të ri "Sistemi Paralel dhe Shteti Imagjinar i Kosovës 1990-1998" flet mjaftueshëm për trashëgiminë indoktrinare staliniste të tij. Zvarranikët akomodohen në çfarëdo sistemi, në çfarëdo partie, qoftë ajo edhe parti e krimit. Baltosja e institucioneve paralele, e bërësve faktik të luftës dhe, nga ana tjetër, hymnizimi i sabotatorëve të luftës, deri në dështimin total të saj, është falsifikim dhe manipulim i turpshëm, që nuk do t´i shpëtojë ndëshkimit të historisë. Fundja, nuk ka dështuar e ashtuquajtura politikë paqësore, sepse ajo realizoi misionin e vështirë e fisnik - përgaditjen e opinionit ndërkombëtar, në veçanti, qendrat e vendosjes dhe këtë e pohojnë zëshëm dy të fuqishmit botëror, Klinton dhe Blear, vendimtarë të shpëtimit të një populli të rrezikuar me vdekje dhe ekzil të gjithmonshëm.

Faktikisht, në Kosovë ka dështuar lufta, si rrjedhojë e sabotimit të saj nga disa kuadro të LPK-së, të rekrutuar qysh në vitet `80-a nga Jugosllavia, përkatësisht, Serbia dhe gjatë e pas luftës propaganda staliniste e SHIK-ut i ngriti në kuotën e heronjëve! Pasqyra e luftës, realisht, masakrës, është 10 ditëshi i parë i qershorit 1999. Ashtu siç është 12 qershori pasqyrë e paktit - NATO. Historia nuk guxon të trajtohet dhe interpretohet si përrallë. Ajo shkruhet mbi bazën e fakteve. Dhe, faktet janë të bollshme, për ta faktuar të vërtetën absolute, të thënë më sipër në këtë shkrim.

Edhe emërimi i dr. Dukagjin Goranit këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi, flet mjaftueshëm për mjerimin politik të një shteti të bërë leckë, të bërë përrallë në sytë e botës, me krime makabre e hajni zyrtare. Në hapësirat ballkanike dhe evropiane nuk ka asnjë rast preçedent, paraprijës të vjedhjes të shtetit nga vetë shtetarët, më sakt, pushtetarët. Dhe, në këtë hajni legale e kanë pjesën e tyre edhe këshilltarët. Mjerë Kosova për këshilltarët e saj servilë dhe puthadorë, të tipit Gorani i ri!



(Vota: 17 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora