Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Takim i atyre që Vendlindja i Thërret
E shtune, 30.03.2013, 05:11 PM
Takim i atyre që Vendlindja i Thërret
“Çdo rikthim i kujtesës para pesëmbëdhjetë vjetësh na ringjall shqetësimet e dikurshme që kishim për fatin e vendit.... “Muaj mars është muaj i pranverës shqiptare”..
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Në
historinë tonë të re u shpreh edhe një herë mrekullia e njeriut të thjeshtë
e kombëtar. Kishim lexuar e dëgjuar për
Rilindësit tanë të mëdhenj, për
Shqipërinë e ëndrrave të tyre. Dhe jo kot. Ata mbollën dashurinë në gjenin e
secilit që mendon e flet shqip, jeton e përjeton shqip. Veçan kur Shqipëria e
kërkon dorën e ndihmës në udhëkryqet e saj. Të jesh, apo të mos jesh, u
përsërit shekujve, por mbetëm e jetuam deri në ditët tona. Dhe. Krejt kjo falë
atij gjeni që brumosi Naimi, Fishta , Konica,
De Rada e shumë të tjerë në të qenit shqiptar. Kështu ndodhi edhe në
furtunën e fundit që pësuan trevat shqiptare, veçan Kosova si pjesë e saj.
Pjesë e përgjakur në shekuj, por kurrë e përulur. Malet mbetën streha e luftëtarëve të rinj me
idealin e lirisë. Shpresa po lindte e
re, gjithandej ku frymonte dhe një shqiptar.
Edhe
mërgimtari u gjend aty. Me peshën e rëndë të dheut, i cili kërkonte dorën e
shpëtimit nga pushtuesi barbar. Në
gjithë botën formohen shoqata, lëvizje, fonde.
Njeriu ynë i thjesht, punëtor e modest ishte gjithandej në rrugën e
tij. Aty thërriste vendlindja, ose
Vendlindja Thërret. E lehtë për pagëzim “Vendlindja Thërret”, por këtu vihej në
sprovë trimëria, shkathtësia e gjithë virtytet e njeriut tonë. “Vendlindja Thërret”
ishte jo vetëm shoqatë, jo vetëm fond, jo vetëm bashkim, por më shumë. Ishte
plumb e mortajë kundër armikut. Ishte shpresë pa të cilën jeta nuk vlen.
Ushtari në istikame e ndjeu dorën e vëllait, nënat tona shtuan brumin e
ngrohtësinë e sofrës pllajave e maleve. Edhe nën çadrat e najlonit që pikonin
ujë e më shumë se aq. Amerika e Europa
u bënë bashkë kur shqiptarët folën bashkë, dhe s’ka ndryshe kur kombi i lashtë
ishte para një holokausti tjetër.
Në zemër
të Europës, lindi “Vendlindja Thërret” , ku lidhen fjalë e besë për ndihmë atdheut.
Sheshet shekullore të Vjenës u dridhen
nga zëri shqiptar. Ne do jemi atje ku duhet, thanë, shpirtërisht,
materialisht e fizikisht në ballë të frontit. Fondet, djersë e mërgimtarit tonë
të thjeshtë e kombëtar, nuk duhej të dirigjoheshin, kushtëzoheshin e
politizoheshin. Ato jepeshin për lirinë e shumëpritur e jo për koniunktura
klanore, krahinore e politike. Ato duhen të arrinin në vend për çka ishin
destinuar. “Vendlindja Thërret” ishte
aty, në fishekun drejtuar armiku, në shpresën e lirisë. Në tubimet e mërgimtarëve shoqatave,
mitingjeve tuboheshin mjete dhe direkt dërgoheshin në shërbim të luftës. Lufta u bë edhe jashtë llogoreve, bile
mjaftë e vështirë. Puna gjysmë ilegale dhe legale e grumbullimit të mjeteve
dorë më dorë ishte me plotë rreziqe. Xhirollogaria nuk i lejohet “Vendlindja
Thërret”. “Janë për luftën”- thoshin zyrtarët ligj-zbatues perëndimor. Por,
trimat nuk ndalën, veprojnë. Austria dallohej me një aktivitet intensiv dhe pa
dyshim krahasuar me numrin e vogël bashkatdhetarësh ishte ndër më të fuqishmet.
“Vendlindja Thërret” nuk pushoi edhe pas lirimit të Kosovës. Kjo ishte vetëm
një pjesë e lirisë, u duhej edhe vëllezërve në territoret e tyre në Maqedoni,
në Kosovën Lindore.
Tani.
Kosova e trevat shqiptare frymojnë më lirshëm dhe koha e vërteton veprimin,
krenaria bëhet akoma më e madhe. Liria do pjekuri, do ndërtuar
shtetin dhe trasuar rrugën e prosperitetit kombëtar gjithandej dhe në të
gjitha fushat. Aktivistet e “Vendlindja Thërret” në Austri nuk pushojnë. Ata i ke në
aktivitete sportive, kulturore e shoqërore. Kujtojmë këtu për lexuesit,
formimin e Ligës Shqiptare të Futbollit, Ekipin shqiptar të futbollit në Ligën
Rajonale “Albania”, klubin e shahut “Arbëria” e shoqata tjera. Ne na duhen veprimtarët me ide e punëtor edhe
tani në afirmimin tonë krahas tjerëve.
Na duhet të dimë këtu, se
bërthama e parë e organizimeve gjysmë ilegale kishte filluar që në
vjetët tetëdhjeta nga Xhevat Xhemajli, Naser Osmani, Sadik Zeneli, Ahmet Islami
e Abdyl Gjocaj. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh “Vendlindja Thërret” nga e gjithë
Austria përsëri takohen me emocione të reja. Së pari shikues futbolli ku luante “Albania”, ekipi ynë me
emër aq kuptimplotë. Duartrokitje për lojë, sjellje e rezultatin e shkëlqyeshëm.
Në mbrëmje takimi në restorantin e bashkatdhetarit tonë Mukim Elmazi.
Veprimtari e aktivisti i “Vendlindja Thërret” , një biznesmen i suksesshëm z.Nderim Istrefi, përsëri me ne, me zemër e bujari, shtron darkë nderi për bashkëveprimtarët e tij. Zotri Xhevat Xhemajli, veprimtar i hapave të parë hapi tubimin. “Muaj mars është muaj i pranverës shqiptare dhe ne mendojmë të kemi takime të rregullta çdo mars”. Ai dha një kronologji të shkurtër të disa aktiviteteve. Ambasadori, Dr.Sabri Kiqmari, dikur pjesë e veprimtarisë aktive për liri, përfaqësues politik i UÇK-së për marrëdhënie me jashtë, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit. “Çdo rikthim i kujtesës para pesëmbëdhjetë vjetësh na ringjall shqetësimet e dikurshme që kishim për fatin e vendit. Ndodhen shumë ngjarje, epope të lavdishme, kurse sot mund të konstatojmë, se si shoqëri e si komb dhe si shtet, kemi arritur në përmasa të konsiderueshme, t’i realizojmë synimet për çka ne jemi angazhuar. Pa ndihmën e fondit “Vendlindja Thërret”, lufta nuk ishte bërë. Ky është fakt historik i njohur si i tillë dhe ju ftoj që atë punë që keni bërë ta ruani me krenari. Pa luftën tonë të armatosur as që do kishim shtet e as ambasadë sot këtu. E provuam edhe lëvizjen paqësore. Lufta e jonë ishte e pastër dhe çlirimtare, kjo bëri që të na mbështesin miqtë tanë ushtarakisht përmes NATO-së” Mysafir të veçantë ishin edhe Izmit Nura e Saqip Baftjari, luftëtarë aty ku kriste pushka e lirisë në trevat etnike. Vargu i veprimtarëve, sonte: Abdullah Abdullahu, Eset Berani, Gëzim Krasniqi, Garip Osmani, Nasuf Kamberi, Islam Dibrani, Nehat Sallahu, Afrim Shala, Halil Jashari, Shyqeri Bytyqi, Naser Shkodra, Mustaf Shabani, Bujar Kyqyku, Myftar Muhadri, Tasim Sahiti e Ramadan Kosumi. Mbrëmja kaloi me bisedë përkujtuese dhe e ngrohtë me shpresën për progresin kombëtar nesër.