Mendime
Skënder Buçpapaj: Mjerimdiplomacia e Shqipërisë
E enjte, 14.03.2013, 07:02 PM
MJERIMDIPLOMACIA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
Medet për të! infrastruktura zyrtare e diplomacisë së Republikës së Shqipërisë është në gjendjen më të mjerueshme, siç e tregon letra e ambasadorit të këtij vendi në Uashington Gilbert Galanxhi, publikuar këto ditë në mediat e Tiranës. Kur ambasada Numër Një është katandisur kështu, është fare e lehtë të përfytyrohet nga gjithkush edhe realiteti i shërbimeve të tjera diplomatike e konsullore përkatëse.
Galanxhi ia drejton letrën Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë Gazmend Turdiu, ndërsa për dijeni iu drejtohet Selim Belortajës, Edith Harxhit, Ilda Degës, Ilir Boçkës, për të cilët për herë të parë publiku shqiptar e merr vesh se me çfarë preteksti paguhen këta njerëz. Po kështu, për dijeni, letra i drejtohet kryetarit të këshillit të Ministrave Sali Berisha, ministrit të jashtëm Edmond Panariti.
Media që publikon e para letrën, thekson se ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike. Në një kohë kur qeveria shqiptare paguan miliona dollarë në vit për kompanitë lobuese, misionet zyrtare diplomatike të Shqipërisë edhe në vendet më të fuqishme të botës janë në krizë mbijetese, thekson media.
Nga sa del, këto shpenzime lobuese nuk bëhen për përmirësimin e imazhit të Republikës së Shqipërisë, nuk bëhen për përmirësimin e imazhit të kombit shqiptar, për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni e tjetërkund. Këto shpenzime lobuese bëhen për të shitur në botë imazhin e trukuar të qeverisë, dhe kështu është vepruar këta 22 vjet, për të manipuluar fytyrën, përkatësisht të klasës politike të Tiranës. Vetiu kuptohet koncepti kriptoeneverist i Tiranës së tranzicionit ndaj diplomacisë në përgjithësi dhe ndaj infrastrukturës nëpërmjet realizohet kjo diplomaci, siç është Ministria e Jashtme, shërbimet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë, pra rrjeti diplomatik i vendit.
Në reagimin e një zyrtari të shtypit të Ministrisë së Jashtme, që ka dashur të mbetet anonim, është reaguar vetëm me një gjysmë fjalie: "është një problem i brendshëm, s’kemi pse japim llogari". Nëse ishim në Luftën e Ftohtë kjo do të kishte shpjegim të vetvetishëm, ndërsa në kontekstin e sotëm mund të shpjegohet vetëm se është problem i brendshëm i dy partnerëve të koalicionit, pra PD-së dhe LSI-së, njëra e mbulon buxhetin, tjetra e mbulon politikën e personelit.
"Panorama" shkruan se tentoi të kontaktonte dje me drejtuesit e Ministrisë së Jashtme, por asnjëri prej tyre nuk u përgjigj. "Kreu i Diplomacisë Edmond Panariti, u kontaktua disa herë në telefon dhe me mesazhe, por në asnjë rast nuk e hapi telefonin. E njëjta situatë u përsërit edhe me zv.ministrin e Jashtëm Selim Belortaja, por edhe ai nuk e hapi telefonin. I vetmi zyrtar i Ministrisë që u përgjigj ishte zv.ministrja Edit Harxhi, e cila gjithsesi, nuk pranoi të bënte komente, pasi nuk ishte njohur me letrën e ambasadorit Galanxhi. “Jam jashtë vendit në një konferencë dhe nuk mund të komentoj pa e parë se çfarë është shkruar”, u shpreh Harxhi."
Ata pak veta që janë pyetur nga mediat e kanë parë përmbajtjen e kësaj letre si një zhvillim tjetër në përmasat e skandalit. Ky term - skandal - mjerisht, do të kishte kuptim kudo tjetër, por jo në Republikën e Shqipërisë, ku skandali është një përditshmëri në menynë e imponuar nga politika ndaj qytetarëve të saj.
As në komentet e forumeve të internetit, as në çfarëdo opinioni, analize eksperte a diçka tjetër, megjithatë, nuk mund të përdoren ngjyrime stilistike më ngjethëse apo më sensibilizuese se ato që ka përdorur Glibert Galanxhi. Në forumet e internetit nuk mungojnë as shprehjet ekstreme të militantëve partiakë kundër autorit të letrës, duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm, çka as që mund ta përfytyrojnë eprorët e tij në Tiranë. Në të vërtetë, Galanxhi nuk e ka shkruar letrën për t'u publikuar. Publikimi i tij është një rrjedhje tjetër informacioni zyrtar, çka tregon se bucela e regjimit të Tiranës ka filluar të rrjedhë tashmë nga të katër anët duke e bërë ujë shpinën e amvisit aktual të këtij regjimi.
Ajo që mund të pritej në këtë kontekst, do të ishte paralajmërimi i dhënies së dorëheqjes nga ana e autorit të letrës, çka ai duket se nuk e ka ndërmend ta bëjë. Nga sa shoh në biografinë e tij, Galanxhi, diplomat i suksesshëm, është nga ata që, në këtë periudhë tranzicioni, më shumë ka qëndruar jashtë se në Shqipëri. Edhe nëse e largonin, edhe nëse jepte dorëheqjen, pra, ai ndoshta nuk do të kthehej në Shqipëri, por do të rrinte në vendin ku tash punon dhe do të kujdesej për shkollimin e mbarëvajtjen e mëtejshme të dy fëmijëve të tij, tashmë të rritur.
Këtë gjë e kanë bërë edhe ambasadorë e diplomatë të tjerë, mërgimtarë - siç i quajnë në Tiranë, të cilat pasi i kanë mbaruar disa mandatet e tyre rresht, kanë qëndruar në vendet ku kanë përfaqësuar diplomacinë e vendit të prejardhjes. Po të vinte puna, këtë gjë ndoshta do të bënte, për shembull, edhe Artur Kuko (datëlindja 1962), i cili është ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bruksel prej vitit 1992 e deri sot dhe nuk dihet deri se kur - konkretisht dy mandate ambasador i RSH në Mbretërinë e Belgjikës, dy mandate pranë Bashkimit Evropian, dy mandate (prej vitit 2007) pranë NATO-s. Këtë gjë do të bënte ndoshta edhe Mehmet Elezi (datëlindja 1949), tashmë në vitin e tetë të tij si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë. Këtë gjë do të bënin ndoshta edhe plot ambasadorë të tjerë apo diplomatë të tjerë të Republikës së Shqipërisë të salduar nëpër shërbimet diplomatike e konsullore me mandate të tëra, ndonëse asnjëri prej këtyre nuk e ka bërë vezën e kuqe dhe madje nuk ka ndërmend ta bëjë edhe sikur ta mbushë shekullin atje.
Përveç dukurisë së mësipërme, pra, gangrenizimit, plagët e tjera të mëdha janë emërimet nepotike, pra dërgimi i farefisit dhe krushqisë së hierarkisë së lartë të Tiranës nëpër ambasada dhe konsullata; ndarja e personelit në dy kontigjente të mëdha - kontigjent i Partisë Demokratike dhe kontigjent i Lëvizjes Socialiste për Integrim; emërimet e ashtuquajtura 'humanitare' - për të kaluar pleqërinë, për të shëruar pasojat shpirtërore nga divorcet, për të parandaluar divorcet, për ta përballuar sa më pa dhimbje xitelërinë, për të kaluar vejushërinë - burra, gra, të fejuar, të fejuara të politikanëve, të të afërmve të politikanëve dërgohen dhe mbahen për mandate të tëra në ambasadat e Republikës së Shqipërisë, madje edhe në pozicione titullarësh apo zëvendëstitullarësh. Këto dukuri e plot të tjera do trajtuar më vete në thellësi dhe me hollësi. Këtu thjesht po ceken.
Të kuptohemi, lexues, letra e Gilbert Galanxhit, tregon pothuaj vetëm gjendjen e keqe të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Uashington, ku ndërtesa e blerë para disa kohësh për 1,7 milionë dollarë është në rikonstruksion prej dy vitesh, një ndërtesë të cilën e përshkruajnë si ndër më karakteristiket dhe më të bukurat në zonën ku ndodhet, çka e bën urgjente moslejimin e rrënimit. Letra bën të ditur se ambasada nuk ka shofer dhe nuk ka pastruese, tregon se buxhetin vjetor e ka mbaruar në dy muajt e parë të vitit, tregon se edhe makinat e ambasadorit janë të dëmtuara dhe pa riparuar nuk mund të rivihen në punë. Tregon edhe plot hollësi të tjera për gjendjen e ambasadës. Letra nuk tregon gjendjen e ambasadorit. Nëse ajo do të ishte e ankueshme, atëherë vendimet do t'i merrte vetë ambasadori. Këtë do ta bënin edhe të tjerët në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Por askush nga ata nuk e ka bërë dhe nuk ka për ta bërë.
Një ish ambasador i Republikës së Shqipërisë në SHBA, në një intervistë të djeshme, thoshte se shpenzimet vjetore të qeverisë së RSH për dy lobime në SHBA, ua kalojnë shpenzimeve vjetore të kësaj qeverie për krejt rrjetin diplomatik e konsullor të saj në të gjitha (27) shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Duke mëtuar publikisht se këtë e bënte për arsye financiare, për shembull, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në vitet 2010 dhe 2011, nuk e ka festuar 28 Nëntorin, Ditën Kombëtare! Është një skandal në vetvete! Të shtrëngohesh të mos e festosh Ditën Kombëtare në një vend si Zvicra, ku banojnë qindra mijë shqiptarë!
Në Bernë personeli i ambasadës pothuaj gjithnjë është përbërë nga tre veta - ambasadori, konsulli dhe shoferi. Përgjithësisht këtë personel e kanë edhe ambasadat e tjera të RSH. Me sa pashë në letrën e ambasadorit Galanxhi, edhe në SHBA, personeli është mjaft i vogël. Në këto kushte, shoferi shndërrohet në njeriun numër dy të ambasadave, sepse rëndom, veç të tjerash, ai dhe bashkëshortja mbulojnë financën, furnizimin, magazinën. Shoferët në ambasadat e RSH nuk kanë asnjë dallim nga shoferët e rëndomtë të RSH. Ata vetëm se kryesisht janë nga radhët e më militantëve partiakë ose janë nga më të privilegjuarit e dikujt në hierarkinë e Tiranës. Edhe vende më të vogla se Republika e Shqipërisë, në fakt, personelin ndihmës, ky hyjnë shoferët, pastrueset, sekretaret teknike e tjerë, e përbëjnë të punësuar nga vendet përkatëse - të cilët, pra, njohin gjuhët dhe dialektet vendëse, njohin ligjet, rregullat.
Pas vitit 1998 gjendja e personelit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Shqipërisë në botë u përmirësua rrënjësisht. U rritën ndjeshëm rrogat e diplomatëve, u rritën shpërblimet për dietat, për pritjet e tjerë, u muarën përsipër shpenzimet shëndetësore për personelin dhe familjet e personelit. Para këtij viti ato ishin tejet të vogla, tejet simbolike. Mobilimi i ambasadave dhe apartamenteve të familjeve të punonjësve ishte i mjerë. Në Bernë, për shembull, shërbenin pajisjet e ardhura nga ambasada në Algjer, e cila ishte mbyllur, pajisje që ishin përdorur me dhjetëra vite. Ndërsa shërbim shëndetësor nuk kishte.
Deri në vitin 1990 Republika e Shqipërisë (përkatësisht RPSH, RPSSH) kishte vetëm dy tri ambasada në Perëndim. Misioni i atëhershëm i diplomacisë ishte kryesisht paralizimi dhe përçarja e emigracionit politik. Këtë Tirana e arrinte nëpërmjet këtyre ambasadave, nëpërmjet konsullatës së përgjithshme në Stamboll dhe nëpërmjet misionit pranë OKB-së në Nju Jork. Dhe e arrinte me sukses, falë integrimit me shërbimet lindore. Diaspora Shqiptare në përgjithësi konsiderohej armike e Tiranës. Reformimi i vërtetë i diplomacisë së Republikës së Shqipërisë, në fazën e hapjes ndaj botës dhe të shtrirjes së rrjetit diplomatik në gjithë Perëndimin dhe në sa më shumë vende të tjera të botës do të ishte shkëputja vendimtare nga tradita e trashëguar prej komunizmit dhe jo thellimi i mëtejshëm i kësaj tradite. Mbivendosja e lobimeve ndaj shërbimit diplomatik nuk është zgjidhje, duke paralizuar diplomacinë e vendit tënd. Kjo e demotivon diplomacinë, e bën që ajo të merret gjithnjë e më shumë thjesht me punët e veta private dhe jo me punët e shtetit të cilin e përfaqëson.
Nuk ka asnjë arsye që Republika e Shqipërisë ta shtrëngojë rripin e buxhetit të saj në zërin e diplomacisë - sepse në vetvete, kur është vërtet e tillë, diplomacia e shpërblen, madje shumëfish buxhetin e shpenzuar për të. Republika e Shqipërisë t'i kristalizojë kriteret e emërimeve në shërbimin e saj diplomatik dhe konsullor, kriteret e matjes së punës së këtij shërbimi, mbi këtë bazë edhe kriteret e shpërblimit material dhe me ngritje në përgjegjësi, ashtu si dhe të largimit apo uljes së tyre. Përndryshe shërbimi diplomatik e konsullor i Republikës së Shqipërisë më shumë do t'i ngjasojë një depozite të mbetjeve të saj urbane të eksportuara nëpër botë.
Për hir
të saktësisë së komunikimit me lexuesin, po jua sjell këtu poshtë letrën e
plotë të ambasadorit Galanxhi të botuar dje nga Gazeta Shqiptare.
----------
AMBASADA
E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
LËNDA:
Mbi buxhetin 2013 të Ambasadës së R.SH në SHBA
DREJTUAR:
Sekretarit të Përgjithshëm, Z.Gazmend Turdiu
PËR
DIJENI: Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Z.Sali Berisha; Ministrit të
Punëve të Jashtme, Z. Edmond Panariti; Zv/Ministres së Punëve të Jashtme, Znj.
Edith Harxhi; Zv/Ministrit të Punëve të Jashtme, Z.Selim Belortaja; Drejtorisë
së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse të MPJ, Znj.Ilda Dega; Drejtorisë së
Përgjithshme të Amerikave, Azisë dhe Afrikës, Z.Ilir Boçka
ZOTI
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Pasi jam
njohur me Planin e Buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën e Republikës së
Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe me qarkoren e zbatimit të
planit të buxhetit Nr. Prot.3163, dt 11.2.2013, dërguar nga ju kam analizuar me
përgjegjësi të plotë politike, diplomatike, administrative, financiare dhe
ligjore, Planin e Buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën e R.Sh në Washington DC
(SHBA), dhe mund t'ju them me bindje që në fillim që ky buxhet është fiktiv dhe
i parealiziueshëm; e thënë ndryshe është përcjellje, ngecje e përgjegjësisë nga
Ju tek Ambasadori, është "larje duarsh si Ponc Pilati", (besoj është
e njëjta situatë me të gjithë Ambasadat), në njëfarë mënyre duke na thënë
"këto fonde keni, vrafshi veten tani atje ku jeni".
Z.SEKRETAR
I PËRGJITHËM,
Duke
vlerësuar se prioriteti nr.1 i Ambasadës është plotësimi i detyrave dhe
funskioneve themelore të përfqësimit diplomatik të ambasadës së republikës së
Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
Duke
vlerësuar se elementi "buxhet" është përcaktues për të gjithë ecurinë
dhe mbarëvajtjen e punës së përfaqësimit diplomatik (pra nuk është thjeshtë një
ushtrim aritematike);
Duke
patur parasysh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhen nga 50 shtete, ku
diaspora shqiptare është e përqëndruar minimalisht në 9-10 shtete nga më
kryesore e SHBA-së (Ilionois, Ohio, Michigan, Massachusetts, Connecticut, New
jork, New Jersey, Virgina, Florida, Washington DC etj) dhe me një kontribut të
paçmuar për çështjen kombëtare shqiptare; dhe me të cilën duhen mbajtur dhe
fuqizuar kontaktet në interes të kombit dhe të ardhmes;
Duke
patur parasysh se jam i akredituar si Ambasador edhe në Shtetet e Bashkuara të
Meksikës, si dhe në Republikën e Panamasë (pres të akreditohem edhe në
Republikën Domenikane);
Duke
patur parasysh se jemi vend vëzhgues i përhershëm në Organizatën e Shteteve të
Amerikës;
Duke
pasur parasysh se as nuk jeni konsultuar dhe as nuk keni marrë në konsideratë
faktorët realë të kostos së jetesës dhe shërbimeve në SHBA;
Duke
konstatuar se as aritmetikisht përllogaritjet tuaja nuk përputhen me
realitetein e këtushëm;
Duke ju
kujtuar se nuk keni planifikuar asnjë dollarë të vetëm për ambasadën për të
punuar;
Duke mos
dashur të bëj asnjë shkekje të dispozitave financiare e ligjore të cilat na i
kujtoni në zbatim të ligjit Nr.9936, dt.26.6.2008, "Mbi menaxhimin e
sistemit buxhetor në Republikën e Shëipërisë" që ngarkon me përgjegjësi
Ambasadorin si Nëpunësi Autorizuar i Nivelit të Dytë;
Me
keqardhje konstatoj se:
1.Konceptimi
i planifikimit të buxhetit dhe për më tepër i menaxhimit të tij është fare
anakronik (thuajse ora ka ngeklur në vitin 1992), shumë larg konceptit bashkëkohor
të parimeve të menaxhimit të buxhetit (devolvet budgetin: me të gjitha
detyrimet dhe përgjegjësitë e titullarit të cilit i jepet një buxhet i
caktuar), si dhe një hap i madh prapa krahasuar me praktikën (kurajoze dhe
bashkëkohore) të vendosur 2-3 vite më parë nga Sekretari i atëhershëm i
Përgjitshëm, z.Ferit Hoxha.
2. Në
mënyrë të pakuptueshme dhe politiksht dhe diplomatikisht të pajustifikuar
"është vënë karroca para kalit", fatkeqësisht është harruar fare se
pse kemi ambasadë në SHBA:??? për të paguar faturat e detyrueshme (edhe për
këto veprimet aritmetike nuk dalin)??? apo për të punuar dhe përfaqësuar
intersat e R.SH në SHBA? Praktikisht Ambasadat janë kthyer në funksion të
zgjidhjes së "halleve" tuaja apo të Drejtorisë së Financës, kur duhet
të jetë krejtësisht e kundërta. Ju dhe Drejtoria e Financës duhet të zgjidhni
"hallet" e Ambasadave duke afruar alternativa të logjikshme dhe më
kryesorja të realizueshme. Nuk mendoj se është zgjidhje altrenativa që më dhatë
vitin e kaluar që "të mos paguaj qeratë në dhjetor sepse s'ka para"
dhe "turpin le ta mbajë qeveria". Ky "udhëzim" mbetet i
vlerëshëm edhe për vitin 2013???
3. Duke
mirëkuptuar vështirësitë që keni por duke ju kujtuar gjithshtu përgjegjësinë që
keni, ju lutem Sekretar i Përgjithshëm të më tregoni se në cilin zë të Planit
të Buxhetit që keni dërguar janë planifikuar shpenzimet për aktivitetet punës
(qoftë dhe një aktivitet të vetëm)??? Ju kujtoj se për aktivitetet për festimin
e 100-vjetorit të Pavarësisë të vitit 2012, Ambasadës së R.SH në SHBA i keni
dërguar vetëm 0 (zero) US$.
Ju kujtoj
gjithashtu se Ambasada në Washington DC (nga ambasadat më të rëndësishme të
shtetit shqiptar) është lënë pa shofer, pa sekretare teknike, pa pastruese.
Ju kujtoj
gjithashtu edhe vështirësinë reale të përfaqësimit (nënkupto: mospërfaqësimit),
dinjitoz nga mospasja në funsksion të ndërtesës së Ambasadës së R.Sh në
Washington DC. U bënë dy vjet që ndërtesa e Ambasadës (pronë e shtetit
shqiptar) qëndron e mbyllur në pritje të rinovimit. Nga muaji maj i vitit 2012
ka hyrë në efekt / është siguruar leja e punimeve nga bashkia e Washington DC
por me veprimet dhe mosveprimet tuaja (jeni Kryetar i Grupit të Punës dhe
Kryetar i Komisionit të Prokurimeve për këtë projekt) akoma nuk keni
identifikuar/për-zgjedhur dot një kompani që të fillojë punimet kur leja e
punimeve skadon në maj 2013 (ka me qindra që ushtrojnë aktivitetin e tyre në
Washington DC).
4.
Teknikisht, buxheti 2013 për Ambasadën e R.SH në SHBA është fare i paarsyeshëm,
i pakonsultuar, i bazuar mbi një aritmetikë diletante dhe fiktive, dhe si i
tillë është i parealizueshëm. Udhëzimet që na vijnë herë pas here nuk e
zgjidhin aspak problemin, përkundrazi shpesh ato janë konfuze, kontradiktore
dhe të pajustifikuara (duke lëvizur zërat sa nga një vend në tjetrin "për
të nxjerrë dhjamë nga pleshti", ekstremisht burokratike dhe mund të them
edhe fyese për autoritetin e titullarit të përfaqësisë diplomatike.
Për të
ilustruar sa më sipër po sjell në vëmendjen tuaj vetëm disa shembuj teknikë dhe
konkretë:
a) Zëri:
Qera
Planifikuar
në buxhetin 2013: 176.000 USD
Pagesat
faktike për qeranë e zyrave, banesës së Ambasadorit dhe tre diplomatëve: 15.437
USD/muaj x 12 muaj = 185,244 USD
Mungojnë
përafësisht 9.250 USD. (Nga t'i gjejë Ambasadori të cilin e ngarkoni me përgjegjësi
ligjore për tejklalim të buxhetit? Mos vallë duhet të hapim ekonomi ndihmëse?)
b) Zëri:
Dieta-udhëtime (ku futet edhe hoteli, etj)
Planifikuar
në buxhetin 2013: 2.500 USD
Shpenzime
faktike vetëm për periudhën 01 janar - 28 shkurt 2013: 2.488 $ (një shërbim
vajtje-ardhje brenda ditës në Nju Jork me makinë për të kursyer sado pak
krahasuar me vajtjen me avion; ju kujtoj që nuk kam as shofer dhe udhëtimi
vajtje-ardhje varion nga 10-12 orë; besoj do të mbetet rast unikal që një
ambasadë në Uashington DC nuk ka shofer, plus paraqitja e letrave kredenciale
në Meksikë)
Teprojnë:
12 $, me të cilat do të më duhet të mbuloj shpenzimet për paraqitjen e Letrave
Kredeneciale në Republikën Domenikane, si dhe të mbuloj të gjitha shpenzimet e
tjera për periudhën 01 mars-31 dhjetor 2013 për lëvizjet në SHBA, për të
ndjekur aktivitetet vjetore të Protokollit të Shtetit dhe të Shtëpisë së
Bardhë, për shoqërimin e Presidentit/Kryeministrit në Nju Jork, për vizitat
dypalëshe reciproke të mundëshme, etj.(?!?!?!)
c) Zëri:
Shpenzime për automjetet
Planifikuar
në buxhetin 2013: 6500 $ (këtu keni futur: Sigurimin e detyrueshëm vjetor,
karburantin, mirëmbajtjen, gomat, taksat rrugore, parkimin, gjobat)
Shpenzime
faktike:
- Për
sigurimin e detyruar: 3 makina x 1800 $ = 5 400$ (+ 5% rritje vjetore e çmimit
që aplikohet)
- Goma:
një palë goma + montim + kolaudim = 820 $
-
Karburant/vaj: 758 $ nga viti 2012 (periudha nëntor-dhjetor për ndjekjen e
aktiviteteve dhe festimeve të komunitetit shqiptar me rastin e 100 -vjetorit të
pavarësisë: faturat paguhen gjithmonë në muajin pasardhës)
-
Karburant janar 2013: 280 $
-
Mirëmbajtje /kontrolli vjetor për tre makina (nuk është bërë, por është i
detyrueshëm për t'u bërë)
- Makina
nr.1 dhe makina nr.2 kanë muaj që kanë nga një fener të parë të djegur dhe nuk
ka fond për t'i zëvendësuar (kushtojnë 800 $ x 2 = 1 600$ me çmimin më të lirë)
Mundohemi të shmangim në maksimum lëvizjet natën që të mos gjobitemi.
Aktualisht,
konsiderohen të shpenzuara përafërsisht: 7500 $
Domethënë,
me -1 000 $ ambasada duhet të përballojë shpenzimet për periudhën 01 mars-31
dhjetor 2013; duke përfshirë këtu shpenzimet për karburant, zëvendësimin e
fenerëve të djegur, mirëmbajtjen, parkimet, etj., etj. Ju bëj me dije se
distanca nga rezidenca në Ambasadë është rreth
d) Zëri:
Sigurimet shëndetësore planifikuar në buxhetin 2013: 35 000 $ (5 000$ më pak se
në 2012) nga mungesa totale e konsultimit me Ambasadën, nuk është marrë
parasysh fakti se:
- Çdo vit
ka një rritje prej 5% të primit të sigurimit (që aktualisht është bazik dhe për
çdo vizitë fare të thjeshtë paguajmë individualisht 'co-payment' ngaqë është më
i liri i mundshmi)
-
Diplomatja Migena Nuri është shtatzënë dhe do të ketë shpenzime ekstra, si dhe
do të ndryshojë paketa e sigurimit për të.
- Diplomati
Anton Koliqi është martuar dhe do të ndryshojë paketa e sigurimit nga
individuale në familjare.
Z.Sekretar
i Përgjithshëm,
Siç duket
qartë nga argumentimet e mësipërme, aritmetika e llogjikshme nuk të lë shteg
për manovrime dhe në kushtet aktuale ky buxhet si edhe udhëzimet e qarkoret
tuaja nuk ofrojnë zgjidhje, ato veçse e përkeqësojnë situatën. Në mënyrë që të
mos bëj shkelje të dispozitave financiare e ligjore në zbatim të Ligjit
Nr.9963, datë 26.06.2008 "Mbi menaxhimin e Sitemit Buxhetor në Republikën
e Shqipërisë " që ngarkon me përgjegjësi Ambasadorin si Nënpunës i
autorizuar i nivelit të dytë, lutem më autorizoni me shkrim, z.Sekretar i
Përgjithshëm, që të mos dal nga zyra ose më saktë që të mos dal nga rezidenca,
pasi në jetën reale me -1000 $ (minus një mijë dollarë) nuk mund të bëhet
asgjë.
Z.SEKRETAR
I PËRGJITHSHËM
Duke
besuar se gjithmonë ka një zgjidhje nëse ka vullnet për ta gjetur atë (where is
a will, there is a way) do t'ju isha shumë mirënjohës që për hir të
mbarëvajtjes së punës dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Shqipërisë në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (në Washington DC - kryeqytetin e botës) të
rishikonit alo-kimin/aktualizimin e buxhetit për vitin 2013 për Ambasadën në
Washington DC. Ju garantoj gjithashtu se mbetem i hapur për çdo konsultim e
bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e duhur. Duke shpresuar në mirëkuptimin
Tuaj,
AMBASADORI,
Gilbert
Galanxhi