Shtesë » Lajme
Papa i ri është kardinali Bergoglio nga Argjentina
E merkure, 13.03.2013, 07:34 PM
Me gëzim
të madh e emocion ju njoftojmë se në ora 19.06 të datë 13 mars 2013 tymi bardhë
nga oxhaku mbi kulmin e Kapelës Sikstina kumtoi ngjarjen historike, zgjedhjen e
Papës së ri. Turma e besimtarëve shpërtheu në gëzim.
Pra,
kardinajtë e Konklavit kanë zgjedhur Papën e ri, pasardhësin e Benediktit XVI.
Menjëherë pas daljes së tymit të bardhë nga oxhaku mbi kulmin e Kapelës
Sisktina që lartot drejt qiellit për t’i kumtuar Kishës e botës mbarë zgjedhjen
e Papës së ri, kambanat e shën Pjetrit ranë solemnisht në shenjë falënderimi
ndaj Hyjit që i dhuroi sot Kishës së Tij Bariun e ri.
Kardinajtë vërtet shumë shpjet, vetëm pas pesë votimeve, kanë zgjedhur pasardhësin e 265-të të Shën Pjetrit. E turma e stërmadhe e besimtarëve e shtegtarëve që gjendeshin në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e nëpër rrugët e afërta prej disa orëve, shpërtheu në hare e plot brohoritje duke thënë ‘Rrënoftë Papa’, e tani të gjithë me padurim presin kumtimin e Protodiakoni që do të njoftojë zgjedhjen e Papës së ri dhe emrin e tij e pastaj pritet dalja në ballkonin e bazilikës së Shën Pjetrit, nga ku Papa i 266-të i Kishës Katolike, do të drejtojë fjalën e parë e do të japë bekimin e parë Apostolik.
Biografia e Papës së ri, Jorge Mario Bergoglio, Françesku
Jorge
Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Airesit, Ordinar për besimtarët
e ritit lindor, që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht në Buenos Aires, më
17 dhjetor 1936, nga një familje me origjinë piemonteze. Studioi dhe u diplomua
si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin e
Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit,
përfundoi studimet humanistike në Kili dhe në vitin 1963, pasi u kthye në
Buenos Aires, mori diplomën universitare në filozofi në Fakultetin e
Filologjisë të kolegjit “San José” të San Miguel-it.
Ndërmmet
viteve 1964 e 1965 ka qenë profesor letërsie dhe psikologjie në kolegjin e
Zojës së Papërlyer në Santa Fe. Në vitin 1996 ka dhënë mësim po këto lëndë në
Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Aires. Nga viti 1967 deri në vitin 1970 studioi
teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe
diplomën universitare në këtë fushë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në
vitet 1970-71 përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e
më 22 prill 1973 mori kushtet përfundimtare.
Ka qenë
mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it, profesor në Fakultetin e
Teologjisë, Këshilltar i Provincës së jezuitëve dhe Rektor i kolegjit. Më 31
korrik 1973 u zgjodh provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi për gjashtë
vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë rektor i kolegjit dhe i Fakultetit
të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut shën Jozef,
në dioqezën e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar
tezën e doktoraturës. Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga
ku, kaloi në kishën e Shoqërisë së Jezusit në qytetin e Kordovës, ku kreu
detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyestarit.
Më 20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv titullar të Aukës dhe ndihmës të Buenos Airesit. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua ipeshkëv .