| E marte, 12.03.2013, 07:02 PM |
Turqia interesohet për trajtimin e Perandorisë Osmane në Kosovë
Prishtinë,
11 mars – Një delegacion nga Turqia pritet ta vizitojë Kosovën në fund të këtij
muaji për të biseduar me autoritetet arsimore kosovare për trajtimin që i bëhet
Perandorisë Osmane në librat e historisë merr vesh “Koha Ditore”.
Teksa në
Ministrinë e Arsimit një vizitë të tillë e shohin në kuadër të shkëmbimit të
përvojave, historianët e cilësojnë si formë presioni.
Autori i
një libri shkollor të historisë në arsimin parauniversitar dhe bashkautori i
shumicës së teksteve të këtij niveli, Frashër Demaj, konsideron se delegacioni
ka për qëllim mbikëqyrjen e komisionit të caktuar nga MASHT-i. “Delegacioni nga
Turqia vjen për presion dhe për asgjë tjetër. Si të tillë nuk e njoh edhe as që
kisha dashur të takohesha me ta”, ka thënë Demaj. Ky s’e njeh as komisionin
vendës, të themeluar për këtë çështje nga MASHT-i.
“Punën
time e bëj të pavarur, prandaj nuk njoh asnjë komision që provon të prekë
çështjet shkencore”, ka thënë Demaj. Ky thekson se MASHT-i nuk i ka konsultuar
autorët e librave kur e ka themeluar atë komision, ndërsa ka zënë ngoje
kryetarin e komisionit, Shkëlzen Raça. Për të ka thënë se është historian, por
jo tekstshkrues i librave të historisë në arsimin parauniversitar.
“Ai që
nuk ka përvojë në tekstshkruarje të librave të arsimit fillor nuk mund të japë
vërejtje të qëndrueshme, mund të bëjë vetëm vërejtje kozmetike”, ka theksuar
Demaj. Ky i fundit ka shtuar se me tekstshkruarje të librave parashkollorë të
historisë merret që nga viti 2002 dhe se librat në të cilët ka punuar janë të
përshtatshëm dhe pa gjuhë të urrejtjes.
Megjithëkëtë, Demaj thekson se edhe vetë është për ndonjë shikim të
këtyre teksteve, por jo me presion.
Burimet e
gazetës thonë se delegacioni nga Turqia ka planifikuar të vijë në Kosovë për
rishikimin e librave të historisë, porse vizita është shtyrë për në fund të
muajit mars. Në Ministrinë e Arsimit ndërkaq theksojnë se komisioni vendës e ka
përfunduar fazën e parë të punës.
“Ai e ka
përgatitur një raport në të cilin janë të përfshirë disa rekomandime, i cili
gjendet në Divizionin e Sigurimit të Cilësisë dhe i cili në të ardhmen jo shumë
të largët do të organizojë debat të hapur me ekspertë të teksteve shkollore”,
ka thënë këshilltari i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Arbër Morina. Sipas
tij, pas këtyre debateve do të organizohen takime me autorët e teksteve
përkatëse, në mënyrë që bashkërisht të debatohen rekomandimet e komisionit dhe
ato nga debatet e hapura.
“Vetëm me
pëlqimin e autorëve mund të bëhen ndryshimet”, është shprehur ai, teksa ka
mohuar që komisioni që do të vijë nga Turqia do të ndërhyjë në punët kosovare.
“Ardhja e
ekspertëve nga Republika e Turqisë nuk e nënkupton ndërhyrjen në punët tona,
por ky do të jetë një shkëmbim përvojash, ashtu siç ka ndodhur e do të ndodhë
në takimet e tjera që kemi pasur me
ekspertë të vendeve të tjera evropiane”, ka përfunduar ai.
Vitin e
kaluar MASHT-i kishte themeluar një komision për rishikimin e prezantimit të
historisë, gjeografisë dhe kulturës osmane e turke në tekstet shkollore
parauniversitare në Republikën e Kosovës.
Komisioni përbëhet nga gjuhëtarë, letrarë, historianë, muzikologë etj. Puna e
komisionit është përfunduar në fund të vitit të kaluar dhe janë dhënë të gjitha
rekomandimet se ku do të duhej të ndryshoheshin tekstet shkollore
parauniversitare, kudo që flitet për Perandorinë Osmane.
Nga lënda
e historisë janë prekur tekstet Historia 5 e autorëve, Fehmi Rexhepi, Frashër
Demaj, botuar nga “Libri Shkollor” më 2007; Historia 6 e po të njëjtëve autorë
dhe po të njëjtit botues (2004), , Historia 7 e autorëve Isa Bicaj, Arber Salihu (2004); Historia 8 e
autorëve Izber Hoti, Jetullah Krasniqi (2005): Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) e autorëve,
Isa Bicaj e Arber Salihu (2004);
Historia 10 (Gjimnazi Informatikë – Matematikë ) i autorëve, Jusuf Bajraktari,
Frashër Demaj (2003), Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) -Isa Bicaj e Arbër Salihu
(2003) Historia 11 (Gjimnazi Përgjithshëm) –Jusuf Bajraktari, Isa Bicaj (2004);
Historia 11 (Gjimnazi Gjuhësor) – Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj (2004), Historia
11 (Gjimnazi Shoqëror), Ramiz Abdyli, Emine Bakalli (2004) dhe Historia 12 (Gjimnazi i Përgjithshëm) dhe Jusuf
Bajraktari e Arbër Salihu (2005), që të gjithë të botuar nga “Libri shkollor”
2005.
Mirëpo
autori dhe bashkautori i disa librave të historisë në sistemin parauniversitar,
Demaj, ka thënë se ai zyrtarisht nuk ka marrë raport të komisionit të MASHT-it
për të parë se ku është ndërhyrë. “Krejt çka kam mësuar në propozimet për
ndryshime janë ato që i kam parë në medie”, ka thënë Demaj. Nga ana tjetër,
kryetari i komisionit të themeluar nga MASHT-i, Shkëlzen Raça, ka mohuar që
komisioni nga Turqia vjen për të bërë ndonjë presion. Ai po ashtu ka theksuar
se edhe raporti që e ka nxjerrë komisioni nuk është përfundimtar, pasi që edhe
ai duhet të rishikohet.
Ndërkaq
autori i studimit te teksteve mësimore të historisë Kosovë-Shqipëri-Serbi, me
titull: Kosova 1912-2000 në tekstet mësimore të historisë së Kosovës,
Shqipërisë dhe Serbisë”, Shkëlzen Gashi, mendon se tekstet mësimore të
historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë duhet të ndryshohen
rrënjësisht dhe urgjentisht.
“Madje
këto ndryshime duhet bërë jo vetëm sa i takon prezantimit të periudhës kur
Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë qenë nën Perandorinë Osmane, dhe jo
siç kërkojnë palët e përfshira, por duke u bazuar në dokumente, dëshmi, fakte,
argumente etj.”, ka thënë Gashi. Pra, sipas tij, duhet të eliminohet gjuha e
urrejtjes, shpifjet, etiketimet, hiperbolizimet. Ndryshe, ka thënë ai, duhet
ruajtur nga çdo trysni politike.