Intervista
Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me poetin shkodran Ragip Dragusha
E shtune, 02.03.2013, 10:00 AM
Intervistë
me poetin shkodran Ragip Dragusha
Duke folur me shpirtin
tim, unë flas çiltër!
“Të shkruash për vendlindjen ashtë gjithmonë pak , ndaj dhe zëvendësimi i saj ashtë i pamundur me çfarëdo bukurie tjetër”.
Ekskluzive nga Ramiz Selimi
Një rrëfim interesant i poetit të njohur në mërgatën e sotme shqiptare Ragip Dragusha për poezinë, jetën dhe vizionin e tij në mërgim. Poeti ka lindur në vitin 1953 në Shkodër, nga vitet e 90-ta ai jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Poeti flet për fëmijërinë , problemet në shoqërinë moniste, poezinë e tij të parë, inspirimin, suksesin, për integrimin në Austri. Nuk mungojnë as këshillat dhe dëshirat e poetit për zhvillime pozitive të shoqërisë shqiptare. Ai thotë se:” Duke folur me shpirtin tim, unë flas çiltër dhe depërtoj ma shpejt në qiell, atje ku mendimi ashtë engjëllorë, ndaj dhe kam ëndërruar gjithmonë për poezinë”
Zemra Shqiptare: Ju lutem Ragip na tregoni për lexuesit, se cili është profili i Ragip Dragushes, duke filluar nga vegjëlia?
Ragip Dragusha: Gjej rastin në radhë të parë ti përshëndes të gjithë lexuesit që na ndjekin, si dhe e përgëzoj interesin tuaj për të bërë këtë intervistë të hapur për bashkë-lexuesit e juaj.
Jeta ime që në fëmijëri ka qenë e lidhur fort me recitimin, ku pothuajse në të gjitha klasat e shkollës fillore dhe unike kamë recituar vargjet e rilindësve tanë, si Vaso Pasha, Migjeni, Noli, Mjeda e të tjerë, të cilat me mbushnin me plot emocione. Për fat të keq ky recitim u ndërpre në moshën 14 vjeçe, kur babai u arrestua nën akuzën për agjitacion e propagandë nga ish sistemi i atëhershëm.
Në vitin
e tretë të gjimnazit shpesh me kanë aktivizuar edhe si rezultat i „konkurseve“
të ndryshme, ku poezia ishte fjala e parë e prezantimit që me jepte të drejtën
të promovoja përpjekjet dhe aftësitë e mia. Kam recitua shpesh në ”Klubin e
Rinisë” dhe në teatrin “Migjeni” me regjisorin e madh Serafin Fankun, ai me ka
përkrahur shumë, aq sa kishte forcë të ndërhynte pranë organeve drejtuese
partiake të atëhershme.
Goditja e dytë politike me erdhi pasi fitova konkursin në institutin e lartë e arteve, dega “Kanto” në Tiranë, nga ku me gjithë përpjekjet e fuqishme të artistit të madh Luk Kacej nuk arrita dot të marr të drejtën e studimit si gjithë të tjerët, që e fituan me djersë dhe talent.
Zemra Shqiptare: Kur keni filluar të merreni me poezi, kur e patet takimin e parë me poezinë, na tregoni çka ju shtyri, ti përkushtoheni poezisë?
Ragip
Dragusha: Gjatë gjimnazit kam bërë 10 poezi të cilat kam pasur fatin vetëm ti
recitoj në teatrin Migjeni, si dhe në
aktivitetet tjera artistike. Pas viteve 90-t fillova shkollën e lartë por nga
këtu emigrova në Austri, ku prej ma shumë se 20 vitesh jam integruar me
familjen time në Vjenë. Poezia kjo fjalë tre rrokjesh troket mija herë tek unë
me emocionin që me përcjellë ajo. Ajo me ngrohë me rinon me mbron nga vese të
ndryshme që koha përcjellë. Duke folur me shpirtin tim unë flas çiltër dhe
depërtoj ma shpejt në qiell atje ku mendimi asht engjëllore ndaj dhe kam
ëndërruar gjithmonë për poezinë bile dhe me këto vargje që po sjellë për ju;
Poezia
N’vargun
tand du me mjellë lule
Ylberit
ngjyrat me ja marrë
Due me
t’pa gjithmonë të gzume
N’shekull
t’ri 13 vjecarë.
Andrat
tueja due me i prek’
Ma t’mirë
frutat me ja vjelë
Kurr nji
gja nuk du me t’hjek
N’aromë
lulesh me t’përcjellë
Për ty
shumë due me këndue
N’rreze
t’diellit me t’qëndisë
Me fjalë
t’amla zbukurue
Porsi
veli i nusërisë.
Dil pra
ti pa u vonue
Se për ty
miqtë
Vishu
bukur,ato m’i gzue
Fillo pra ma kambë të mbarë…..
Zemra Shqiptare: Nga e merrni inspirimin për vargjet e tuaja? Uleni si poet dhe dëshironi të shkruani, apo frymëzimi vjen vetvetiu për ta hedhur në letër?
Ragip Dragusha: Momenti kur du me hedhë diçka në letër me duket sikur kohën nuk e kap dot, ose me duhet të shpejtoj për të „kapur avionin“…. Pastaj në pushimin „Tranzit“ ndalem dhe pushoj pak, duke e përtypur ma mirë mendimin ose u rikthyer disa herë nga e para. Ndjenjat me bëjnë ti nënshtrohem atyre në çdo kohë, kur shkruaj diçka të re, si shërbëtorin e tyre. Dua qetësi të plotë dhe mundësisht të jem vetëm. Natyra asht ajo që me inspiron ma shumë.
Zemra Shqiptare: Jeta në mërgim dhe dashuria ndaj atdheut sa ndikojnë në tematiken e poezive tuaja?
Ragip Dragusha: Mendoj se ashtë arsyeja më e fortë që detyron lapsin tim të shkruaj në çdo kohë. Në jetë njeriu ka provuar se ajo që i mungon ma shumë ashtë ma e shtrenjte për të. Në historinë botërore poetët e mëdhenj i kanë kënduar kombit dhe atdheut të vet, kur kanë emigruar jashtë. Ketë mësim na e japin edhe rilindasit tanë të shumtë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që me anë të lapsit ato kanë portretizuar ndjenjat e tyre për vendlindjen. Me lejoni të ju njoh të paktën me një strofe të kangës që i kam kushtuar "Qytetit Tim".
A thue
kanga prej tejet ka dalë?
E n'andra
t'bukura me ty mu bashkue.
Sa herë
shpirti me djegë mallë
Për ty o
Shkodër un' du me këndue........
Për
lagjen Perash atje ku kam lindë
Për
abetaren n’shkoll‘ që kam mësue
Për
oborrin ton‘ ku kishim xhaminë
Për kishen e Madhe që s’ka t’harrue………
Zemra Shqiptare: Poezitë tuaja janë të shkruara me dialektin e vendlindjes, edhe pse ju e flisni gjuhen standarde bukur. Pse? A duhet rishikuar gjuha standarde?
Ragip
Dragusha:
”Andra e
lumturueme”:
N’kamb’
mu çue e tanë shqiptaria
Most a
lam shqipen dikush t’na e mbysë
S’ka si
para me shkue vegjëlia
Kur
gjuhën e nanës e flet përgjysë.
Prej
andret dola i lumturue
Sa kangën
nisa, Shpirti m’dha jetë
Hej..hej
vallja e shqipës mos qoftë mbarue
Për dore vallzojnë toskë edhe gegë.
Zemra Shqiptare: Pasi që ju jeni i panjohur për lexuesit tanë, na tregoni për poezitë e botuara, apo ndonjë përmbledhje poezish që keni botuar? Keni ndonjë përmbledhje para botimit?
Ragip
Dragusha: Faleminderit. Kjo pyetje me jep rastin ti prezantoj publikut
artdashës dhe librin tim te parë “Andra e Lumturueme” , që tashti ndodhet dhe
në disa librari të vendit. Kjo përmbledhje mbartë poezi kushtuar në radhë të
parë poetit të madh Shqiptare Pader Gjergj Fishtës, si idhuri i letërsisë
shqiptare në gjysmëshekullin e kaluar-shiko faqe 69(Harenberg Lexikon der
Weltliterature), nga ku ka marrë dhe fillin libri im. I zhytur në “Andren e
Lumturueme” mesazhi im ashtë i qartë edhe për pyetjen e mësipërme që ju me
drejtoheni. Duke mos permendun dhe Antologji si ajo e 101 poeteve për poetin e
madh Ali Podrimja, “ilirikum”, “Drita” etje…që unë jam pjesë e tyre me poezi,
me lejoni miq të ju njoftoj se së shpejti pritet të dalë libri im i dytë “Forca e Fatit dhe Dashnisë” nga ku do
zbresin ndjenjat e mia ma të fuqishme për njeriun, dashnin dhe rrolin e tij në
shoqëri. Ndjenja për dashnin e amshueme që shekujt se mplaken kurrë. Me lejoni
të ju sjellë një poezi nga ky libër.
Drandofilja
E kuqe si
gjaku qe mue me ke ndezë
Perse
gjembat tueja nuk m'lan me t'pergdhelë?
Sa herë
drandofile që due me t'prekë
Me
bukurinë tande gishtat mi ke there.
Si ty
shumë shoqe në fushë kam gjetë
Secila
prej tyne donte me m'tregue
Kujdes!
prej drandofiles se shumë janë djegë
ndaj mos
ju ofro se ke mu pendue.
Për ty
shumë shoqe me kanë diftue
Sejcila
prej tyre ma dha nji këshillë:
„Ti djalë
drandofiles mos me ju ofrue
ma e
rrezikshme bahet ajo kur ka çile“.
Për dore
dafina me mori nji herë
Dy fjalë
në vesh po due me ti thanë:
“Shiko sa
lule kanë çelun n’pranverë
Përmbi
lule tjera vetëm unë jam”.
Nga larg
dëgjova se foli lule bora”
“Unë çelë
lule në dimër e në verë
Sa herë
që me zgjedhin un iki nga dora
Ndaj e
vetme do rri keshtu perhere“.
Luleshtrylla
foli me za të mekun:
“Ndalni
moj motra për çfarë thoni për mue
Pa çelë
ende mirë me batë të vdekun
Çdo lule
nga ngjyra e vet u dashunue“.
Hypur mbi
mure po flet lule
“Ndalnu
moj motra për ku po shkoni
Vërtet ma
të bukur s’ka se drandofilja
Fjalët i
merr era thoni çfarë të doni”.
Tek
vështroja i qetë parkun luleshumë
Ma të
kandshmet ngjyra me kanë pergdhelë
Por zemra
nuk pyeste tek gjakosja duert
Kur në gji drandofilen e vuna përherë.
Zemra Shqiptare: Si i vlerësoni mbrëmjet letrare poetike që po mbahen në Austri, ku po bëhet promovimi i librave?
Ragip Dragusha: Vlerësoj maksimalisht punën e Shoqatës Kulturore Aleksandër Moisiu të drejtuar me kompetencë nga poeti i palodhur Besim Xhelili. Ajo vendosë një gurë themeli në çdo radhë të saj, për tu lansuar dhe njohur në publik. Natyrisht kontakti i drejtpërdrejtë i jep tjetër peshë fjalës poetike. Që në fillimet e punës së saj miqtë e mi poet më mbështetën duke me dhanë mundësinë të interpretoj gjerësisht krijimtarinë time në takime të fjalës poetike. Ndaj dhe gjejë rastin këtu ti falënderoj pa masë për kontributin e tyre në këtë drejtim.
Zemra Shqiptare: Cilët nga shkrimtarët tanë dhe të huaj preferoni?
Ragip
Dragusha: Padyshim poetët dhe
shkrimtarët e rilindjes për mua janë të papërsëritshëm në kushtet që punuan dhe
sakrifikuan si dhe ndjenjat që ato falen për kombin e vet, nga të cilët veçoj:
Fishta, Frashëri, Mjeda, Noli, Shiroka, Migjeni, Vaso Pash Shkodrani..
Nga të huajt mund të veçoj, Göthe, Dostojevskin, Hygoin etj.
Zemra Shqiptare: Ju merrni pjesë personalisht me recitime në organizime të ndryshme. Tani me jeni i njohur të mërgata në Austri e më gjerë. Na tregoni nga këndi i juaj i vështrimit, sa jeni i kënaqur me të arriturat?
Ragip
Dragusha: Mundohem ti jap vlerat me emocionale poezisë, nga ku shpesh kam hasur
në nji të fshehtë të saj dhe çfarë? Poezia e vargut lirik kërkon ma shumë
shije, buron nga shpirti tradicional ku mue me mungojnë disa element të njohjes
reale, por pas shumë provave dhe incizimeve arrijë te bindem në defektet e
paraqitura kështu që në masën më të madhe i kam realizuar ato. Ndërsa poezitë
me theks patriotik apo kombëtarë kërkojnë forcë interpretimi i cili me bënë të
jem me afër ngjarjeve të mëdha me emocionin përkushtues. Ajo që unë kam arritur
të pranohem në koncerte të ndryshme këtu në Vjenë dhe jashtë saj ashtë vetëm
serioziteti dhe përkushtimi gjatë provave që krijon bindjen se interpretimi do
të ofroje sukses.
Ndryshe
mund të interpretohet poezia që i kam kushtue „Zanës së Malit“ dhe tjetër
interpretim kërkon fjala vjen poezia „Faleminderit Viena“ e cila pati nji
sukses të papritur tek spektatori. Këtu po jap dy strofe nga të dyja poezitë.
„Zana e
Malit“.
Pashë dy
sytë e tuj moj Zanë
A
m’difton kush t’ka lakmue
Tek
burimi shkon me kangë
Por kur
kthehesh përmallue?
…………………………………………..
„Faleminderit
Viena“.
Faleminderit
Viena që na ngjalle Skanderbenë
Pas pesë
shekujsh e ngrite nga varri
E veshe
me armët që mbrojti Atdhenë
Gëzohu! Shqipëri se prapë të erdhi djali…..
Zemra Shqiptare: Si e vlerësoni organizimin e mërgatës sonë në Austri, a ka suksese, çka duhet ndërmarrë mërgimtarët tanë për ta ruajtur: gjuhën, kulturën, traditën, historinë, besën dhe dashurinë ndaj atdheut?
Ragip Dragusha: Mendoj që rrugët janë shumë, por ato me kryesoret që gjykoj unë janë afrimi sa ma shumë me mërgatën, ta sjellim atë sa me afër promovimeve të vlerave tona si tradita kangët, fjala poetike e cila padyshim ashtë gjerdani i artë që kultivon identitetin e bashkëkombësve tanë. Një ndër pikat kyç do ta quaja ashtë angazhimi me i madh i prindërve për të udhëzua fëmijët e tyre të marrin mësim të rregullt shqip ndër shkollat fillore nga ku dhe investimi i shtetit Austriak nuk ka munguar. Së fundmi ajo që e mban të ndezur flakën e dashurisë për atdheun ashtë padyshim kanga, veglat tradicionale dhe vallet popullore për të cilat duhet nji angazhim ma i madh i strukturave qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës për t’u udhëzua dhe në forma ma konkrete kontributin e përfaqësive diplomatike të tyre qetu në Vjenë.
Zemra Shqiptare: A mendoni se është lënë në harresë nga shteti, kontributi i padiskutueshëm në kulturën tonë i letrarëve tanë në mërgim?
Ragip Dragusha: Për ketë pikë ashtë e vështirë të thuash po, por nji angazhim më madh ashtë dhe duhet të jetë ë domosdoshëm për hir të brezave që do pasojnë traditën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Por dhe përkrahja nuk na ka munguar qoftë organizime në selitë Diplomatike Shqiptare, qoftë pjesëmarrja e trupit diplomatik në aktivitete të mëdha e të vogla në Vjenë e jashtë saj.
Zemra Shqiptare: Ka shumë njerëz që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. Çfarë mendoni se nuk kanë bërë politikanët tanë për të ndryshuar realitetin e vështirë shqiptar?
Ragip Dragusha: E kam të vështirë të jap recete për ketë, por unë mendoj se sidomos për brezin e ri duhen politika të reja në shtetet shqiptare për ti dhanë mundësinë gjithsecilit ta gjejnë veten brenda këtij territori, nga ku koha do provojë të kundërtën e asaj çfarë ato mendojnë tashti. Duhen gjetur mënyra e politika të reja drejtimi, që kjo fazë e vështirë të ketë sa ma pak të larguar ndaj dhe mesazhi im për politikanët ashtë: Vëmendje më të madhe sidomos për brezin e ri , për përgatitjen sa me profesionale të tij dhe mbështetjen pa rezerva ndaj kërkesave të tyre në rritje. Sa më shumë të investohet për ta, aq më shumë do ofrojnë për shoqërinë shqiptare mundësi të reja zhvillimi të vrullshëm.
Zemra Shqiptare: Jeta në mërgim nuk është e lehtë, asimilimi po troket në dyert e secilit mërgimtarë. Ju dhe familja e juaj, a mendoni që një ditë të ktheheni në vendlindje?
Ragip Dragusha: Mendoj që ajo ditë të jetë sa më e afërt. Koha e gjatë larg vendit tim me ka lodhur duke me krijue nji brengë të madhe shpirtnore.
Zemra Shqiptare: Cili është kujtimi me i bukur dhe mbresëlënës që ke në kujtesë?
Ragip Dragusha: Padyshim mbetet dalja në dritë e mendimit të lirë dhe konkretizimi i tij në librin tim të parë poetik „Andra e Lumturueme“.
Zemra Shqiptare: Mesazhi juaj për lexuesit, për shqiptarët në përgjithësi dhe emigrantët në veçanti?
Ragip Dragusha: Ne kemi nevojë të lexojmë shumë, të shkruajmë historinë e letërsisë sonë shqipe pa operacione në salla të mbyllura. Ajo që me mungon ma shumë në këto vite ka qenë materiali i paktë i besuar për të mësuar heronjtë e vërtet të letërsisë shqipe. Unë kam humbur një kohë të çmuar dhe të pallogaritshme në mërgim, duke mos qenë i pranishëm në kontaktet e përditshme dhe dialogjët që kanë në thelb kritiken letrare, duke filluar me letërshkruesit që pas mesjetës e këtej. Në tezën e të ashtuquajturës “e vjetër“ apo „ de mode“, unë jam dhe do mbetem gjithmonë kundërshtarë i fortë, aktiv nga që literatura e huaj që kam hasur, bënë një vlerësim maksimal të poetëve që janë lanë nën „hije“ nga sistemi i kaluar kur ato po në çfarë duhet të bëjmë për veten tonë?. Për boten e zhvilluar vlerat më të mëdha e të pazëvendësueshme janë koha klasike dhe koha e rilindjes, gjë e cila mbetet ëndë sot në vlera që vetëm rriten. Ndaj para se ti shpërfillim, mendoj se duhen studiuar gjerësisht ndër shkolla që brezat të dinë ku të drejtohen dhe kujt ti japin vlera maksimale. Një popull që nuk njeh dhe nuk vlerëson dishepujt e letrarëve të tij ashtë i destinuar të shuhet.
Faleminderit zoti Ragip për kohën që ndatë për neve!
Ju lutem,
kënaqësia ishte e imja!