Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Çka tha ambasadori turk?...
E diele, 24.02.2013, 05:25 PM
ÇKA THA
AMBASADORI TURK PER
SHQIPTARËT ?...
100 vjetori i rrethimit të Shkodres…
Nga Fritz RADOVANI
Shkodra,
flitet, por sa asht e vertetë nuk e dij, thonë se asht rrethue disa herë por sa
herë asht vështirë me e percaktue!.. Ka historianë që i fillojnë rrethimet e
saj para Krishtit. Ka edhe që i vazhdojnë edhe mbas Krishtit… Kishe me thane se
ky lamsh historik i “Rrethimit të Shkodres” e ka burimin tek mospercaktimi i
saktë se: “Shkodra vazhdon me kenë edhe sot e rrethueme!”.
Po kush e
ka “Rrethue Shkodren” ?... – Gojdhanat dhe gojkëqijtë kujt nuk ia lanë fajin!?
Disa
thonë se Shkodra u rrethue nga turqit... Disa të tjerë ua lanë komshijëve...
Disa që janë konsiderue edhe historianë të zotët, thonë se Shkodren e kanë
rrethue vetë shqiptarët...
Kujt me i
besue?!.. Nuk di njeriu kujt me ia prishë as kujt me ia lanë mbarë!?
Një liber
e ka lanë per këte punë Don Marin Barleci, një prift që e ka shkrue aty nga
viti 1504...”punë boshe”, se mos di kush me thanë të verteten. Kush ia beson
Atij prift sot këto fjalë: “Tashti pra Otomani, tue marrë parasysh se Shkodra
ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja,
syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e
Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishtenëve, ushqeu një shpresë
shumë të madhe per me e shti në dorë...” (“Rrethimi i Shkodres”fq. 31). Ai sot asht pak i besueshem!
Ma vonë
aty nga fillimi i shekullit XX, njëfarë Don Ndoc Nikaj ka shkrue një tjeter
liber per rrethimin e Shkodres nga malazezët...edhe ky si i pari, “punë
priftnish”. Ka shkrue prap edhe një frat i quejtun At Justin Rrota, po per
rrehimin e Shkodres së 1912 – 13, po nuk permendet gati prej askujt, perveç
prej atyne që e dijnë se shkrimet e Tija i ka pervetsue “prof. dr. dekan...”
Jup Kastrati, po as “ata” nuk flasin se “nuk asht mirë me tregue se ky ‘prof.
dr.’ i vdekun ishte hajdut veprash”!..
Të gjitha këto vepra janë edhe “pa vlerë”, mbasi janë shkrue edhe Gegnisht.
Per fat
këta vepra u mblodhën dhe nuk u dogjën si shumë të tjera, dhe mbasi iu ba
njëfarë seleksionimi po i themi nen kujdesin e disa “prof. dr.”, u kthyen në
gjuhë e “njësuar” tue i vue në kopertinë edhe emnin e adaptuesit. Dikund nëpër
té shkruente edhe një frazë ose dy kunder klerit katolik, që e bante të
mundshem botimin e saj. Pak kohë para Jupit këte punë e filloi Dhimiter
Shuteriqi, ndersa ma vonë kjo u ba “modë”. Një pjesë që erdhën deri në ditët
tona tashti ia kanë fillue me shkrue në gazeten “Drita Islame”, edhe pse
karrieren e kanë fillue tek “Rruga e Partisë” në vitin 1967, kur i udhëzonte
“rahmetlia” Ramiz Alia në “Revolucionin Kultural” në Shkoder.
Per çudi
shumë dorshkrime që u patne plaçkitë nder bibliotekat dhe muzeumet e qytetit të
Shkodres në vitin 1946 nga jugosllavët dhe u derguen nga Bosnja nëper rrugen e
Koplikut, nuk dihet fare fati i tyne mbasi nder valixhet e lidhuna me litar ka
pasë edhe disa dorshkrime të At Gjeçovit, At Fishtës etj., që njiheshin edhe
nga ish nxanësit e tyne që kanë jetue deri vonë.
Vlera ma
e madhe e atyne thesareve asht kenë ajo e fushës së shkencave historike, mbasi
si gjithmonë klerikët katolik shqiptarë perpara se me shkrue një shkronjë në
leter, janë kenë disa herë të sigurtë se ashtu asht e verteta e atij dokument
per të cilin kanë shkrue. Ata nuk i kanë lejue vetes asnjëherë me shkrue dishka
të pasigurtë ose të diskutueshme. Kjo ngjante se kishin seder per çka shkruenin
dhe nuk i lejonin emnit vet me u diskutue per pasaktësi. Me ngja dishka kështu
emni i tyne fshihej nga revistat e kohës. Këte e verteton revista e tyne “Hylli
i Dritës”... Ndersa sot ngjet që po i njajti autor që nuk ka lanë gja pa thanë
per At Fishten, me paturpësi edhe guxon me u krenue me veprat e At Fishtës, që
deri dje kje “fashist” apo “i padijtun” në shkrime.
Kjo
fatkeqësi e kishte burimin tek karakteri i dobët dhe mungesa e personalitetit
të atyne që shkruenin per me i ba qejfin diktatorit dhe rrethit të tij, që
ishte edhe ai si diktatori.
Vetë
Enver Hoxha fliste e shkruente pa asnjë kontroll të logjikës. Ai ishte gjithnjë
në të gjitha fjalimet, deklaratat dhe “veprat” i pakorrigjueshem, kështu u
mësuen me kenë edhe ata që i rrinin perrreth tavolinës së tij. Ai të pakten e
justifikonte këte me ruejtjen e kolltukut të vet, per të cilin sakrifikonte
gjithshka tue fillue nga burri i motres së vet Bahri Omari, që kushedi sa herë
u strehue edhe vet Enveri në shtëpinë e tij me shpetue koken...E në fund, e
pushkatoi!
Sot ka
nga pasuesit e tij që mundohen me e imitue në mos me fjalë, me vepra. Harrojnë
se bota ua lexon letrat në xhep! Ata ua rrahin shpatullat derisa këta karagjozë
punojnë per ta!
Unë do të
shkruej një fakt që ka ngja në Tiranë në vitin 1964, mu në pallatin e
Brigadave, apo të karagjozit tjeter Ahmet Zogollit, pikrisht, me “fanarin
ndriçues të marksizem-leninizmit” në botë, atëherë kur Nikita Hrushovi, pat mendue
“me ba Shqipninë një kopësht të lulzuem të socializmit në Ballkan, si shembull
per të gjitha vendet islamike!!..”
Në
banketin e shtruem per festat e nandorit Enver Hoxha foli edhe per pavarsinë
tonë nga turqit, tue vue theksin se “menjëherë shqiptarët u zgjuan dhe nuk
vonoi e formuan PKSh, e cila solli lirinë dhe fitoren e socializmit, të cilin
do ta ruajmë të paprekur nga armiqtë tanë...”
Sigurisht,
të pranishmit e “duartrokiten” me ovacione... Nder ambasadorët e pranishem që
ndodheshin aty e mori fjalen ai i Turqisë, i cili vuni në dukje “miqësinë e
popullit shqiptar me popullin turk nder sa shekuj dhe cilsoi, se po mos t’
ishte pushtimi shekullor turk, Shqipnia nuk do të konsiderohej si vend islamik
nga Aleatet fitues të Luftës së Dytë Botnore, kështu ajo nuk do të lejohej me
kenë nën influencen e vendeve komuniste. Si pasojë sot ju nuk do t’ ishi një
nga vendet socialiste po mos t’ ishit të okupuem nga Turqia, prandej asaj duhet
t’i jeni mirnjohës!”
Edhe
ambasadori turk u “duartrokit”, por pa ovacione...
Mbas pak
ditësh, në pragun e festës së Republikës me 11 Janar 1965, kur ambasadorët që
ishin në Tiranë shkonin në Ministrinë e Jashtme dhe banin urimet e tyne, tue
shenue në protokol edhe praninë e tyne aty, Enver Hoxha thrret ministrin e
jashtem Nesti Nase (i cili e ka tregue këte ngjarje kur u arrestue), dhe e
porositë: “Kur të vijë tek ju per urime ambasadori turk pyete se a e ka lexuar
kryeartikullin e sotem në gazeten ‘Zëri i Popullit”, pastaj më trego çfarë
tha?”
Kryeartikulli
i gazetës “Zëri i Popullit” ishte shkrue nga vetë Enver Hoxha, që i prekun nga
fjalët e ambasadorit turk, kryesisht se “të gjitha fitoret e luftës dhe të
socializmit ishin të tijat dhe se ai po ndriçonte aso kohe gjithë vendet e
mbrapambetuna me idetë marksiste-leninste” e kishin zemrue Enverin, aq sa nuk
lente gja pa thanë per atë që kishte errësue figuren e tij...
Në oren e
caktueme per ambasadorë në Ministri të Jashtme erdhi edhe ambasadori turk.
Ministri Nesti Nase e pyeti: “A e ke lexuar sot kryeartikullin e gazetës “Zëri
i Popullit” ? – Po, iu pergjegjë ambasadori, dhe vrejta se artikullshkruesi
kishte dashtë me më dhanë pergjegjen e asaj që unë kam thanë atë natë në
banketin e festave tueja të nandorit. Me siguri, ju keni per t’i tregue dhe
mendimin tim atij që e ka shkrue artikullin prandej, ju lutem i thoni: “Kaq të
mbrapambetun i keni udhëheqësit tuej ju shqiptarët, sa edhe disa pashallarë që
kemi pasë shqiptarë nder disa krahina tona në Turqi, ato krahina edhe sot janë
ma të mbrapambetunat e Turqisë moderne!”
Shpesh,
ambasadorët dijnë ma shumë se edhe vetë ata që drejtojnë shtetin e tyne!
Ndoshta, ambasadori i Turqisë sotme, e ka “ndryshue” mendimin...