Mendime
Dorian Koçi: Shqetësime diplomatike
E shtune, 16.02.2013, 09:14 AM
SHQETËSIME DIPLOMATIKE DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE
NGA DORIAN KOÇI
Ditët e
fundit ka një shqetësim të diplomacisë ndërkombëtare të akredituar në Tiranë
për sa i përket rritjes së retorikës nacionaliste, si i kanë vlerësuar një sërë
deklaratash të udhëheqësve shqiptarë në rajon me rastin e njëqindvjetorit të
pavarësisë. Ky reagim nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash që mbulojnë
vetëm muajin dhjetor, por ka pasur një kurbë në ngritje, gjë që dëshmon se për
komunitetin ndërkombëtar stabiliteti i Ballkanit përbën thembrën e Akilit të
politikës ekuilibruese në rajon. Dëshira e të gjithë atyre që presin që
demokracia të funksionojë më mirë në Ballkanin Perëndimor, në fakt ka qenë që
këtë zell të madh që po tregon diplomacia botërore për të frenuar pasionet
nacionaliste ta kishte dhe për monitorimin dhe mirëfunksionimin e
institucioneve të pavarura duke u bërë në këtë lloj mënyre garante të një
ndryshimi të qëndrueshëm demokratik të shoqërive të vjetra e tradicionale të
Ballkanit Perëndimor që vuajnë pothuajse të gjitha nga sëmundjet e përbashkëta
të autoritarizmit e nepotizmit. Mirëpo pavarësisht se kjo gjë nuk po ndodh dhe
kur është puna se diplomacia ndërkombëtare duhet të kishte një zë më të fortë
për shumë çështje në Shqipëri, sërish shqetësimet e tyre janë të mirëkuptuara
dhe të mirëpritura, por dëshirojnë që të kenë një sqarim më të detajuar për të
shmangur çdo keqkuptim. Diku në prapaskenë ka interesa të dyshimta dhe faktorë
politikë që fërkojnë duart nga kënaqësia në këtë të ashtuquajtur përplasje
midis Shqipërisë zyrtare dhe Perëndimit, kënaqësi që besoj se nuk do të zgjasë
shumë, pasi Shqipëria dhe klasa e saj politike është aq në gjendje sa të mos
humbasë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar që në të shumtën e rasteve ka qenë
bujar me të.
Kjo
ndjesi bazohet në faktin e njohur se Shqipëria njeh dhe respekton faktin se
çlirimi i Kosovës, krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe mbarëvajtja e
tij është një investim ndërkombëtar. Po ashtu si është në dijeni të faktit që
stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për SHBA-në dhe BE-në, ndaj dhe
shqiptarët kanë më se 10 vjet që durojnë me një përmbajtje të madhe
mosrespektimin dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje për të
cilën është garant komuniteti ndërkombëtar. E njëjta gjë ndodhi pak ditë më
parë dhe në Luginën e Preshevës, ku forcat serbe të sigurisë ndërhynë për të
hequr memorialin e luftëtarëve të UCKPBM, dhe shqiptarët u ftuan sërish për të
qenë të duruar dhe të vetëpërmbajtur, ndërsa komuniteti ndërkombëtar lau duart
në formë alla Ponc Pilatiane nga përgjegjësia vetë duke deklaruar se heqja apo mbajtja
e tij është një çështje e brendshme e Serbisë. Si shihet, situatat janë
absurde, pasi ata që duhet të jenë garantë për marrëveshjet e nënshkruara midis
shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe shqiptarëve dhe serbëve në luginën
e Preshevës nuk ndihen dhe nuk bëjnë zë, e për më keq ua këshillojnë këtë gjë
dhe shqiptarëve. Mirëpo, në gjithë këtë politikë vetëpërmbajtje që i
këshillohet Shqipërisë dhe klasës së saj politike, harrohet t’u bëhet një
analizë e thjeshtë që t’i japë përgjigje pyetjes se deri ku mund të limitizohen
të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe ç’rol u është caktuar atyre në rajon.
“Nuk ka miq në politikë, por interesa të përjetshme”, ka thënë De Goli një nga
mjeshtrit e politikës të shekullit të kaluar, e përderisa interesat e shqiptarëve
hyjnë dhe në interesat e përjetshme të aleatëve tanë, ata duhet të kenë tagrin
që të shijojnë lirinë politike të tyre të vetëvendosjes.
E vërteta
është se në këtë shekull të ri është e papranueshme që të ketë qytetarë të
dorës së dytë në Ballkanin Perëndimor, vend që tradicionalisht u është
rezervuar shqiptarëve në krahasim me fqinjët e vet, prandaj çdo qeveri
shqiptare në vazhdimësi do të kërkojë respektimin e lirive dhe të drejtave të
njeriut dhe dinjitetit të shqiptarëve në rajon. Një përqasje e kujdesshme, por
këmbëngulëse e shqiptarëve drejt realizimit të aspiratave të tyre do t’i bëjë
miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojnë që procese që kanë nisur nuk mund të
rikthehen mbrapsht. Në të kundërt, nëse vullneti i qytetarëve shqiptarë nga të
gjithë trojet etnike shqiptare që u mblodhën në Vlorë, në këtë 28 nëntor do të
tradhtohet dhe do të trajtohet vetëm për interesa elektorale, atëherë do të
jetë katastrofa më e madhe, pasi jo vetëm që do të bëhemi gazi i botës, por dhe
partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të na marrin më seriozisht. Pas
njëqind vjetëve shtet, Shqipëria ka hyrë në periudhën e maturisë si shtet dhe
shqiptarët duhet të dinë t‘ua dëshmojnë miqve të tyre këtë gjë, për të fituar
me siguri dhe mbështetjen e tyre për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare.