Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Desku: Mbresa nga ''Flaka e Janarit''

| E hene, 28.01.2013, 08:27 PM |


Rrëfejza apo mbresa nga manifestimi letrar “Flaka e Janarit – 2013” në Gjilan

MADHËSHTIA E SHPIRTËRORES DHE PESHA E FJALËS POETIKE

... Lumturia ime që pas dyzet e pesë vitesh, ritakohem me shkrimtarin dhe publicistin, me njeriun, që shkrimet e para për punën time krijuese i kam lexuar për herë të parë nga pena e e tij, e gazetarit Sejdi Berisha, në gazetën, “Rilindja”.

Në “Flaka e Janarit-2013” , poezi lexojnë një gjeografi e poetëve shqiptarë, nga secili cep i atdheut.

Eh, sa më bëhej zemra mal për mikun tim, për poetin Sejdi Berisha, që sa i dashur dhe i nderuar është kudo, tek miqtë, tek familja, farefisi... Andaj, a ka pasuri më të madhe se shpirtërorja...?! Edhe unë ndihem bukur, fluturoj nga gëzimi, kur kam një mik të këtillë poet, që është i dashur edhe nga Zoti, dhe uroj më të mirat për mikun tim, poet!...

Nga Agim DESKU

Nisemi nga Peja me shkrimtarin dhe publicistin dhe mikun tim, z. Sejdi Berishën për në festën e poezisë “Flaka e Janarit”, që mbahej në Gjilan. Për pak hyjmë në Rrugën e Kombit, sa vozitje e bukur, shpejtësi e lejuar komoditeti, më shkurt, çdo cep i Shqipërisë më afër. Eh, sa urojmë për këtë bukuri shqiptare vepër e Shqipërisë dhe e Kosovës, e të rënëve për lirinë e Kosovës, e atyre të cilët rrinë të stolisur me lulet më të bukura në secilën zemër shqiptare, mbetën kujtim besnikërie për atdheun, dhe falë tyre udhëtojmë sot të lirë dhe mbërrijmë ku dëshirojmë. Por, sot zgjodhëm festën e poezisë, në ditën e saj, “Flakën e Janarit-2013” në Gjilan. Një kujtim amshimi për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, paraprijësit e lirisë.

Ndaluam në hotelin “Kristal” për të pushuar. Porosisim nga një kafe, dhe befas pranë tavolinës ia behin dy poetë, emra të kulturës së Gjilanit, karakteristikë e datëlindjes se tyre, të dytë të lindur me dhjetë shkurt,... dhe i shoh në përqafim të njëri-tjetrit... Një atmosferë heshtjeje, mbresëlënëse! Shikimi im tretët vetëm tek ta; njëri është muzikologu, Demir Krasniqi, i cili pas përqafimit që i bën mikut tim, poetit Sejdi Berishës, shton:

-Ja, pas dyzet e pesë vitesh, ritakimi im me shkrimtarin dhe publicistin, me njeriun, që shkrimet e para për punën time krijuese i kam lexuar për herë të parë nga pena e gazetarit Sejdi Berisha, në gazetën, “Rilindja”.

Si në shaka e thotë edhe këtë: ky është ,,shkaktari” i prishjes së ,,virgjinitetit” krijues në fillimin e krijimtarisë sime muzikore.

E, urimet e mia shkojnë për këtë gëzim ritakimi dhe e them më vete:

-Sa është e bukur poezia. Ajo ndërton ura takimi e ritakimi, ura afrimi fjalësh të bukura miradie që u thanë për mikun tim poet. Shpirtërisht e them edhe njëherë, kisha ardhur sërish në Gjilan edhe në këmbë, vetëm e vetëm të dëgjoja fjalë të bukura për mikun tim krijues, për sinqeritetin, për punën, për krijimtarinë e tij letrare dhe kulturore.

Edhe piktori dhe krijuesi letrar, Demir Behluli, na uron mirëseardhje, ku fjalët më të bukura ia dedikon mikut tim, Sejdiut. Rikujton kohën në të cilën kanë punuar së bashku, dhe uron për këtë ritakim me mikun tim, duke na dhuruar librin e tij poetik, ,,Po vinte koha”. Në ndërkohë, vjen dhe na bashkëngjitet edhe gazetari, Tefik Selimi, që në prezantimin tonë, na thotë:

-Eh, po sa bukur,... ne njihemi nga vargjet poetike në gazetat “Bota Sot”, në “Nacional”. Ngrihemi dhe bëjmë jashtë një foto të përbashkët kujtimi për ritakimin e miqve, poetëve. Më pas, vazhdojmë për në sallën ku do të mbahet Ora e “Flakës së Janarit”, ku, edhe aty takojmë shumë poetë, miq të vargut poetik, takoj poetin dhe mikun tim, poetin çam, Agim Bajramin nga Durrësi, poezia e të cilit u shpërblye në konkursin letrar. Takoj shkrimtarin nga Tropoja, Azgan Haklajn, mikun e tij dhe valltarin e njohur, Deliun, poeten nga Saranda, Irena Gjoni, fituesen e çmimit të parë të orës letrare, së bashku me Avni Rudakun. Irena, ma dhuroi librin e saj, ,,Gjysma dashurish”. Ta kam borxh qysh nga Prizreni, më tha.

E falënderova për librin dhe i urova suksese për çmimin. Mbresa ime e Flakës se Janarit, është takimi me miq e poetë, si: Sabit Rrustemin, ideatorin dhe bashkorganizatorin e këtij evenimenti, Nexhat Rexhën, Sabit Idrizin, Albina Idrizin. Takimi im me Shaip Bllacen, ishte një kujtim i veçantë, ngase, nuk isha parë asnjëherë me te, por që kishim bërë letërkëmbime, si dhe takimi me gazetaren e Radio Kosovës, pas Kongresit të Rrjetit të Gruas Shqiptare, që ishim së bashku në Vlorë më 24 Nëntor 2012.

Pastaj, festa e poezisë më ofron edhe takime me miq dhe poetë nga shumë pjesë shqiptare, nga Klina takoj aktorin Ismet Krasniqin-Lalen, Ahmet Krasniqin, një mik i poezisë, i cili ndihmon edhe materialisht udhëtimet e poetve deri tek orët letrare. Nga Presheva takoj mikun tim poetin, Arsim Halili, që më dhuroi përmbledhjen poetike ,,Mëkatar mos eja,”. Ulemi së bashku me poetin dhe mikun tim nga Stublla, Engjëll Koliqin, për pak më kërkon të shkojë ta përshëndet poeten, Ana Kove, të cilën e përshendet për ardhjen nga Shqipëria.

Fillon Ora letrare, lexojnë poezi një gjeografi e poetëve shqiptarë, nga secili cep i atdheut. I dyti me radhë, poezinë e tij, “Etjen për ta shuar...”, me një titull dhe me mesazh shumëdimensional, e lexon krijuesi nga Peja, Sejdi Berisha, dhe kështu me radhë poetët i prezantojnë ndijimet e tyre poetike. Më vjen radha edhe mua. Lexoj poezinë ,,Tek Molla e Kuqe” e shkruar, Preshevë, Molla e Kuqe, 20.01.2013

Ishte kjo një pasdite janari e bukur e takimit më poetë dhe miq të fjalës poetike, takim me vlera të veçanta,... edhe takime dhe këmbime librash me njëri-tjetrin.

Nisemi prapë për Pejë, me mikun tim, shkrimtarin, publicistin dhe punëtorin e mirëfilltë të kulturës, Sejdi Berishën, kuptohet, tani me kujtimet e paharruara nga “Flaka e Janarit-2013”, mbresa, ritakime me poetë dhe miq,... vargje. Rrugës, rrjedhin fjalët për fjalët e bukura, që i lamë, në Gjilan. Eh, sa do të dëshiroja të ishin më shumë krijues nga Peja, të dëgjonin për fjalët e bukura që i dëgjuam në “Flaka e Janarit”, por edhe për respektin që ia bënin dhe për fjalët e dashura e të ëmbla që kishin për mikun tim, Sejdi Berishën. Dhe, për asnjë gjë nuk do t’i zhbëja këto takime të ngrohta dhe me domethënie për peshën dhe vlerën e njeriut. Por, fjalët dhe respektin ndaj mikut tim, do t’i merrja që kohë pas kohe t’i përdorja si rrëfime njerëzie e madhështie.

Gjatë udhëtimit për në Pejë, herë pas herë na ndërpritej biseda nga cingërima e telefonit  e mikut tim, ku përtej dëgjohej zëri i djalit të tij, i vajzave, mbesave dhe i bashkëshortes,të cilët, pothuaj se në çdo dhjetë kilometra rrugë,  pyesnin dhe interesoheshin se ku jemi dhe si po kalonim gjatë rrugës atë mbrëmje me shi.

Eh, sa më bëhej zemra mal për mikun tim, për poetin Sejdi Berisha, sa i dashur dhe i nderuar është kudo, tek miqtë, tek familja, farefisi... Vallë a ka pasuri më të madhe se shpirtërorja...?! Edhe unë ndihem bukur, fluturoj nga gëzimi, kur kam një mik të këtillë poet, që është i dashur edhe nga Zoti, dhe uroj më të mirat për mikun tim poet!