Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Paradoksi i luftëtarit
E shtune, 19.01.2013, 08:55 AM
R e f l e k s i v e
SHIKIMI I THEKSHËM APO PARADOKSI I LUFTËTARIT...!
Nga Sejdi BERISHA
Ndoshta,
sot nuk duket se ka rëndësi dhe as nuk është interesante, por, megjithatë, kjo
ngjarje bizare por e rrallë, apo e para e këtij lloji, e cila edhe tronditë,
bezdisë edhe trishton, por, edhe për shumëçka sikur shndërrohet në ilaç
mendjeje, shpirti, apo, nëse jo kështu, atëherë edhe çmend, sjellë nebulozë!
Por, të kuptohemi, këtë ngjarje do ta shtroj me arsyen e hidhërimit, me peshën
kuptimit të jetës, nganjëherë si dukuri të rrallë, por, mbase edhe paradoksale.
Përrallë hesapi... Nëse keni durim, më ndiqni...!
1.
Që në
vegjëli, kur isha kalama e i veshur me rroba plotë arna por të pastra, (por, që
në fillim ta dini, ai nuk jam unë), diçka më xigëlonte nëpër trup, ndoshta edhe
nëpër damarët e gjakut. Ku ta dija se pse ndodhte kështu. Edhe mua më rrokte
etja për ta shijuar madhështinë dhe dashurinë e tokës dhe të natyrës. Kështu,
brenda vetvetes, më ngrihej, ndërtohej e më luhatej, shih, luhatej, një kullë e
dashurisë dhe e qëndresës, që ma afronte e ma thellonte merakun për livadhet,
për kopshtet, bjeshkët,... për shkëmbinjtë, por edhe për shiun, shushurimën
mahnitëse të tij, për bubullimën mbase dhe për breshër,... besa edhe për
melodinë e çiftelisë e të sharkisë, edhe për ndonjë krismë pushke për haber të
mirë. E, të gjitha këto së bashku, ma kompletonin dhe ma madhështonin pikturën
e jetës fëmijërore...
Besoni.
Edhe blegërima e qengjave, m’i ngjante asaj ëndrrës, kur njeriu ngritët në
qiell e zbret sa herë të dojë në tokë, dhe anasjelltas. Kështu, pastaj, e tërë
kjo, nisi të ma nxjerrë edhe një syth të çuditshëm, i cili edhe më shumë ma
ngacmonte dhe provokonte atë dashurinë për njeriun dhe për fatin e tij, për
lirinë e tij, e besa edhe atë dashurinë për tokën,... dua të them, për atdheun!
E tërë
kjo, më solli telashe, sepse, në qenien time, si në kurorë peme behari, ashtu u
shpërndanë shumë dëshira apo kërkesa shpirti, shumë etje, merake e ëndrra. Ato,
tash vinin duke u ndarë në shumë degë e degëzime, të cilat filluan veç të ma
digjnin nga pak shpirtin dhe të ma therin zemrën. Ishte keq, apo ishte telashe
e madhe, të të ndodhë kjo në vegjëli mbase edhe në rini. Dhe, të gjitha këto ma
linden dëshirën për ta dëgjuar dhe tmerrësisht për ta përjetuar këngën. Zëri në
këndim, më së shumti më ka intriguar, dhe atë, për herë të parë kënga e gjelit,
i cili mbi plehun që e kishte grumbulluar babai për ta plehëruar tokën, kishte
ngrehur njërën këmbë, dhe me kokën e ngritur lartë e me kaçurrelen e mërdheztë,
ia thoshte këngës,... Kuptohet, këngës së vetë!
Shih.
Kështu, më lindi dëshira edhe për të kënduar (por vetëm brendapërbrenda
shpirtit tim), dhe për ta shijuar këngën dhe tingujt e çiftelisë e të sharkisë,
e ndonjëherë edhe të lahutës. Atëherë, mësova edhe për këngët në oda burrash,
edhe për historinë, edhe për vuajtjet, edhe për trimërinë dhe qëndresën, edhe
për rëndësinë e odave dhe të kullave nëpër mote... Mote të liga, tua them të
drejtën...
2.
Dhe, në
odat e burrave, të zitë e ullirit e shihja, derisa i bindja burrat me mustaqe,
që të më lejonin të ulëm, jo në cergën e madhe dhe as në të voglën, por vetëm
atje diku në fund të fundit, afër derës, e cila e lidhë odën me divanhane, ose,
diku në cep të trapazanit. E dini se ç’është trapazani... Edhe pse në fund të
odës, vend shumë strategjik, a?! Këtë e dëshiroja vetëm e vetëm për të pasur
mundësi t’i dëgjoj këngët, veçmas ato të cilat rapsodët u këndonin kreshnikëve, trimave dhe luftërave, besa edhe
arshikisë,... dashurisë, a...
Pra, këtu
e tutje, filloi të më vardiset një etje e një dëshirë për “përrallat” e
historisë, për të gjitha ato ngjarje e vuajtje, të cilave, edhe sot e kësaj
dite ende nuk u është hedhur dritë sa duhet, besoni, tmerrësisht ma ngacmonin
idhcën për gjithçka! Dhe, mbaj mend, edhe si i ri, herët fillova të ushqehem me
gjërat e shenjta... E dini ju, cilat janë ato: robëria(!), liria, vuajtjet dhe
lumturia, të cilave ua di për nderë, sepse, më kanë kalitur dhe edukuar,... ma
kanë “kajtur” bash nënën e nënës,... Por, edhe m’i kanë hapur edhe shumë rrugë
e shtigje për ndërtimin dhe pjekjen e respektit dhe të ndërgjegjes e të
sinqeritetit për rregullat që t’i detyron jeta.
Njëherë.
Në një dasmë të madhe, me ç’rast, në odë ishin tubuar afro njëqind burra të
dheut, e të cilët e kishin bërë “kurrnjavë” odën nga tymi i duhanit,
këngëtarët, të cilët ishin ulur pranë sofrës plotë mishra, djathë e turshi, ia
thoin këngës për Oso Kukën... Luftë e madhe, e bashkë me te, edhe shkrumbi për
liri, mal e shkëmb ma bënin zemrën. Ma ngacmonin mendjen për t’i thënë forcës
së shpirtit, për t’i bashkuar e rrënuar bjeshkët,... E dini edhe ju se pse...!
Kështu,
ishte. Nganjëherë, për trimërinë time, më “brofte” mendja edhe për lazdrimin
ndaj bukurisë së vashave. Ky isha tash, unë luftëtari me flokë kaçurrela, tash
edhe me plis të bardhë e me opinga prej sixhimi, të cilat për merak m’i kishte
thurë nëna ime. Çunak i vërtetë, a?!!
Kam pas
thënë edhe njëherë, atëherë, çdo gjë më dukej e vogël. Kisha dëshirë të fitoj
nga pak edhe para, për ta ndihmuar familjen. Gjithnjë më bëhej se isha hero i
pamundur. Për këtë, dua t’ua rrëfej një ngjarje “trimërie e force”. Një të
shtune, në orët e hershme të mëngjesit, me kujdesin që mos t’i prishte gjumin
birit të vetë, djalit të hasretit, me zë të ultë, babai më thirri në emër, dhe
posa hapa sytë e i përgjumur, njëherë më puthi në të dy faqet, e pastaj me
gëzim më tha se e kishte goditur një livadh për ta kositur. “Gjytyrie” e kishte
goditur. Andaj, më luti që të shkojmë së bashku e t’i kositim ata katër kosaçë livadh.
Edhe unë lakmova për t’i fituar paratë e dy ditëve për një ditë pune... U
ngrita dhe ikëm për në livadh, i cili nuk ishte më larg se katër kilometra prej
qytetit.
Posa
arritëm, i përgatitëm kosat. Por, unë, duke besuar në forcën time, babait i
thash që livadhin ta ndajmë në dy pjesë, në mënyrë që “hisen” time ta kryeja sa
më shpejtë. E vërejta se babai nuk kishte dëshirë, por nuk ma prishi. Ndoshta
më shumë ishte frikësuar se kosa, po nuk dite ta zotërosh, të tërin të
shkallmon, të prishë...
Për të mos
e zgjatur. Unë, ngutesha që deri në mesditë pjesën time ta përfundoj. Ashtu
edhe ndodhi. Pas kësaj, babait i thash se pasi që kreva punën time do shkoja në
shtëpi. Të them të drejtën, edhe po të më thoshte që t’i ndihmoja për ta
përfunduar së kosituri pjesën e tij të livadhit, me qejf nuk do ta bëja një gjë
të tillë, sepse, kisha dëshirë për të dalë pak në qytet, sepse, ishte edhe ditë
tregu. Kështu, ika për në shtëpi. Por, çfarë ndodhi pastaj. Kur hyra në dhomë,
ishte freski dhe lakmova të shtrihem. Një gjysmë ore të pushoj. Por, nuk
pushova aq. Kishin kaluar sa orë, dhe kur më doli gjumi, besoni, nga lodhja,
për një moment as nuk dija se ku jam,... ku gjendesha. Pasi mora veten, desha
të ngritëm nga shtrati, por trupi im as ‘çap” nuk ia bëri. I tëri isha shtangur
nga kosa...! Atëherë, sikur gjithçka ka ndërruar në mendjen time, dhe kam
thënë:
-A, ky
jam unë ai heroi dhe trimi...?! Asnjë përgjigje nuk ia gjeja vetvetes. Vetëm
thash edhe këtë:
-...Ja,
trimëria ime...!
3.
Prapë, të
kthehem tek odat. Dua të them, se odat dhe këngët që këndoheshin në to,
gjithnjë e më shumë më bënin të padurueshëm, bile, nganjëherë, nga frymëzimi,
frikohesha se mos po bëja ndonjë “sherr”, ndonjë “marri”! O Zot, po shumë më
frymëzonin ato këngë, sa që historinë kisha dëshirë ta “shtrëngoja” në fyt, ta
pëlcasë, ose t’ia nxjerri edhe fjalën dhe rrëfimin edhe për ngjarjen e fundit.
Tash, në
rini, historia më trimëronte, që, bile edhe tek vashat të tregohem kryelartë,
edhe pse, nuk kisha guxim të flas as më të voglën fjalë, apo ndonjë fjalë të
ëmbël e cila mund të përftonte kah dashuria. Prandaj, nganjëherë i thosha
vetvetes: po, çfarë çuni e trimi je, kështu...?! Tash, anash kësaj, m’u kishte tekur që të
organizoj “luftë” me gjela, e më vonë, kisha dëshirë këtë “luftë” ta provoja edhe
me qen...
Ishte
interesant. Sepse, vetvetiu mësoja për strategjinë e luftës, e cila edhe më
“stoliste” me trimëri... Por, dua t’ua tregoj edhe një vaki, mu me qen. Thonë,
dhe ashtu është, se qeni është kafshë besnike. Ime motër, në një vit kishte
dalë në bjeshkë për të veruar me familje, por edhe për të “mbledhur” bulmet.
Kishte shumë dele,... edhe lopë. Kurse, qentë i kishte për merak, besnikë e të
mëdhenj sa dy arusha. Njëri, i cili ishte i bardhë, ishte roje delesh. Dhe, një
natë, kishte rënë ujku ndër dele. Bardhoshi kishte luftuar ta shpëtojë delen,
të cilën ujku e kishte prerë në fyt, dhe tani e tërhiqte zvarrë thellë në
pyllin e dendur me pisha. Ndoshta ishte më vonë se mesnatë. Qeni Bardhosh, nuk
iu kishte ç’kapur ujkut, i cili delen e tërhiqte si një gjeth peme. Kishin hyrë
deri thellë në mal, dhe ishte bërë, si thonë lama e thive... Bardhoshi, deri sa
nuk e kishte plasur ujkun, nuk kishte pra. Tash, në njërën anë e kishte delen e
“prerë” në qafë, dhe në anën tjetër ujkun e plasur dhe të bërë gjak e të
“shqyer” si ta kishin goditur jataganët e Sulltanit. Qeni priste mes dy
“trofeve”. E priste bariun. Pas dymbëdhjetë orë kërkimi nëpër mal, bariu kishte
hasur “treshen”. Tani, Bardhoshi vetëm shikonte duke lëvizur bishtin, kurse,
sytë e salakuqur, që thua se i qitnin flakë, tregonin diçka! Se, çfarë,... nuk
e di. Ndoshta e di bariu,... ndoshta e dini edhe ju...!
Këtu
përfundon edhe ajo trimëria ime djaloshare dhe ankthi... Se për çfarë ishte
kështu, nuk e dija. E po, unë isha i ri, ore,... e kështu, shpeshherë ia futja
kot! Kot, kot. Por, shih se përse nuk e harroja dhe as nuk e harroj këtë.
Ndoshta, për shkak të trimërisë dhe besnikërisë së qenit-Bardhoshit, apo për
shkak të dhembjes e krenarisë që e kishte bariu për delen e dëmtuar dhe për
qenin e tij besnik?! Eh, po çfarë hallakame për ta deshifruar këtë grimë
tregimi të “heroizmit” tim...!
4.
U ndala
dhe shikova kalendarin, orën dhe ditën. Të gjitha i shikova, vetëm sa për ta
nisur ditarin me këtë ditë. Nuk më kujtohet, a ishte e hënë apo e martë. Por, e
di se nëna më përcolli deri tek dera e oborrit, dhe më kishte thënë:
-Biri im,
pashë gjirin që ta kam dhënë, kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me
shikim të rrëzuar!...
E putha
në të dy faqet, sepse, vetëm në njërën m’u duk pak, ngase, kush e di,...
ndoshta kurrë më nuk do të takohem me te. Nuk e di se si, vetëm dora ime e dora
e saj ishin bërë ujë të shtrënguara njëra me tjetrën, si të ishin zhytur në
lëngë djathi, me të cilin ajo na begatonte sofrën në kohën e mëngjesit. Dhe,
nuk dua t’u them vetëm që tani, por përgjithmonë,... deri në fund më ngeli
gjelbësimi i nënës në dorën time... Ndoshta ishte gjelbësim i dy palë lotëve...
Dhe,... jo, jo! Nuk u pamë kurrë më...
Gjaku,
sikur ma kishte sjellë atë fuqinë e krahëve të shqiponjës, dhe fluturoja nëpër
mal, në beteja, prita e sulme. Nuk kishte asnjë forcë që e njihja. Kjo ishte
rinia e trimëria ime prej luftëtari. Shkurt, do t’ju rrëfej, sepse, në të
kundërtën, kjo është histori e gjatë; kam kaluar fusha e male, bjeshkë e
lumenj, dhe me mijëra herë atyre ua kam dhënë lamtumirën. Mirëpo, sa herë që
kthehesha atypari, dashuria më dalldiste për tokën e atdheun. Thjeshtë,
çartesha nga dashuria e malli. Por, e pranoj, druaja se edhe nga frika nuk do
ta realizoja ëndrrën deri në fund.
Por, edhe
kjo, atëherë ishte krejt normale. Dhe se, kudo që më përgjakej xhaketa e lëkura
e trupit në beteja e prita, më kujtohej amaneti i nënës: ... mos u kthe me
shikim të rrëzuar! Kjo ma ushqente shpirtin, m’i rriste krahët,... vetja më
dukej si drangua, edhe pse me shtat isha i shkurt, xhuxh... Dhe, një ditë...
Mbajeni në mend. Një ditë, diçka nga larg shkrepi dhe të dy shpatullat m’i
shqeu, m’i përplasi, kurse gjaku i shkapërderdhur në tokë më vlonte si qumështi
në gji të nënës. Edhe në këtë moment më është kujtuar amaneti i nënës, toka e
përvuajtur dhe, edhe njëherë kam brofur në këmbë,... i kam bashkuar shpatullat
si krahë shqiponje,... Edhe gjakun e mblodha nga toka, kurse, asaj shkreptime,
asaj ushtime, ia shqeva xhamadanin, ia plasa zemrën, që tani në te nuk kishte as
fije gjaku! Pastaj, u ula,... sërish e kujtova amanetin e nënës: ngrita kokën
lartë, shikimin edhe më lartë, dhe sikur u bashkova me një dritë të
çuditshme...
Ika
përgjithmonë! Nuk më kishte takuar kush, më. Por,...edhe në këtë gjendje isha
shumë i kalltë për liri,... prandaj, u shndërrova në shqiponjë të padukshme dhe
shëtitja cep më cep të atdheut. I shikoja edhe njerëzit, edhe popullin, edhe
luftëtarët e mi,... edhe dëshmorët e martirët! Mirëpo,... disi, sikur dhembja
gjithnjë e më shumë bëhej mik imi bashkë edhe me hidhërimin dhe pezmatimin.
Sepse, njeriu kur zhgënjehet, është diçka e tmerrshme, dhe se këto tri
elemente, aq fuqishëm puqen mes vete, si vëllezër bëhen. Kështu kam thënë
përherë,... dhe kështu është!
Mendojnë
që nuk e di. Hero më kishin shpall,...më kishin varrosur me peshën e atdheut
dhe të dhembjes. Edhe lapidarin ma kishin ngritur,... edhe varrin me mermer
stolisur. Të gjithë flitnin,... flasin edhe tash për trimërinë time. Në fillim,
edhe përvjetori i rënies kishte bërë jehonë respekti e dhembjeje. Por, ata nuk
e dinë se edhe atëherë isha në mesin e tyre, dhe tek secili tash e matja
dhembjen dhe respektin. Po, po. Por, për këtë tash mos t’u lodhi... Dhe, para
se ta vazhdoni leximin tutje, nëse nuk jeni mërzitur apo lodhur, relaksohuni pak
me kujtimet, apo me ndonjë përrallë, nëse nuk u janë shpenzuar edhe të parat
edhe të dytat, ngase, edhe ato nëse nuk shkruhen, harrohen dhe shlyhen nga
mendja, zhduken pa shenjë pa dokë!...
Tash, unë
po iki diku tjetër. Tash e shihni...!
5.
Fshehurazi
jam përbiruar nën dyert e oborrit, dhe tash hyra brenda në shtëpinë time. Vetëm
hëna dhe rrezet e saj e përlanin çdo pjesë të oborrit, duke filluar nga bari e
hithrat, që kishin zënë shtat mbi dy metra lartësi dhe ishin tharë. Mullarët me
sanë, që për fat nuk ishin djegur, kishin marrë ngjyrë të murrme e të pamjes së
mykut. Shtëpia nuk ishte më. Vetëm disa pjesë të murit, themelet dhe era e
shkrumbit kishin ngelur. Si zagar u solla rreth e rrotull oborrit, i cili me
ardhjen time mblodhi forcën e frymës dhe të jetës. Në fshat, aty-këtu ishin
disa fletë morti me emrat e atyre të cilëve, të gjithëve ua njihja dhe ua dija
edhe frymëmarrjen edhe ngjyrën e flokut dhe të zërit. Prapë u ktheva në oborrin
e shtëpisë duke “shtirë” rruaza në pe. E kalova një natë aty. Në mëngjes u
zgjova me tmerrin e ëndrrave e me zhgënjimin tim. Nuk doja të përmendja asnjë
emër të anëtarëve të familjes,... as të nënës, as të gruas, as të fëmijëve. E
ngushëllova vetveten:
-Këtu,
diku janë gjurmët e tyre. Kaq mjafton!
Pas
mëngjesit, iku edhe dita,... edhe orët e para të natës. Dhe, çfarë bëra? U nisa
për në varreza, të shoh se çfarë ka dhe çfarë ka ndodhur atje. Mëzi u përbirova
nga therrat, manat e bari i gjatë, bar magari i thonë. Shumë pak dallohej se
aty kishte varre. Tash, e kërkoja edhe varrin tim, dhe e gjeta. Mirë ishte,...
nuk ishte keq. Ishte i mbështjellë me mermer të zi, e në te ishin thelluar e
gravuar shkronjat e emrit tim, edhe numrat e vitit të lindjes dhe të vdekjes,
më falni, të vrasjes. E shikova gjatë e gjatë, dhe çfarë nuk më sillej në
mendje për familjen time, për popullin tim, për atdheun... bari-kërrupnajë i
kishte hipur sipër këtij varri, kurse eshtrat e mi brenda tij...!
E
pastrova. E bëra si bilur,... vezullonte. Shkëlqente si ëndrra ime dikur...
Dhe, besoni. E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim e ironi...
Atëherë, ia ktheva shpinën dhe ika në dreq të mallkuar. Rrugës për në qytet,
hasa në një pllakë përkujtimore. Ishte buzë rruge. Edhe aty, mëzi depërtova,
dhe ia hoqa shtresën e pluhurit pllakës ku ishin shënuar emrat e tre shokëve të
mi... Për anash, në një shtizë, valonte flamuri kuq e zi e me shqiponjë në
mes,... i tëri i djegur nga dielli e i shqyer nga rrezet e forta,... Po, po!
Nga rrezet e forta të diellit...!
Tash,
trimëria ime,... heroizmi im, thjeshtë dridheshin... Edhe aty barishtet dhe
hithrat e kishin rrethakuar këtë “shenjë” dhe sikur i bënin roje... U përvodha
edhe nga aty, dhe pasi shëtita gjithkah nëpër dheun tim, vendosa të kthehem në
atë vendin ku kisha rënë dëshmor, martir a hero, nuk e di, dhe as nuk është me
rëndësi. Posa arrita aty, nuk kisha harruar për bombën e fundit, të cilën e
hodha në drejtim të armikut, por që më kishte tradhtuar, sepse nuk ishte
aktivizuar. Tani e kërkoja. Nëse ka mbetur diku, e t’i “hakmerrem”. Ta bëj copë
e grimë. Por, dua ta pranoj edhe këtë. Se, kur arrita në këtë vend, i tërë
trupi m’u rrëqeth. Hoqa bukur shumë derisa e gjeta. Nuk e kishte gjetur gjë.
Por, edhe atë e kishte kapluar “harresa”,
e kishin kapluar barishtet, plehu e bërlloku!
E mora
dhe bëra histori nga ajo; herë duke e ledhatuar, herë duke e qitur herë në
njërën e herë në tjetrën dorë,... Dhe, çfarë të bëja me te, që më kishte
tradhtuar.. E hodha diku larg-larg. Në drejtim të armikut... Nuk di as vetë se
kah, dhe posa kishte prekur tokën, plasja e saj kishte dridhur fusha e male,
bjeshkë e shkëmbinj, kishte dridhur njerëzit, i kishte trembur edhe shpezët...
Kështu që, ende flitet për krismën e kësaj bombe për të cilën thuren legjenda
trishtuese e të kota...
E, unë...
Me shpatullat dhe trupin tim, sërish ktheva tek varri. I mora eshtrat dhe
gjithçka kishte në varr. Tash, nuk e di as vetë se ku jam, unë biri i nënës, i
tokës,... Po, po,... unë, vetë unë! Kurse, të gjithë mendojnë se eshtrat e mi
pushojnë aty,... në varrin tim... Dhe, ndonjëherë, kalimtarët e rastit kthejnë
kokën andej... Ndoshta, aty kanë të varrosur ndonjë familjar apo të afërm, apo,
ndoshta, vetëm me shikimin e tyre thurin legjenda mbase përralla për varrin,
trimërinë dhe për heroizmin e luftëtarit... Ku ta di!
- Por, Ti
nëna ime, kudo që je, unë kokën e mbaj lartë dhe shikimin e kam drejtë e
thekshëm kudo që jam, e nuk di se ku gjendem!
E po,... ç’është ky paradoks njeriu,... Ose jo,... ky paradoks i luftëtarit?! E tërë kjo, ndoshta nuk është e vërtetë...! Jo, de! E, si thoni, Ju?!...