Mendime
Elida Buçpapaj: Nexhmedin Spahiu bën shqyptarin...
E diele, 06.01.2013, 01:55 PM
Reagim
ndaj shkrimeve të R. Xhungës dhe N. Spahiut
NEXHMEDIN SPAHIU BËN SHQYTARIN PROFAN TË RUDINA XHUNGËS!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Reagimi
im lidhet me dy shkrime të botuara tash së fundi që kanë ngjallur diskutime. I
pari nga Rudina Xhunga titulluar «Serbi afër teje... » dhe i dyti nga Nexhmedin
Spahiu „Rudina Xhunga dhe dallimi Kosovë – Shqipëri“.
Nuk është
e vërtetë se ne dhe fqinjët tanë nuk e dimë historinë e njëri-tjetrit; nuk
është e vërtetë se ne shqiptarët prodhojmë mite; nuk është e vërtetë se
historiografia shqiptare minimizon kontributin e fqinjit tonë verior në Europë,
sepse ne nuk kemi fare historiografi; nuk është e vërtetë se shqiptarët shohin
me lente zmadhuese të shkuarën e largët me qëllime denigruese ndaj fqinjit tonë
verior apo me qëllim dëmtimin e fqinjit tonë verior; nuk është e vërtetë se
jemi treguar ndonjëherë agresivë ndaj pakicave; ne jemi dalluar gjithnjë nga
mikpritja, bashkekzitenca, toleranca fetare e shqiptarëve është unike; nuk
është e vërtetë se kemi ndërhyrë në punët brendshme të fqinjit tonë; se kemi
dërguar ne njerëzit tanë të themelojnë partinë komuniste në Beograd,
përkundrazi. Ne jemi duke folur për të tashmen ose për të shkuarën e afërt, kur
ndodhi një konflikt i përgjakshëm, ku viktimat ishin shqiptarët dhe agresori
ishte një shtet kriminal. „Falni, por mos harroni“, u tha shqiptarëve të
Kosovës Presidenti Clinton. Dhe kurrsesi të harrojmë. Kujtesa na bën veç mirë.
I bën mirë edhe fqinjit tonë verior.
Nuk kemi
arsye t’i largojmë frikat se fqinji ynë verior nuk i ndal pretendimet ndaj
Kosovës; nuk është e vërtetë se jemi ne inatçorë, hakmarrës apo urrejtës ndaj
fqinjit tonë verior.
Nuk është
e vërtetë se ne jemi fajtorë ndaj fqinjit tonë verior; nuk kemi kryer asnjë
faj, asnjë vepër që të na bëjë të kërkojmë ndjesë, nuk e kemi shqetësuar kurrë
fqinjin tonë verior, nuk e kemi përdorur kurrë historinë për të ushqyer asnjë
lloj nacionalizmi apo patriotizmi e krenarie. Nuk jemi krenuar ne me Nishin por
Serbia, nuk jemi krenuar për turpin tonë as me perandorin iliro-romak Shën
Konstandinin, që ligjëroi dhe përhapi krishtërimin, por Serbia.
Gjithmonë
jemi sulmuar prandaj na është dashur të mbrohemi. Kjo është e gjitha, kjo është
e vërteta, por ne duam të fillohet një faqe e re e historisë moderne, si fqinj
dhe vende të integruara në Europë.
Nuk
kishte asnjë simpati, dyzim apo dyshim, siç pretendon Rudina Xhunga në
programin e Ivo Andriçit kur firmosi “Memorandumin e Akademisë Serbe” që siç e
pohon vetë Rudina programonte shfarosjen e shqiptarëve.
Programin
e Andriçit e ekzekutoi pikë për pikë Milosheviçi në luftën e fundit në Ballkan
që shkaktoi mijra viktima dhe 1 milion të dëbuar. Pas 14 vitesh edhe sot e
kësaj dite nënat shqiptare të Kosovës presin një lajm apo një trumbë eshtra të
fëmijëve të tyre vrarë gjatë këtij konflikti mizor, ku urrejtja etnike dhe
fetare ishte monstruoze. Rudina Xhunga tani do të bëhet nënë dhe sa ta marrë
foshnjen e saj në krahë uroj që ta kuptojë dhimbjen e nënava të Kosovës.
Shqiptarët
e Kosovës dhe shtetit amë kanë treguar shumë vullnet pas konfliktit që të
ndërtojnë me fqinjin tonë verior marrëdhënie të fqinjësisë të mirë në
kontekstin e reciprocitetit e integrimeve europiane. Janë zhvilluar për herë të
parë në historinë midis dy vendeve takime të nivelit më të lartë në të mirë të
dialogut, ndërkohë që Serbia e Nikoliçit reagon me platforma që cënojnë
integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Ashtu si u shpreh edhe
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson, e cila nënvizoi se «platforma
e Serbisë për Kosovën është pengesë për dialogun në mes të Prishtinës e
Beogradit».
Këtë
qëndrim do të duhej të mbante pseudoelita shqiptare në Shqipëri ndërsa vazhdon
e mbetet puthadore si në kohën kur Enver Hoxha do t’i justifikonte të gjitha
vrasjet e shokëve se ishin kryer me orientimin e Miladin Popoviçit.
Tani janë
zbuluar fakte të reja që hedhin dritë se Enver Hoxha ka patur lidhje të ngushta
me Serbinë, më tepër përmes Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Për një fije
floku, Shqipëria nuk u bë republikë e shtatë e Jugosllavisë. Masakra e Tivarit
është një krim, ku janë të përfshirë regjimi i Enver Hoxhës dhe Serbia. Por
gjatë diktaturës, në asnjë kohë - edhe në ato më të tendosurat midis dy
vendeve, - asnjëherë nuk u ndal bashkëpunimi. Edhe tani. Serbia nuk i ka
dorëzuar kurrë dosjet e spiunëve të saj midis rradhëve të shqiptarëve dhe kjo
do të thotë se njerëzit e Serbisë në trojet shqiptare, përfshi edhe shtetin amë
kanë qenë e vazhdojnë të mbeten të privilegjuar, ndërsa politikanët janë shumë
prudentë në qasjen ndaj Serbisë. Ndërsa opinionistët si puna e Rudina Xhungës
janë ultrakonformistë dhe puthadorë.
Dhe
prandaj nuk kemi si të mos pretendojmë se ndodhemi përballë fasadës së një
segmenti të politikës, si vijim i atij të Enver Hoxhës, në kushtet të reja.
Si
konkluzion do të thosha, se dëshirat e mira dhe vullneti i mirë duhet të jetë i
kompensuar nga pala tjetër, në mënyrë reciproke, nëse jo, elitat duhet të
kujdesen që të ndihmojnë afrimin nga pozita të barabarta dhe jo të
përgjunjëzuara, siç bën Rudina Xhunga.
Shkrimi i
Xhungës shkaktoi me të drejtë shqetësim në Kosovë dhe opinioni publik reagoi me
pyetjen „e si është e mundur të shkruhet kësisoj“.
Ndërkohë,
nervozizmi kaloi të gjitha përmasat dhe Xhunga u sulmua me një gjuhë të padenjë
dhe të patolerushme, kur, në vend të iracionalitetit, do të duhej të hapej temë
për diskutim dhe të ftoheshin gazetarë të Tiranës e të Kosovës për t‘u
shprehur. Por gazetarët e Tiranës janë plaçka më e pavlerë e konsideruar nga
politika e tranzicionit dhe oligarkët e mediave, ndërsa opinionistët-oligarkë
kushedi se ku lluksozeshin në ndonjë rezort lluksi në kontinentet e ngrohta,
për turp të botës.
Dhe
Rudina Xhungën nuk kishte se kush ta mbronte. Atëherë sollën në skenë Nexhmedin
Spahiun, një kalorës pa kalë, që i doli në krah Xhungës, i doli në mënyrën më
donkishoteske të mundshme, por për çudi, jo nuk është aspak çudi, donkishotizmi
i tij u botua gati në të gjitha gazetat e Tiranës. Shikoni pra pushtetin e
oligarkisë mediatike si instrument të një segmenti të politikës të Tiranës, që
ka pushtet politik dhe ekonomik, por që s’ka asnjë lidhje me demokracinë dhe
marrëdhëniet midis dy shteteve në kohën e sotme.
Po ndalem
tek reagimi i Nexhmedin Spahiut, i cili vë në diskutim pozitën e tij si
intelektual dhe publicist. Në pseudoargumentat që ai jep për të mbrojtur Rudina
Xhungën, shkruan se reagimi negativ i shqiptarëve të Kosovës ndaj shkrimit të
Rudina Xhungës „ vjen për shkak të një moskuptim thelbësor mes shqiptarëve të
Kosovës dhe atyre të Shqipërisë…", sepse, sipas Nexhmedin Spahiut,
„shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri përbëjnë dy kombe të ndryshme, jo se ka
dallime në gjuhë dhe gjak, por dallimi është në konceptimin politik“.
Një përçartje
tjetër e Nexhmedin Spahiut është kur del me deduksionin se „Të jesh viktimë nuk
është gjë për t’u mburrur“. Po ky zotëri nuk është fare në vete, sepse,
natyrisht, asnjë shqiptar i Kosovës nuk mburret se ka qenë viktimë e Serbisë,
por çdo shqiptar i Kosovës kërkon drejtësi dhe një shtet ku të jetojnë të
gjithë bashkë në liri, demokraci dhe të integruar në Europë!
Kulmi
arrin kur Nexhmedin Spahiu shkruan se „shqiptarët e Kosovës sapo kanë lindur si
komb dhe janë në foshnjërinë e tyre kombëtare, ata madje ende nuk e kuptojnë se
kanë lindur si komb. Ende trashëgojnë mentalitetin e pakicës etnike.“
Mentalitet
foshnjor nuk kanë shqiptarët e Kosovës, por mentalitet të një të vonuari ka
pikërisht i ashtuquajturi publicist Nexhmedin Spahiu, i cili e arrim një kulminacion
tjetër të padijës së tij kur shkruan se „Rudina Xhunga i takon një kombi tashmë
100-vjeçar… për dallim prej kombit kosovar që po mbush 5 vjet jete, ai shqiptar
tashmë ka mbushur 100 vjet.“
Zoti na
ruajtë! Ky profan nuk e ka idenë dhe nuk e bën dot dallimin midis shtetit dhe
kombit! Shqipëria dhe Kosova janë një komb disa mijëra vjeçar, nga më të
lashtët në Europë, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe në mileniumin e tretë
jetojnë në dy shtete, shteti amë posa ka hyrë në qindshin e dytë, ndërsa Kosova
së shpejti feston 5 vjetorin e pavarësisë dhe çlirimit të saj nga një
ish-pushtues, si Serbia e cila do t’i bashkohet një ditë me Kosovën dhe
Shqipërinë në BE, por që tani për tani ka shprehur qartë se nuk dëshiron që t’i
bashkangjitet aleancës Verio-Atlantike të NATO-s, e cila i shpëtoi shqiptarët e
Kosovës nga konflikti i fundit i urrejtjes etnike në Ballkan.
Tani nuk
ka më dyshime se e ardhmja e rajonit është integrimi dhe shqiptarët janë
fatlumë ngaqë u ka trokitur fati në derë që të jenë faktorë integrimi, paqeje
dhe stabiliteti, por nuk kanë asnjë arsye të shfaqin kompleks inferioriteti
ndaj fqinjit tanë verior, i cili ende nuk është shkëputur nga e shkuara e tij
mitomane dhe vazhdon t'i pengojë proceset në të mirë të gjithë banorëve të
rajonit.
Disa muaj
më parë Vuk Jeremiçi, ish-Ministri i Jashtëm serb ishte vizitë zyrtare në
Zvicër dhe gjatë një konference për shtyp me gazetarë e pyeta se përse ai, duke
qënë i ri në moshë e duke i takuar gjeneratave të reja, të edukuara në
Perëndim, Europë dhe SHBA, kalonte pjesën më të madhe të kohës në qiell duke
fluturuar nga njëri kontinet tek tjetri për t’i bindur vendet që vizitonte për
të mos e njohur Kosovën, kur do të duhej që kjo kohë të përdorej për të
ndërtuar ura midis dy kombeve, sepse tani e kemi një fat të përbashkët siç
është integrimi europian.
Por deri
më tani nuk e kemi asnjë shenjë të tillë. Ne të gjithë ishim dëshmitarë se
njohja e pavarësisë të Kosovës nga ana e Pakistanit shqetësoi Beogradin për të
vazhduar turin që të mos lejojë pavarësinë e Kosovës! Ne po ashtu jemi
dëshmitarë se si po tensionohet situata në Bujanoc dhe Luginën e Preshevës për
shkak të kërcënimeve të kryeministrit serb Ivica Daçiç për heqjen e Përmendores
së Dëshmorëve të UÇPMB-së apo për heqjen e Flamurit Kombëtar. Ky është
realiteti. No comment.