Mendime
Edgar Frashëri: Mendime për monumentin e mbretit
E diele, 06.01.2013, 11:08 PM
Disa
mendime per monumentin e ish mbretit Zog.
Nga Edgar Frasheri
Pa
rrezikuar të hyj në vlerësimin e figurës së ish mbretit Zog, më ngacmoi ana e
realizimit të monumentit dedikuar atij, i vendosur në krye ( sepse vetëm sot
është krye) të bulevardit që i është vënë emri i ish mbretit. Sapo që e pashë
skulpturën dicka në kujtesë më ngacmonte se ajo mund të kishte ngjajshmëri me
një vepër tjetër të realizuar. Mbas disa përsiatjesh, them se kam gjetur atë që
më rrotullohej në mëndje. Figura e ish mbretit Zog duket se është huazuar nga
skulptura e Donatello-s e Shën Gjergjit ( San Giorgios ) e cila ruhet në një
nga muzetë e Firences. Sigurisht që nuk është copy-paste, por në esencë figurat
kanë ngjajshmëri statike. Njëri mban mburojën, tjetri mban shpatën, pozicionimi
i këmbëve, koka dhe duarve janë gati po ato.
Vepra e
Donatello-s është "public domain" pra nuk ka autorësi ligjore. Kushdo
mund ta kopjojë dhe ti verë cfardo emri. Por për një artist i cili duhet të
ketë fillimisht frymëzim para se ti hyjë një pune, kjo vepër të çon tek ato me
porosi-commissioned. Dhe për një vepër me porosi ( ku mbase të thonë që e duam
3 m të lartë ) mos prit frymëzim. Duke pas parasysh afatin e ngushtë ( nga
Korriku në Nëndor të 2012 sipas njoftimeve të shtypit)) pa tjetër që do të
rrotullosh sytë të gjesh sa më shpejt gjëra të gatëshme!
Donatello
mendoj se e ka nxjerrë autorin nga sikleti.
Kam
lexuar nga shtypi se autori ka punuar me orë të zgjatura- sigurisht i detyruar-
që ta përfundonte në kohë. Sepse ky monument me qëllimin për të cilin u ngjiz
duket se nuk mund te vendosej në vëndin e vet as në 101 vjetorin e pavarësise
(2013), sikunder edhe nuk i ra ndermend kujt të realizohej ne 99 vjetorin e
pavarësisë (2011), pale që në 82 vjetor ( 1994 ) nuk i përmëndej emri fare. Nga
kjo pikëpamje afati kohor tepër i shtrënguar mund të ketë ndikuar edhe ne
zgjdhje të nxituara dhe të pa arrira.
Për sa i
takon idesë dhe simbolikës që kjo vepër përcjell, kam mendimin se nuk përmban
elementë të së vërtetës. Po te flasim për shpatën e cila është dhe boshti
kryesor i figurës, duke ju referuar materialeve arkivore por edhe në gjithe
jetën e tij si mbret në Shqipëri, Zogu
nuk e ka nxjerrë “shpatën nga këllëfi.” si Shën Gjergji. Edhe atëhere kur duhej
ai e nuk e bëri. Pra Zogu nuk ka luftuar asnjëherë. Por ama ajo që dihet është
që pushtetin e vuri me dhunë dhe e mbajti po me dhunë.
Pra mund
të them se statuja e ish Mbretit Zog është e pafrymëzuar. Por ajo ka mangësi
edhe në vendosje. I shkreti skulptor cfarë mund të ketë hequr për ti fshehur
kurrizin kur i thanë që do të shihej nga të katër anët. Kjo është puna më e
vështirë për autorin. Sepse kur është shpallur konkursi dhe janë paraqitur
bocetet, ende nuk ishte vendosur vëndi se ku do të qëndronte monumenti.
Pikerisht këtu qëndron edhe absurdi tipik shqiptar. Në të tilla kushte, vetëm
skulptorë të pa përgjegjshëm dhe sharlatanë mund ti marrin përsipër kësi lloj
veprash të cilat fillimisht qëndrojnë në ajër, dhe pastaj ju gjehet vëndi. Por
pjesëmarrësit që në fillim na e kanë matur kokën me pe, dhe e kanë kuptuar se e
gjithë kjo tam-tam për monumentet më shumë ka pasur “kashte se sa kokër”.
Prandaj dhe gara është kthyer jo për të marrë zgjidhje cilësore por për të
marre paratë e shpërblimit, ndonese mund të kenë qënë pak për këtë punë. Prite kur në një të ardhme jo të largët, kur
bulevardi Zogu i pare te zgjatet, statuja e ish mbretit Zog të lëvizë prej atje
ku është sot dhe zoti e di se ku mund të përfundojë. Prandaj dhe kryeveprat botërore janë të tilla
sepse autorët i kane bërë në për vënde të caktuara dhe në më të shumtën e
rasteve autorët ato i kanë futur në nike ose në sfonde të mbyllura dhe nuk kanë
luajtur prej andej në shekuj.
Në
përfundim besoj se ja vlen te vihet në dukje se keto monumente ( perfshi atë të
Pavarësisë, te Shqiponjës e të tjera më parë ) përshkohen nga nje fill i
përbashket që e ka origjinën nga deformimi i pësuar por dhe i trashëguar i
ideologjise monumentale te socializmit, e cila kompleksin e inferioritetit të
një populli që historikisht ka jetuar me ëndrrën e bretkocës së fryrë, e
përdori për të krijuar tabura artificial gjoja patriotike, qe sot demonstrohen
ne nivele mediokriteti duke prodhuar të tilla vepra që artistikisht nuk kane
vlera. Këto jane produkte tipike të vëndeve me ish sisteme diktatoriale (
Musolini, Hitleri, Stalini, etj) qe këtu ne Shqipëri duket se mbahen ende
gjallë, por tashma me emër tjetër. Si shqiptar I mirëedukuar me këtë fryme, jam
befasuar dhe më pas kam reflektuar kur, duke kaluar përmes sheshit Adenauer ne
Berlin, gati sa nuk përplasesh me statujën e gjigandit të historisë moderne
evropiane dhe një ndër figurat më të shquara të kombit të bashkuar gjerman-
Kondrad Adenauer- vetëm sepse ajo statujë qëndron lirshëm në një vënd ku
kalojnë të gjithë, me përmasa gati naturale, dhe ti si kalimtar gati sa nuk e
përshëndet.
Por në fund të fundit ne nuk bëhemi dot gjermanë!