Mendime
Skënder Zogaj: Platforma e Serbisë
E premte, 04.01.2013, 07:33 PM
DOLI
PLATFORMA SËRBISË, KOSOVA NËN HIJE TË QERSHISË
Shkruan: Skënder Zogaj
1.
Edhe
dhelpra kur ka të bëjë me asht të madh, e mbledh fiqirin dhe para se ta hajë, e
bën sprovën e nxjerrjes përjashta! Po ta kishte bërë këtë Qeveria e Kosovës,
tash nuk do të kishte kaq shumë siklete me bisedimet serbe, që po i ngulen në
trup si majat e ajsbergut! Platforma e Serbisë është gjëja më e pritshme nga
ana e Serbisë, së cilës i leverdisën që të mos lëshojë pe, qoftë edhe për një
bisht sakice, sepse, edhe me aq, ka arsye të ndjehet tepër-tepër e fituar!
Serbët në bisedime nuk kanë hy rastësisht dhe, për aq sa po shihet, ia kanë
arritur qëllimit: e kanë tjetërsuar pistës dhe përmbajtjen e problemeve të
vërteta shqiptaro-serbe, që Beogradi më shumë zotësi u ka bishtëruar, duke
arritur që çështjet ekzistenciale përcaktuese të fatit historik dhe të
mbijetesës së substancës kombëtare, të reduktohen në bisedime për çështje
teknike: bisedime për libra e fletoreve të ofiqarisë, kopje të regjistrave dhe
fletoreve tatimore; për bandat ordinere të serbëve të barikaduar me porosi nga
Beogradi, që enden dhe pengojnë kalimin e lirë të njerëzve e mallrave brenda
territorit të Kosovës; për tabelat e skaduara të automjeteve dhe për llojet e
bojës në vulat që duhet t’i përdorin doganierët; për kontrabandistët faqezezë që kanë filluar të mos ua paguajnë
reketin shefave të tyre në Beograd e në Prishtinë..., e kështu me radhë,
bisedime koti për gjëra koti, sikur të bëhej fjalë për halle kampesh të nomadëve të Fushë Kosovës.
Kjo ka
qenë dhe vazhdon të jetë pikëpamja e Qeverisë së Kosovës, për bisedimet me
Serbinë, që opinionit kosovar iu kanë proklamuar si diçka e kryer.
Kështu
fliste dikur kryenegociatorja Edita Tahiri, dhe kështu po vazhdon të flas edhe
kryenegociatori i ri, Blerim Shala, i cili, ka marr yrysh dhe s’ka zot që e
merr vesh, çka po ndodh me te, kur dihet se, ka qenë njëri nga shumë të zëshmit
kundër mënyrës së nisjes së bisedimeve, kundër veprimeve tinëzare dhe
mospërfilljes së institucioneve kompetente,
pse bisedimet janë nisur pa një koncept paraprak të domosdoshëm, e
kështu me radhë. Ec e bjeri në fije tash kësaj punë, kur Blerim Shala del e
flet ndryshe, krejtësisht i ngjashëm me gurgulleshën paraardhëse!
2.
Keq!
Shumë keq madje!Jo për mbajtjen e bisedimeve, por për hyrjen e mbrapsht të
Qeverisë së Kosovës në bisedime, që nuk ka fije dyshimi se, mbrapsht kanë nisur
dhe të mbrapsht do ta kenë rezultatin!
Kjo u pa
me shfaqjen e Platformës serbe, e cila e trishtoi udhëheqjen Kosovës , që u bë
iriq. Pas aq shumë mburrjeve histerike dhe rrahagjokseve, për rolin historik të
bisedimeve teknike me Serbinë, që opinionit ia serviri si një tortë mbretërore,
duke preferuar që të hahet me shije, tashti befas doli se, torta në të vërtetë
qenkësh një shajkaçe sllave, e mbuluar me shkumë rroje dhe e stolisur me rrush
qeni e ferra gomari, që as langonjtë të mos mund ta hanë!
Koordinatori
i dialogut tekniko-politik Blerim Shala, i cili një javë më herët deklamonte
sukses të garantuar nga bisedimet, dje,
i shokuar si një pulë e lagur, gjithë zhgënjim, doli e tha:
“S’kemi çfarë të bisedojmë për këtë dokument. Askush prej nesh nuk duhet të bisedojë me këdo qoftë për këtë dokument, askund, as në Bruksel, as në Tunizi, e askund tjetër. Është dokument fund e krye i mbrapshtë dhe është në kundërshtim me atë që ka ndodhur në Kosovë. Nuk harxhojmë kohë duke biseduar për këtë dokument”
Për cilën
kohë e ka fjalën Blerim Shala? Athua vërtetë i doli mbas mendsh koha e
shpenzuar si mos ma keq, dhe vargu i dëmeve të shkaktuar nga bisedimet e
deritashme, të cilat janë stërpikur edhe me flijimin e gjakut të njerëzve! Dëmi
pra është tepër i madh, pikërisht nga mënyra e gabuar e bisedimeve, të zhvilluara fshehtazi, prapa shpinës se
institucioneve kompetente të Kosovës, pa një platformë të domosdoshme. Jo, jo
dhe jo! Nuk është guxuar që të shkohet në bisedime me duar në xhepa, sepse
Serbia nuk mposhtet me deklarata boshe, me fjalë e qëndrime primitive, me
krekosje e laritje injorante, me kodoshllëqe cinike dhe mburrje te rreme, që,
në fakt i konvenojnë strategjisë serbe, e cila i ka parallogaritur dobësitë e
shqiptarëve dhe ka pritur kohën dhe çastin e duhur për të goditur.
3.
Po pra,
koordinatori Blerim Shala, po e sheh dhe po e kupton se, Serbia është
provokatore dhe gjakpirëse aktive e pandryshuar, jo vetëm prej vitit 1998, por
qe dy shekuj radhazi, në pritje me sopat në dorë, e gatshme për shfarosjen e
shqiptarëve nga “djepi i shenjtë serb!”
Së dyti,
të mendohet se me këtë Platformë, serbet bien në pozitë armiqësore ndaj
Perëndimit, është lajthitje qesharake, sepse, Perëndimi kurrë nuk do ta
konsiderojë pozitë armiqësore,
paraqitjen e një dokumenti të shkruar, që i dedikohet bisedimeve! Pse u dashka
që Perëndimi t’i konsiderojë armiqësorë serbët me Platformë, ndërsa t’i
konsiderojë miqësorë shqiptarët duarthatë, që shkojnë në bisedime për të
treguar barsoleta?!
Domosdo
që, Platforma e serbëve ka për qëllim jetik përpjekjen për ta ndryshuar kahjen
e dialogut të nisur në Bruksel, por, assesi nuk mund të thuhet: “Ky dokument
është shuplakë në fytyrën e zonjës Ashton, shuplakë ndaj Uashingtonit,
Brukselit dhe Berlinit”, siç shprehet Blerim Shala. Përkundrazi, zonjës Ashton,
Uashingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Prishtinës, shuplakë, grushte e shqelma u
shkojnë nga Kosovës, e cila në bisedime shkon, sikurse Selvia kur shkon me hangar qershia!
Kalkulimet spekulative bën Koordinatori Shala, që thotë se: “Dokumenti e dëmton tepër rëndë nismën e zonjës Ashton që deri në qershor të vitit të ardhshëm të përmbyllet kaptina e këtyre bisedimeve. Nëse dialogu nuk vazhdon aty ku ka mbetur, s`kemi çfarë të bisedojmë”, ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, thotë diçka krejt tjetër: “Qeveria e Kosovës e di përfundimin e dialogut me Serbinë. Ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke të dy shteteve!” Por kur do të ndodhë kjo njohje, Thaçi do ta merr vesh, në mesin e janarit, nga Platforma e homologu i tij, Ivica Daçiq, që me Platformën e tij, i ka marrë vlerësime e para pozitive, si qasje serioze ndaj bisedimeve, ndërkohë që, po theksohet nevoja që edhe Kosova të ketë platformën e saj. Kush ta bëjë? Kur?!