Shtesë » Lajme
Hajro Limaj: Stacioni i ekonomisë botërore dhe Shqipëria
E diele, 27.04.2008, 01:24 PM
STACIONIMI I EKONOMISË BOTËRORE DHE SHQIPËRIA
Nga Hajro Limaj*
Me analizën e numrit të kaluar: “Varfëria, kërcënimi asimetrik dhe demokracia” trajtuam krizën me të cilën po përballet bota. Në vazhdim të saj do të trajtojmë shkakun e kësaj krize, e cila është rënia me shpejtësi e ekonomisë botërore. Në vitet 2000, ekonomitë e botës u rritën me një shpejtësi të madhe. Por në ekonomi të ndryshme të saj, rritja e lartë e ekonomike krijoi mungesë stabiliteti. Ndërsa tani, të gjitha studimet rezultojnë në përfundimin se zhvillimet ekonomike do të kenë një rënie me raporte të qarta. Për shembull, ekonomia amerikane në vitet 2002-2007 pati një rritje reale me 3%, rritje e cila në disa vite mbërriti deri në 5%. Ndërsa rritja në ekonominë e Kinës i kaloi 10%. Institucionet ndërkombëtare, si FMN, në periudhën e fundit kanë vendosur në rendin e punës dymujore parashikimet e zhvillimeve të reja. Në çdo studim të tyre, parashikimet në zhvillimet ekonomike botërore rezultojnë në ngadalësim dhe ulje të ritmeve të tij. Sipas parashikimeve të fundit të bëra nga FMN-ja, ekonomia amerikane që u rrit afër 3 për qindëshit në vitin 2006 dhe 2.2% në vitin 2007, këtë vit parashikohet të rritet me 1.5 %. Nga parashikimet e bëra, mbas një zvogëlimi që do të ndodhë në mesin e parë të vitit, parashikohet një rigjallërim i saj. Ky parashikim mund të jetë optimizëm.
Rritja e rajonit të euros në këto dy vitet e fundit ishte mbi 2.5 %. Për këtë vit, në rajonin e euros parashikohet një rritje me 1.4 %, ndërsa për vitin e ardhshëm një rritje më e vogël se sa kjo. Ekonomitë e Italisë dhe të Spanjës parashikojnë se do të humbasin shpejtësinë në masë të rëndësishme. Edhe në Angli mendohet se do të zvogëlohet gjysmë për gjysmë rritja ekonomike nga ajo e vitit të kaluar. Edhe në vendet që ndodhen në zhvillim do të ketë rënie në rritjen ekonomike, por parashikohet se kjo rënie nuk do të jetë sa e vendeve të zhvilluara. Për shembull, kur ekonomia kineze u rrit me 11.5% vitin e kaluar, përqindja e rritjes këtë vit parashikohet të ngelet pak mbi 9 %. Edhe rritja ekonomike e Indisë pritet të zbresë nga 9.2% në 7.9%. Rritja ekonomike e Turqisë vitin e kaluar ishte 4.5%, këtë vit parashikohet të jetë 4%. Kur në vendet e zhvilluara po humbet nxitimi i shpejtësisë së rritjes ekonomike, nuk mund të mbërrihet në konkluzionin se ajo do të influencojë në të njëjtën masë edhe në vendet në zhvillim. Për shembull, rritja në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore parashikohet të bjerë nga 5.8 % në 4.4 %. Ndërsa në Azi, rritja ekonomike parashikohet të bjerë nga 9.7 në 8.2%. Në parashikimet e FMN-së dhe të institucioneve të ngjashme me të ekziston hipoteza se me rënien e rritjes së kërkesës në vendet e zhvilluara, në vendet që janë në zhvillim kjo rënie do të mund të kompensohet me rrugën e rritjeve të kërkesës së brendshme, e cila do të mund të përshpejtohet.
Pra, rritja e eksportit të vendeve që janë në zhvillim do të ngadalësohet, por këto vende do të mund të rrisin shitjen në tregjet e brendshme. Me shprehje teknike, mendohet se tregjet e mallrave dhe të shërbimeve do të mund të ndahen midis vendeve në zhvillim dhe vendeve që janë në zhvillim. Disa ambiente nënvizojnë se për të kompensuar humbjet e mundshme të tregut të jashtëm të vendeve që janë në zhvillim është e nevojshme që të zbatohen politikat ekonomike që do të përshpejtojnë rritjen e kërkesës së brendshme. Deri para disa kohësh, edhe FMN-ja mbronte një recetë të ngjashme. Por në të kaluarën, FMN-ja nënvizonte se në vendet që janë në zhvillim, kundër inflacionit në rritje është i nevojshëm aplikimi i politikës së parasë së shtrënguar që shkurton rritjen e kërkesës së brendshme.
Dhe me të vërtetë, në vendet që janë në zhvillim inflacioni tashmë është një problem. Në Kinë inflacioni mbërriti në 8%. India po ecën kundër erës. Në Brazil rritja e inflacionit është në zhvillim. Në Argjentinë të dhënat reale mbahen sekret. Edhe në Evropën Lindore inflacioni është i lartë. Edhe në Shqipëri inflacioni po troket rëndshëm. Për këtë arsye, kushtet makro-ekonomike detyrojnë mbetjen spektator në rritjen e kërkesës së brendshme në vendet që janë në zhvillim, duke iu drejtuar kompensimit të rritjes së kërkesës që është në vendet në zhvillim.
Krahas influencës reciproke të tregjeve të mallrave dhe të shërbimeve, ka dalë influenca edhe e sistemeve financiare.
Kriza që shpërtheu në ndërtimet e këqija krahasohet si një situatë e veçantë në vendet e zhvilluara. Kur bien çmimet e pasurisë në vendet e zhvilluara, edhe në vendet në zhvillim hyjnë në prirjen e rënies. Ne këtë e shikojmë edhe në Shqipëri.
Nga viti i ri e deri tani, Bursa e Nju-Jork ra 7%, Bursa e Gjermanisë 18%, Bursa e Anglisë 9%, e Francës dhe Zvicrës 14% dhe e Japonisë 13%. Çmimet e aksioneve në të njëjtën periudhë në Rusi ranë 8%, në Kinë 28%, në Australi 14%, në Hungari 16%, në Poloni 13 %, në Indi 22% dhe në Turqi 24%.
Bursat brenda tregjeve që janë në zhvillim ranë shumë pak, ndërsa në dy vende, në Meksikë dhe Brazil u rritën.
Ekonomitë botërore shikohen si në fillimin e një periudhe jopozitive. Rritja dhe pagesa për punën e bërë janë në ulje. Zvogëlimi i rritjes së produktivitetit të punës, veçanërisht në Itali, Holandë, Portugali dhe Spanjë po shkon drejt dramatikes. Inflacioni dhe kërkesat e shpenzimeve janë në rritje. Çmimet e lëndëve të para vazhdojnë të rriten. Vendet që janë në zhvillim është e vështirë të ngelen jashtë kësaj periudhe. Këtë e vërtetojnë mjaft mirë zhvillimet ekonomike të muajve të fundit edhe në vendin tonë. Për këtë, studimi i bërë nga Eurostat krahason çmimet e sektorëve të ndryshëm për vitin 2007 në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Maqedoni dhe Turqi, si dhe në 7 vende të BE-së: Austri, Bullgari, Greqi, Hungari, Itali, Rumani dhe Slloveni.
Shqipëria vlerësohet me mesatare çmimesh të ushqimit më të larta se Bashkimi Evropian. Sipas studimit, rezulton se Shqipëria dhe Bosnja ndodhen në vendin e 4-t të çmimeve më të larta në rajon, në nivelin 70% të mesatares evropiane. Shumë shqiptarë mendojnë se një nga arsyet kryesore për këto çmime të larta janë tarifat e telefonisë celulare, të cilat tek ne janë shumë të larta dhe nuk po shikojnë dritë jeshile për normalizim. Një shkak tjetër është çmimi i naftës, i cili i jep efektet e rritjes një javë përpara se OPEC-u të vendosë t’i rrisë ato në kuadrin botëror. Të mendosh se vetëm 2 zërat e mësipërm janë shkaqet kryesore të rritjes së mesatares së çmimeve në Shqipëri, është një tragjedi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në Komisionin e Ekonomisë deklaroi se ekonomia shqiptare gjatë vitit 2007 shënoi një rritje prej 6 për qind dhe inflacioni u ruajt brenda parametrave të parashikuar të 3 për qindëshit, ndërsa investimet e huaja u rritën me 6 për qind.
Ndërkohë, ai tha se rritja e çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të tjera të konsumit në tregjet tona do të vazhdojnë. Ai deklaroi se kriza botërore e ushqimeve do të ndikojë në ekonominë tonë dhe se rrezikohet një rritje e mëtejshme e inflacionit. Por të dhënat tregojnë se inflacioni është shumë më i lartë, sesa shifra që jep zoti Fullani dhe të ardhurat për frymë në vendin tonë kanë një rënie reale të ndjeshme. Prandaj qeveria dhe politika e lartë e vendit duhet të studiojë me shumë kujdes zhvillimet kaotike që po përballet ekonomia botërore dhe të hartojë dhe planizojnë politikat parandaluese ndaj kësaj vale që mund të rrisë akoma më shumë varfërinë e komuniteteve në nevojë, të cilat janë pjesë shumë e konsiderueshme e popullsisë tonë. Koha kërkon që hartimi i politikave të zhvillimit ekonomik t’u kthehet me shumë vëmendje resurseve të pashfrytëzuara të vendit tonë. Ne këto resurse i kemi në sektorin e bujqësisë, të blegtorisë, të frutikulturës, të turizmit bregdetar dhe malor, të hidro-energjetikës etj., të cilat mund të zhvillohen më me shpejtësi nga investimet e brendshme dhe ato të huaja. Pra, koha kërkon një politikë më konkrete, më të prekshme dhe më rezultative. Marrja me shpejtësi e këtyre masave do të shmangë në një masë të konsiderueshme influencat e jashtme të krizës dhe do t’i japë ritme më të shpejta zhvillimit të vendit tonë.
*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare.