| E merkure, 02.01.2013, 03:00 PM |
FLUTURON ËNDRRAVE
Impresione nga vëllimi me poezi “Ejani të fluturojmë” të Erëza Idrizaj.
NGA PËLLUMB GORICA
Poezia
në Kosovë karakterizohet nga tematika atdhetare, por gjithmon në funksion të së
ardhmes optimiste. Lëvrohet më shumë gjaku i historisë dhe mealankolia e së
kaluarës, me shumë ndjesi për familjen, dashurinë, peisazhin …
Pejës
poetike iu
shtua edhe një dallandyshe, 15 vjeçarja Erëza
Idrizaj me librin me poezi “Ejani të fluturojmë”. Tematika, që Erëza
Idrizaj ka thurur me fjalët e shpirtit këtë tufëz dallandyshesh të para, është
e larmishme. Fluturime të ylberta hyjnore, nëpërmjet të cilave e sodit
peizazhin e ndjesive rrethuese me forcën shprehëse, gjetjet mataforike e
impresionim të thellë. Nga një poezi në tjetrën, të
bie në sy fakti, se ashtu si çdo njeri që ka ëndërruar në
fëmijërinë a rininë e tij, edhe te Erëza ato marrin krahë dhe fluturojnë në
hapësira të pafundme dëshirash. Ç’nuk dëshiron të bëhet ajo. Herë mësuese, herë
mjeke, herë shkencëtare,herë poete ... Por, dëshira më e madhe është të jetë “diell
që botën ta ndriçoj”. Pra, që nuk mendon vetëm për veten e saj, por për
gjithçka.
- Fati
është i shkruar,-thotë populli. Edhe Erëza bëhet një me këtë thënie. Shumë
herë ndjehet e pafuqishme përballë fatit, pasi ai jo gjithmonë i buzëqesh.
Fatkeqsisht sjell lot, trishtime, dhimbje... Por, është me këmbë në tokë e
bindur se”gëzimi dhe trishtim janë pjesë e fatit tim”.Shpirti i saj
bëhet i dhembshur, kur shikon një pjesë të njerëzve që vuajnë urie e të ftohti,
ju mungojnë njerëzit më të dashur, familja e tyre, që vetëm fija e shpresës i
mban gjallë. Duke i simbolizuar nëpërmjet figurës së zogut vetmitar, fëmijët pa
prindër, Erëza tregon shpirtin e saj human, teksa thotë:“si motër e përkrah/nga vetja s’mund ta ndaj”. Një dyvargësh që ka peshën e humanizmit
të saj. Ajo nuk i shikon njerëzit nga ngjyra e lëkurës apo gjinia. Është e
bindur për çfarë thotë, pasi për të “fjala është fjalë” dhe shpreson
në një jetë pa lot.
Erëza Idrizaj si gjithë adoleshentët, në kërkim të
identitetit të tyre, ndjehet e pavarur nga prindërit, edhe pse për të familja
është baza më e sigurtë. Identitetin e adoleshentit Erik Erikson e lidh me
pyetjen që adoleshenti i bën vetes“Kush jam unë?”, pra kërkon të
zërë vendin që ai meriton. Kjo ndihet fuqishëm në vargjet e Erëzës: “Nëse
për ty jam e pavlerë/mos ma përbuz gjuhën/ëndrrën, as fjalën...”.Shembulli
i prindërve, qortimet e sinqerta, arsimimi, mirsjellja ndikojnë në formimin e
adoleshentit. Modeli familjar për Erëzën në vargjet e saj ka hapësirë. Ai
përfshin nënën, babanë, vëllaçkon e saj, motrën me të cilën ndan çdo sekret,
hallën e përkushtuar, dajën gazsjellës, gjyshërit e saj të dashur, të cilët i
krahason si dy pëllumba të bashkuar, në gugatje hareshëm për familjen e tyre
trashëgimtare. Nëna për këdo është dashuri, përkujdesje dhe sidomos për vajzat
referim në jetë. Ndaj Erëza Idrizaj me fjalë të thjeshta, me fjalët e zemrës, i
drejtohet nënës së saj me tërë krenari: “...shumë gjëra për jetën nga ti i
mësova” apo “Nuk bën të lavdërohem/as nuk bën të shaj /kështu më mësojnë
/këshillat e vyera të saj”.Babai për adoleshentin është baza e sigurisë.
Kjo ndjehet edhe në poezinë e Erëzës, kushtuar babait të saj, teksa thotë:“më
bën të ndjehem zog/që fluturon në qiell”.
Shkolla, vendi i dijeve, i formimit të miqësive të
para dhe të pastra, figura e dashur e mësuesit për këdo, ngelen të pashlyera në
jetë. Një vend të rëndësishëm, me gjuhën e vjershërimit, ka zënë respekti për
mësueset, përkushtimi i punës së tyre fisnike, në përhapjen e dijes tek
çdokush, që siç shprehet Erëza:“…na dhurove me dashuri /më të madhen pasuri”.
Për autoren miqësia,
sikundër për çdo adoleshent, merr vëmendjen kryesore të saj. Kjo, s’ka si të
ndodhë ndryshe. Për Erëzën shoqet janë“çelësi i jetës” së saj.
Gëzohet, kur ato gëzohen dhe ndien trishtim,kur diçka nuk shkon me to. Trishtimi ka
sjellë lot në sytë e saj. Brishtësia e moshës vjen këndshëm nëpërmjet figurës
së lules, simbolit të pafajsisë, zbutjes së shpirtrave, por edhe si
magjiplote e mrekullisë për shoqen e saj:“Desha një lule të kem /të jetë
magjiplotë /të të tregoj /se ka shpresa /të shërohesh që sot”. E si
mund të heshtë shpirti i saj? Si mund të ndalë së shkruari pena e re, kur
shoqja e zemrës, Elena, është e sëmurë? Pa të lojërat, dëfrimet, buzëqeshja,
kanë mbetur atje, ku, siç thotë:“...asgjë s’më mungonte /çdo gjë me ty kisha”
Ngjarjet e
rënda që kaloi populli i Kosovës, i cili derdhi gjak dekada me radhë
në kërkim të lirisë së fituar, Erëza i ka thurur në këtë
vëllim me fjalë respekti, edhe për gjithçka që ka të bëjë me
atdhedashurinë: Dita e Pavarsisë, figurat historike, si ajo legjendare e
Skënderbeut apo e luftëtarëve të tjerë, që, cilët qofshin, meritojnë respekt
nga të gjithë shqiptarët, sikurse shprehet: “Gjaku juaj dritë e
dlirë /s’u harron Kosova e lirë”, pasi luftuan për idealin e Atdheut
se“çdo njeri ka vlerë në të”.
Erëza Idrizaj me rrugëtimin e bukur që ka nisur në fushën e artit, jo vetëm premton, por jep edhe një mesazh:“Mos i shuani shpresat, mos lini t’ju lëndojë askush ëndrrat e fëmijërisë suaj. Vazhdoni dhe kurrë mos e ndaloni atë ëndërr që keni dashur dhe ende doni t’ju bëhet realitet!”