| E diele, 30.12.2012, 03:00 PM |
Një Mall i Pashuar
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
"Jeta është një nga
mrekullitë e Universit, që i është dhuruar botës humane nga Hyu. Veçse për ata
që nuk e kuptojnë sa duhet dhe si duhet trajtuar, ajo ngelet e huaj si
herioglifet kineze, që i përkasin vetëm gjuhës së atij kombi. Madje jeta
ngaherë ngelet e padeshifruar për cilindo qytetar të botës që nuk është në
gjendje t'i lexojë hapat e kohës dhe bëmat e saj. Po kështu përherë do të jetë
e huaj edhe dashuria që nuk konceptohet si duhet nga kushdo. Kjo ndodh shpesh,
si me meshkujt, edhe me femrat që e shqiptojnë dhe e ndiejnë gabimisht këtë
ndjenjë sublime. Dashuria ka gjuhën e vetë për çdo individ. Ndaj është ndjenjë
e veçantë, individuale, privacioni i së cilës i përket vetëm një personi. Si
jetën edhe dashurinë duhet të dishë t'i shqiptosh, që më pas ato të mos
shndërrohen në diçka të huaj dhe të palexueshme, gjë që të çon drejt mosnjohjes
të së vërtetës. Në raste të tilla, nga njohja e pamjaftueshme, arrin të mos
jesh në gjendje të zbërthesh të errëtat e
qenies sate, që jetojnë fshehur në xhepat apo labirintet e errëta të
ndërgjegjes dhe shpirtit. Të dish të lexosh jetën apo të deshifrosh gjuhën e
dashurisë, pa u ndikuar nga asnjë rrethanë, do të thotë të kesh fituar
pavarësinë vetjake që ka të bëjë me..." -mendime të tilla më gëlonin,
që padashje shkuan tek ajo ndjesi që i dhemb më shumë njeriut. Për të kemi
vuajtur edhe vuajmë ende, pasi jemi lidhur pazgjidhmërisht me hallka zinxhirësh
skllavërie me gjithçka që na rrethon. Në këtë mënyrë na mungon liria personale,
gjë që na ka vendosur nën vartësi të një realiteti të mohuar nga
vetëndërgjegja... Kjo më bëri të shkoj më tej...
"Liria vetjake është
hyjnore. Në këtë përcaktim nuk nisem se ajo arrihet me urdhër të Zotit, por e di
mirë se diçka mbinjerëzore, që është shumë më e thellë dhe kushton shumë më
shtrenjtë se liria kombëtare. Duke mposhtur veten, ajo qëndron më lart se vet
qenia e tij. Madje është kjo pavarësi e ndërgjegjes që ndikon fuqimisht në
formimin individual dhe atdhetar të njeriut. Pa e ditur se çdokush qëndron vetë
mbi tokë me tru në kokë, i cili mbështet e udhëheq individin për të qenë i
lirë, për të qenë vetvetja. Liria e individit është stisur dhe është sunduese e
një personi, vetëm duke u mbështetur mbi këmbët e veta, pa e bindur veten se
jeta individuale nuk urdhërohet, nuk kontrollohet, nuk drejtohet nga kurrëkush.
Atëherë në se mendon të kundërtën, cilido jeton me një ndërgjegje të ndërvarur.
Njerëzit e formuar ndërgjegjësisht, kur nuk e njohin lirinë vetjake, shpesh
herë gabojnë duke ngatërruar keqas të drejtat individuale, me detyrat dhe
përgjegjësitë. Por duke mos mohuar të drejtat ose liritë e tij, ai që kryen të
gjitha detyrat apo përgjegjësitë si fëmijë, si bashkëshort, si prind dhe si
pjesë e komunitetit, duke zbatuar të gjitha normat e kohës, mendoj se është
njeri i arrirë, ose me norma siç quhet ndryshe. Në shoqërinë tonë me shumë
mendësi nga e shkuara e largët apo e afërt, pse jo dhe nga e sotmja, liria
individuale është e kufizuar. Vetëm liria vetjake e çon këdo drejt gjetjes dhe
vendosjes të së vërtetës. Nëse mungon një gjë e tillë, njeriu është skllav i
papjekurisë së tij individuale. Jo vetëm që ngelet i ndërvarur, por gjithmonë
do të jetë pa dinjitet dhe pa personalitet. Gjithçka që i përket ndërgjegjes së
atij individi, i cili mendon dhe vepron lirisht, besoj se ka fituar lirinë
vetjake, e cila është hyjnore... E këtë këndvështrim të botës ta jep vetëm
dija," -kjo gjë më shkoi ndërmend, kur sapo
kisha përfunduar së lexuari një ngjarje rrëqethëse, që më gozhdoi në vend dhe
më bëri të mendoj për lirinë vetjake.
Sot janë të gjitha mundësitë
të zhbirosh dhe të njohësh jetë personalitetesh botërore, të cilët këtë lloj
pavarësie dhe lirie e kanë fituar me shumë mund dhe djersë. Shpesh kanë flijuar
edhe jetën, vetëm për të fituar një të drejtë që u takon me ligj dhe me zakon.
Pasi e dimë se njeriu lind bashkë me lirinë për të qenë i tillë në rrugëtimin e
tij të gjatë dhe të vështirë... që e ka emrin jetë. Një nga mjetet për ta
njohur botën humane në të gjitha stadet e zhvillimit të saj, është interneti, i
cili i përket kohës moderne. Si për mua dhe për gjitjë botën njerëzore, ky lloj
komunikimi është bërë një nga mjetet më të mira dhe të përsosura. Shkenca,
veçanërisht gjatë shekullit të fundit, ka bërë mrekullira në të gjitha fushat e
jetës, por kjo është nga më të përkryerat në lidhje me zhdukjen e nocionit kohë
dhe hapësirë mes shteteve apo individve. Veçse nuk duhet të harrojmë se veç të
mirave, zbatimet e më të rejave të shkencës, kanë edhe pasojat negative në
raportet mbi të cilat është ndërtuar dhe lëviz universi. Janë ndikime me pasoja
shkatërrimtare.
Gjithësesi, duke zhdukur
kufijtë ndarës mes reales dhe ireales, komunikimi virtual i cili nuk njeh
distancë, kohë apo hapësirë, është tregues për vlerat e internetit që janë të
pallogaritshme. Përmes virtuales në një farë mase, nuk e ndjen mungesën e
njerëzve të afërt e më të dashur, në çfarëdo largësie të ndodhen. Sikur ata të
jenë edhe banorë të planetit të kuq, përsëri është interneti ai që të lidh e të
bën të kalosh çaste të gëzueshme dhe jeta vazhdon rrjedhën e saj me gjithë ata
që të do zemra. Ata marrin pjesë në gëzimet e tua dhe shpesh herë, duke i
vrojtuar mirë, u lexon edhe mendimet. Kam arritur në një përfundim të tillë
sepse prej vitesh jetoj larg vendlindjes. Interneti është mjeti që nuk më le të
shkëputem prej tokës amë apo më bënë të mos e ndiej mungesën e familjarëve, të
njohurve, miqve dhe më e bukura, pasi përmes tij kam krijuar njohje dhe lidhje
të reja. Një mëngjes ndërsa i hodha një sy postës elektronike, më tërhoqi
vëmendjen një mesazh, ku një mike më shkruante: "Nëse dëshironi të
shlodheni sadopak nga puna juaj studimore, lexoni..."
Në çast, nuk di nëse u
gëzova apo u hidhërova. Edhe pse prisja diçka tjetër..., një lajm me rëndësi
për punën që bëj, i hodha një sy shpejt e shpejt këtij mesazhi. Pa e kuptuar u
thellova në të dhe nisa ta lexoj me ëndje. Pasi e mbarova së lexuari edhe
fjalën e fundit, ngela i shokuar. Nuk di sa kohë u gozhdova me vështrimin në
një pikë të hapësirës boshe. Di se nga ai tregim rrëqethës, që më tronditi pa
masë, ku brenda dy a tri faqeve flitej për një jetë...një jetë të sapofilluar,
të cilën padrejtësisht ia kishin prerë në mes. Një dashuri dhe një jetë ishin
mohuar deri në mosekzistencë. Në atë rrëfim denoncohej një tragjedi rrëqethëse.
Ajo ngjarje e cila më çoi larg, shumë larg si në kohë edhe në hapësirë...ishte
si krisma e pushkës gjatë një premiere teatrale, ku shikuesi traumatizohet dhe
kontrollon kurmin e vet se mos ishte ai viktima. Askush nuk është në gjendje
atë çast të përcaktojë, se është vërtet zhurma e plumbit apo pjesë e skenarit
në atë akt dramatik që shfaqet në skenë. Ajo tragjedi që përjetova hamendësisht
përmes leximit, ngjasonte me shkrepjen e vetëtimës në zhgunin si napë e hedhur
krahëve të stërzgjatur të natës së rrëqethur.
Terri i zhytur në vorbullën e reve të errëta, ku mungesa e yjeve dhe e hënës bije në sy si një pengesë depërtuese apo analitike. Pasi janë pikërisht ato trupa qiellorë, pjesë përbërse e galaksisë, të cilat të krijojnë mundësinë e vetme që të shohësh autorin e krimit, nuk di se sa kohë më shkaktoi pagjumësinë e netëve vetmitare, të netëve të pafjetura. Nga ana tjetër ajo gjëmë që i përkiste një kohe të largët, m'u duk sikur më prishi ekuilibret brenda qenies sime, tashmë të vendosura prej vitesh. Dhembja e një malli të patreguar më pushtoi të gjithin, më përfshiu trupin, mendjen, shpirtin e çdo ndijim. Atë çast besova se në jetë gjithçka që lind, është në ndryshim të vazhdueshëm, porse kurrë nuk mund të zhduket. Ndjenja është si qenia që rritet, zhvillohet, ndryshon formë, që edhe mund të vdesë, por nuk largohet pa lënë pas gjurmët e së shkuarës. Dhe ja ti e sheh të gjallë të munguarën, e rijeton ndjenjën të freskët, të përtërirë si dikur...Vështron rreth vehtes, sheh shembëlltyrën tënde në pasqyrë dhe beson se ajo që shkoi është aty pranë, madje gëlon në ecejaket e përditësië bashkë me ty.