E premte, 20.09.2024, 04:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: ''Bëma gati arkivolin''

E diele, 30.12.2012, 01:21 PM


Thani Naqo

FRAGMENT NGA ROMANI I FUNDMI I SHALËGJATËVE?

- E parandjej: ky është behari im i fundit. Bëma gati arkivolin.

-Jo – u përgjigj prerë usta Iloja. Rrudhi ballin dhe vari vetullat e trasha – Nuk pranoj porosi për arkivol kur njeriu është gjallë.

-Unë jam ndryshe nga të tjerët – tha mësues Marroku.

-Përse nxiton të vdesësh, mësues? Ti akoma nuk ke mbaruar së shkruari historikun e fshatit. Mbaroje historikun, na e lexo ç’ke shkruar, pastaj mendo për vdekjen.

-Unë jam ndryshe nga të tjerët –  përsëriti mësues Marroku – M’u sos durimi të përfundoj historikun. Sipas erërave që fryjnë, historikët e fshatrave nuk do t’i lexojë kush, mbasi nuk do të ketë fshatarë, kurse historia e Shqipërisë do të kthehet këmbëpërpjetë – shtoi me inat dhe doli nga shtëpia.

Ajo natë, që i ndaja nënesë të dyzetat, qëlloi pa hënë, por qielli ishte plot me yje të përndezur. Ajrin e ngjeshur me erën luleve të pjekura të zhumbricës, e  gërvishtnin mjaullimat ngjethëse të maceve të braktisura dhe angullima zëngjirur e langores të Lonit. Langorja, që nga dita kur vdiq i zoti, shkonte çdo natë dhe vajtonte mbi varrin e tij. Sa dëgjova zërin e langores, u  gjetha dhe më ardhi për të qarë; m’u fanit edhe Marjana kur vajtonte mbi varrin e të shoqit. “Kur të vdes unë – më shkoi mendja për ters - nuk do të vajtojë kush për mua” dhe, për ta hequr mendjen nga pandehmat kobzeza, hodha shikimin mbi çatitë e tri mëhallave. I dallova hijet e çrregullta të shtëpive gërmadha, pastaj pashë llambën kur u ndez në ballkonin e shtëpisë të Simo Babjenit dhe, pastaj, sytë m’i thëthiu si magnet dritarja e errët e dhomës së gjumit të Marjanës. Plasi sherri mes maceve dhe angullima e langores të Lonit u shua. U përmenda kur mësues Marroku çukiti me bastun pragun e gurtë të portës dhe tha:

-Në varrimin e nënës tënde u betove “nuk do ta braktis fshatin pa i mbuluar të gjithë pleqtë.”

-Bëra shaka – i thashë mësues Marrokut – Ti më ke thënë se pleqtë në kapitalizëm rojnë njëqind vjet dhe unë s’kam ndër mend të shkoj në Vjenë kur mjekra të më jetë zbardhur si e Shën Kozmajt.

-Aaaaa…Ah, Marjana, Marjana, ç’na bëre… – mërmëriti nëpër dhëmbë mësues Marroku dhe humbi në rrugicën e errët, pa më përshëndetur dhe pa më uruar “rrugë të mbarë.” Unë qëndrova tek porta gjersa nuk u dëgjuan çukitjet e bastunit mbi gurët e kalldrëmit, por, nga përtej kthesës së rrugicës, erdhi zëri i tij:

-Kësaj here, s’kam aspak dyshim se ti do të shkosh në Vjenë. Kurbet të mbarë. Përqafoje Paganinin nga ana ime dhe jepi amanetin tim: “Kur të vijë turist në fshat, le ta luajë kitarën mbi varrin e mësuesit që i mësoi abetaren.” Aaaaa…. – dhe, gjersa “a”-ja e pestë u tret në hapësirën e fshatit, unë pashë përsëri qiellin e ngjeshur me yje dhe qielli asaj here më ardhi rrotull, tamam si saç i ngarkuar me prush. Ishte herë të parë që sytë m’u mbushën me xixa dhe trupin e ndjeva se m’u shkëput nga toka. Më ardhi për të vjellë dhe marjemendsh; njëlloj siç i vinte nënesë.

Mirëpo, njëlloj si atë natë, po më mereshin mendttë edhe tani, stomaku m’u tkur dhe më ardhi për të vjellë. “O, Perëndi e Madhe, do vdes përpara vitrinës të dyqanit Moda Evropiane dhe nuk do të mbrrij dot në Vjenë;” më hipën të dredhurat dhe më pushtoi paniku. Atëherë m’u fanit teto Dabucka. Ajo më përcolli deri në dalje të fshatit dhe pas shpine më lëshoi zërin lutës e vajtues, “mos vono të vish, përndryshe, gomarët e egër do të kullosin mbi mua.” Prita gjersa m’u pastruan sytë nga xixat dhe fajin ua hodha fap-fupeve të llambushkave të vitrinës. Njollat e verdha në sy më fanitën dy qentë e mi duke ulërrirë mbi varrin e nënesë e të tim eti, pastaj macet që mjaullinin në hatullat e shtëpive të braktisura dhe së fundi mushka ime plakë, Grizoja, e cila u zhduk në korijen sipër fshatit, duke hingëllirë edhe ajo përvajshëm. Të gjitha këto nuk më dolën nga mendja gjersa u tret edhe xixa e fundit në sy. Mirëpo m’u kujtua Simo Babjeni. “Futi një grusht tim biri dhe thyeja kërcin e hundës,” më buçiti në kokë zëri komandues prej ushtaraku. Pëllëmbët më qenë mbledhur vetiu grusht dhe më ardhi të godas veten time. Por unë e dija, pasi më kalonte zemërimi, gjithnjë e ndjehesha më i qetë dhe mendjen më të kthjelluar. “Përmblidhu – i thashë vetes me zë – Tani është shumë vonë të ndrosh mendje. Të gjithë e morën vesh se ti u nise për në Vjenë. Asaj rruge duhet t’i dalish në fund.”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora