Mendime
Ramiz Selimi: Të ndahet Gruri nga Byku!
E diele, 16.12.2012, 05:11 PM
Diplomat dhe Certifikatat e blera po pengojnë zhvillimin
Të ndahet Gruri nga Byku!
Shkruan Ramiz Selimi
Nëse një
Kompani private apo shoqërore në Kosovë kërkon personel të kualifikuar, në fund
ajo do të marr një nga personat me diploma fallco ose të blera, që shpesh është
një person me dituri kualifikuese të varfër, që nuk e ndihmon kompaninë e as
shoqërinë. Shumica e të punësuarve në të dy sektorët, vendin e punës e shohin
si mbijetesë duke mos menduar për periudha afatgjata.
Shkollimi
dhe trajnimi që nga vitet e 90-ta ishte dhe është zakonisht i dobët, apo mos të
themi shumë i keq. Si në kohën e pushtuesit me mësimin paralel, ashtu edhe pas
lufte, të rinjtë u dërguan në universitete për ti larguar nga rruga, nga
problemet politike të punësimit dhe këta student i pajisen me nota të falura, u
furnizuan me diploma dhe certifikata të blera, por që rezultatet, do të
reflektohen edhe në 20 vitet e ardhshme në kurriz të popullit.
Ndërsa
shefat e punësimit, diku nga frika e hakmarrjes, e diku nga intervenimet e
kreut të shtetit, janë të detyruar ti punësojnë personat me CV fallce. Ose një
menaxher i punësimit edhe atëherë kur i punësuari nuk kryen detyrat e
parashtruara, ai nuk ka guximin ti shqiptoj dënimin, pushojë apo edhe ta
largojë nga puna. “Ju lutem një vend pune për dajën, tezen, kushëririn. S’ka
rendësi se çka? Sekretar, arkëtar, referent apo nëpunës, është i mirë, i di të
gjitha, do ta mëson shumë shpejt detyrën e re”, janë pyetje të përditshme në
shoqërinë kosovare, janë të preferuarit që punësohen, diku me marrje ryshfetesh
e diku me nepotizëm, prapë rezultat i kësaj është varfëria dhe ngecja e
zhvillimit të vendit.
Kontratat
e nënshkruara në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit nuk respektohen,
kompanitë e huaja që dëshirojnë tregun e Kosovës, duhet të përgatitën për
ballafaqime të ndryshme dhe pengesa të shumta. Përvojat e atyre pak kompanive
që testuan tregun e Kosovës, klimën dhe mundësin e të bërit biznes në formë
korrekte janë shumë të hidhura, p.sh. kompania e miellit nga Klagenfurti që
humbi mbi 500 € në investim me një partner vendas, në simpoziume dhe takime të
investitorëve nga BE, thonte:“edhe pse në shikim të parë Kosova të duket si
vend i sigurt, e sheh tregun kosovar si treg brutal, që nuk njeh rregullat
demokratike, e paraqet si treg që dominohet nga mashtruesit, të
pakualifikuarit, para se gjithash treg që nuk njeh siguri ligjore”.
Nga
qeveritar dhe njerëz tjerë kompetent trumbetohet se Kosova është vend i sigurt,
se ka shumë përparësi tjera, disa nga ato që thuhen mund të jenë të shkruara në
letër, por sa vlejnë ato kur nuk zbatohen në realitet. Cila kompani është e
barabartë në konkurrime? Përgjigjja është nuk ka! Cili punësohet për shkak të
vlerave që ka? Përgjigjja është asnjeri, ata duhet të kenë lidhje ose të
paguajnë ryshfete! Cili është i barabartë në konteste? Përgjigjja, ai që është
i lidhur me pushtetin! Këto pyetje dhe përgjigje dëgjohen nga kompanitë që kanë
provuar tregun kosovar!
Përvoja e
këtyre kompanive me personelin në Kosovë janë modeste, por mjaftojnë që ata të
fitojnë bindje se në qoftë se punonjësi
ka një diplomë inxhinieri, ai është në shumicën e rasteve në bazë të njohurive që kanë, i barabartë me
kualifikim praktikanti. Ndoshta ndër 50-60 konkurrues 1 eventualisht 2 persona
mund të plotësojnë kërkesat e kompanive nga
vendet e zhvilluara, pjesa tjetër edhe pse posedojnë diploma janë me
kualifikime të varfra për pozitën dhe jo të përshtatshme.
Edukimi
në Universitete është më shumë i orientuar në diturinë teorike dhe shumë me pak
në dituri praktike, kjo pastaj ndikon në zhvillimin e biznesit, personit që i
mungon dituria praktike është i pafuqishëm karshi bizneseve tjera dhe i pafuqishëm
për rritjen e tij. Në parim në vendet me ekonomi të pazhvilluar, me
bashkëpunëtor nga kompani shtetërore nuk mund të udhëhiqet në mënyrë të
mirëfilltë kompania private, vetëm punonjësit me përvojë pune ndërkombëtare,
mund e futin vendin në rrjedhat demokratike të zhvillimit. Gjithnjë e me shumë
kompanitë investuese për vendin e caktuar, po kërkojnë personelin e mirë
kualifikuar, të ne kjo do të mungojë edhe për disa vite. Kjo zbrazëtirë mund të
mbushet nga mërgata, me persona që janë rritur, shkolluar dhe edukuar në
kultura tjera, edhe pse këta do të kushtojnë dyfish apo trefish më shumë, ja
vlen gjithsesi sepse sukseset e zhvillimit do të duken shpejt në sipërfaqe. Një
alternativë tjetër është bashkëpunimi i universiteteve për këmbimin e
studentëve, duke kryer nga një semestër në çdo vit në vendet mike. Është koha
që të ndahet Gruri nga Byku, nëse dëshirojmë zhvillim ekonomik.