| E shtune, 08.12.2012, 10:46 AM |
Bashkpunëtorët e ZSH-së, autor librash
Tema e dashurisë zë vendin kryesor
-Një libër me poezi i Drita Lushit-
Nga: Kujtim Agalliu
- Diskutim në promovimin e librit me poezi "ËNDËRR..." të poetes Drita Lushi -
Me poezinë e Dritës
jam njohur nëpërmjet faqeve të Fb, kam marr nga ajo ndijimet e mia dhe kam
përcjell përshtypjet që më kanë lënë vargjet e saj. Natyrisht aq sa të lejon
ajo faqe në të cilën vërshojnë çdo ditë dhjetëra poezi të poetëve të
njohur dhe të panjohur, madje, edhe të atyre që po bëjnë përpjekjet e para në
këtë fushë. Shpesh herë mjaftohemi me një “Like” konsiderate dhe, kur na ngjit
poezia, vetvetiu shprehim me shkrim një vlerësim, apo një mendim, që kryesisht
është subjektiv.
Por kur mora në
dorë librin me poezi “ËNDËRR...” të poetes Drita Lushi, një fakt tani të
vërtetuar, jo vetëm që u gëzova, por edhe u befasova. Menjëherë, përfytyrimi im
u arratis pranë lumit Shkumbin, në qytetin mjaft piktoresk të Librazhdit. Pranë
ujërave të tij shushuritës që, i bashkuar me atë të gjetheve të rrapeve të
moçëm, çuditërisht kompozojnë muzikën më të bukur të këtyre anëve. Dhe
këtë ndjesi e përjetova pikërisht në saj të vargjeve aq të bukura të këtij
libri me një titull sa të thjesht aq dhe domethënës, “ËNDËRR...”. që në të
vërtetë është një ëndërr dhe zhgjëndërr, ku e kaluara dhe e tashmja takohen dhe
bëjnë bilancin e asaj që ka ikur dhe asaj që do të vijë.
Poezitë e Dritës
nuk janë me varg klasik, ato janë shkëputur mjeshtërisht nga ajo formë
vjershërimi dhe të gjitha mendimet, përjetimet, ndjenjat, gëzimet dhe brengat e
poetes shprehen nëpërmjet vargjeve të lira, ose vargjeve të bardha, siç u themi
zakonisht. Nuk them se vargjet e rimuara nuk të japin kënaqësi, por nëse ata e
realizojnë këtë me sukses dhe të kënaqin veshin, vargjet e lira të Dritës
me lirizmin e tyre të ngrohin shpirtin dhe ta çojnë zemrën peshë. Ato janë si
një oaz i gjelbër, dimër behar dhe, që çliron dritë e forcë, nga pena
mjeshtërore e poeteshës. Poezia e Dritës zgjohet nga shtysa emotive, ku me
vargjet e përzgjedhura me kujdes flasin ndjenjat dhe shpirti i saji dëlirë.
Në librin me poezi
të Dritës ajo që mbizotëron dhe zë vendin e nderit, është dashuria, e cila
qëndron në tre gjymtyrë të përbëra nga e njëjta lëndë: pra ndahet në tre
komponentë të ndërvaruar nga shtylla kryesore - vetë Dashurisë.
Dashuria zë një
hapësirë të madhe, ajo nuk është e kufizuar thjesht në dashurinë midis gjinive,
por në dashurinë për çdo gjë mbi tokë, për të gjitha ata, ose ato që na
rrethojnë me respektin dhe përkujdesjen e tyre. Pra, ajo ndahet, për të qenë
një e tërë, në tri kolona: në dashurinë për njerëzit e saj të dashur, për
nënën, babanë, vajzën, bashkëshortin, far e fisin etj. Për t’u përmendur janë
poezitë kushtuar vajzës së saj “për të bukurën, bardhësinë e ditës dhe
ndriçimin yjor”. Nënës, që “kurrë se ngriti zëri dhe kurrë s’e dëgjoi të
fliste, as atëherë kur edhe mund të bërtiste”, babait “që s’është më dhe e
tashmja me ngjyra lulesh shkruan emrin e tij”, Për njerëzit e mirë që e
rrethojnë, dhe “keqardhjen për miken, që përfiton nga mirësia, dhimbsurinë
për fëmijën që prindërit nuk kanë lekë t’i blejnë ilaçet, apo për lotin e nënës
së tij” etj. Për vendin, për pyllin apo fushën ku “Dita pi diellin në një kupë
të gjelbër pranvere”.
Pastaj vjen ajo,
dashuria që të prish ëndrrat, që të ndjek këmba këmbës deri në frymën e fundi,
që të ngop por edhe të lë përherë të uritur. Dhe për të ilustruar këtë po citoj
një fragment nga poezia “Dikush më besoi zemrën”, që natyrisht është një midis
më të bukurave e poetes.
Çati bëra
Hojet e ëmbla të
fjalëve
Dhe aty hyra të
jetoja
Kështu, ajo
u bë shtëpia ime e
re.
Dikush më besoi
zemrën,
Unë i besova timen.
E duke vazhduar më
tej të lexojmë këtë libër interesant, ne gëzohemi dhe hidhërohemi bashkë me
autoren, sepse të tillë janë vargjet, ata depërtojnë tek lexuesi dhe bëhen
pjesë e shpirtit të tij, po aq sa edhe tek poetesha. Interesante është,
për mendimin tim, edhe poezia “Dil nga harrimi”, nga e cila po citoj si më
poshtë:
Oh, u bënë muaj që
s’të shoh!
Orë...muaj...
Nuk e di,
nuk e mas dot
mungesën tënde...
dhe mbaron me:
Dil nga harrimi
në mos dalësh,
në harrim edhe unë
do të vij.
Nuk ka nevojë për
koment, sepse gjithçka është thënë më së miri; dashuri deri në sakrifikim të
vetes, dashuri që jep, por edhe që kërkon.
Kështu me radhë
mund të përmendim një varg me poezi si “Trishtimi”, “Valixhja e shpresës”,
“Fati”, dhe “Mohim i pamundur”, e cila shpreh dallgëzimin shpirtëror të
autores.
Por lexuesi do të
ketë vetë kënaqësinë t’i lexojë me vëmendje këto perla të këtij vëllimi dhe të
përjetoj atë që transmetohet nëpërmjet tyre.
Drita nuk lë jashtë
objektivit të saj poetik as natyrën e bukur, ku ajo mbush me ajrin e pastër të
pyjeve dhe lumit mushkëritë e saj dhe shpirtin me frymëzim e shpresë për një
jetë më të mirë, të rrethuar përherë nga dashuria njerëzore.
Poezia “Një janar”,
nuk është thjeshtë një ditë e fillim vitit, por një peizazh sa lirik edhe
dramatik, një fillim i përgjumur, ku jeta ka rënë në një gjumë letargjik në
këtë qytet të lodhur nga jeta dhe vështirësitë.
Ajo thotë:
Dita që preku vitin
e Ri,
si një nuse me
duvak, pak e turpshme,
dhe e hutuar më
duket...megjithëse njerëzit
flenë,
ashtu si krushqit
pas një dasme
të gëzueshme...
Në mbyllje, një
mbyllje e kushtëzuar nga koha dhe momenti, se diskutimi për këtë vëllim të bënë
të ligjërosh pa pushim, nuk rri dot pa thënë mendimin tim për një tipar që
zbulova rastësisht gjatë leximit të librit me poezi.
Drita, është një
karakter i brishtë, me zemër të ndjeshme dhe shpirti i saj sado të
rebelohet, ai nuk ka forcën për t’u bërë i “egër”. Edhe vrazhdësia në gojën e
saj lëmohet e
Le t’i urojmë
Dritës suksese të mëtejshme dhe të ec e sigurt në rrugën e bukur të poezisë
lirike që, për mendimin tim, i shkon shumë përshtat.
Suksese!
---------------------------
(Për ZSh-në, nga redaktori ynë Z. Lushaj, Dhjetor 2012)