Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Ndërhyrjet ndërkombëtare dhe kompromisi shqiptar
E premte, 07.12.2012, 04:37 PM
Ndërhyrjet ndërkombëtare dhe kompromisi shqiptar
Nga Gani MEHMETAJ
Ndërhyrjet
e bashkësisë ndërkombëtare me paketën e Ahtisarit, kompetencat e EULEX-in në
luftimin e krimit të organizuar, krahas ndërhyrjeve me pikat e marrëveshjes për
veriun e Mitrovicës e trashëgimin bizantine që në mënyrë abuzive cilësohet
trashëgimi serbe, vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. Me
këmbënguljen e disa faktorëve me peshë, i jepet hapësirë Serbisë të bëjë
presione të vazhdueshme e shantazhe në shtetin e ri, megjithëse minoriteti serb
në përbërjen e përgjithshme është i papërfillshëm. Dy-tre për qind serb janë më
pak se sa shqiptarët në Luginën e Preshevës, apo në Kosovën lindore sikurse
quhet ndryshe, e cila deri me 1961 ishte pjesë përbërëse e Kosovës. Dhe
pavarësisht këtij fakti Kosova nuk mund të ushtrojë ndikim të shqiptarët etnik
të Luginës. Parimi i ndërsjelltësisë është i domosdoshëm, që të jemi korrekt me
bashkëkombësit jashtë kufirit shtetëror dhe të jemi të ndershëm me veten. Pse e
shpërfillin këtë parim fondamental faktorët ndërkombëtar dhe faktori shqiptar
në Kosovë, është vështirë të arsyetohet.
Dhe
derisa Serbia shpesh me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare
mund të ndërhyjë në Kosovë, në emër të kinse mbrojtjes së të drejtave të
serbëve, apo të mbrojtjes së trashëgimisë bizantine, institucionet e Kosovës
asnjëherë nuk e patën mbështetjen për të bërë presion mbi shtetin serb që të
rregullojnë statusin e pazgjidhur të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe
Bujanoc, apo të bëjnë presion mbi Shkupin që t’u rregullohet pozita shqiptarëve
në Maqedoni, që e përbëjnë 40 për qind të popullatës.
Më pikat
e reja të marrëveshjes për veriun e Mitrovicës, ka rrezik t’i jepet mundësia
Serbisë të ndërhy në Kosovë sa herë të përpiqemi të inkuadrohemi në
institucionet ndërkombëtare. Investimet e huaja, po ashtu do të mungojnë në një
rajon të paqetë.
Ngjashmëria
me Bosnjë-Hercegovinën po vijëzohet, megjithëse modeli i këtij shteti është
modeli më i keq në Ballkan dhe në Evropë. Brishtësia dhe paqëndrueshmëria e
Bosnjë-Hercegovinës është pasojë e forcimit të padrejtë të serbëve në shtetin
boshnjak, duke kërcënuar shtetin e brishtë dhe duke e pranuar gjendjen e
krijuar me gjenocid në terren. Edhe
serbët në Kosovë po shpërblehen për gjenocidin ndaj shqiptarëve vendës.
Instrumentalizimi i serbëve në Bosnjë dhe instrumentalizomi i serbëve në
Kosovë, paraqet precedent të rrezikshëm, përkatësisht faktorë të destabilizimit
në rajon. Pse duhet të luaj Serbia sërish rolin e xhandarit në Gadishull? Ku qëndron arsyeja e zbutjes së bashkësisë
ndërkombëtare ndaj kërkesave serbe? Të merr me të mirë ariun rus? Të shkëpusë
Serbinë nga ndikimi i Moskës? Më këto veprime sigurisht që bëhet joshja e
Rusisë në Ballkan përmes Serbisë, ndërsa Kosova që mund të jetë shtet i
qëndrueshëm, qëllimisht dobësohet, sepse e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës, po
edhe e Maqedonisë është e diskutueshme. Po e ardhmja e Kosovës - është në
shtetin e pavarur, apo në bashkimin me Shqipërinë?
Prandaj,
jo pa arsye shtrohet mëdyshja: Si do të përfundojnë negociatat me veriun e
Mitrovicës? Duke i dhënë hapësirë interesave serbo-ruse për të zbutur mllefin e serbëve, sepse e
humbën Kosovë? Duke e dobësuar shtetin e Kosovës që ta nxis për bashkim?
Në një
situatë të këtillë të politikës së paqëndrueshme, që të mos themi të politikës
konfuze të BE-së , Kosovës nuk i mbetet hapësirë e madhe manovruese as mundësi
e akrobacionit diplomatik, ndërkaq ne kemi mungesë të madhe të diplomacisë dhe
të diplomatëve. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të gjenden para
mëdyshjeve, ose para udhëkryqit. Mund të pranohet politika e kompromiseve të
dhimbshme, pra e lëshimit pe para presionit ndërkombëtar ( autonomia e veriut
të Mitrovicës), ndërkaq ky qëndrim
cilësohet qëndrim dhe veprim kapitullues ndaj Serbisë. Mund të refuzojnë
përfaqësuesit e Kosovës pikat e marrëveshjes dhe të cytin mërinë e Bashkësisë
ndërkombëtare, pra të mos fitojnë në zgjedhjet e ardhshme. Por mund të kërkojnë
forma të tjera për të dal nga kriza: projektin e rilindësve për bashkimin kombëtar.
Euforia
nacionaliste ishte fryma që e mbajti gjallë shqiptarizmin në detin e popullatës
ardhacake sllave. Euforia nacionaliste krijoi mekanizmat e kundërvënies ndaj
ish-Jugosllavisë e Serbisë. Kjo frymë duhet të kërkojë strategji të re për të
dal nga kriza, sepse pas krijimit të skeletit të shtetit të ri të Kosovës,
sikur kemi mbetur në vend dhe kurrsesi të ecim para. Forcat e tashme politike
dhe ato që janë në pushtet zor se kanë energji e koncept për të dal nga
situata. Forcat e reja më vështirësi po shpërthejnë, apo janë tepër të
ngulfatura nga organizmat e fshehta,
OJQ-të e Bashkësia ndërkombëtare që duan njerëz të kompromisit e me
dosje më parë se sa politikanë të ndershëm.
Natyrisht
ky bashkim do të jetë shumë më i dhimbshëm se sa dikur, sepse territore të
tëra tashmë janë shkombëtarizuar, tokat
shqiptare janë copëtuar në tri shtete sllave. Krijimi i programit të ri
politik, apo kristalizimi i programit të mëparshëm të Rilindësve, kërkon forcë
të re politike, potencë intelektuale dhe klasë politike më dinjitoze, të aftë,
të pa dosje kriminale, (të papërlyer në krimin e organizuar, në vrasje
politike, zhvatje, etj). Këtë projekt madhor nuk mund ta udhëheqin as pozita
dhe as opozita e tashme, sepse nuk kanë potencë intelektuale, nuk kanë dije politike,
u mungon karizma dhe u mungon morali politik.
Pjesa më
e madhe e tyre janë zvetënuar, pjesa tjetër pos nëpunës, nuk janë për poste më të larta, apo për misione më
sublime; ata janë konsumuar ende pa vepruar.
Po roli i
shtetit shqiptar, ku do t jetë në këtë mes? Roli i shtetit shqiptar është i
pazëvendësueshëm. Do të goditej fryma dezintegruese antishqiptare në të gjitha segmentet e jetës politike, kulturore,
gjuhësore, provinciale-fshatare. Do të bëhej një veprim më këmbëngulës dhe më i
koordinuar.
Ndryshe Kosova është për t’ia qarë hallin...