E enjte, 26.12.2024, 11:41 PM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Poeti magjik i dritës shqiptare

E premte, 07.12.2012, 07:29 PM


Poeti magjik i dritës shqiptare

(Neki Lulaj, Balada e heshtjes, Amanda Edit, Bukuresht 2012)

Atdhedashuria kërkon sakrifica, heronj, trima, dëshmorë, luftëtarë dhe strategë të paepur. Për të gjithë këta, pena e poetit ngjyhet shpesh edhe në gjakun dhe veprën e tyre të paharruar kurrë. Kështu duke shkruar vargje për Gjergj Kastriotin, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë të tjera, ai sendërton mesazhin e fitoreve të njohura dhe të ndritura në historinë tonë. Të gjithë këta heronj dhe ngjarje janë mbëltuar nëpër ngrehinat e kohëve që kanë shënuar data të rëndësishme në truallin e tokës sonë amtare.

Nga Baki Ymeri

Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit, i ngarkuar me një gamë meditimesh filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme, dhe, siç thekson kritika letrare, vargu i tij ka një  përmbajtje të lartë artistike dhe një  ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë. Libër i mirë është ai që na e kultivon shpirtin duke na pajisur me një spektër mendimesh e ndjenjash të bukura. Frymëzimi buron nga syri magjik, nga gjaku i bekuar i dashurisë dhe zëri i zemrës. Në këtë vëllim defilojnë emocioni, dhembja dhe ballafaqimi me realitetin. Poeti shëmbëllen me ushtarin, me famullitarin apo me flamurtarin e batalionit.

Lirika e Neki Lulajt është një forcë e gjallë e vitalitetit shqiptar, një album meditimesh me tingujt e gjallë të shqiptarizmit në diasporë. Ai dëshmon se e ka përvetësuar teknikën e artit, teorinë e letërsisë dhe historinë, duke e ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë për të krijuar vlera të reja. Poeti është mbret që e kupton letërsinë si një ansambël meditimesh sociale, patriotike, erotike dhe filozofike, që ta përkujton Kantin e dikurshëm, i cili e kundronte kulturën si një gjeometri ku zotëronte teoria  si një metaforë e bukur e kohës, e hapsirës dhe mjeteve tjera për rrumbullakësimin e jetës, një kushtrim i bekuar që të fton ta dinamizosh jetën duke rendur në hap me të dhe me evoluimin e saj.

Po qe se Bukureshti mbetet një emër i dashur i letrave tona përmes botimit të veprave të para të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit dhe Asdrenit, shpresojmë se nuk e bezdisim lexuesin po qe se shtojmë se  vargut të tyre nuk u prijnë vetëm autorët tanë të rikënduar në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet, por edhe libri më i ri i Neki Lulajt (Balada e heshtjes), i pesti me rradhë që e sheh dritën e botimit në vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë, në këtë vatër të zjarrtë të kulturës shqiptare dhe universale. Vëllimi i tij shtrihet tipografikisht në një hapsirë prej 135 faqesh, duke qenë i strukturuar në kapitujt: Valët e përjetësisë, Shtegtim dashurie dhe Kohë e krisur.

Sipas Halil Haxhosaj, autori i parathënies (“Poezi e vargëzuar nëpër valët e kohës dhe të përjetësisë”), emri i Neki Lulajt tashmë është bërë i njohur në analet e poezisë, sidomos të asaj që shkruhet nga penat e shkrimtarëve tanë që jetojnë dhe krijojnë në mërgim. Kjo letërsi, e cila tashmë quhet e diasporës, e sidomos poezia, ka arritur t’i kultivojë shumë emra, sepse jo vetëm që janë të njohur, por e kanë trasuar edhe vizionin e tyre poetik dhe krijues. Pa mëdyshje në mesin e tyre patjetër bën pjesë edhe krijuesi dhe poeti i njohur Neki Lulaj. Ky poet me këtë përmbledhje poezish vjen me një formë të talentuar e të formuar me stilin e vet të ligjërimit poetik në vargje.

Atdhedashuria kërkon sakrifica, heronj, trima, dëshmorë, luftëtarë dhe strategë të paepur

Neki Lulaj në përmbledhjen e tij më të re, thekson autori i parathënies,  ka hulumtuar, por edhe i ka gjetur burimet e gurrat e frymëzimeve ku i shijon të gjitha nuancat dhe vargjet për t’i shprehur e paraqitur motivet, tematikën dhe format e tjera të shprehjes në poezi. Shpesh duke ngarendur nëpër gurrat e frymëzimeve në këto burime, ai arrin ta ngjizë, ta determinojë, ta skalitë dhe ta stilizojë afshin e shprehjes artistike, duke e veshur me elemente të shumta të figurave dhe tropeve poetike. Dhe kështu kjo poetikë duket e suksesshme, duket e kapshme në një anë, por edhe e thellë në vertikalen e shprehjes lirike, duke shkuar kah modernizimi dhe refleksioni, në anën tjetër. Ky marshim nuk është i njëtrajtshëm, nuk është madje as statik, por ai kalon nëpër disa shtresa dhe stade të niveleve të veta. Atëherë poezia e Neki Lulajt merr të tjera dimensione edhe pse nuk zbret asnjëherë në prehrin e moskuptimit, izolimit, hermetizmit e as të ndonjë deklarimi të skajshëm real për hir të angazhimit të tepruar. Andaj lirika e këtij poeti është sferë e një frymëzimi që paraqitet si reagim shpirtëror dhe ndijesor ndaj jetës dhe botës përreth, që ka shkallët, nivelet, por edhe shtyllat e lartësimit.

Reagimi shpirtëror, por edhe frymëzues i këtij poeti ndalet kryekëput në tri kulmet e trekëndëshit poetik: atdheut, lirisë dhe dashurisë që janë gurrat më të pashtershme të vargjeve të poezisë së poetit. Dhe kjo nuk është e veçanta, madje as e veçuara, sepse autori depërton me penën e frymëzimit edhe nëpër katetet dhe hipotenuzën kryesore të këtij trekëndëshi që është jeta, sakrifica, problematika, mërgimi dhe krajatat e tjera, të cilat bëjnë jetë në simbiozë duke i dhënë e marrë njëra tjetrës atë që i nevojitet, atë që e kanë të domosdoshme, atë që e kanë kusht për të marshuar nëpër rrugët jetësore. Të gjitha këto paraqiten nëpërmes vargjeve dhe fjalës që shprehet: Me mungesa elementare/ E lakmuam kohën/ E degët i latuam/ Me kmesë. Kështu thekson Halil Haxhosaj dhe vazhdon:

“Lakmia depërton nëpër rrudhat e kohës që është duke ardhur e duke shkuar, e cila për popullin tone ishte mungesë elementare. Sakrifica për të depërtuar nëpër këto rrudha është e madhe sepse për ta trasuar atë duhej bërë që “E degët ia latuam/  Me kmesë”. Kjo shtresë, që autori e quan mungesë, plotësohet me idealin e plotë të konceptit më të gjerë poetik që është atdheu. Ky nocion nuk është paraqitur në mënyrë patetike e as retorike me përmasa epike, por me ato gjeografike, duke u sendërtuar me qelizat e ndërtimit të indit të organizmit të plot artistik me kuptimin e nocionit shqiptaria. Dhe e gjithë kjo bëhet shpesh me vargje të shprehjes se një ligjërimi të lehtë, të ndjeshëm dhe tepër frymëzues lirik. Në vargjet e lirikës së atdhedashurisë, poeti Neki Lulaj, i këndon zgjimit për sakrificë, luftës, qëndresës, lirisë, vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Lirikat e tilla nuk mëtojnë të jenë dominuese, por ato janë shtyllë e dashurisë së atdheut, dashurisë së shqiptarit për të, dashurisë së prindit për fëmijën dhe e fëmijës ndaj prindit, por edhe e dashurisë së njeriut për njeriun dhe dashurisë erotike. Kjo lirikë tashmë është një shpirtëzim, i cili ka gamën më të shtrirë në tërë poetikën lirike të kësaj përmbledhjeje.”

Edhepse parathënia është bukur e gjatë dhe e qëndisur konform kodit të kritikës letrare, e ndarë në disa mestituj, si, “Burimi i frymëzimit poetik”, dhe “Metafora, dashuria dhe erotika e saj”, vlen të potencojmë se “atdhedashuria kërkon sakrifica, heronj, trima, dëshmorë, luftëtarë dhe strategë të paepur. Për të gjithë këta, pena e poetit ngjyhet shpesh edhe në gjakun dhe veprën e tyre të paharruar kurrë. Kështu duke shkruar vargje për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë të tjera, ai sendërton mesazhin e fitoreve të njohura dhe të ndritura në historinë tonë. Të gjithë këta heronj dhe ngjarje janë mbëltuar nëpër ngrehinat e kohëve që kanë shënuar data të rëndësishme në truallin e tokës sonë amtare. Andaj poeti shkruan se trungu nuk e ndjeu shtrëngatën, sepse: “Me fanatizëm e ruajtëm/ Testamentin e fshehur/ Formulën e Pagëzimit/ Mesharin e Buzukut/ Mendimin e Barletit/ Filozofinë e Bogdanit/ Fjalorin e Bardhit/ Mençurinë e Nobelit/ Veprat e Kadaresë/ Me vlera mondiale”

Sipas Dedë Preqit nga Zvicra, nuk do ta teprojmë nëse poezinë e Lulajt do ta quajmë oazë e mrekullueshme që përflaket e nuk digjet nga flaka e shpirtit dhe fashitet me magjinë e fjalës, kur fjalët kremtojnë rrënjët e gjuhës dhe gjenezës. Poeti Neki Lulaj është i lirë në mendim dhe veprim, dhe nuk ka se si të mos kënaqet lexuesi kur vargjet e tij të shëndërrojnë në etje dhe kureshtje, dhe si i tillë din ta mbushë një zbrazëti në shpirt. Ka gjasa se një lirikë e këtillë, për gjeneratat reja do të bëhët një shkëndijë nxitëse e një studimi të plotë dhe të rëndësishëm.



(Vota: 28 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora