E marte, 29.04.2025, 10:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Prend Buzhala - “Amëza e rrëfimit”

E enjte, 22.11.2012, 08:56 PM


ANALIZË E THUKTË DHE E SHUMANSHME E  PROZËS SË SOTME SHQIPE

Prend Buzhala: “Amëza e rrëfimit”, botoi “Rozafa”, Prishtinë, 2012

Shkrime kritiko-letrare- proza e sotme shqipe

Nga Dr. Besim Muhadri

Kritika letrare shqipe në përgjithësi, e veçanërisht kjo e viteve të fundit mund të themi lirisht se është rënë në një agoni të thellë, ndërsa si pasojë e kësaj agonie, apo krize (ta quajmë lirisht kështu) kemi edhe mungesën e informacioneve të duhura të botimit të veprave letrare si dhe e vlerave të tyre estetike. Mirëpo, Prend Buzhala është ai që me gjithë vështirësitë e shumta, po arrin që ta “zbutë” deri diku këtë lloj krize dhe padyshim se mund të radhitët ndër kritikët dhe studiuesit më aktivë dhe më produktivë, por edhe më të informuar, i cili në vazhdimësi dhe me përkushtim ia ka arritur që gjatë njëzet viteve të fundit të përcjellë zhvillimet letrare shqiptare. Këtë e dëshmojnë shkrimet e tij kritiko-letrare të botuara në revista dhe gazeta të ndryshme që dalin në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Këto shkrime kritike, të shkruara herë në formë recensionesh, herë në formë vështrimesh e herë në format studimesh të thelluara ai ka arritur edhe t’i botojë në vëllime librash të veçantë. Këtë e dëshmon edhe libri më i ri tij i kësaj natyre “Amëza e rrëfimit”, një libër me shkrime kritiko-letrare, në fokus të të cilit autoi ka vënë prozën e sotme shqipe, romanin dhe tregimin, të botuar nga autorët shqiptarë, qoftë në vitet e mëhershme, qoftë në vitet e fundit. Libri “Amëza e rrëfimit” është vazhdim i kolanës së veprave të shumta të fushës së interesimeve kritike e studimore të Prend Buzhalës, siç janë: “Metafora e vendlindjes”, “Përqasje estetike”, “Ex libris”, “ Odeoni i fjalës”, “Shkrimtari pranë buzëqeshjes”, “Muza e zemrës”, “Temë dhe tekst”, “ Muza e kujtesës”, “Aty ku krizat i besohen engjëllit”, “”Res Publica e shkrimtarit”, “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, “Gjenitivi i lirikës”, “Të folurit e kryqëzimit shqip”, “Dëshmia për plagën e ftohtë” etj.

Siç shihet, vargu i veprave kritiko-letrare i Pren Buzhalës është i gjatë, ashtu siç është edhe i gjatë edhe interesimi i shqyrtimeve dhe i elaborimeve të tij. Në këtë libër ai vë në spikamë vepra të shumta të autorëve shqiptarë pa dallim, si të atyre që krijojnë në Kosovë, ashtu edhe të atyre që krijojnë në Shqipëri dhe vise të tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë si dhe në diasporë. Buzhala në librin e tij ka vënë në shqyrtim vepra në prozë, në të cilat spikat mprehtësia e kritikut dhe e studiuesit serioz, të pasionuar pas leximit dhe analizës së gjithanshme. Këtë seriozitet dhe përkushtim të tij e shohim edhe në veprën në shqyrtim, në të cilën defilojnë emra dhe vepra të 47 autorëve.

Në kapitullin e parë, “Homazh për alkiminë e rrëfimit”, autori vë në laboratorin e tij të analizës romanin “Rekuiem për një grua” të Vath Koreshit, shkrim të cilin e ka titulluar “Përtej thellësive të shpirtit”. Këtu Buzhala, përveç analizës të thuktë që i bën personazheve të kësaj vepre, ai vë në spikamë edhe mënyrën e të rrëfyerit të autorit, rëndësinë e romanit dhe mesazhin që jep shkrimtari përmes kësaj vepre etj. Ndërkaq të tri shkrimet e tjera të kësaj pjese ai vë në pah veprën e Mehmet Kajtazit, të Beqir Musliut e Murat Isakut. Siç shihet, në këtë pjesë kemi një homazh për veprat e disa nga autorët të cilët tashmë nuk janë në jetë, mirëpo që padyshim kanë lënë gjurmë të rëndësishme.

Sipas Buzhalës në procedimorin romanor dhe tregimtar, Mehmet Kajtazi i jep hapësirë strukturës kompozicionale të tipit mozaik, ku fatet e personazheve, ngjarjeve, ashtu sikundër edhe idetë, lirizmi figurativ, monologët lirikë, dramatizimet etj. ndërlidhen si në një kaleidoskop filmik, duke e thurë një tersi jashtëzakonisht interesante e funksionale. Ndërkaq, autori tjetër, Beqir Musliu,  sipas Buzhalës është një hermes i letrave shqipe dhe mbrojtës i artit modern shqiptar etj.

Po ashtu edhe autori tjetër i ndjerë, Murat Isaku nga Buzhala cilësohet si një nga romansierët shqiptarë me prirje të trajtimit të temave me përmbajtje të rëndë historike. Kritiku vëren se në veprat e Murat Isakut gërshetohen dy linja: Ajo e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe e atyre liridashëse si dhe ajo e betejave shpirtërore në kthesa historike.

Në pjesën e dytë, autori vë në spikamë veprën tërësore të Ramiz Kelmendit, që e ka cilësuar si njeri të artit, aq sa edhe të kulturës, ndërsa ndër meritat më të veçanta Kelmendit ia atribuon atë të të qenit ndër të parët që arriti të inkuadrojë tematikën me shprehje të re.

Te pjesa e tretë “Poetikë e ndërliqshme” Buzhala analizon disa nga veprat në prozë të Ismail Kadresë, Rexhep Qosjes, Anton Nikë Berishës, Visar Zhitit, Diana Çulit, të Jusuf Buxhovit e të Ramadan Hazirit, ndërkaq, te “Thellësitë shtresore të rrëfimit”, që është një nga kapitujt më të gjatë të këtij libr, 184 faqe, ai arrin të trajtojë 26 vepra të  25 autorëve. Shumica nga këto shkrime të përfshira në këtë pjesë të librit të Buzhalës kanë të bëjnë me vepra të prozës sonë të shkurtër, kryesisht asaj tregimtare, por edhe të romaneve të këtyre shkrimtarëve të letërsisë sonë. Në mesin e këtyre 25 autorëve kemi edhe emra të njohur të letërsisë sonë siç janë Adem Demaçi, Nasi Lera, Ibrahim Kadriu, Daut Demaku, Tonin Çobani, Anton Buçpapaj, Petrit Palushi, Halil Haxhosaj, Pal Ndrecaj e deri të autorët më të ri siç janë Brunilda Zllami, Valdet Avdiu e të tjerë. Mirëpo, siç shihet, për autorët më të ri, Buzhala e ka rezervuar pjesën e parafundit të librit që e ka titulluar “Katarza e qenies ëndërrimtare”, ku analizon dy vepra të Herolinda Zenunit, pastaj të Vilson Culajt, Ardian Jasiqit, Jetlir Bujës, ndërsa në pjesën e fundit që titullohet “Biopraza modeli dokumentar”, autori merret me shqyrtimin e veprave: “Pezazh i ngrirë” të Rasim Selmanajt, “Një monument nën dhe” të Fritz Radovanit, “Enigma e një vrasje të shumëfishtë”  të Bedri Islamit dhe shkrimi i fundit që edhe përmbyll këtë libër është ai për veprën e Edmond Berishës.

Siç shihet, Prend Buzhala në këtë libër ka përfshirë një numër të konsideruar shkrimtarësh dhe veprash të periudhave të ndryshme, duke filluar që nga vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme. Kjo tregon për seriozitetin e punës studimore të tij. Në shkrimet e Prend Buzhalës kemi një analizë të thuktë e të shumanshme, në shumë raste, edhe shteruese. Hapësira, si ajo kohore, ashtu edhe “territoriale” (nëse mund ta quajmë kështu figurativisht) e shkrimeve të Prend Buzhalës, e prezantuar në këtë libër, është e gjerë dhe cilësore. Prandaj, duke qenë shkrime të shkruara nga një kritik dhe studiues me një përvojë të gjatë, padyshim se veprës në fjalë i japin një rëndësi të dorës së parë, duke e radhitur atë ndër veprat serioze të botuara gjatë dekadës së fundit në fushën e kritikës e të studimit letrar dhe se shumë nga shkrimet e këtij libri janë shkrime të cilat lexuesit por edhe studiuesve i ofrojnë informacione të duhura për vepra dhe autorë të caktuar. 

Në Deçan,

Më 16.11.2012



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx