E shtune, 21.12.2024, 12:11 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Kultura politike në politizimin e shoqërisë

E hene, 05.11.2012, 08:10 PM


Kultura politike në politizimin e shoqërisë

Nga Entela Binjaku

Disa ditë më parë, ndërsa doja të shkruaja këtë shkrim, pyeta një të njohurin tim, më  i informuar se unë mbi numrin e partive në vendin tonë. Shifra që ai më dha, ishte sa dyfishi i asaj që dija.
Më tej, kërkova në faqen internetit të gjykatës së Tiranës; nuk gjeta asnjë të dhënë mbi këtë,  kështu që falë një kanali mediator, më së fundi,  mësova se në Gjykatën e rrethit Gjyqësor të Tiranës deri tani  janë 123 parti të rregjistruara. Prej kësaj të dhëne mund të analizojmë shumë elementë, duke filluar që nga dëshira e shqiptarëve “për të qenë të parë”, ose për të qenë drejtues, sensin e lartë të protagonzimit, pasionin për të ndjekur politikën, mundësinë për të qëmtuar ndër të angazhuarve edhe mentarët politikë etj. Padyshim kjo e dhënë po ilustronte edhe shqetësimin tim fillestar: atë për politizimin e shoqërisë sonë.
Politizimi është problem real i shoqërisë për aq kohë sa merr jashtëzakonisht shumë energji që lirisht mund të orientohej drejt aktiviteteve të tjera njerëzore. Treguesit për këtë janë të shumtë dhe nga më të ndryshmit, ku veç faktit të sipërpërmendur mund të shtojmë politizimin e qartë të mediave, ndryshimin e administratës publike sa herë merr pushtetin një forcë politike, politizimin e bisedave të përditëshme që zhvillojmë me orë të zgjatura nëpër kafene etj.
Për shkak të këtij politizimi disa prej mediave “masakrojnë” çdo orë të ditës nervat, shijet dhe durimin e shikuesve; pikërisht për këtë shkak në administratën tonë publike puna orientohet kryesisht në drejtim të  fuqizimit të forcës politike përkatëse. Në biseda të ndryshme nuk je interesant nëse nuk di ndonjë gjë rreth politikës sonë, dhe sikur të mos mjaftonin këto, edhe ato probleme që kohë më parë nuk kishin aspak lidhje me politikën, po hyjnë nën ndikimin e saj, gjë e cila ja ka zbehur rëndësinë vetë problemeve e ju ka dhënë përparësi kryesisht rrugëve politike për trajtimin e tyre.
Një ndër mënyrat për ta kuptuar më mirë realitetin tonë të ri është edhe analiza e kulturës politike të shoqërisë sonë, pa përjashtuar padyshim edhe 123 drejtuesit e partive politike.  Falë kësaj analize ndoshta mund të kuptojmë edhe sesa shoqëria jonë i ka rezistuar depërtimit të ideologjisë komuniste apo sa është prekur prej saj, ashtu sikundër mund të kuptojmë edhe cilat janë raportet mes strukturave shoqërore dhe kulturës që mbartin secila prej tyre. Falë analizës së kulturës sonë politike mund të kuptonim më shumë rreth mënyrës sesi jemi mbrujtur politikisht, do të ndërgjegjësoheshim se dhe shoqërizimi ynë politik më së shumti realizohet brenda familjes, ku ndikimi i së shkuarës është ende i fortë. Po duke përdorur këtë analizë të kulturës sonë politike do të gjenim përgjigje edhe për nivelin kulturor të strukturave tona shoqërore që lënë kaq shumë për të dëshiruar sa të zbehin çdo shpresë.
Ky koncept i huazuar nga antropologjia, ngatërrohet lehtë me informacionin politik, gjë e cila veçanërisht tek ne ndodh shumë shpesh. Informacioni në politikë natyrisht është i domosdoshëm, por ajo që filtron perceptimet mbi realitetin politik, që prodhon qëndrimet dhe udhëheq e orienton pjesëmarrjen në politikë është natyrisht kultura politike e cila është edhe elementi kyç në një lojë politike.
Për dikë thuhet se ka kulturë politike kur njeh rregullat e lojës ose kur voton në një mënyrë të caktuar sepse ka njohje të mirë të situatës.  Duke u mbështetur në literaturën e fushës kultura politike ndërthur sëbashku një tërësi besimesh, vlerash dhe parimesh të cilat mbizotërojnë historinë e një kombi të caktuar, në një çast të caktuar. Kjo është edhe një arsye përse kultura politike zakonisht i bashkëngjitet kombit, p.sh. kultura politike franceze, gjermane, italiane, greke, shqiptare etj.
Në politikën tonë të këtyre njëzet viteve të fundit, mungesa e kulturës politike ka fshehur shumë prej paaftësive në trajtimin e dukurive të caktuara, ka  justifikuar mungesën e vullnetit për t’u dhënë përgjigje dhe zgjidhje më të sakta një sërë dukurish që e shqetësojnë mbarë shoqërinë.
Aktualisht shumë prej problemeve të rëndësishme shoqërore si: papunësia, problemet në sistemin arsimor, dhuna në familje, mungesa e strehimit, paaftësia profesionale, shërbimi i keq shëndetësor, etj, mund të kuptohen jo vetëm me mungesën e kulturës politike, por mbi të gjitha me dominimin e një kulture të atillë, që më së shumti është sjellë si përkrahëse e grupeve të saj të interesit sesa si prijëse e ideve në dobi të shoqërisë.
Politizimi i shoqërisë nuk shfaqet si një deviacion në shoqërinë tonë, por mendoj se është i ndikuar bindshëm nga mendësitë e sistemit të kaluar, të cilat vijnë të gërshetuara edhe me padijen, apo mungesën e kulturës në popull. 
Kështu disa dekada më parë, një ndër  figurat e  mendimit shqiptar, Nebil Çika në veprën “Njimendësia shqiptare” bënte një analizë të jetës shoqërore shqiptare. Sigurisht nuk është e çuditshme që ajo panoramë e dikurshme nuk duket kaq e ndryshme nga kjo panoramë që shohim sot. Ai pohonte: “faktorët e trishtimit të jetës sonë janë të shumtë: historikë, politikë, shoqërorë por një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi “mentarët” që rrojnë krejt të ndarë nga ajo e popullit, dmth nga ajo e katundarit, zejtarit e tregtarit. Edhe në botë shoqëria është si piramidë: në majë janë mentarët dhe në bazë turmat popullore dhe në mes gjenden shtresat e mesme. Por në shoqërinë tonë mentarët janë shumë larg turmave dhe piramida në mes nuk ka shumë njerëz”.  Në realitetin tonë, mentarët politikë, si fuqia dhe faktori i domosdoshëm për  mbarëvajtjen e shoqërisë nuk mungojnë, po të kemi  parasysh vetëm numrin e partive politike të dhënë më sipër.
Për të kuptuar më gjerë kulturën tonë politike, një ndër aspektet më të rëndësishme është edhe këndvështrimi ynë si shoqëri ndaj drejtuesit politik.
Në një shoqëri me kulturë politike të ndryshme nga jona,  kur vjen fjala të një drejtues politik padyshim shoqëria do të ngrinte pyetje të tilla: “Në ç `kontekst është zgjedhur drejtuesi? Cilat janë karakteristikat e rolit (dhe jo të karakterit) të drejtuesit? Çfarë imazhi kanë për atë si person dhe si drejtues ata që ai drejton? Përse i binden? Çfarë teknikash përdor drejtuesi për të mbrojtur këto imazhe etj.  Jo vetëm kaq, por në mënyrë që edhe marrëdhënia e komunikimit me masa të mëdha njerëzish (qofshin këta mbështetës apo kundërshtarë), të jetë sa më frytdhënëse, drejtuesit duhet të gëzojnë disa parametra të përshtatshëm të personalitetit si: intelekti, dhuntia e fjalës, temperamenti luftarak, besimi në vetvete, imagjinata, intuita, forca e bindjes, pasioni, ndjenja e përgjegjësisë etj. Në një shoqëri me kulturë të ndryshme nga jona, këto aspekte nuk të liheshin kurrsesi në harresë.
Po të ishim një shoqëri me një kulturë të ndryshme politike nga kjo që kemi, sot lirisht do të mund të flisnim edhe për elita dhe qarkullim të elitave në politikë.  Dihet se çdo aktivitet njerëzor, rregullohet nga një klasë e zgjedhur, e formuar nga njerëz më të aftë se të tjerët, të cilën Pareto e quan “elitë” e cila dhe vetë ndodhet në gjendje transformimi të vazhdueshëm. Falë këtij transformimi më pak të aftit për rolin e tyre, zëvendësohen nga të rinj që vijnë nga klasa më poshtë. Kjo lëvizje është pikërisht qarkullimi i elitave. Në çdo shoqëri ky qarkullim është i domosdoshëm. Në shoqërinë tonë, në mënyrë që kultura politike të jetë ndryshe nga kjo që kemi, larg nivelit të informacionit verbal e informal, shumë më pranë asaj evropiane, nevojitet një mentalitet i ri, një frymëzim i atillë që aktualiteti politik, pavarëisht numrit të lartë të forcave politike vështirë se mund ta krijojë. Ashtu siç njihet në në historinë njerëzore, përmbysjet më të mëdha kanë ndodhur atëherë kur në shtresat e larta akumulohen elemente në rënie dhe në shtresat e ulëta rriten elemente të cilësisë, po ashtu edhe në shoqërinë tonë duhet të mobilizohen ato elementë të cilët të jenë të gatshëm për të drejtuar shoqërinë tonë drejt një standarti të një kulture tjetër.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora