Udhëpërshkrim
Xhelal Marku: Dita Botërore e Turizmit në Durrës
E shtune, 03.11.2012, 11:04 AM
Dita Botërore e Turizmit në Durrës
Nga Xhelal Marku
Është krijuar një traditë e bukur tashmë, madje në të gjithë vendin tonë, ku 27 shtatori - Dita Botërore e Turizmit, pritet me entusiazëm në mbarë hapsirat turistike shqiptare, si një ditë e shënuar, ku krahas atmosferës festive, marrin jetë e promovohen edhe strategji e projekte te reja zhvillimi, për këtë sektor të rëndësishëm e jetik të ekonomisë së vendit. Dhe, siç është bërë zakon, në këtë ditë feste, institucionet e specializuara, bashkë me partnerët privatë dhe komunitetet, jo vetëm festojnë, por dhe bëjnë bilancet e punës së tyre, ku promovohen arritjet e shënuara gjatë një viti, në zhvillimin e Turizmit Shqiptar dhe përcaktohen detyrat për të ardhmen. Sigurisht në këtë ditë, përzgjidhet edhe vendi, ku Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Agjensia Kombëtare e Turizmit organizojnë veprimtaritë e tyre festive e kulturore. Vitin e kaluar, Festa e Turizmit u bë në një nga qytetet e trashëgimisë më të pasur kulturore e turistike të vendit, në Shkodër, me slloganin: “Turizmi bashkon kulturat”. Ndërsa këtë vit, festa për Ditën Botërore të Turizmit u zhvillua në qytetin bregdetar të Durrësit, i njohur për vlerat turistike e kulturore në vend, i cili gjatë këtij sezoni turistik rezulton të ketë pritur mbi 3,5 milionë turistë, një shifër rekord kjo, në historinë e këtij destinacioni të preferuar të Turizmit Shqiptar. Sllogani i kësaj dite të shënuar ishte: “Turizmi dhe Energjia e Qëndrueshme”, që i perket strategjisë së re të zhvillimit të Turizmit Shqiptar gjatë periudhës njëvjeçare e në vazhdim. Specialistët e imazhit të AKT-së, Andi Nallbani e Ergys Faja, që ideuan dhe realizuan dekorin festiv të kësaj dite, i gjetëm aty pranë podiumit, ku prisnin ardhjen e grupit të kolegëve të tyre të punës nga Tirana. Atmosfera festive e Ditës së Turizmit, ndjehej kudo, që nga hyrja e qytetit 3000 vjeçar të Durrësit, përgjat rrugëve kryesore e deri në bregdet, ku ishte përzgjedhur dhe vendi për të festuar. Një tribunë e stolisur bukur, si për çdo festë, me ngjyra të shumta, me shpinë nga deti dhe me pamje nga qyteti, ku lexohej dukshëm dhe që nga larg sllogani i kësaj dite, dukej sikur të ftonte natyrshëm në këtë mjedis të preferuar festiv. Banorë të qytetit, nxënës të shkollave, të moshuar e pensionistë, por dhe shumë përfaqësues të mediave, vazhdojnë të mblidhen në sheshin buzë detit, përballë të cilit harkojnë lulishtet, zona muzeale dhe monumentet e kulturës. Edhe moti i nxehtë i këtij fundshtatori të vjeshtës, si në ditët më të mira të gushtit, duket sikur e ka kthyer stinën e Verës tek ne, me katër muaj e ndoshta dhe me pesë muaj plazh. Jemi mësuar të dëgjojmë rekorde të reja vizitorësh, që Turizmi Shqiptar rregjistron për çdo vit, por me sa duket, tani ai po rregjistron edhe rekorde të reja të muajve të plazhit, ku vera e zgjatur po i merr vjeshtës për çdo vit edhe shumë ditë plazhi për pushuesit. Sipas një shprehje të urtë popullore, kësaj i thonë: “...Kur vjen mbarësia hapi derën, se nuk e ndal asgjë...”. Dhe e mbara në Turizmin Shqiptar, tashmë ka ardhur, madje dhe është ulur këmbëkryq kudo në Trojet shqiptare, në këtë vend të lashtë dhe me të ardhme të madhe turistike.
Dita Botërore e Turizmit, festë e të gjithë shqiptarëve
Kur
sheshi po mbushej me manifestues të shumtë dhe syri të rrokte peisazhe plot
ngjyra, që gjallëronin nga uniformat festive dhe tollumbacet, që ngjiteshin
deri në lartësi, po nga lartësia shfaqet një tjetër atmosferë, ku festarët e
hapsirave ajrore, dhanë mesazhet e tyre për këtë ditë të shënuar të Turizmit në
të gjithë Globin. Alket Islami, një emër i njohur i fluturimeve të tilla,
bashkë me ekipin e tij, ishin ata, që i dhanë Festës përmasa të reja edhe më të
mëdha. Pas disa fluturimesh të guximshme rreth e qark qytetit të Durrësit, që
nga lartësia e hapsirës ajrore, ku ata fluturonin, lëshuan edhe mesazhet
turistike të kësaj dite, duke hedhur mbi audiencën pjesëmarrëse të festës,
qindra fletëpalosje me mesazhet thirrje, për mbrojtjen dhe mbajtjen pastër të
mjedisit. Në to, lexohej:
“...Shqipëria
është një parajsë pushimesh, ndaj punoni për të ardhmen e saj. Ju që e doni
detin, mbajeni pastër plazhin! Një pjesë e konsiderueshme e Shqipërisë është
natyrë e virgjër, shijojeni atë dhe mos e ndotni!