E enjte, 14.11.2024, 06:41 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kalosh Çeliku: Mikja nën Rrap dhe petët që nuk ikin nga atdheu

E premte, 26.10.2012, 05:41 PM


MIKJA NËN RRAP DHE POETËT  QË NUK IKIN NGA ATDHEU

NGA KALOSH ÇELIKU

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në kuadër të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë festoi njëzetvjetorin e themelimit si institucion i pavarur kulturor. Takimet nën Rrap shënuan pesëmbëdhjetë vjetorin e themelimit si manifestim poetik i veçantë i poezisë erotike, në Shkup. Poashtu, edhe revista e pavarur letrare STILI 97 (nr. 55 dhe 56), organ i Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, që në këtë anë të Atdheut erdhi si një zë i ri kryengritës në letërsinë shqipe. Hapi dyert krah më krah edhe të krijuesëve të rinj, sidomos të femrës krijuese rebele shqiptare. Sot një numër i tyre që kanë kaluar nëpër gjirin dhe djepin e Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, janë emra të mirënjohur në Letërsinë Shqiptare mbarëkombëtare, po edhe atë botërore. Njëqind vjet shtet shqiptar nuk janë pak në këtë Ditë të Madhe. Poashtu, nuk janë pak edhe njëzet vjet veprimi të Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup. Nën Rrap, rrëzë Kalasë Dardane për çdo vit ka jehuar vargu lirik i poetëve shqiptar më të njohur anembanë Atdheut dhe botëror edhe para tytave të tanksave (2001). Nata e Madhe Poetike është përcjellur me poezi, këngë e valle deri në agim.

Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, u themelua para pasëmbëdhjetë vjetëve për të freskuar varfërinë e madhe kulturore që mbretëronte asaj kohe në Shkup gjatë muajve të verës me vapë. Edhe atë, me një karakter krejtë tjetër nga manifestimet e tjera kulturore që mbaheshin në IRJ të Maqedonisë, të politizuara deri në palcë. Jo rastësisht, e pagëzuam edhe TAKIME NËN RRAP, manifestim i veçantë dhe specifik i poezisë erotike, që do të mbahej për çdo verë nga fundi i gushtit në organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë. Dhe, i zhveshur krejtësisht lakuriq, ashtu siç e ka lindur Nëna Natyrë nga politika ditore e partive politike, por i veshur me art e vlera të arrira letrare - artistike.

Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, qe manifestimi i parë poetik, që në vitin 1997 në Shkup e zgjoi nga gjumi shekullor Çarshinë e Vjetër, rrëzë Kalasë dhe i tuboi penat më të njohura nga të gjitha trojet etnike shqiptare, Diaspora dhe bota. Menjëherë, pas luftës së 2001 - shit qe i vetmi manifestim kulturor që solli në Shkup aq shumë poetë nga Shqipëria (një autobus me targa TR), që kurrë nuk ka pasur në gjirin e vet ndonjëherë tjetër ky kryeqytet i vjetër i Dardanisë, ku u lexuan poezi erotike dhe patriotike në mesin e tanksave. Megjithatë, edhe pse manifestimi është i veçantë dhe i vetëm, vite me radhë përballet me vështirësi të mëdha materiale e politike. Shkaku se, individët që merren me politikë “madhore” dhe vendosin për kulturën shqiptare te ne në IRJ të Maqedonisë, nuk kanë haber nga arti, e ku më ta duan poezinë. Mos të them, edhe se e luftojnë me të gjitha forcat dhe armët politike. Partive politike në pushtet, u duhen manifestime të politizuara, ku ata të munden të trumbetojnë lirishtë të arriturat e tyre demagogjike në politikë, arsim e kulturë. Fotografohen para kamerave dhe në mjetet e shkruara të informacionit gjatë hapjeve të këtyre manifestimeve kulturore si politikanë të “suksesshëm”  e dashamirë të arsimit dhe kulturës. Fatkeqësisht, Manifestmi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, nuk ua ka mundsuar këtë reklamë politikanëve, po poetëve dhe njerëzve të kulturës. Ja, edhe arsyeja e vetme, që ky manifestim kulturor tradicional ndërkombëtar, edhe pse sivjet u mbajtë për të pesëmbëdhjetën (XV) herë me radhë, ende përballet me vështirësi të mëdha materiale e politike që i ngatërrohen me vite nëpër këmbë. Edhe, e dini nga kush, pjella e tij: “patriotët” e soçëm që e kanë shitur veten një torbë taxhi, vajtojnë e derdhin lotë krokodili në mjetet e informacionit dhe Facebook për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Isë Boletinin, Pjetër Bogdanin se, “kanë mbetur pa varr”, i ka “mallkuar” shkau. E. në realitet këta individë anonimë, pjellë e keqe e mallkuar shqiptare komuniste, asgjë s’kanë bërë për arsimin dhe kulturën shqiptare deri në Ditën e sotshme. Përmëtepër, vazhdojnë t’i dalldisin shqiptarët me parolla të thata neokomuniste.

Vështirësitë, problemet dhe presionet e ndryshme ndaj këtij Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, në vend që të zbuten pas Luftës së 2001 - shit, ato falë këtyre “patriotëve” thellohen edhe më tepër, përpiqen ta ngulfasin këtë manifestim kulturor në zemër të Çarshisë së Vjetër, në Shkup. Edhe atë, me veprime trumbetuese për rrethin e vet të trusakatëve partiak, familjar, miqësor e klanor duke trumbetuar manifestime të improvizuara të “vëllazërim - bashkimit” në Çarshinë e Vjetër, në Shkup më shumë si zhurma të politizuara partiake se sa si manifestime kulturore me vlera të arrira artistike.

Megjithatë, edhe përkundër këtyre vështirësive e presioneve u mbajtën dhe po vazhdojnë të mbahen këto takime poetike për të pesëmbëdhjetën (XV) herë me radhë. Edhe atë, mu në zemër të Shkupit, Çarshinë e Vjetër, në të cilin edhe kësaj radhe morrën pjesë poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe bota. Tjetër punë, është ajo se sa arritën t’i përcjellin këto manifestime kulturore mjetet e informacionit. Personalitetet e kulturës shqiptare dhe asaj botërore t’i kenë prezentë nëpër emisionet e tyre kulturore. Dorën në zemër, këtu nuk e kam fjalën për përcjelljen e personailteve politike.

Ne qemë ata të parët që e futëm për oxhaku vargun shqip në Bit - Pazar të Shkupit, që në vitin 1997 nëpër Qafë Thanë e Bllacë, nga të gjitha anët shqiptare. Poetët qenë ata që me libra kokë më kokë u strehuan nën Rrap me vargje përqafe në pusi në vend të kollanëve me fishekë. Vargu i tyre nuk ishte vdekjeprues, po jetëdhënës e paqedashës. Dihet, me moton: nëse nuk e do veten, nuk mund ta duash tjetrin. Varg i dashurisë. Varg që i afronte popujt, e jo të vazhdojë t’i ndajë ende me kufinj politik shqiptarët. Prandaj, këta “plumba” dum-dumë të poetëve i ulën edhe tytat e tankeve  të tërbuar gjatë luftës së 2001 - shit, që na kishin rrethuar natën gjatë një manifestimi kulturor: TAKIME NËN RRAP, në Shkup nga të katër anët e Atdheut. Rastin më mirë e di dhe ende e ka të freskët edhe në varr poeti ynë rebel Pano Taçi me poetët e tjerë pjesmarrës në manifestim, kur dy policë si të tërbuar hynë në autobusin me targa TR dhe ia rrëmbyn kamerën nga duart me të cilën e kishte regjistruar mbarëvajtjen e Manifestimit Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP. Në atë kohë lufte, poeti ynë i mirënjohur Visar Zhiti, pjesmarrës në ngjarje do të shkruaj dhe botojë në gazetën “Dita” të Shqipërisë edhe reportazhin emocional nga Shkupi: Të lexosh pozi pranë tanksave.

Edhe, plot pusi e atentate i kaloi ky manifestim kulturor nga mashat shqiptare për të arritur deri te Dita e sotme, nën hije të Rrapit ta lidhë Gjokun krah për krahu me Skënderbeun, në Shkup. Në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë erdhi në Shkup edhe Hasan Prishtina. Nesër, vjen me shokë edhe Pjetër Pogdani. Mikja me dy shtamba verë, t’u japë gji poetëve që nuk ikin nga Atdheu, fuqi për luftë me penë…

Nën Rrap, gjatë këtyre viteve kaluan emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, mbi njëqind poetë. Mikja u dha gji me dy shtamba verë nën Rrap poetëve rebel që nuk ikin nga Atdheu: Frederik Rreshpja, Teki Dërvishi, Musa Ramadani, Xhevahir Spahiu, Mirko Gashi, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Visar Zhiti, Gani Xhafolli, Skënder Rusi, Fadil Bekteshi, Vahit Nasufi...

Ditën e sotme të Motit Madh, në Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë, poetët përsëri u ulën këmbëkryq rreth sofrës poetike. Sipas programit të paraparë nga organizatori, i përkujtuan me portrete letrare, miqtë e Rrapit: Hida Halimi dhe Pano Taçi. Reshat Sahitaj për disa çaste në mesin tonë me një poezi e ringjalli Hida Halimin: Dhe nisem, e hap krah më krah portën letrare. Rreth veprimtarisë letrare të Hida Halimit folën miqtë e saj të penës: Gani Xhafolli, Reshat Sahitaj, Beatriçe Balliçi e Kalosh Çeliku. Mikun tjetër të Rrapit, Pano Taçi e përkujtoi Pandeli Koçi. Remzi Salihu me një studim artistik: Dy net burg me Pano Taçin. Përjashtim radhe, bënë miqtë tanë nga Greqia: Kostas Valetas dhe Iliaz Bobaj. Natën e Madhe ata nuk e pritën me ne nën Rrap. Shkaku se, duhej të udhëtonin për në Greqi. Nesër janë në punë. Librat e tyre më rrinin kokë më kokë mbi tavolinë “për t’ua prerë kërthizën”. Përurimin e tyre e hapi poeti Iliaz Bobaj me librin e Kosta Valetas: Drita e Lesbos. Paskal Gilevski edhe ai doli me një diskutim për librin me tregime të mikut vëlla grek. Tashti, sipas zakonit fjala iu dha edhe Kosta Valetas. Reshat Sahitaj i përktheu fjalët e tia nga gjuha frënge. Shkrimtari i madh grek gjatë diskutimit i lëvdoi shqiptarët duke thënë se janë vëllezër me grekët. Thotë: Unë i dua patriotët dhe nacionalistët, po jo edhe shovenistët e pushtuesit. Radha i mbeti poetit Iliaz Bobaj me librin e tij satirik: Kali i pushtetit, që posa ka dalë në dritë nga Shtëpia Gazetare Botuese “ASDRENI”, në Shkup.  Rreth librit diskutuan Pandeli Koçi dhe Prend Buzhala. Në fund fjalën e mori edhe vetë autori i librit. Përgëzime. Urime.

Gjatë asaj nate u bë edhe përurimi i dy numrave më të ri të revistës letrare: STILI 97, përkushtuar njëri Mikes të Rrapit - Hida Halimi dhe tjetri Mikut të Rrapit - Pano Taçi. Fjalë miradie foli kryeredaktori i revistës letrare, Kalosh Çeliku.

Pasmesnate, juria profesionale e përbërë nga Reshat Sahitaj (kryetar), Remzi Salihu (anëtar) dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndanë edhe çmimet letrare: Për vepër jetësore e rrëmbeu shkrimtari Kosta Valetas. Tjetrin, për vepër erotike e fitoi poetja nga Elbasani Beatriçe Balliçi. Një çmim Mikja e Rrapit  iu nda edhe poetes bullgare Dima Çomova. Çmimin e poezisë erotike kësaj radhe e mori poeti Fatmir Musai.

Agimi, të nesërmen me të dy këmbët zbriti në Shkup. Poetët i priste rrugë e gjatë për në vendlindje. Satiristët i shaluan kuajt e shalës për në Kërçovë, në Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA. Plaku mjekërbardhë si dikur me shkopin me kërrabë përpara këmbëve u doli para t’i presë te porta me anekdota.

Pasdarke, nga malli për humanistin e madh shqiptar, poetët përsëri e shaluan vargun, kësaj radhe atë humoristik dhe satirik. Për disa çaste e sollën Xha Derallën në mesin tonë me humor dhe satirë. Orën simbolike satirike e hapi Ibrahim Koça me poezinë e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni. Vëllezërit Dervishi i përshëndetën të pranishmit me këngën kërçovare: Në bahçe na ka ra bryma. Lumturi Axhami i dha zjarr e flakë me një këngë dasme kërçovare. Poetët, pas këngëtares e morën Natën e Madhe në dorë me humor dhe poezi satirike. Njëri pas tjetrit lexuan poezi, rrëfyen barcoleta, edhe anekdota. Dikur, çetës së tyre i erdhi në ndihmë edhe Xha Deralla me anekdotat e tij të “egra”: Hoxha i katundit, Pajtimi me Kolibaret dhe Xhandarët e serbit.

Ditën e nesërme, u bë edhe përurimi i dy librave të satiristit kërçovar Begzat Rrahmani: Gjarpërinjtë e fushës sterile dhe Eunukët e Haremit. Rreth krijimtarisë letrare të autorit dhe librave diskutoi Bekim Adili. Poashtu, u bë edhe përurimi i numrit më të ri të revistës për humor dhe satirë, që del kur t’i teket ZEKTHI. Tryeza satirike kërçovare u shtrua në mesin e poetëve: Humori dhe satira brez pas brezi e mbajtën gjallë popullin heroik shqiptar në mes të Ballkanit. Atmosferën e ngrohtë satirike e ndezën me diskutimet e tyre rreth humorit dhe satirës nëpër shekuj. Në fund, Tryezën satirike e përmbylli artisti i madh strugan Pajazit Murtishi, që kishte ardhë nga Amerika me një fragment të poemës Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi.

Nata e Madhe kërçovare i hapi dyert krah më krah me humor, satirë dhe këngë deri në agim. Poezitë e tyre i lexuan poetët: Gani Xhafolli, Pandeli Koçi, Nikolla Spathari, Begzat Rrahmani, Xhevdet Ukalli, Bujar Plloshtani, Fatmir Musai, Remzi Salihu, Xhelal Ademi, Ilmi Veliu, Ibrahim Koça dhe Kalosh Çeliku.

Pasmesnate, juria profesionale e përbërë nga Reshat Sahitaj (kryetar), Remzi Salihu (anëtar) dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet letrare: për vepër jetësore satirike Nikolla Spatharit, për vepër satirike Iliaz Bobaj dhe për poezi të “egër” satirike gazetarit dhe humoristit Ibrahim Koça (Date Koçi).



(Vota: 319 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora