| E shtune, 20.10.2012, 10:33 AM |
Tek guri që ndez sevdanë
Përsiatje për librin “Këmbana e dashurisë” e Kristo Çipës në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”
Nga Timo Mërkuri
1-Kur
para disa kohësh botova shkrimin “Në Himarë, ku dhe Zoti vjen i ftuar”
theksova faktin se poezitë e Kristo Çipës , nuk të shijojnë kur i lexon. As i
ulur në tavolinë të punës dhe as i shtrirë në divan. Sepse këto… vetëm mund të
këndohen nga një grup iso-polifonik., nuk e dija se Kristo Çipa po
pregatiste një libër të ri. Këtë e mora vesh atë ditë, kur bashkë me poetët
Agim Mato dhe Andrea Zarballa i shkuam për ngushëllim në shtëpinë e tij në
Himarë, për ikjen e të jatit, Andrea
Çipa nga kjo jetë. Me qënë se me Andrea Çipën, veç miqësisë që kishte patur im
atë me të, si bashkëfshatarë moshatarë
edhe unë krijova një miqësi, në kohën që përshëndeti botimin e librit
tim të parë të serisë folklorike me përmbledhje këngë, bejte e vaje pilurjote
“Gjerdan këputur”, në vitin 2005.
Përshëndetja
e tij, ardhur me një letër nga Piluri në Sarandë më emocionoi dhe unë,
në librin e dytë të serisë folklorike “Te lisat në shënkollë”, në vend të
parathënies botova përgjigjen time drejtuar këtij plaku të ditur dhe ftesën
që i bëja për të ndihmuar dhe ai në mbledhjen e folklorit. Ndihmesa e tij nuk
vonoi dhe mund të them se libri i tretë i kësaj serie “…Iso more djem” është gati 80% kontribut i këtij
plaku të mirë, në përcjelljen drejt amëshimit
të të cilit nuk asistova dot, por po e
laja një pjesë të këtij borxhi te kjo vizitë ngushëlluese që bëja bashkë me
miqtë e mi tek i biri.
Këto elementë
të miqësisë simë me të jatin po i
tregoja Kristo Çipës atë ditë, tregim i
cili hapi dritaren e folklorit në atë odë, ku biseda nisi me ritualin e zakonshëm
të ngushëllimit por nuk qëndroi vetëm aty. Fjalë pas fjale ( në traditën
pilurjote nuk pranohet heshtja në mort dhe ca më pak në ngushëllim), Kristua na
njohu me poezinë “Rrojmë në shpirtin e lirisë” duke na kërkuar mendimin tonë ..
Tre poetë ne dhe Kristua katër s’mund të kishim temë më të dashur për të ndezur
zjarrin e debatit. Madje debati nisi që te strofa e parë, te vargjet…Buzëqeshur
midis lotit/Vinte shekull i stuhive/Natën po gremiste kombi/Hiqte mjegullën
prej syve… për tu ndezur më pas te strofa …Dhe nga zoti vjen profeti/Plaku
me flamur në gji/Brenda kombit më të vjetër/Shpalli shtetin më të ri.
Dhe mos
mendoni se u ndërpre debati te vargjet…Ismail Qemal Liria/Fat i kombit që s’u
shua/Ka njëqint vjet historia/Që mëndjen ta kërkon hua.
Debati
aty filloi të konturohej mbi portretin e poezisë së Kristo Çipës, ku shpirti i
gjërë lirik me vlera të ralla estetike noton lirshëm në detin e atdhedashurisë.
Pikërisht
në këtë moment, Kristua na sqaron se poezia që po debatonim, realisht ishte teksti i këngës që grupi i tij
pregatiste me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Kjo nuk
ndryshoi gjë në debatin tonë, veç faktit se ne u frenuam që ti kërkonim një interpretim muzikor të disa vargjeve,
nisur nga arsyeja e vizitës. Por të tre ne e njohim këngën popullore himarjote,
pilurjote dhe atë të grupit të Kristo Çipës dhe nuk e kishim të vështirë të dallonim detin e këngës dhe dallgët e tij edhe në këtë lexim
të thjeshtë në shtëpinë e autorit. Madje kam patur rast, tani von, ta dëgjoj të
të kënduar këtë këngë dhe jam i gëzuar që melodia nuk është larg përfytyrimit
tim të asaj dite.
Por më ka
ngelur në mëndje një pyetje e Andreas atë ditë, në se ka poezi të Kristos që të
mos këndohet, pyetje të cilës nuk ju përgjig askush sepse biseda vijoi më thellë, në veçoritë e këngës
folklorike të bregdetit, evolimi i saj në kohë nga Neço Muko, Dhimitër Varfi,
Lefter Çipa për të mbritur te Kristo Çipa dhe zvëndësimi ose “cungimi”i fabulës
së teksti me ide.
2-Këto mu
kujtuan sot ndërsa lexoja librin e
Kristo Çipës “Këmbana e dashurisë” dhe duke ju përgjigjur edhe pyetjes së
Andreas të asaj dite vizite në shtëpinë e autorit, mund të përgjigjem pa
ekuivok se asnjë poezi e Kristo Çipës nuk është e pakëndueshmë, jo vetëm
nga grupet iso-polifonike por edhe nga
muzika moderne.
Madje jo
vetëm poezitë e tij lirike por edhe poezitë vaj si psh poezia “Ati im”, të
cilat në vetvete janë ligjërime. Duhet ta
ketë këtë tekst një vajtore pilurjote që ta bëjë të dridhet guri kur të
ligjërojë: Ti punove për të gjallët/Të përjetëshmit i nderove/Në Parajsë, kur
ngjite shkallët/Patjetër si numërove.
Madje,
strofën e fundit me vargjet…Mos na e ndaj syrin e shpirtit/Nga ajo botë
atje ku s’vdesin/Ne këtu,si nxënësit Krishtin/Të rishfaqesh prapë të presim…nuk di pse mu krijua bindja se vetë
Kristua e ka vajtuar (ligjëruar) atë ditë
të përcjelljes së të jatit në varrezat e Shën Kollit në Pilur dhe më pas e ka
hedhur në letër, si tekst.
Por le të
shohim muzikën e brendëshme të një poezie lirike, psh poezisë “Nga hëna do marim hua”. Lexojeni
bashkë me mua, miqtë e mi: Mike do na dalë nata/Të shtrojmë flokët e
gjata/Të puthim buzët e mjalta/Të ndukim gjiret e larta…obobobooo
Na fakt
more miq, unë dhe ju u ngatëruam pak, se kjo “obobobooo” nuk është fare në
tekst të poezisë, por na doli ne si klithmë shpirti, kur përjetuam vargjet që
porsa lexuam. Dhe në rast se tekstin e mësipërm e kënduam ( a e vutë re që ne këndonim
dhe nuk lexonim) duke tundur supet, te refreni s’na mbetet gjë tjetër veçse të
hedhim duart në supe të shoshoqit, të përulemi në gjunjë si te vallja e
djemve pilurjotë dhe të hidhemi lart, sikur
duam të zëmë hënën me dorë, kur të këndojmë: Në mos daltë, mike çthua/Nga hëna do marim hua. .. dhe pasi të lëshojmë
dhe një “obobobo” si një klithmë kënaqsie pas një trumfi, të shohim çapkënçe hënën,
si një vajzë hireplotë.
Por me që
vajzat tona janë ku e ku më të bukura se hëna, le të kthehemi te poezia këngë
“Ktheu prapë te zjarri”. Si i vendit që jam, do ja mar unë (do ta lexoj) dhe ju
shoqëromëni sa të mundni: Natë e ëmbëlsuar….(ohooo)…O miq s’më zë gjumi..(hajde deee) Fryn kjo erë,vjen trazuar/Mëndjen larg ma
shpuri….(iso djema) ..Ç’të kujtoj më
parë/Hajde djalëri /Dilte hëna për të parë/Na kishte zili. Obo bo bo. (Pas këtij të kënduari, kofidencialisht po jua
them se, po s’re në dashuri në Himarë apo me Himarën, kot që ron në këtë botë.
Nuk thotë kot poeti Kristo Çipa: Himarë o lulja Himarë/O guri që ndez sevdanë).Por
le të vazhdojmë të këndojmë:
…Ç’thoshe me atë gojë/Zemra ty ta thosh/Hën e
yje perëndojnë/Mos më tradhëtosh.
……Dil dhe më kujto/Si lulja
beharin/Thuaj një herë “Po”/Mos më digj të gjallin…
Tani që
dhe ju more miq mësuat të këndoni këngët
tona, le t’ja marim dhe këngës “Shpirtin me buzë ma pive”. Unë do ja mar, ti do ja kthesh,…iso more miq:
…Si era që shket mbi brigje/Pa hapur
porta dhe shtigje/Erdhe në zemër më zbrite/Si verë e vjetër godite/Zan e zallit
zagorite/ Shpirtin me buzë ma pive/Si lisin në brinjë më shtrive/Ri e lutem perëndive/Ja
më ngjall ja bëmë zgjidhje.
Eh more
Kristo Çipa, dëgjomë një qortim miku :- Herë tjetër që do botosh libra me poezi
të tilla, librat shoqëroi dhe me nga një shishe raki, se nuk shijohen dhe as këndohen
këto poezi në të thatë.
Ja, duam
të këndojmë këngën “Jemi lis, nuk jemi hije”
me vargjet brilante…Në Prizeren
foli Abdyli/Foli me gjuhën e kombit/ Shqipërisë po i vjen ylli/ Natën le ta marë
Stambolli … , më thuaj, të bëj rixha, këndohet kjo këngë me zë të ngjirur
dhe me fyt të thatë, pa u lagur me raki? Domosdo që jo, pranon ti. E po kur s’e
këndon dot ti, që je i zoti i punës, si
ta këndoj unë dhe lexuesi që porsa e morëm librin në dorë.
Prandaj të
them që domosdo duhet ta shoqërosh
librin me një bodile raki.
Atëherë të
shohësh ti si do ta ndezim këngën e “Rugjinës” që të vargjet e fillimit:
...Nata shkoi sikur s’qe/U gdhi dita si e
ve/Syri i jetës më nuk sheh/Se ra qielli mbi ne…
Sepse ne
jemi nga ata që…Detin e kaloj me këmbë/Malet
i bluaj me duar…
3-Unë nuk
e di në se, me sa shkrova më sipër, ju përgjigja pyetjes të poetit Andrea Zarballa,
bërë në shtëpinë pilurjote në Himarë, atë ditë që shkuam për ngushëllim, por një
gjë e di mirë dhe jua deklaroj me kompetencë: Poezitë e Kristo Çipës e kanë
melodinë brenda tyre, nëpër vargje,
ashtu siç ka deti dallgët. Pjesë të tyre, të pandashme. Duhet të fryjë pak erë që të lëvizin valët, duhet të
kalojnë rymat e brendëshme detare që të formohen dallgët. Duhet të mblidhet
Kristo Çipa me grupin e tij që të ngrihet një këngë mbi një poezi e cila
lind bashkë me melodinë.
Ky nuk është
process i panjohur në bregdet. Kështu ka lindur, në një ambient dasme kënga e
famëshme “
4-Por ajo
që dua të kumtoj pranë jush, është fakti
se, pavarësisht sa më sipër, Kristo Çipa nuk është një rapsod që ngre tekste këngësh popullore për
tu kënduar nëpër festivale apo festa e gëzime, nga ai vetë apo të tjerë. Një
konkluzion i tillë, gabimisht mund të
nxiret kur dëgjon këngët e grupit të tij dhe mëson se autori i tekstit është ai
vetë. Shto këtu faktin që ai është dhe pjestar aktiv i grupit, herë në rolin e
marrësit, herë në rolin e kthyesit apo të mbajtësit të isos, ky konkluzion
duket se është i plotë në të gjitha anët e tij.
Por unë ju them se ky konkluzion nuk është gjë tjetër, veçse një “mirazh” në shkretëtirën
e mosnjohjes së laboratorit krijues të këngës
popullore, në tërësi dhe të asaj bregdetase, në veçanti.
a-Në
bregdet, të gjithë banorët, burra e gra
këndojnë këngë iso-polifonike, pavarësisht nga niveli artistik i të kënduarit. Madje duhet të themi, se një vesh i zakonshëm (me këtë shprehje nënkuptojmë qytetarë jo me origjinë nga bregdeti), nuk e
dallon dot disnivelin cilësor të të kënduarit të dy himarjotëve, në një kohë që për banorët e kësaj
treve, mjafton që zëri i një këngëtari të
ketë një dridhje të thjeshtë, të pakapëshme nga veshi, por që nuk i shpëton dot
bregdetasit, pra mjafton kjo dridhje që ai të “skualifikohet” si këngëtar apo
pjestar i një grupi.
b-Në
bregdet jo vetëm që këndojnë të gjithë banorët, por nëpër festa janë stërvitur
dhe në “betejat” folklorike duke “goditur “ njeri tjetrin me bejte. Bejtet në
vetvete janë krijime poetike me të cilat autorët ngacmojnë njeri tjetrin në një
festë apo gëzim, me qëllim që të shtohet harmonia apo humori, për tu mbrojtur nga një ngacmim i mëparshëm,
për të ironizuar një gjest,fjalë apo veprim të dikujt, detyrimisht i pranishëm.
Këto bejte këndohen dhe rrallë recitohen.
c-Kjo ka
shërbyer si shkollë, që të ritet numëri i rapsodëve, autorë këngësh
popullore.Diferencimin e bënte koha, si për tekstin ashtu dhe për melodinë( më
pak për këtë të dytën, sepse bejtet këndoheshin rëndom me të njëjtën melodi). Kështu shpjegohet fakti që,
(sipas Leftër Çipës) vetëm fshati Pilur të kishte mbi 80 rapsodë të njohur me
krijime fine, të cilat i kanë rezistuar
periudhës kohore mbi një shekull
e ca.
ç-Evolumi
i këngës iso-polifonike, dalja në skenë,
në kohë të ndryshme e shkollave apo varianteve, “avazeve” himarjote të Neço
Mukos, Dhimitër Varfit, Lefter Çipës dhe së fundi e Kristo Çipës, kërkonte që melodia të kishte
domosdoshmërisht një tekst të nivelit të lartë artistik, që ti rezistonte kohës.
Kështu shpjegohet fakti që këtë mision e
morën në dorë poetët dhe rapsodët e ndryshëm u tërhoqën në skalionin e
dytë, duke u vënë në rolin e këshilltarit të poetëve. Kështu ndodhi në grupin e
Pilurit, ku autori i pothuaj të gjitha teksteve ishte Lefter Çipa i talentuar.
Kështu ndodhi që në Himarë, tekstet e këngëve i krijon poeti Kristo Çipa. Ose më
saktë, poezitë e tij bëhen tekste këngësh.
Ashtu,
natyrshëm, siç bëhet vajza grua.
5-Po pse
janë kaqë lehtësisht të këndueshme këto poezi,do më pyesni ju.
Po unë do
tju thoshja që, jo vetëm poezitë e
krijueve bregdetas, në tërësi dhe të Kristo Çipës në veçanti janë të
këndueshmë, por edhe të folurit e banorëve bregdetas është i këndueshëm, është
melodioz. Është më se e zakonëshme në
krahinën e Himarës që të takosh një grua plakë në rugë, e cila, pyetjes tënde
xhentile si je e si ja kalon, ti japë përgjigje me një bejte të kënduar. Kjo
ndodh se vetë e folura e gëzueshme e Himarës, e ka brenda vetes melodinë, ashtu
siç ka deti valët apo dallgët. E si të mos ndrijnë valët kur buzëqesh
deti? E si të mos gjëmojnë dallgët kur
zemërohet deti?
Kristo
Çipa e ka shpirtin si një det me këngë, prandaj dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër veçse dallgë e valë
të atij deti.