Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Shaban Dyrma - i gdhendur në kujtesën e historisë

| E diele, 07.10.2012, 04:45 PM |


SHABAN DYRMA    I GDHENDUR    KUJTESËN  E  HISTORISË

NGA PËLLUMB GORICA

Vitet ikin. Ndërmend në kujtesë janë ata që lenë gjurmë. Dhe si një libër me shumë faqe, të ndryshme nga njëra tjetra, secili ka rrezatuar vlerat, virtytet, kontributet.

Shaban Dyrma, është një ndër ata mijëra mësues të armatës së madhe, të cilët jetën ja kushtuan me devotshmëri arsimimit të brezave. U bënë vite që ai është ndarë nga jeta, njerëzit e tij të dashur, miqtë, kolegët. Jeta e tij u ndërpre në moshën 58 vjeçare. (9 dhjetor 2001) Shaban Dyrma kudo ku punoi la gjurmë, si njeri në kuptimin e plot të fjalës. Edukator, drejtues me nivel të lartë, me interesa të gjëra e ndërgjegjje të pastër. Rrezatoi dashuri, mirësi, harmoni e tolerancë. Njohës i historisë, kërkues ndaj vetes, mik i përhershëm i  librit, këmbëngulës dhe me vullnet. Këto tipare e bënë të dashur e të respektuar nga ata që u njoh dhe punuan me të. Ndaj, të shkruash për njerëz të tillë, gjithnjë është pak dhe nuk është e lehtë. Në vështrimin e rrethanave ku punoi e jetoi, Shaban Dyrma e meriton të kujtohet e nderohet.

Ai lindi në 20 shkurt të vitit 1943, në një familje të njohur të fshatit Linas të Elbasanit, mikpritëse, punëtore dhe patriote. Babai e la të vogël. U rrit mes vështirësive të shumta që kalonte Shqipëria. Njohuritë e para të dijes i mori në vendlindje. Mësues ka pasur të mirnjohurin nga Kamunahu i Elbasanit, Riza Cërrikun, normalistin e parë të krahinës së Sulovës. Shabani shquhej në mes bashkëmoshatarëve për zgjuarsi. Vazhdon shkollën 7 vjeçaren në Mollas, aty ku jepnin mësim Dilaver Shkodra, Astrit Bishqemi, Sami Domni e të tjerë mësues elbasanas. Kushtet ishin të papërshtatshme për arsimim, sepse shkolla ishte larg nga fshati i tij, Linasi dhe kishte vështirësitë të shumta, por ai e mbaron me rezultate shumë të mira me dëshirën për të vazhduar më tej. Përfiton bursë në shkollën e mesme petagogjike në Elbasan. Qytetërimi i Elbasanit, jeta konviktore, dijet e marra në  këtë shkollë të njohur në gjithë Shqipërinë për cilësinë mësimore ku jepnin mësim profesorë elbasanas të lauruar në universitetet prestigjoze të Europës, i krijuan Shaban Dyrmës mundësinë të merrte njohuri të thella, që i dhanë rezultatet e duhura në jetë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme petagogjike në Elbasan, Shaban Dyrma punoi 1 vit mësues në fshatin Mollas (Viti 1962-1963). Më pas fillon studimet në fakultetin e filozofisë, dega histori-filologji të Universitetit shtetror të Tiranës të cilin e mbaron në vitin 1967, nga ku u diplomua shkëlqyeshëm. Specializohet në gjuhët klasike (latinisht, greqishten e vjetër). Shok kursi ka pasur këngëtarin Sherif Merdani. Sapo mbaron studimet emërohet redaktor në shtëpinë Botuese “8 Nëndori” në Tiranë. Por, pa kaluar viti, për arsye të pakuptimta e largojnë nga ky institucion dhe e emërojnë mësues në qytetin e Cërrikut. Nuk kundërshtoi. Në këto rrethana, njeriu me ndershmëri e përkushtim i bën vend vetes kudo. Ishte viti 1968. Punon dy vite rresht në gjimnazin e qytetit. Nga Cërriku pas disa vitesh do të rikthehet përsëri në shkollën e  fshatit Mollas, ku dikur kishte qenë nxënës dhe mësues me dëshirën për të shërbyer më shumë për vendlindjen. Duke qënë intelektuali i parë i zonës së Mollasit iu ngarkua drejtimi i shkollës 8-vjeçare. Gjithashtu edhe inspektor i arsimit për shkollat e zonës së Mollasit. Përkushtimi i tij ndaj punës dhe vlera për të dhënë maksimumin e dijeve detyroi drejtuesit e seksionit të arsimit në Elbasan të kishin besim tek aftësitë e tij intelektuale, profesionale e zellin për punë. Dhe ndonëse i ri, e pa përvojë, punoi e drejtoi me përkushtim dhe së bashku me kolegë të tjerë me të cilët ndërtoi një vizion të qartë të arsimimit në këtë zonë, pa u stepur nga problemet e shumta e kërkesat, që në atë kohë linin shumë për të dëshiruar. U arritën që të bëheshin shumë punë të mira në këtë drejtim. Në radhë të parë për ta vënë arsimin në këtë zonë të thellë e larg qyteteve në baza të forta, për të pregatitur kushtet për hapjen për herë të parë të shkollës së mesme në Mollas. Pajisi shkollat e të gjithë fshatrave të zones së Mollasit me laboratorë e bazë të nevojshme për të zhvilluar mësimin  në kushte të mira. Ndërtoi sëbashku me kolegë e nxënës lulishtet e këndet sportive. Ngriti muzeun e zonës së Mollasit. Por mjerisht ky muze, që e ngriti ai e të tjerë me kolegë, veteranë e  pushtetarë të kohës, të kësaj zone në vitin 1972, në fillim të viteve ‘90 u shkatrrua për të zhdukur çdo gjë që ka lidhje me të kaluarën, për të lënë pa histori.  Organizoi sesionin shkencor “Arsimi në Sulovë”. Shkollat  e zonës së Mollasit tashmë ishin sistemuar në godina të reja, numri i nxënësve ishte shtuar dhe dëshira e tyre për tu arsimuar ishte e fortë. Personeli po kualifikohej. Forcoi kontrollin e disiplinën dhe arriti të linte gjurëm. Por nuk shkoi gjatë dhe nga Mollasi e dërgojnë mësues në shkollën e mesme Belësh, Dumre. Viti 1972 e gjen mësues në Cërrik në gjimnazin e qytetit. Këto transferime me  kushte e rrethana të ndryshme formuan karakterin e tij këmbëngulës për të arritur rezultate e dëshiruara në punë e jetë. Fiton dashurinë e nxënësve, kolegëve, qytetarëve. e çmonin pasi ai ishte figura e një njeriu të mirë të respektuar që përcillte tek të tjerët gjallëri në jetë, mirësi, korrektësi, drejtësi, respekt. Kaluan vite dhe emërohet nëndrejtor i shkollës së mesme ekonomiko-bujqësore në qytetin e Cërrikut. Në këtë shkollë punoi me vullnet dhe përkushtim 16 vjet rresht (1976-1992). Në drejtime institucionesh, dikasteresh, shkollash, ndërrmarrjesh të ndryshme, në këtë periudhë caktoheshin kuadro, në radhë të parë besnik ndaj idealeve të partisë. Për Shabanin bënte përjashtim kjo. Ai nuk ishte i organizuar në PPSH, por ishte i pregatitur  me aftësi organizative, i kulturuar, seroiz, i drejtë dhe i ndershëm. I takoi të punonte me kolegë të talentuar si Platon Osmani, Gëzim Malo, Kujtim Mema, Klement Tepelena, Bardhyl Dakli, Marica Strati etj. Rezultatet e kësaj shkolle në përvetsimin e programeve mësimore i tregojnë nxënësit që vijuan në shkolla të larta dhe shkëlqyen në profesionet e zgjedhura kudo ku punuan.

Vitet ’90 të shekullit të kaluar sollën ndryshime rrënjësore në Shqipëri. Shabanin e e trasferojnë në një nga shkollat 8-vjeçare të qytetit Cërrik. Vite më pas, me lëvizjen e lirë të njerzve, si shumë të tjerë erdhi familjarisht në Tiranë. Vlerat e njerëzve të zotë nga ana profesionale dhe njerzore çmohen kudo që shkojnë. Si  fillim punoi mësues në shkollën e mesme petagogjike Tiranë. Me një curriculum vitae të shkëlqyer ai emërohet në vitet 1998-2001 nëndrejtor i shkollës sportive “Loro Boriçi”.

Në jetën e përditëshme, në mardhënie me kolegët, nxënësit, miqtë, të afërmit, Shaban Dyrma u shfaq dashamirës, e i predispozuar gjithmon për t’i ndihmuar. Tepër praktikë, me urtësi e thjeshtësi. Të tillë e kujtojnë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. E karakrizonte edhe një humor i këndshëm e i hollë, që mbante gjallë bisedat e ndryshme. Këto momente ishin të shumta, kur e gjeje të rrethuar edhe më të mëdhenjë nga mosha e tij. Ai ruante nostalgji për traditat e bukura e karakteristike të vendlindjes. I interesuar për çdo gjë të mirë  dhe të keqe nga jeta e të afërmëve dhe vendlindjes së tij, do t’i respektonte gjithmon në mënyrë të sinqertë. Madhështia e mësuesit Shaban Dyrma, është gdhendur në kujtesën e historisë si njeri me virtyte, kulturë e dije profesionale. Ajo spikat pas kaq vitesh, që është ndarë nga jeta, në cilësitë që kultivon familja e tij.