| E diele, 30.09.2012, 10:56 AM |
V ë sh t r i m
Nga
edicioni i Parë i Festivalit Botëror të Karikaturës që u mbajt në Kosovë
KARIKATURA E BOTËS NË PEJË...!
Ky
Festival është një rast i mirë për afirmimin e vlerave artistike kombëtare edhe
në botë, andaj, do të ishte madhështi por edhe mbase nevojë që ky qytet në të ardhmen
të bëhet qendra botërore e artit të kulturës së karikaturës.
Çmimi më i lartë “Përtej” i takoi krijuesit-karikaturistit, Agim Sulaj nga Tirana, por i cili jeton dhe vepron në Itali. Ndërsa, me Çmimin kryesor “Kosova Award” u nderua karikaturisti nga Kuba, Aristides E. Hernandez Guerro-Ares.
Nga Sejdi
BERISHA
Nexhat Krasniqi-Nekra së bashku me disa nga krijuesit pas hapjes së Festivalit Botëror të Karikaturës në Pejë
Tani e sa
vite në Kosovë, respektivisht në Prishtinë, më saktësisht, në vitet e 80-ta të shekullit
kaluar, janë hedhur idetë dhe iniciativa për zhvillimin e vlerave nga fusha e
karikaturës, dhe se në këtë aspekt kanë qenë realizuar disa manifestime, që këtë
sferë të artit dhe të kulturës ta nxjerrin nga anonimiteti. Një gjë të tillë e
ka synuar krijuesi ynë i artit, Nexhat Krasniqi-Nekra, i cili krahas afirmimit
të bashkëkohësisë së vlerave të dizajnit, është angazhuar dhe deri diku ia ka
arritur për të aktualizuar rëndësinë e vlerave, të mesazhit dhe gjuhës së karikaturës,
e cila tek ne nuk ka qenë por edhe sot nuk është sa e si duhet e afirmuar, por
edhe as e përkrahur. Konkurset e mëparshme, respektivisht
të viteve të kaluara për karikaturën më të mirë, dukshëm kanë sensibilizuar çështjen
e rëndësisë, se me disa vija apo me një vizatim “bizar”, mund të “thuhet shumë”,
bile ndonjëherë më shumë se një roman i tërë.
Dhe në këtë
aspekt, edhe pse jo shumë me pompozitet, deri me tash është punuar dukshëm për
afirmimin e krijuesve-karikaturistë, të cilët nuk janë të pakët as në Kosovë
Karikaturë e Rainer Ehrt - Gjermani
dhe as në Shqipëri, por edhe as në trojet tjera shqiptare. Këtë aferim mund t’ia atribuojmë Nexhat Krasniqit-Nekra, respektivisht, Studios “NEKRA”, i cili ishte edhe iniciator për organizimin e një festivali ndërkombëtar të karikaturës, ku do të prezantoheshin vlerat krijuese nga kjo fushë, duke marrë pjesë karikaturistët nga të gjitha anët e botës, e përmes cilës gjë do të afirmohej karikatura si fenomen artistik, por edhe do të këmbeheshin përvojat e karikaturistëve të shumë shteteve anë e këndë botës.
Me punimet e tyre prezantuan karikaturistë nga afro tridhjetë shtete të botës
Dhe, ja. Një gjë e tillë u bë realitet. Në Pejë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Studion “Nekra”, në Galerinë e arteve të Shtëpisë së Kulturës organizoi Festivalin Botëror të Karikaturës, në të cilin me veprat e tyre morën pjesë karikaturistët nga afro tridhjetë shtete të botës, e që u realizua edhe në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Karikaturë e Faik Krasniqit – Kosovë
Në këtë eveniment të rrallë të këtij lloji, u prezantuan karikatura të cilat trajtojnë dhe vënë në spikamë tema nga më të ndryshmet e deri tek ato që thumbojnë dukuritë dhe dobësitë e shoqërive dhe të asociacioneve të ndryshme shtetërore nga të gjitha fushat dhe nga rrjedhat e ndryshme politike aktuale dhe rrjedha të tjera. Këtu edhe qëndronte pesha e kësaj feste të thumbimit dhe të përqeshjes e të të kritikuarit, që sensibilizojnë qasjen e luftimit të dukurive negative, por edhe të rrjedhave të përgjithshme, që ndonjëherë sjellin edhe telashe në shoqëri kur trajtohen përmes karikaturës dhe thumbimit e përmes satirës, por që, edhe me aktualizimin e tillë, shpeshherë edhe zgjidhen problemet më jetike në shoqëri.
Karikaturë e Antonio Mongiello-Napo: Francë
Ndoshta
edhe është hera e parë tek kombi ynë që organizohet një manifestim i kësaj
natyre e me karakter botëror, që do të thotë se në këtë formë afirmohet edhe
kombi por edhe i tërë vendi kudo, e në këtë rast në tridhjetë vende të botës,
si në: Gjermani, Luksemburg, Turqi, Rusi, Belgjikë, Ukrainë, Francë, Izrael,
Itali, Azerbejxhan, Indi, Bullgari, Greqi, Rumani, Angli, Poloni, Maqedoni,
Iran, Spanjë, Kubë, Argjentinë, Danimarkë, Çeki, Egjipt, Brazil, dhe po se po
edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Andaj, vet fakti se nga këto shtete kanë prezantuar
me karikaturat e tyre krijuesit e kësaj fushe, dëshmon më së miri pesha dhe rëndësia
e këtij festivali, jo vetëm për kah numri, por edhe për kah temat e trajtuara,
mënyra e të shtruarit të mesazhit dhe të metaforës.
Dhe, nëse
analizojmë veprat e prezantuara, me të vërtetë këtu do ta kemi një sublimë të pashembullt
të vlerave krijuese dhe kulturore përmes karikaturës. Fjala vjen, tek
karikatura që na vjen nga Brazili, vërejmë një vepër e cila sjellë një pasqyrë të
zhvillimit shoqëror që ka për synim ecjen përmes “nebulozës” që njeriu të “errësohet”
dhe të sundohet më lehtë. Ndërkaq, Agim Sulaj, përmes karikaturës së vetë na
sjellë njeriun i cili rrugëtimin e vetë sikur e ka as në tokë dhe as në qiell,
mesazh ky i cili e ka gjuhën një rrëfimi të gjatë njerëzor. Kurse,
karikaturisti Modkegar nga India, ka vënë në spikamë “peshën” e dekoratave dhe
të mirënjohjeve gjatë luftërave, të cilat ngelin vetëm si “dekor” i mykur nëpër
vite! Pastaj, Amorim nga Brazili, na sjellë një realitet tjetër nga lufta: nga
shumë arkivole apo varreza, eshtrat nuk prehen të qetë, por edhe aty ka “eksploziv”!
Karikaturë e Arben Meksit – Shqipëri
Karikaturisti,
H. B. Omann nga Danimarka, temën e luftës e “stolisë” me një zog, i cili bombën
e varur në një rrjetë, përpiqet, bile nëse nuk mund ta shndërrojë në çerdhe të vërtetë.
Ose, së paku ta shprehë si apel për qetësi dhe rehati, të cilën gjë gjithmonë e
simbolizon strofulli apo çerdhja. Në vazhdën e temave të prezantuara përmes
karikaturës, vlen komentuar edhe karikaturën e Rainer Ehrt nga Gjermania, që prezanton
një struc i cili mbanë kokën lartë, por në të njëjtën kohë edhe habitet se si përreth
tij njerëzit i fusin kokat në rërë! Është kjo një alegori e cila flet shumë për
të gjitha situatat, qoftë në paqe apo edhe në rrjedhat e vështira të shoqërisë.
Andaj, nuk është e rastit kur gjithnjë thuhet se karikatura ka mesazh të fortë dhe
me peshë shumëdimensionale.
Karikaturë e Samir Bërlajollit – Kosovë
Burgu,
edhe në karikaturë i ka specifikat e veta, dhe se ai prezantohet në forma e mënyra
të ndryshme. Këtë, më së miri na prezanton në këtë festival-ekspozitë botërore,
karikaturisti nga Anglia, Ross Tompson. Kurse, në karikaturën e Faik Krasniqit,
qenit nuk i bën përshtypje pema dhe kurora e saj madhështore, por pa hezitim
ngritë këmbën dhe ia “lagë” trungun afër rrënjëve! Nuk mungon edhe tema gjithëpërfshirëse,
ku përmes kuçedrës prezantohen terrorizmi, korrupsioni, keqpërdorimet tjera që e
rrënojnë shoqërinë, të cilën e ka prezantuar karikaturisti Antonio Mongiello-Napo
nga Franca. Kurse, Arben Meksi na spikatë “mashtrimin” se për ta “ligështuar” shtyllën
me të cilën forcohet të themi kushtimit shtëpia, duhet përdorur si “kopili” edhe
gilicatjen e këmbëve, për t’i liruar duart nga mbajtja e shtyllës...!
Karikaturë e Pol Leur – Luksenburg
Një temë që
është aktuale për rrethanat e Kosovës, është edhe karikatura e Samir Bërlajollit,
i cili na prezanton Kosovën si një fëmijë që fillon të ecën me krenari, por që përreth
ka shumë faktorë që e përcjellin “rritën” por që edhe mund t’i shkaktojnë probleme.
Kurse, për jetuar nuk është lehtë, siç nuk është lehtë edhe për ta ndërtuar shtëpinë
dhe për ta ruajtur kulmin mbi kokë. Këtë temë, sikur mirë dhe me kuptim satirik
na sjellë me karikaturën e vetë, Musa Gumus nga Turqia, në të cilën ka
paraqitur ironinë e jetës: mbi çati të shtëpisë, me lopatë, s’ka me çfarë tjetër,
e asgjëson bombën e cila ka marrë drejtimin për në shtëpinë e tij. Edhe kjo, ka
shumë komente që “derdhen” dhe fliten kudo në mënyrën e vetë...
Karikatura
e Musa Gumus - Turqi
Ndërsa,
nga Luksemburgu, Pol Leurs, na sjellë një karikaturë me një temë bizare, e cila
është prezent kudo, e që kështu mund të jetë edhe tek ne: në dhomën e spitalit
shpeshherë ndodhin “mahi të pakripë”, kurse ndodhitë tjera janë edhe atëherë kur
nuk besohet apo nuk kihet dëshirë për të besuar se njeriu ka “ikur”. Kujtoj, se
kjo karikaturë veç tjerash reflekton edhe madhështinë shpirtërore dhe
intelektuale në shoqëri.
Peja në të ardhmen le të bëhet qendra botërore e artit të karikaturës...
Në Festivalin
Botëror të Karikaturës, i cili u mbajt në Pejë, me qëllim të stimulimit krijues
në këtë fushë të vlerave artistike dhe kulturore, u ndanë edhe çmimet për
prezantimet më të suksesshme të karikaturës. Çmimi më i lartë “Përtej” i takoi
krijuesit-karikaturistit, Agim Sulaj nga Tirana, por i cili jeton dhe vepron në
Itali. Ndërsa, me Çmimin kryesor “Kosova Award” u nderua karikaturisti nga
Kuba, Aristides E. Hernandez Guerro-Ares.
Karikatura e Ross Tompson – Angli
Vlen për
të theksuar se Festivali Botëror i Karikaturës, i cili u mbajt para disa ditësh
(21 shtator 2012) në Pejë, është edhe një begati që i rritë vlerat shpirtërore
dhe kulturore të këtij qyteti, por edhe të tërë Kosovës dhe Shqipërisë, dhe është
një rast i mirë për afirmimin e vlerave artistike kombëtare edhe në botë,
andaj, do të ishte madhështi por edhe mbase nevojë që ky qytet në të ardhmen të
bëhet qendra botërore e artit të karikaturës.