E shtune, 28.12.2024, 09:59 AM (GMT)

Mendime

Blerim Ramadani: Detyra dhe leksione nga Brukseli

E shtune, 15.09.2012, 04:55 PM


Detyra dhe leksione nga Brukseli

Nga Blerim RAMADANI*

Është bërë tash më traditë e njohur në vend, që sadoherë që na shfaqet ndonjë problem i brendshëm, qoftë politik, ekonomik apo institucional, qeveritarët tanë dhe fytyra të njohura politike i’a mësyjnë menjëherë Brukselit, si tryezë për vajtimin e halleve para evropianëve edhe pse nuk duan ta kuptojnë se të njejtët me vetëdije i kanë prodhuar këto produkte me ambalazhin “Made in Macedonia”.

Vizita e Presidentit Ivanov në Bruksel

E tillë dhe groteske ishte vizita e Kryetarit të shtetit Gjroge Ivanov në Bruksel, duke bërë vizita të njëpasnjëshme me funksionar të UE-së, Komisionerin për Zgjerim-Stefan Fyle, Kryetarin e Komisionit Evropian-Hose M. Barroso dhe Kryetarin e Këshillit Evropian-Herman Van Rompuj. Në botën politike, si dhe në opinionin publik, u krijua bindja se kreu i shtetit kishte udhëtuar në zyrat e Unionit Evropian për të diskutuar dhe ndarë mendime me krerët evropian për gjendjen e vështirë politike në vend, e krijuar me prishjen e mardhënieve ndër-etnike, gjë që do të ishte e logjikshme në situata të tilla. Mirëpo, kjo nuk ndodhi! Presidenti gjatë takimimeve që mbajti dhe bisedave me përfaqësuesit e institucioneve të UE-së, shfrytëzoi rastin që të hap çështjen e problemit të emrit me fqinjin jugor, duke i kërkuar që vetë personalisht z. Rompuj të inkuadrohet në zgjidhjen e të njejtit. Gjë që ishte e papritshme për analistët, por jo edhe për funksionarët e Unionit, të cilët ishin në një vijë paralele duke rikujtuar Presidentin e shtetit, se stabiliteti i brendshëm-raportet ndër-etnike, shprehja e lirë dhe reforma zgjedhore janë ato të cilat paraqesin shqetësim kryesor për Brukselin.

Deklaratat e krerëve të Unionit Evropian

Duke i’u referuar deklaratave zyrtare të Unionit, rreth takimit të zhvilluar, ato rikujtuan Presidentin tonë se Maqedonia duhet, dhe akoma ka obligime të pakryera në pjesën e mardhënieve ndër-etnike, në fushën e shprehjes së lirë dhe reformën zgjedhore. Gjithashtu stabiliteti i brendshëm dhe pajtimi për Unionin mbesin segmente kryesore në Maqedoni. Për këtë arsye, Unioni Evropian pret që sa më shpejtë të implementohet Marrëveshja kornizë e Ohrit e vitit 2001, dhe mbështet plotësisht shpirtin e kornizës, e cila është dhe mbetet element thelbësor i demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend, do të nënvizonte në fund Rompuj, për atë së çka pret prej nesh deri në fund të vitit. Deklaratat zyrtare të krerëve evropian janë dëshmi e qartë se për Unionin nuk është më në agjendë të parë zgjidhja e emrit kushtetues, por më shumë është e brengosur për çështjet e brendshme politike dhe ndër-etnike. Insitucionet e Unionit Evropian, tash më e kanë bërë të qartë se, data për fillimin e bisedimeve me Unionin është problem bilateral, dhe ai duhet të zgjidhet në mes Shkupit dhe Athinës zyrtare, dhe për UE-në, kjo temë diskutimi i përket së kaluarës.

Pse UE-ja shqetësohet për marëdhëniet ndër-etnike!?

Ndërtimi i besimit ndërmjet grupeve etnike mbetet kusht për një zhvillim të vazhdueshëm, deri sa përpjekjet shtesë për nxitjen e ndjenjave të përgjegjësisë për procesin dhe afrimin e bashkësive është e një rëndësie kyqe. Ajo, që i tangon më shumë zyrtarët e Brukselit është rritja e vazhdueshme e tensioneve ndër-etnike në vend, gjatë viteve të fundit, pikërisht nën qeverisjen dhe mandatin e partisë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE. Tash më është bërë traditë dhe zakon, që të gjitha partitë maqedonase në fund të mandatit gjithmonë e tregojnë fytyrën e vërtetë nacionaliste dhe anti-shqiptare. Incidentet e fundit nuk duken se janë të rastit, por janë vazhdim i “agjendave” të nisura shumë më herët. Të mos harrojmë, enciklopedinë “e famëshme” maqedonase, e cila u botua nga Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë, që shqiptarët i paraqiste si ardhacakë, të zbritur nga mali (malësor) në shekullin e XVI dhe e njejta vazhdoi me projektin urbanistik “Shkupi 2014” i cili favorizonte figura të personaliteteve historike të Maqedonisë, por në të nuk parashihej asnjë objekt që simbolizonte historinë apo kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo i provokoi rëndë shqiptarët duke krijuar tensione të mëdha dhe të pariparueshme ndër-etnike. Ndërtimi i kishës-muze në Kale të Shkupit solli deri te konflikti i dhunshëm ndërmjet dy grupeve më të mëdha etnike në vend, maqedonasit dhe shqiptarët. Apo aksioni i policisë “Monstra” i cili ende mbetet i dyshimtë dhe i paqartë. Por këto incidente të kaluara sikur nuk ishin të mjaftueshme! Ishte pikërisht Qeveria e VMRO-së, e cila futi në procedurë parlamentare të ashtuquajturin “Ligj i branitellave”, i cili ligj kënaqte interesat e ushtarëve maqedonas të përfshirë në konflikt, dhe i njejti përbuzte ish-ushtarët e U?K-së, me çka hapi tension të madh në vend dhe më gjërë. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse treshja e UE-së, insistonte në përmirësimin e mardhënieve ndër-etnike.

Liria e shprehjes dhe reforma zgjedhore

Komisioni Evropian, vazhdimisht shpreh shqetësim në Raportet e tij vjetore për Maqedoninë, rreth përmbushjes së kërkesave politike. Pronësia e mediumeve mbetet e paqartë dhe me bindje të forta politike. Sipas Komisionit, Qeveria është një prej reklamuesve më të mëdhenj në vend dhe kjo paraqet dyshime, përshkak se mjetet janë të parapara për ato kanale televizive që e përkrahin Qeverinë. Disa kanale televizive janë donatorë kryesor të partive politike. Mbyllja e disa kanaleve dhe gazetave të cilat janë kritike ndaj Qeverisë u mbyllën. Redaktorët dhe gazetarët të cilët janë kritik ndaj poltikave qeveritare, hasin presion politik dhe frikësim  të vazhdueshëm, dhe e njejta përkrah publikisht dhe institucionalisht gazetarë të paprofesionalizuar, të tipit Llatas-Nedelkovski, të cilët nxisin vazhdimisht urrejtje dhe tensione ndër-etnike. Shpifja akoma nuk është dekriminalizuar, ndërsa dënimet sipas ligjit janë dënime në të holla ose me burgim. Nëse i’u referohemi statistikave të organizatave botërore rreth lirisë së shprehjes, Maqedonia ka regjistruar rënie të vazhdueshme në këto vitet e fundit. Sa i përket reformës zgjedhore jo-rastësisht u përmend në takimin e presidentit Ivanov në Bruksel. Komisioni shpreh dyshime rreth listës zgjedhore të cilës nuk i është bërë revizion thelbësor. Lista përmban më shumë se 1.8 milion votues për një popullatë prej 2,05 milion dhe kjo paraqet dyshime dhe shqetësim për manipulime të ndryshme me votuesit. Pikërisht këto janë disa prej kërkesave politike të cilat Unioni me ngulm i kërkon që të përmbushen deri në fund të vitit, kërkesa të cilat qeveria shpeshëherë është zotuar se do ti përmbush.

*Autori është Kryetar i Qendrës për Demokraci dhe Vlera Europiane dhe pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora