| E marte, 14.08.2012, 08:19 PM |
Në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
A KA
PASUR VËRTETË MARRËVESHJE ZOGU-PASHIQ
PËR SHËN-NAUMIN?
Nga Adil Fetahu
* Askush
nuk e ka parë origjinalin e marrëveshjes
* Forin-Ofissi
anglez thoshte se kjo është propagandë serbe
* Nëse edhe ka ekzistuar, ajo nuk ka qenë bazë që Shën-Naumi i mbeti Jugosllavisë
Dilema nëse ka pasur ose jo marrëveshje?
Historia
dhe gjeografia e Shqiptarëve dhe e
Shqipërisë është histori dhe gjeografi e copëtimit, grabitjes, rrudhjes dhe tkurrjes së
dhembshme nga të gjitha anët, nga fqinjët e pangopur, por edhe nga fuqitë e mëdha,
të cilat, përveç Amerikës, asnjëherë nuk i mbrojtën interesat legjitime të
Shqiptarëve. Copëtimi dhe tkurrja është bërë edhe me fajin e përçarjes dhe tradhtisë së vet shqiptarëve (kujtonie
Esat-pashë Toptanin, por nuk ishte vetëm ai).
Shumë
pluhur është ngritur rreth një marrëveshje të fshehtë midis Mbretit të Shqiptarëve, Zogu
I, dhe kryetarit të Qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (Nikolla
Pashiq), për kinse faljen e Shën Naumit Jugosllavisë. Pretendohet se
“Marrëveshja” është nënshkruar në gusht 1924, kur Ahmet Zogu ishte në ekzil në
Beograd, kurse Nikolla Pashiqi asokohe nuk ishte kryeministër as ministër,
sepse për shkak të mospajtimeve politike, kishte dhënë dorëheqje më 16 korrik
1924, ndërsa në pozitë të kryeministrit ishte kthyer më 6 nëntor 1924. Historiografia shqiptare akoma nuk ka mund ta
vërtetojë me siguri të plotë ekzistimin e asaj marrëveshje, as nuk e ka në
dispozicion tekstin autentik (origjinalin e nënshkruar apo të ratifikuar).
Ndërkaq, historiografia serbe as që e përmend ekzistimin e asaj marrëveshje,
veçse në mënyrë të tërthortë pohon se ka ekzistuar një premtim i Zogut që Shën-Naumin
të mos ia kërkojë Jugosllavisë.
Nëse është e vërtetë se ka ekzistuar ajo marrëveshje, sikur flitet e shkruhet për te, ajo nuk ishte vetëm për Shën-Naumin (pika 10), veçse të gjitha (15) pikat e tjera të marrëveshjes së pretenduar ishin më të rënda për subjektivitetin dhe integritetin shtetëror të Shqipërisë, por që fatmirësisht asnjë prej tyre nuk u zbatuan kurrë në praktikë. Nga aspekti juridik, marrëveshja edhe sikur të ishte nënshkruar nga Zogu e Pashiqi, nuk do ishte e vlefshme, sepse nuk ishin persona të autorizuar: Zogu ishte në egzil, kurse Pashiqi asokohe (gusht 1924) nuk ishte ne asnjë funksion shtetëror.
Si i mbeti Shën-Naumi Jugosllavisë?
Lufta e
Parë Ballkanike formalisht përfundoi me Marrëveshjen e Paqes, që u nënshkrua në
Londër, më 30 maj 1913, nga ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të Evropës
(Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria, Italia dhe Rusia). Një
nga pikat e Marrëveshjes ka qenë vendimi për
njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur më 28 nëntor 1912, në
kufijtë e përvijuar sipas hartës së Shtatmadhorisë Austriake. Mbetej që kufijtë
në terren të caktohen më vonë. Sipas Marrëveshjes së Paqes, fuqitë e mëdha e
kishin të drejtën për t’i caktuar kufijtë e Shqipërisë së pavarur. Serbia, Mali
Zi, Greqia dhe Italia nuk hiqnin dorë
nga tokat shqiptare të cilat i kishin pushtuar. Synimet e Serbisë ishin që të
siguronte daljen në Adriatik, por edhe të mbante sa më shumë territore të
Shqipërisë. Në këto synime e kishte përkrahjen e Francës dhe të Rusisë.
Ndërkaq, Austrohungaria ishte e interesuar të mos i lejonte Serbisë daljen në
det, dhe e kishte përgatitur elaboratin për caktimin e kufijve të Shqipërisë,
me të cilin kishte paraparë përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë Pejën, Prizrenin,
Ohrin, Gjakovën, Dibrën, Korçën dhe Janinën. Italia propozonte që Shkodra dhe
Lezha me rrethinat t’i mbeteshin Malit të Zi, duke pretenduar që kjo të ishte
njëfar kompensimi për Zarën dhe Rijekën, të cilat i synonte për vete. Qeveria e
Serbisë bashkë me atë të Malit të Zi propozonin të merrnin pjesët lindore dhe veriore të Shqipërisë deri
te gjiri i Vlorës, ashtu që brenda Serbisë të mbeteshin Ohri,
Dibra, Prizreni, Peja, Gjakova e Deçani, kurse Malit të Zi: Shkodra e Lezha,
ndërsa Greqisë t’i jepej jugu i Shqipërisë me Korçën, Janinën dhe Gjirokastrën.
Rusia dhe Franca kishin propozuar që kufiri midis Jugosllavisë e Shqipërisë të
shkonte me Drinin dhe Drinin e Zi, prej Ohrit deri në Delvinë në Adriatik, ndërsa
Gjirokastra t’i mbetej Shqipërisë, kurse Korça t’i jepej Greqisë.
Kontesti
i pikëpamjeve të ndryshme për kufijtë e Shqipërisë u mbyll me Protokollin e
Londrës (10 prill, dhe 11 gusht 1913), duke caktuar që nga veriu kufiri të
shkonte nëpër lumin Buna deri në Liqenin e Shkodrës, për t’i lënë Shkodrën,
Taraboshin e Lezhën Shqipërisë, ndërsa Plava, Gucia, Peja, Deçani, Gjakova,
Prizreni, Dibra dhe Ohri mbeteshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Me qenë se
Protokolli i kishte caktuar kufijtë në bazë të hartave, për të trasuar kufijtë në terren u
caktuan dy komisione ndërkombëtare: njëri komision për caktimin e kufijve midis
Greqisë e Shqipërisë, ndërsa tjetri midis Serbisë dhe Malit të Zi e Shqipërisë.
Komisioni për caktimin kufirit jugor, midis Shqipërisë e Greqisë, kreu punën e
vet vitin 1913, ndërsa Komisioni për trasimin e kufirit midis Shqipërisë e
Serbisë dhe Malit Zi, nuk arriti ta trasojë kufirin, për shkak të pretendimeve
serbo-malazeze dhe shpërthimit të luftës më 1913, ashtu që mbeti të caktohej
pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ngjarjet e njohura që rrodhën
pastaj deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore e tronditën Shqipërinë akoma
pa u konsolidua kurrëfar pushteti. Serbia dhe Mali Zi nuk i lëshonin tokat e pushtuara.
Me qenë
se kufijtë e Shqipërisë me Serbinë dhe Malin e Zi nuk ishin caktuar në terren
para Luftës së Parë Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), u
debatua se a duhet pranuar sovranitetin e Shqipërisë dhe në cilët kufij.
Serbia, e përkrahur nga Franca dhe Rusia, kërkonte revidimin në favor të vet të
kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve (1913). Qeveria e Shqipërisë
(Durrësit) kërkonte nga Konferenca e Paqes që Kosova dhe Maqedonia Perëndimore
t’i bashkohen Shqipërisë. Kongresi Kombëtar i Lushnjes (1920), kur u rrëzua
Qeveria e Durrësit, i dërgoi Konferencës së Paqes notë protestuese kundër
aneksimeve dhe copëtimit të Shqipërisë, dhe kërkonte formimin e shtetit të
pavarur shqiptar në kufijtë e saj etnik dhe natyror.
Më 17
dhjetor 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Kuvendi i Lidhjes së
Kombeve (më 2 tetor 1921), vendosi që
Konferenca e Ambasadorëve t’i caktojë kufijtë e Shqipërisë. Konferenca e
Ambasadorëve (më 9 nëntor 1921) vendosi se kufijtë e Shqipërisë janë ata që i kishte
caktuar Konferenca e Londrës (1913), me disa korrigjime sipas të cilave
Jugosllavisë i jepeshin rrethi i Hasit dhe Gorës. Vendimin e Konferencës së
Ambasadorëve për kufijtë e Shqipërisë duhet ta zbatonte në terren Komisioni për
përcaktimin e kufirit, me në krye komisarin italian, gjeneral Telini. Gjatë
punës së vet, Komisioni hasi në dy çështje më kontestuese: Manastiri i Shën
Naumit dhe Lugina e Vermoshit. Komisioni më në funt (më 6 dhjetor 1922), vendosi që Manastiri i Shën-Naumit
dhe Lugina e Vermoshit të mbeten brenda kufirit të Shqipërisë. Serbia e
kundërshtoi këtë vendim, duke potencuar dilemën në interpretimin e vendimit të
Konferencës së Ambasadorëve, ku ishte thënë se “kufiri në jug fillon në breg
të Liqenit të Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhdë dhe katundit
shqiptaro-musliman Lin, dhe vazhdon deri
në Shën-Naum”. Fjala “deri në
Shën-Naum” lente dilema interpretimi, se a po i mbetet manastiri Sh.N.
Shqipërisë, apo Serbisë. Çështja e Shën-Naumit u stërzgjat, dhe më në funt (më 17
qershor 1924) Këshilli i Lidhjes së Kombeve (sikur tash: Këshilli i Sigurimit i
OKB-së), ia dërgoi Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë,
për të dhënë mendimin. Gjykata më 4 shtator 1924 dha interpretimin e vet, se
Shën-Naumi i takonte Shqipërisë. Nga aspekti juridik-ndërkombëtar, vendimet e
Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), dhe të Konferencës së
Ambasadorëve në Paris (1921) ishin meritore për caktimin e kufijve. Këtë e
kishte konfirmuar edhe Gjykata e Hagës. Serbia gjithnjë i kundërshtonte ato
vendime dhe kërkonte revidimin e kufirit, duke këmbëngulur se Shën-Naumin nuk
do ta lëshonte dhe se do ta mbronte me të gjitha mjetet. Kërkesat e Serbisë i
përkrahte Franca në Konferencën e Ambasadorëve në Paris.
Pas
kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, në dhjetor 1924, me ndihmën e Serbisë, në
janar të vitit 1925 me iniciativën e Qeverisë së Mbretërisë
Serbo-Kroato-Sllovene u zhvilluan në Tiranë negociata diplomatike të
drejtpërdrejta midis dy shteteve, për zgjidhjen e çështjes së kufirit.
Konferenca e Ambasadorëve e mirëpriti dhe sugjeroi të gjenin marrëveshje. Në
emër të qeverive të dy vendeve, negociatat i zhvillonin Myfit Libohova,
ministër i jashtëm i Shqipërisë, dhe Aleksandar Cincar-Markoviq, ambasador i
Mbretërisë S-K-S në Tiranë. Për shkak të
pretendimeve dhe pikëpamjeve të kundërta, në ato negociata nuk u arrit
kurrëfar marrëveshje. Sepse, pala serbe për Shën-Naumin ofronte si kompensim
toka shqiptare, të cilat i mbante të pushtuara. Për të ndihmuar negociatat e
drejtpërdrejta, Konferenca e Ambasadorëve më 20 prill 1925 e ftoi në Paris
Komisionin e kufirit, për të udhëhequr bisedimet midis dy palëve të
interesuara. Me qenë se as pas tre muaj negociatash palët nuk arritën
marrëveshje, atëherë Konferenca e Ambasadorëve më 6 gusht 1925 mori një vendim
arbitrazhi, të cilin ua dërgoi qeverive të dy vendeve, për të dhënë pëlqimin pa
kurrëfar rezerve. Sipas atij vendimi, Shën Naumi i jepej Jugosllavisë (MSKS),
ndërsa Shqipërisë si kompensim i jepej fshati Peshkopia me rrethinë në jug të
Liqenit të Ohrit, dhe Lugina e Vermoshit në veri.Qeveria e Serbisë menjëherë u
pajtua me këtë vendim, ndërsa Qeveria e Shqipërisë vendimin e dërgoi për
miratim në Parlament. Pasi Parlamenti i Shqipërisë e miratoi propozim-vendimin
e Arbitrazhit, më 15 tetor 1925 e njoftoi Konferencën se e pranon vendimin për
kufirin. Në bazë të atij vendimi, Komisioni i kufirit e kreu punën në caktimin
e kufirit në terren, e përpiloi hartën e kufirit dhe protokollin e marrëveshjes
përfundimtare, të cilat u nënshkruan në Firencë më 26 korrik, dhe në Paris më
30 korrik 1926.
Në vija
të trasha këtë ecuri të caktimit të kufirit e shpjegon Mehdi Frashëri, i cili
ka qenë përfaqësues (komisar) i Qeverisë së Shqipërisë në Komisionin e kufijve,
dhe ai e ka ditur më së miri se si kishte mbetur Shën Naumi Jugosllavisë. Ai
thoshte se “me cedimin e një kishe Shqipëria merrte një katund; katundin
Peshkopi nga ana e Pogradecit në rrezen e Malit të Thatë, dhe tokat e tri
katundeve: Tushemisht, Podgoriçan dhe Halamja, me të cilat kufiri jugosllav
largohej 13 kilometra nga rruga Korçë –
Pogradec, gjë që paraqet. një siguri për qarkullim përgjatë asaj rruge.
Lënien e Shën-Naumit Jugosllavisë e shfrytëzonin për qëllimet e tyre kundërshtarët politik të Zogut, brënda dhe jashtë vendit, duke e quajtur tradhti. Dhe këto reagime Mehdi Frashëri i quante: “Tundej mali, për një mi”! Lënia e Shën-Naumit jashtë kufirit të Shqipërisë, për shkaqe fetare kishte shkaktuar edhe pakënaqësi të ortodoksëve të Korçës.
Ahmet Zogu ka vend të merituar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
Pa marrë
parasysh nëse ka pasur një premtim-marrëveshje midis Ahmet Zogut e Nikolla
Pashiqit për Shën-Naumin, sikur del nga ecuria e caktimit të kufijve të
Shqipërisë, shihet se ajo nuk ka shërbyer si bazë për lënien e Shën-Naumit
Jugosllavisë, por në këtë kanë ndikuar rrethanat në të cilat ishte Shqipëria asokohe,
dhe vendimet e fuqive të mëdha. Nga ana tjetër, me kompensimin e tokave që janë
marrë në këmbim me kishën, Shqipëria ishte në dobi strategjike për sigurinë e
qarkullimit në rrugën Korçë – Pogradec.
Dyshimet
për tradhti, përveç motivit të propagandës së kundërshtarëve politik, mund të
jenë edhe nga mosinformimi i opinionit dhe duke pasur parasysh qëndrimin e
Zogut në Beograd gjatë azilit, dhe ndihmës së Serbisë për kthimin e tij në
pushtet. Por, duhet pasur parasysh se kthimin e tij në pushtet, përveç Serbisë
e kanë ndihmuar edhe fuqitë e mëdha, të cilat asnjëherë nuk e njohën qeverinë e
Nolit, nga frika se po e sjell komunizmin rus në Shqipëri. Ahmet Zogu, sapo u
stabilizua në pushtet, ia ktheu shpinën Serbisë, dhe një kohë i shkëputi
krejtësisht marrëdhëniet me te, e u kthyer kah Italia dhe Perendimi si partnerë
strategjikë për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit. Në kohën e Zogut
(1925) në Shqipëri kishte katër linja të brendshme ajërore, të cilat i
realizonte një kompani gjermani; njëra ndër ato linja ishte edhe Tiranë –
Korçë.
Përndryshe,
Ahmet Zogu ishte themeluesi i shtetit shqiptar modern, demokratik dhe stabil,
me kushtetutë dhe legjislacion të përparuar në shembujt e Perëndimit. Shqipëria
vërtetë e shpalli pavarësinë më 1912, por shtet sovran u bë vetëm në kohën e
sundimt të Zogut. Edhepse Noli e kishte rrëzuar me grushtet dhe gjithnjë shkroi
e veproi kundër Zogut, por jo kundër Shqipërisë, Zogu jo se nuk e trazoi Nolin, por i dha edhe
pension të përjetshëm. Edhepse ka pasur ambicie dhe tentim për ta rrëzuar Enver
Hoxhën, Zogu nuk e ofendonte as Enver Hoxhën, por thoshte se po udhëheqë sistem
të gabuar politik dhe ekonomik. Nëse krahasohet dinjiteti i Zogut me dinjitetin
e liderëve të sotëm shqiptar, ai qëndron lart mbi si toka e hëna.
Prandaj, me gjithë gabimet e bëra e të pabëra por të mveshura nga propaganda e brendshme ose e jashtme, Ahmet Zogu, Zogu I, mbreti i shqiptarëve, e ka vendin e merituar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.