| E shtune, 21.07.2012, 05:32 PM |
Në kujtim
të poetit Ali Podrimja
POEZIA: PËRMASA, SHENJA DHE KUFIJ
Nga Begzad Baliu
Ideja që dua
të reflektoj këtu fillon me fëmijërinë time të hershme, kur më parë se sa të lexoja
prozën apo poezinë lirike, dëgjoja vargjet epike të babait, në të cilat kishte
shumë heronj mitesh e legjendash, por më duket më shumë heronj historikë. Deri
sa me heronjtë sikur isha mësuar, më shumë më bënin përshtypje vendet: toponimet
dhe ojkonimet e tyre.
Përbërësit
e parë ishin krahina, krajli, lugje, bjeshkë zanash, lëndina, ishin vende ku
fshiheshin, luftonin apo vdisnin heronjtë e këngëve të babait dhe në vetvete
shprehnin botën e pakapshme të narratorit popullor, kufijtë sa të afërt po kaq
të largët të tyre etj., ndërsa përbërësit e dytë të këtyre këngëve, si: Miskovin
(Moskva), Bagdadin, Berlinin, Stamollën (Stambolli) etj., i identifikoja në librat
e historisë, vit pas viti.
Cilët
ishin këta heronj, këto vende dhe këto hapësira në këngët e babait dhe si janë reflektuar
ato në kontekstin historiko-letrar?
Kam
zgjedhur t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë takim planetar të krijuesve, jo
pse përgjigje të tilla nuk meritojnë, bie fjala, historianët, gjeografët dhe
madje astronomët, po pse mendoj që kufijtë e krijimtarisë letrare më parë se sa
të parëve (historianëve, gjeografëve e astronomëve) ju dedikohen krijuesve (poetëve)
edhe atë në tri përmasa: a) mitike, b) historike; dhe 3) shpirtërore.
Le t’i
referohemi vetëm një tipologjie përgjithësuese të tyre në poezinë shqipe: Kufijtë
e poezisë legjendare janë kufij mitologjikë dhe historikë:
a. nga
Lugjet e Verdha te Përtejdeti, Bagdadi dhe madje Miskova;
b. kufijtë
historikë të poezisë së shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX janë Stamolla,
Berlini, Roma etj., ndërsa kufijtë e poezisë së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht
letërsisë së romantizmit shkojnë nga kufijtë toponimikë në kufijtë historikë dhe
referencat e tyre: pellazgët (të identifikuar kryesisht me mitet e njohura, si
mite greko-romake), Iliria (e identifikuar me personalitetin e Teutës); mesjeta
(si periudhë e Skënderbeut) etj.; dhe
c. poezia
e shekullit XX, e cila shkon nga kufijtë e identitetit historik-identitar te
kufijtë shpirtërorë të krijuesit.
Le t’iu
referohemi në këtë rrjedhë disa prej shembujve më përfaqësues të saj.
a. Rapsodi i eposit shqiptar e
konsideronte shkuarjen e heroit të tij, Mujës në Moskë, si një “zbritje” nga
Bjeshka në një qytet të zakonshëm: “E me zort Muja gjogun ai u ka marrë (...) Kenka
ra tu krajli i Miskovit, / rrash me tok’ kullat ia ka ba, (...)/ Shum e mallin
me vedi si e ka marrë”. (Z. Neziri, 2001: 145).
b. Poeti dhe ideologu i shquar i gjysmës
së parë të shekullit XX, Fan Noli në poezinë revolucionare të tij “Anës
lumenjve”, duket se i perceptonte dy kufij të idealeve të tij revolucionare, njërin
kombëtar e tjetrin planetar. Në një version të poezisë së tij kishte vargjet: “Zgjohuni
dhe bjeruni / katundare dhe punëtorë / që nga Shkodra gjer në Vlorë”, ndërsa
thuhet se në një version tjetër të saj përcaktonte disa kufij të tjerë të zhvillimit
të revolucioneve proletare: “që nga Moska gjer në Vlorë”.
c. Poeti emblematik i poezisë shqipe
Lasgush Poradeci, idealet e tij atdhetare i rindërtonte duke përcaktuar hapësirën
gjeografike dhe ridimensionuar kufijtë e saj kështu:
“Duke nisur
udhëtimin mes-për-mes nër Shqipërinë
Drini
plak e i përmallshem po mburon prej Shënd-Naumi”, ndërsa poeti Dritëro Agolli,
te poema epike “Nënë Shqipëri”, i vendos kufijtë shënjues të tij “Që nga
Bistrica e gjer te Valbona” (1980:63).
d. Tradita popullore gjithashtu ka
krijuar referencën shënjuese të orientimit proeuropian të popullit shqiptar në prag
të Kongresit të Berlinit, me vargjet: “O Abdyl shite pasurinë / shko në Berlinë
/ shpëto Shqipërinë”.
e. Përcaktimit të kufijve referues të
tij nuk ka arritur t’iu ikën as liriku i shquar i brezit të tij, Fatos Arapi, i
cili në poemën për krahinën etnografike të tij, Drashovicën, kufijtë e saj i
mbindërton në këtë formë “Ja toka ime e ashpra e buta / një krisme pushke
pastaj lahuta”.
Do të doja
që kufijtë gjeografikë të shkrimtarëve dhe bardëve popullorë t’i bashkoj me
kufijtë mitik të Homerit dhe Dante Aligerit për “shtatë palë qiej” e “shtatë rrathë
të ferrit”, dhe me mallkimin e urimin popullor të shqiptarëve “për shtatë pash
nën tokë” e “për këta shtatë palë qiej”, bashkë me një varg të poetit Ali
Podrimja, “Mora rrugën të takoj njeri”, si një varg i dhembjes së pafundme njerëzore,
që nuk përcakton kufijtë gjeografikë e historikë, dhe i cili këtu na e mundëson
kalimin nga poezia epike me kufij historikë e gjeografikë, te poezia lirike e
kufijve shpirtërorë.
Një kalim
kërkues nga kufijtë historikë a gjeografikë të poezisë epike në kufijtë shpirtëror
të poezisë lirike, në këto raste nuk do të ishte shqetësues për lirikën, për të
mos thënë ‘kohë e keqe për lirikën’ (Brehti) sikur koha nëpër të cilën po
kalojmë të më kishte dhënë të drejtë. Shoqata e shkrimtarëve Pegasi, me anëtarësi
ndërkontinentale i ka dhënë detyrë vetes ta sfidojë këtë botë e ta bëjë të lumtur
me poezinë, në të vërtetë me poezinë lirike, ndërkohë që sot letërsia si vlerë e
popullarizuar mezi po mbahet ende nga përfaqësuesi i saj më me ndikim: romani,
sepse në plan të parë ka zënë vend eseja dhe trajtesa politike-filozofike e
shoqërisë së hapur dhe e globalizmit.
A do të mund
të mbijetojë lirika në kohën e fërkimeve të mëdha kulturore, gjuhësore dhe
identitare, madje në një kohë të tranzicionit global kur popujt e vegjël po
kushtëzohen që të rrinë edhe me shpinë nga historia?
A do të mund
të mbijetoj lirika, në të vërtetë, a ka kuptim lirika pas Srebrenicës dhe Kosovës,
në një kohë që trashëgiminë tonë të shekullit XX, vetëm romani do të mund ta
trajtonte në kompleksitetin e tij, ndërsa edhe ai po e humb fuqinë e tij dhe po
ia zënë vendin eseja, trajtesa filozofike dhe madje kujtimet e memoaret?
A do të kenë
hapësirë shkrimtarët që në çerdhen e identifikuar me emrin e Pegasit të fluturojnë
në hapësirën e lirë, nëse ajo sot po mbulohet me satelitë përgjues për aq sa
mbulohej dje me aeroplanë luftarakë?
A do të mund
të mund t’i vije muza e Ankreontit shkrimtarit të sotëm, të lodhur prej
trandjeve shoqërore në të cilën tashmë ka hyre shoqëria njerëzore e shekullit
XXI? A do të mund të çlirohet shpirtërisht prej kujtimeve që ka trashëguar dhe
filozofisë me të cilën po përpiqen ta ndërtojnë mirëqenien e tij?
Poeti i
shekullit XXI do të sfidohet më në fund edhe me rrezikun e humbjes së gjuhës,
prandaj që tash sikur po krijohet përshtypja se poezitë, përkatësisht lirikat e
baladat e tyre, do të jenë reliktet e fundit të gjuhëve të tyre.
E di se
do të thoni se ky është një parashikim shumë i errët për poetët, aq më tepër
lirikët si ju, që jeni mbledhur për ta veçuar atë, lajmësin më të fuqishëm të planetit.
E di se nuk do të jeni të gatshëm të pranoni ballafaqimin me një parashikim të tillë
deri sa gjenden ende poetë që propozohen apo marrin Çmimin Nobel. E megjithatë,
do të thosha nuk janë poetët (përkatësisht lirikët) ata që sot bëjnë ndikim në ndryshimin
e kësaj bote. Sikur ka kaluar koha e Brehtit, Lorkës, Jeseninit, fjala dhe vepra
lirike e të cilëve ka ndikuar në ndryshimin e botëve, në një kohë kur sundonte
dora e hekurt e nacizimit dhe stalinizmit, sado poezia e Brehtit, Lorkës apo
Jeseninit edhe sot nuk ka humbur asgjë nga vlera e saj estetike. Le të na e
mbajë prandaj besimin kjo e dyta. Le të na mbaj të qëndrueshëm në rrugëtimin
tonë, përkatësisht fluturimin tonë planetar, guximi i tyre qytetar dhe sidomos
vlera estetike e krijimtarisë së tyre, pavarësisht ndikimit letrar që mund ta
ushtrojmë ne sot.
Kufijtë e krijimtarisë sonë, në të vërtetë, kufijtë e lirikës sonë nuk janë as gjeografikë as historikë. Ata janë kufij shpirtërorë të botës sonë pa kufij, pa revolucione dhe pa referenca kulti. Ndoshta dikush do të thoshte se propagandojmë lirikën e shoqërisë së hapur, në të vërtetë të globalizmit. Jo! Për poetin kufijtë e lirikës së tij janë kufij që lindin dhe përfundojnë në shpirtin e tij: lirik. Nëse fluturimi i tij ndodh në hapësirë, kjo ndodh jo pse fluturojnë mendimet e tij, po pse fluturon vetë poeti, një arsye e plotë për t’u identifikuar me Pegasin.