Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Këngë arbëreshe apo vazo e thyer

| E diele, 08.07.2012, 04:00 PM |


Sejdi BERISHA:

JAM KËNGË ARBËRESHE APO VAZO E THYER...
(Në 100-vjetorin e Pavarësisë)

 
1.
Njëqind vjet a është një shekull...
Apo është epokë e para stinëve të tokës
Apo që nga kur merr frymë dheu im
Që nga cila kohë këndon njeriu

2.
Po, ç’janë këto stinë të këputura
Që m’i forcojnë hallkat e bashkimit
Që m’i prarojnë zinxhirët e lumturisë
Që shndritja e tyre hapë e bashkon rrugë

3.
Mos më gjykoni pse këndoj kështu
Sepse, tokën e shqiponjave
E kam në damarët e gjakut
Kosovën tik-takun e zemrës
Çamërinë qortim historie
Shkupin pikëtakim madhështie
Ulqinin port asqerie
Që janë djegur për tokën e dheun
Për ujin dhe tregimet e kalasë
Preshevën e kam sy që loton kah Prishtina
Kullat e Oso Kukës beden trimërie
E Bjeshkët e Nemuna kurorë legjendash

4.
Mos më mallkoni pse jam i tillë
Pse këngën e kam zog shtegtar
Me emra poetësh
Me shkrumb në varg
E me plagë në shpirt
Këto janë stinët e këputura
Që shikimin ma hidhërojnë
Për të kënduar gjithmonë sertshëm
Duke kërkuar rrugën që e lakojnë

5.
Jam vazo e thyer
Për fjalën e dëgjuar shqip
Jam zë i etur nga Anadollia
I cili edhe sot dhemb e tingëllon shqip
Këngë arbëreshe jam
Që ruan lashtësinë përrallore
“O e bukura e dheut, ore”

6.
Jam zog që shtegtoj
Për ta ngjitur këngën e copëtuar
Me gjakun tim kudo në tokë
Sa larg dallohet zemërimi im
Këtu e njëqind vjet
Për të rrëfyer për stinët e shekujve
Që vitet i kanë fshehur
E tash sa punë ka për t’i zbuluar
Se eshtrat ua kanë zënë frymën

7.
Mos më fajësoni
Pse rri pa gjumë
Ndoshta edhe kot
Se vitet edhe ashtu shkojnë
Duke lënë nga një vulë dëshmie
Derisa të bëhen edhe njëqind vjet
Edhe njëqind shekuj
Kështu merr frymë toka ime
Me krenarinë qëndresës...

Por, mos e kafshoni mollën e kuqe
Se ajo vetëm sa shumohet
E kuqëlohet më shumë 

9.
...
Asgjë nuk paskam thënë
O, vargu im
Sikur tash më doli gjumi
E, ëndrra ishte plot trishtim...