| E enjte, 05.07.2012, 06:04 PM |
“Në emër
të Maries kundër gjakmarrjes dhe ngujimit!” Me këtë moto u bashkuan në Shkodër
qindra qytetarë në një marshim homazh në emër të vajzës 17-vjeçare të vrarë për
gjakmarrje, portreti i së cilës është shndërruar tashmë në një simbol qytetar
kundër këtij krimi barbar.
Aktivistë
të shoqërisë civile, qytetarë të Shkodrës, misionarë të shoqatave fetare,
studentë dhe intelektualë u bashkuan për të ngritur zërin kundër këtij krimi.
“Jemi këtu
sot në emër të Maries, t’i themi ndal ngujimit, në emër të Maries t’i themi
shtetit, ngre grushtin e fortë të ligjit kundër këtij krimi, në emër të Maries
t’u themi njerëzve që të mos ndjehen të qetë në shtëpitë e tyre, kur ka fëmijë që
vuajnë nga ngujimi, në emër të Maries t’u themi të gjithë anëtarëve të shoqërisë
shqiptare që të tregojnë qytetarinë e tyre dhe të revoltohen ndaj padrejtësive
që u bëhen të tjerëve”, tha në fjalën e mbajtur, Mentor Kikia nga shoqëria
civile.
Tubuesit
mbanin në duar qindra tollumbace mbi të cilat shkruheshin shkrime kundër
gjakmarrjes dhe ngujimit. Tollumbaci i parë u lëshua nga një fëmijë, familja e
të cilit vuan nga ky fenomen.
“Unë u bëj
thirrje të gjithë fëmijëve, të rriturve, ndaleni gjakmarrjen! Kanuni duhet të shkatërrohet!
Pasi
firmosën një baner kundër gjakmarrjes dhe ngujimit, tubuesit marshuan me qirinj
dhe portretin e Maries në duar përgjatë rrugës pedonale për të ndalur marshimin
pranë skenës ku fëmijët po përgatiteshin për të filluar Festivalin e Këngës.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, në Qarkun e Shkodrës janë 48 familje të ngujuara me 116 persona, nga të cilët, 21 janë fëmijë.