E enjte, 14.11.2024, 06:28 AM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Variacione në katër kohë

E merkure, 04.07.2012, 06:45 PM


Daniel Gàzulli

Variacione në katër kohë

BUZËQESHJA

Basketbollistes së Kantungut (Kinë), që mbante nr. 11

Ti ecën dhe buzëqesh.
Andërron dhe buzëqesh.
Përshëndet,
luan,
vallëzon
dhe buzëqesh.

Buqëqesh!
Hiret le të të shtohen :
Mbi trupin e derdhun kok’ e bukur,
në buzë,
perhërë,
endet buzëqeshja.
Buzëqesh, moj aziatike simpatike,
buzëqesh;
kudo në botë
njerëzit kanë nevojë për buzëqeshje.

Shkoder, 25.04.1966

SA MA SHUMË DRITË

Mikut tim F. M., arkitekt

Mora vesht
se po projekton një teatër
për qytetin B.

Të kujtohet si luenim na
në një skenë me çarçafë,
kur ishim fëmijë ?
Të kujtohet se si
(ma të rritun, sigurisht),
luenim në një shtëpi tregtari
pushkatue më ’46,
përshtatë për teatër,
ku kishte aq pak dritë ?

Prandaj po të shkruej,
që ta projektosh teatrin
me linja të thjeshta, pa ornamente,
pa koka palaçosh në kapitale,
por me shumë,
me shumë dritë.

Shkodër, mars, 1979

NË KOPSHTET MBRETNORE

Me hap të lehtë
e të shkujdesun
përshkoj Kopshtet Mbretnore
në këte ditë gri
dhjetori.
Pemët e lakuriqta
janë në zi
për verën që shkoi.
Statujat
më vështrojnë të friksueme
kur,
me majë të këpucës,

shkërmoq në gjethet e kalbuna.
Kujdes!
Kujdes! – më thonë –
Nën gjethe
lëvizin hijet!

Edhe hijet të kalbuna janë.

Po statujat, ndoshta, kanë të drejtë:
Hijet,
gjithsesi,
lëvizin
e shpresojnë!

Ç’ditë e shëmtueme
e gri
dhjetori!

Torino, 08 dhjetor 2000

NË RRUGICËN E KUJTIMEVE

Ndjej frymëmarrjen e barit,
që e ledhaton një erë  e fishkun.
Deti atje tej gjëmon,
sikur do të tregojë lashtësinë e tij
dhe rrudhat e bardha.
Hana ka veshë një triko gri
e me trishtim e shikojnë yjet,
vetmitarë të përjetëshëm,
pa andërr se një natë do të bashkohen njeni me tjetrin.

Udhëtoj  me hap të lehtë në Rrugicën e Kujtimeve
mbulue nga gjethet e viteve,
ndërsa vargu i njerëzve
shëtit i shkujdesun trotuareve të mpimë nga vapa e korrikut.
Kjo mbramje,
se ç’më hedh mbi qerpikë një tis frike
mos humbas rrugën e kthimit.

Sa ma larg shkoj,
aq ma të verdha janë gjethet.
Sa vite pa u kthye në këte pjesë të rrugës
ku nuk kanë ngelë as shenjat.
Gjithçka asht e butë, e verdhëmurrmë dhe e heshtun.
Rrugicë e kujtimeve, pa tabela, pa zambakë anash,
si atëherë kur gjethet porsa bulëzonin
dhe dielli nuk përëndonte kaq heret.

Rrugicë e kujtimeve,
pa projekte ndërtimesh të reja.

Lezhë, 01.07.2012



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora