Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Deti në ekzil

| E diele, 01.07.2012, 05:00 PM |


Deti në ekzil

Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian”

Nga Timo Mërkuri

Kur në muajin maj  botova shkrimin ”Sa pak det paska në poezinë shqipe”, e ndjeva se sa kisha   prekur një problem, shtrimi dhe qartësimi i të cilit kërkonte lexime e studime të mëtejëshme. Dhe jo vetëm nga unë.

 

Sikur ta ndjente brengën time, po ato ditë, miku im, poeti Agim Mato, më dha për të lexuar “Poezi të një poeme arbëreshe”, një  përmbledhje me këngë arbëreshe, të cilat ai vetë i përshtatëte në shqipen e sotme. Këto këngë, nuk i lexova, por i “përpiva” me lexime e rilexime, të cilat nuk e di as vetë se kur do ti ndërpres. Vetëkuptohet, në rast se do ti ndërpres ndonjëherë.

1-Këngët janë të vjetra, të kohës paraturke. Kjo kohë përcaktohet lehtë qoftë nga tema, por kryesisht nga fakti se janë të mbartura nga Shqipëria në Kalabri  nga arbëreshët, si një pasuri shpirtërore, më shumë sesa si kapital  artistik dhe intelektual. E themi këtë për vetë faktin se, arbëreshët i mbartën me vete këto këngë, jo për ti  çfaqur nëpër podiume festivalesh, por  për ti patur si “jastëk” ku të mbështeste kokën dhimbja e tyre për  dheun mëmë të  lënur pas, nën  dhunën e “qenit turk”. Pse këto këngë janë sot dokumenta të patjetërsueshme të atij arti brilant të kombit tim para pushtimit turk, ky është  një fat i madh i bijve të “Skënderbeut të pafat”.

2-Por ndonëse janë këngë të vjetra, çuditërisht ndryshku i kohës nuk ka zënë mbi to, jo më një shtresë, por as gjurmën më të vogël.(Vetkuptohet duke mos llogaritur në këtë drejtim problemin fonetik dhe gramatikor). Që në vargjet e para rezaton një kaltërsi, ashtu siç rezatojnë kaltërsi valët e detit, dhe nëpër atë kaltërsi sheh thellë në botën e nënujëshme detare. Shpirti të zgjerohet, bota të duket më e madhe dhe më e bukur dhe finesa e vargjeve të ngjan me elegancën e  gjerdanëve të koralta, në qafën e vashave. Një verb artistik rjedh nëpër  vargje si një mornicë në palcën e kurizit, që të bën të hidhesh përpjetë dhe të përqëndrohesh  tek ajo kaltërsi që ke përpara.

I kërkoj leje Agim Matos që të citoj pak vargje të këtyre këngëve, veç për ilustrim:

Nga sytë që i hidhte trimi/u dritëzua ajri/nga gaz’ i vajzës që e ndillte/lulëzoi kumbulla…. (Lule të bardha fq 2)  ose te kënga  “E puthura” (fq 6) lexojmë: - Trimi e zu e më e puthi/e puthi në buzët/e në të dyja faqet/Vajza gjithë e skuqur/në ujë e vërtiti faqen/dhe lau të puthurën/po më skuqi ujët/Kur nga fshati më së poshti/dolën gratë të lanin teshat/në vend që të zbardhnin/skuqeshin të linjtat që lanin/kopshtet që ujiteshin/nxirnin fletë të kuqe/zogjtë që pinin ujë/humbnin  cicërimën.

Dhe unë ju them se, në këtë nivel janë të gjitha poezitë (këngët) arbëreshë të përshtatura aqë bukur në shqipen e sotme nga miku im.

3- A nuk ju duken këto vargje si rahjet e shpeshta të njëpasnjëshme të një zemre të dashuruar, që nxiton  për tu mbështetur e qetësuar veç në supin e dashurisë?Dhe në këtë rast, jini ju vetë dashuria, se për ju rahin këto vargje.

Me admirim konstatojmë se,  qysh në  vargjet e para të këtyre këngëve, deti vjen me bunacë dhe të zgjeron hapësirën e frymarjes me aromën e jodit duke  të ngjyrosur edhe shikim me kaltërsinë e tij.

Po unë do të thoshja se këto këngë më ngjajnë edhe vetë me  valët e njëpasnjëshme të detit, që nxitojnë drejt bregut dhe në rast se i pengon ndonjë shkëmb, ato  më së paku do të hedhin drejt jush stërkalat, të bardha, si ëndëra dashurie. Stërkala valësh e fluturime pulëbardhash të duken  metaforat në mes të vargjeve. Dhe po të shohësh thellë, “në fund të detit”, pa qënë nevoja të  zhytesh me “fundo”, do të dallosh atë bukuri magjepëse të “koraleve” poetike shumëngjyrëshe. Sa shumë “det” e kaltërsi paska në këto këngë.

Është pikërisht kjo kaltërsi që nuk i len ato të “plaken” nga motet. Fjalët të mara veç e veçë ngjajnë si pulëbardha që vërtiten në detin e  madh të poezisë dhe tingulli i rokjeve të ngjan me  zhurmën e rahjes së flatrave të tyre . I lexon dhe ke dëshirë që ti rilexosh e ti rilexosh përsëri. Ka një fllad deti  dhe një njelmësi nëpër vargje, sa që, pavarësisht se ku je duke i lexuar, në mal a në fushë, e ndjen detin te këmbët e tua. Në rast se doni ta provoni këtë ndjesi, rilexoni Milosaon e De Radës apo Seremben e Gavril Darën, gjersa tju bjerë në dorë kjo përmbledhje këngësh arbëreshe , leximi i të cilës më lumturoi të tërin..

4-Çfarë ka ndodhur realisht me folklorin dhe poezinë shqipe para dhe pas pushtimit turk, ç’konkluzione nxjerim për temën tonë nga analiza e këtyre këngëve?

a-Niveli i lartë artistik i këtyre këngëve dëshmon më së miri se arti popullor shqiptar  i kohës paraturke dhe, natyrisht letërsia e kultivuar shqipe, kanë qënë të një niveli shumë të lartë artistik, sa që jo vetëm konkuronin në artin europian, por mund të themi se edhe prinin në këtë art. Por a ka patur botime të herëshme shqipe? Për botime  të herëshme në gjuhën shqipe po ju sjell një citat të Plinit Plak (23-79 pas Krishtit)  të vëllimit të VII të veprës  së tij 37 vëllimëshe ku thuhet se;- Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre (latin shën. im T.M.)  e morën  nga ilirët. Pra alfabeti latin është krijuar nga ilirët. Këtë e thotë një romak  e jo unë. Po ashtu ju citoj edhe  Guiliem Ade, ku më 1332 shkruan se “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër…megjithatë  kanë alfabetin latin në përdorim në librat e tyre. Pra shkrimi shqip dhe librat (librat e tyre…) kanë egzistuar shumë kohë më parë se të shkruhej formula e famëshme e pagëzimit. Kjo nënkupton  një letërsi të kultivuar shqipe që rezatonte në perëndim dhe natyrshëm, thithte nga perëndimi dritë arti. Dëshmitë i kemi të pakta për arsye të shumta, por në këto dëshmi bëjnë pjesë edhe  këngët e arbëreshëve të Italisë.

Në rast se do tu bjerë në dorë kjo “Rapsodi e një poeme arbëreshe” (dhe unë shpresoj që ti lexoni së shpejti të botuara nga  Agim Mato), unë ju siguroj se Kënga e Rolandit dhe shumë simotra të saj europiane nuk janë aspak më “aristokrate” se këto kangjela  të popullit tim.

b-Fisnikëria shqiptare, plot tituj e finesë jetese,  hipi nëpër galera dhe me shikimin e trishtuar nga atdheu që linin pas, duke lundruar drejt brigjeve  të Italisë, prej nga nuk do të ktheheshin më kurrë. Kontët e dukët, baronët e kalorësit, ajka e  fisnikërisë shqiptare, duke marë me vete disa sënduqe, ku kishin mbyllur thesare materiale e shpirtërore, dokumenta pronash e fisnikërie, armë dhe veshje, do fillonin në vendin e ri çdo gjë nga e para. Por duke qënë ish luftëtarë, e dinin se  që të fitonin jetën, duhet të rinin të bashkuar, duke themeluar kështu fshatra të tëra, disa prej të cilave u vendosën edhe emrat e  fshatrave që braktisën në atdhe. Këtu nisi  rrugë ajo fitore e egzistencës. Duke qënë në fshatra, është normale që të dielave të dilnin te sheshi i kishës,veshur me rrobat më të mira, plot bardhësi e finesë, të këndonin këngët e vendit të tyre dhe të hidhnin vallet e qëmotëshme. Vetkuptohet që ekzili hidhte mbi këto këngë e valle një tis të hollë trishtimi e dhimbjeje (Moj e bukura More), por që kursesi nuk e mbulonte dot atë finesë të fjalës dhe elegancë të valles që mbartëte nga origjina. Ajo finesë dhe elegancë, ai “det” që e kishin marrë me vete në ekzil nga dheu amë.

c- Ashtu siç iku në ekzil fisnikëria shqiptare, po ashtu dhe “deti” u largua nga  folklori dhe poezia shqipe nën trysninë e pushtuesit turk, i cili, pas pushtimit të kështjellave  të rezistencës  skënderbejane, filloi të katapultonte bedenat e shpirtit arbëror, për ti rafshuar edhe ato që nga themelet e për të ngritur me gurët e tyre “minaretë” e një arti të huaj për vendasit dhe vendin. Mandje, edhe në qoftë se la disa kështjella shqiptare pa i rafshuar, duke i shndruar në vednqëndrime garnizonesh turke, sulmin mbi artin dhe  këngën shqipe nuk e ndali asnjë moment. U ndalua jo vetëm të përmëndej emri i Skënderbeut dhe i kapedanëve  të asaj epoke, u ndalua jo vetëm  shfaqja e flamurit  me shqiponjën dykrenore, por u ndaluan edhe këngët e vallet që  përjetonin atë epokë zulmëmadhe. Dhe për të qënë  më i sigurtë në këtë ndërmarje, inicoi ndalimin e këngëve fine të popullit duke stimuluar, shpesh edhe materialisht, këngët  me vargje rrëshqanore të tipit “aman-amane”, ose vargje lëpirëse të tipit “xhane-xhane-moj xhanane”. Pak a shumë të njëjtin fat pësoi edhe vallja e veshja.Dekoltetë e vajzave të aristokracisë shqiptare (shihni veshjet e vajzave arbëreshë) u zhdukën. Fustanellat u zvëndësuan me brekushe dhe fustanet plot frudha e  luleqëndisma ( të cilat imitoheshin edhe nga mbretëreshat e princeshat europiane) u zvëndësuan me tumane. Poetët  u strukën në harim dhe bejtexhinjtë mbushën mejhanet me tym duhani e bejte që lëvdonin sulltanin.

Nga kjo tërheqim konkluzionin se  deti ka qënë në folklorin dhe  poezinë tonë, në fillimet e tij, por bashkë me ikjen e fisnikërisë shqiptare drejt  Italisë, duke i lënë rënoja kalatë dhe shtëpitë,  “iku” dhe deti me gjithë kaltërsinë e tij nga folklori dhe letërsia. “Deti” iku në ekzil, pavarësisht se atë nuk e përcolli askush me lot e përqafime, siç përcollën nënat e vendlindjes sime, drejt kurbetit bijtë e tyre, në ikjen e dytë të madhe të shqipëtarëve, në vitet ’90. Por gjithsesi ai iku, duke lënë një zbrazësi në metaforat e vargjeve dhe elegancën e finesën e shprehjeve dhe veshjeve, zbrazesi që koha e mbushi me “shkëmbinj” të ashpër, ashtu siç mbushen e  gurë mali e baltë edhe puset e tharë të fshatrave.

Por gjithsesi, kjo është temë më e gjërë sesa formati i këtij studimi dhe për këtë do të flasim tjetër herë .

(Ajo që duhet të  kihet parasysh është fakti se këtu nuk e kemi fjalën për detin fizik, atë ujanë të madhe kaltëroshe që lag brigjet shkëmbore të qytetit tim. Fjalën unë e kam për “detin” shpirtëror, që nis nga ky det fizik, dallgët dhe valët e të cilit lagin brigjet e artit. Kjo duhet të vetkuptohet, se ne jemi poetë dhe jo gjeografë).

ç-Në këtë situatë trysnie, populli nisi të mprehë armët e egzistencës së tij. Jo vetëm fizike por më shumë etnike dhe shpirtërore. Për sigurimin e egzistencës fizike u gjet rruga e “malit”, duke u ndërtuar shtëpitë dhe fshatrat në zona malore, duke u ngritur gati çdo vit në kryengritje, por edhe duke marë tituj dhe ofiqe nga  pushtuesi dhe duke i shërbyer atij nëpër vise e treva larg atdheut, si mercenarë apo si pashallarë…Por për këtë temë është folur e shkruar shumë dhe unë skam pse të zgjatem. Unë do ndalem pak te armët e mbrojtjes së etnisë shqipe dhe për këtë do analizoj një nga kanunet më të përfolura në histori, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Le të shohim me sytë e mëndjes  panoramën që na afronte epoka. Vendi i pushtuar, burrat dhe djemtë të vrarë dhe të  sakatosur në luftëra, vajzat që riten dhe shohin nga dritaret e shtëpive jeniçerët dhe spahinjtë turq që lozin të sheshi i fshatit. Vërtet ata qenë pushtues, por ama qenë edhe djem të rinj e të fuqishëm, në lule të moshës, gati për martesë. Do të ishte  normale që një vajzë e tillë fshati të dashuronte dhe të martohej me një nga këta djem, pavarësisht se  ai edhe mund të ishte dora që vrau babain apo vëllain e vajzës. Shtoi kësaj faktin që një martesë e tillë do sillte garancinë ekonomike të vajzës dhe familjes së saj, kjo do ishte një shtysë më e fuqishme për këtë krushqi. Por ama fëmijët që do lindnin nga kjo krushqi do ishin shqiptaroturk. Këta do lindnin më pas, në brezin e dytë fëmijë turkoshqiptarë për të përfunduar pas disa brezash thjeshtë te  fëmijë turq. Pra do të zhdukeshin shqiptarët. Nën këtë parashikim ogurzi, largpamësi Lekë Dukagjini hartoi kanunin e tij të famshëm ku, duke marë  përsipër sharjet e brezave të tërë, specifikonte në drejtim të ruajtjes së gjakut shqiptar, që vajza do mirte për burrë atë që i jipte babai i saj, qoftë ai edhe me një këmbë a me një dorë ( të lënë në luftën kundër turkut). Dhe babai i vajzës, një ish luftëtar ,  do preferonte për vajzën e tij një djalë apo burrë shqiptar, qoftë ky dhe i plagosur apo i sakatuar në luftë, përballë një pretedenti turk “shallvaregjërë”. Ky çift vërtet që do vuante për bukën e gojës, por ama fëmijët që do lindnin do ishin thjeshtë shqiptarë.

Është normale që në këto kushte, arma shpirtërorë e popullit, kënga, vallja etj, të ishin të tilla, që ti shërbenin rezistencës antiturke. Kështu që nisi të preferohej kënga për trimat luftëtarë si dhe të shndroheshin  në këngë trimërie, gati të gjitha vajtimet e nënave e grave shqiptare për burat e djemtë e vrarë në luftë kundër turkut. Po të shikosh këngët e labërisë, gati 80% e tyre janë për djemtë e burrat e vrarë në luftë antiturke apo luftëra të tjera brenda e jashtë vendit, për të vdekurit në mërgim etj dhe shumë pak janë këngët e dashurisë.

Në këto kushte pra, këngët filluan të ngrihen si lapidarë ku përjetësohej lavdia e trimave dhe është normale që te këta lapidarë të mos kishte vend për “det”. Poetët dhe rapsodët nuk kishin kohë të shikonin kaltërsinë e detit, se sytë i kishin ngulur te plagët e trimave që kullonin gjak.

5-Letërsia shqipe dhe gjithë jeta shpirtërore e materiale shqiptare paraturke ka qënë thjeshtë europiane, madje në këto brigje kanë jetuar muzat e artit. Jo më kot Lamartini, duke përshëndetur De Radën për poemën e tij magjike “Milosao” i specifikonte se “Poezia duhet të kthehet në ato brigje ku ka pasë lindur”.

Tashmë ka ikur nata turke, por  “deti” në letërsi  ende nuk është kthyer nga ekzili.

Por, në rast se fisnikëria shqiptare e emigruar përfundoi me “gjak të shprishur”, detit ska si e ku ti prishen  valet, dhe për rikthim në letërsinë shqipe nuk ka nevojë për  “vizë” e për biletë.

Ai do të rikthehet, madje shumë shpejt.

Unë kam shumë besim për këtë që ju them.