E diele, 22.12.2024, 06:06 AM (GMT)

Kulturë

Fatmir Haxhiu, në kështjellën e piktorit mes armëve, kuajve e luftëtarëve

E shtune, 05.04.2008, 08:45 AM


Nga Enver Kushi

Fatmir Haxhiu
Fatmir Haxhiu
Në fundmotin që lamë pas, u përkujtua nga familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij, 80-vjetori i lindjes së Mjeshtrit të Madh të Punës, piktorit Fatmir Haxhiu. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, krijuesit e fushave të ndryshme të artit apo shkencës, kanë një fat tjetër: atë të pavdeksisë dhe ringjalljes pas vdekjes. Jo vetëm pllaka me emrin “Rr. Fatmir Haxhiu” dhe tjetra, vendosur në hyrje të shkallës së pallatit, ku Ai jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë, por në radhë të parë mbi 100 tablotë kompozicionale e shumë të tjera të gjinisë së portretit, peizazhit e punimeve grafike, e bëjnë të pavdekshëm Fatmir Haxhiun.
Ai i përket atij brezi piktorësh, që bënë epokë në gjysmën e dytë të shek. 20. Fatmir Haxhiu i qëndroi besnik deri në fund parimeve të tij krijuese: realizmit dhe pasqyrimit me vërtetësi të momenteve kyçe të historisë sonë kombëtare. Nuk është i rastit fakti, që ai ju përkushtua me aq pathos tablosë kompozicionale, duke na lënë vepra të nivelit europian. Në këto tablo historia e shqiptarëve erdhi epike, dramatike, duke na kujtuar eposin tonë dhe tragjizmin, që e përshkron atë. Nuk e teproj, po të them se tabloja “Me shpatë në dorë”, një nga më të mirat e Haxhiut, mund të vendoset denjësisht në çdo galeri botërore. Përpara piktuarve të Fatmir Haxhiut ndjen jo vetëm emocione, por edhe dinamizëm të brendshëm, lëvizje, nerv, “zhurmë”, hingëllima kuajsh, zëra njerëzorë, thirrje luftarake, grahmat e fundit të atyre që bien në fushëbeteja. Atje është bota e trazuar shqiptare e ballkanasve, por dhe bota e trazuar e vetë piktorit.
Mbaj mend që miku im, poeti brilant Frederik Rrepshja, njeri me shije aristokratike për artin, kur binte fjala për pikturën shqiptare, më thonte se ashtu si në letërsinë shqipe kemi një kryevepër realiste, siç është “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, në pikturë kemi Fatmir Haxhiun, që të trondit me tablotë realiste dhe gjallërinë e figurave. Kam qenë me fat, që nga mesi i viteve ’80 dhe vitet ’90, kam ndjekur nga afër, gjatë procesit krijues, shumë nga punët e Fatmirit. Edhe në dy shkrime të tjera, “Hingëllima e ngrirë e kuajve”, botuar pasi Piktori shkoi, dhe “Këmbanat duhet të bien”, botuar në mars 2005, kam shprehur mendimet e mia modeste për Artistin e papërsëritshëm, mikun tim, që më mungon nga 10 marsi i vitit 2001. Shënimet e mëposhtme në formë kujtimesh, janë një homazh për njeriun dhe piktorin Fatmir Haxhiu. Të ishe mik i Fatmir Haxhiut ishte privilegj, të cilin si shumë të tjerë, e kam patur edhe unë. Tek Ai dhe familja e tij, kam ndjerë ngrohtësi njerëzore, veçanërisht në disa momente dhimbjesh, apo fatgoditje gri, që kanë qenë jo të pakta dhe bashkëshoqëruese prej vitesh…

***

Fatmir Haxhiu - Beteja e Albulenës
Nuk e di se në cilin vit, iu dha mundësia Fatmirit, që të kishte studion e tij. Ndoshta në vitet ’70 të shekullit që lamë pas, kur shumë piktorë dhe skulptorë të Tiranës u bënë me studio. Atëherë ato u kthyen jo vetëm në ambjente pune, por edhe në shkolla të vërteta arti. Në studiot e Odise Paskalit, Abdurrahim Buzës, Janaq Paços, Guri Madhit, Foto Stamos, Shaban Hadërit, Ksenofon Dilos, Sali Shijakut, Naxhi Bakallit, Mumtaz Dhramit, Kristaq Ramës etj., krijohej dhe debatohej për artin, procesin krijues, mjeshtrat e mëdhenj botërorë, planet krijuese, debatohej për magjinë e ngjyrave dhe shkollave të ndryshme të pikturimit, që padyshim ishin në kundërshtim me parimet e ngurtësuara të realizmit socialist.
Fatmir Haxhiu, studion e tij e kishte në katin e parë të një godine të vjetër trekatëshe, e cila ishte në krahë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ose në vendin nga ku niseshin autobusët urbanë për në Kamëz. Godina e vjetër, me dritaret e mbyllura me grila ngjyrëgjelbër, që dukeshin si syverbër, nuk e di pse më dukej e vetmuar, e braktisur nga njerëzit dhe e trishtuar. Ndoshta këtë ndjesi e krijonte fasada e saj e rrjepur, muret e lagësht, mungesa e ballkoneve dhe grilat vazhdmisht të mbyllura të dritareve.
E megjithatë, kur hyje në studion e Fatmirit, në të majtë të hyrjes së katit të parë të kësaj godine fatkeqe, si e dalë nga romanet e Balzakut çliroheshe nga ideja e braktisjes apo e vetmisë, që ajo të krijonte. Studioja kishte shumë dritë, që vinte nga hapësirat e mëdha të xhamta dhe sapo hyje, vështrimi menjëherë përqëndrohej në telajot e përmasave të ndryshme, vendosur në qendër të studios. Në to, syri të kapte punë të saponisura, të tjera që ishin drejt përfundimit apo dhe të përfunduara, por që mjeshtri akoma kërkonte t’i kishte pranë. Fatmirin rrallë, shumë rrallë e gjeje ulur. I gjallë, hokatar e i qeshur, me penelat në duar, i veshur me rrobat e punës, ku dalloheshin njollat e bojërave, të priste me thirrjen: “Oh kush na erdhi! Sa mirë bëre që erdhe!”. Ndjeja në zërin e tij të ngrohtë, sinqeritet të veçantë dhe gëzim të brendshëm. Sepse Fatmir Haxhiu i çiltër si ai, u jepte të gjithëve, veçanërisht atyre që i konsideronte shokë dhe miq të vërtetë, shumë nga shprti i tij i madh. Në fillimet e njohjes me të, jo vetëm isha i drojtur, por e kisha të vështirë t’i bëja ndonjë vërejtje apo sugjerim, që ai kërkonte për punët e tij. Ndoshta kjo nuk ishte thjesht ndroje apo mungesë kulture në të kuptuarit dhe zbërthimin e pikturës.
Puna në Kinostudio, bisedat me emra të njohur të filmit shqiptar, si regjizorë, piktorë etj, shfletimi i shumë albumeve të piktorëve të njohur botëror në bibliotekën e Akademisë së Arteve, leximi i disa botimeve të kohës për pikturën dhe skulpturën, kishin shtuar njohuritë e mia për artet figurative. Në pikturën e Fatmir Hahiut, më pëlqente realizmi, dinamizmi i brendshëm i kompozimeve, portretet e shumta, dhënë gjithmonë në lëvizje, kuajt e pranishëm thuajse në shumicën e tablove dhe pikturuar mjeshtërisht prej tij. Rrija gjatë para tablove, ndërsa ai vazhdonte të punonte e të më “sajdiste”, duke folur për tema të ndryshme. Pastaj tërhiqesha ngadalë, për ta lënë të qetë në punën krijuese.

***

Fatmir Haxhiu - Skenderbeu me trimat
Pranë derës së studios ose pranë portës së madhe, që dukej si hyrje kështjelle, sepse herë-herë ajo më ngjasonte me një kështjellë, jo vetëm nga hapësira e madhe e saj, por dhe nga llojet e armëve, që ishin në të, si shpata, pushkë, mitralozë, automatikë, revolverë, uniformat ushtarake të periudhave të ndryshme, mburoja etj, por dhe me historinë që ishte fiksuar nëpër shumë telajo, ishte një tavolinë jo shumë e madhe. Mbi tavolinë, rrëmujshëm shpërndaheshin fletë të bardha, skica të ndryshme, bocete, fotografi, lapsa, penela të vegjël. Në një skaj të tavolinës dallohej një receptor i vjetër telefoni, ndoshta i viteve ’50 ose dhe më i hershëm, nga ata që janë përdorur në ushtri. Fatmiri herë-herë shkëputej nga puna, rrotullonte mekanzmin si mulli kafeje të receptorit të tij dhe lidhej me Letin. Unë lëvizja nga tavolina rrëmujë për tek etazheri i librave dhe albumeve të shumtë të piktorëve të mëdhenj botëror. Më bënin përshtypje titujt e librave në shqip dhe gjuhë të huaj, ku vendin më të madh e zinin botimet mbi historinë e Shqipërisë, apo atë botërore. Nuk mungonin albumet me kostumet popullore shqiptare, fotografitë me peizazhe nga natyra e bukur e vendit tonë.

***

Në historinë e kulturës botërore gjenë shembuj jo të paktë të krijuesve, që vuajnë nga narcizmi. Narcizmi në art, për mendimin tim, në një farë kuptimi është vetëvrasje, për shkrimtarin, piktorin, skulptorin, kompozitorin, për artistin në përgjithësi. Autorët e kryeveprave të artit dhe kulturës botërore, që nga qytetërimet e lashta e deri në ditët tona, gjithmonë kanë qenë të pakënaqur me veprat, që kanë realizuar. Edhe në kulturën shqiptare, ka shembuj të personaliteteve me emër, që janë rrethuar nga heshtja në kohën kur kanë krijuar, me modesti të admiruar, larg zhurmave apo borive lajkatare, i janë ruajtur narcizmit. Piktori Fatmir Haxhiu asnjëherë nuk u dashurua me vetveten, asnjëherë nuk u kënaq me veprat e tij, ndonëse ajo u vlerësua brenda dhe jashtë vendit në ekspozitat e çelura në Itali, Francë, Greqi, Austri, Kinë etj. Shumë punë të tij janë pronë e individëve të veçantë koleksionistë apo institucioneve të ndryshme, si në Spanjë, Angli, Austri, Zvicër, Itali, Greqi, Turqi e deri në SH.B.A, Japoni e Kinë.
Mbaj mend tri punë, shumë dinjitoze të tij, të cilat i kam ndjekur gjatë realizimit të tyre: “Tereadorët”, “Dashuria e kuajve” dhe një tablo me motive nga Skënderbejada. Dy të parat janë në Spanjë dhe për fat të keq, nuk u ekspozuan para dy vitesh ne ekspozitën retrospektive të Haxhiut, çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Tablonë “Tereadorët”, sapo e përfundonte, të nesërmen e ndryshonte nga e para. Me të ai u mor muaj të tërë, gjithmonë i pakënaqur, derisa më në fund e vendosi në pjesën e pasme të studios, të përfunduar, ndoshta për të mos e patur para syve, sepse prapë mund ta ndryshonte. Atëherë unë i dhashë për të lexuar një tregim të shkëlqyer të një prej prozatorëve më të dashur për mua, Heminguejit. Mbaj mend që për këtë temë, gjithashtu folëm gjatë e ndoshta atmosfera e tregimit të Heminguejit, mund të ketë ndikuar sadopak në tablonë “Toreadorët”.

***

Fatmir Haxhiu - Lypesja
Në orën trembëdhjetë e pesëmbëdhjetë minuta, ai linte penelin dhe bëhej gati për të shkuar në shtëpi. Pasi mbyllte portën e madhe të studios kështjellë dhe lutjeve për ta shoqëruar edhe unë në shtëpi, sepse Leti kishte përgatitur një drekë të shijshme, kapërcente me shpejtësi rrugën e Kavajës. Në orën trembëdhjetë e tridhjetë minuta, dilte nga dyqani i bukës, që ndodhej poshtë pallatit përballë dhe me hap të shpejtë kalonte mes lulishtes Rinia, tek ura e Lanës, për të dalë në trotuarin në krah të Piramidës. Në orën katërmbëdhjetë, gjithmonë në këtë orë, ulej në tavolinën e ngrënies, ku nuk mungonte asgjë, falë përkushtimit të Farziletit. Pasdite do të rikthehej në studio nga e njëjta rrugë dhe me të njëjtin regjim të rreptë pune dhe pasioni, do të vazhdonte të hidhte në telajo portrete, peisazhe, kompozime…

***

Fatmir Haxhiu, nga të rrallët piktorë shqiptarë, ndoshta dhe i vetmi, figurën e kalit e ka të pranishme në shumicën e tablove kompozicionale të tij dhe në shumë punë të përmasave më të vogla. Ai ishte njohës i thellë i kalit. Dhe jo vetëm i anatomisë. Piktori, në rradhë të parë, njihte shpirtin e kësaj qënie fisnike, shumë më fisnike se çdo qënie tjetër, përfshirë këtu edhe njeriun. Ai e adhuronte dhe e dashuronte kalin, jo vetëm për faktin se në ushtri kishte qenë pranë kuajve, por edhe se vetë ai, me natyrën e çiltër, sinqeritetin, nuhatjen e së keqes, shpirtin e madh, siç duket e ndjente veten mirë pranë tyre. Piktori dhe njeriu Fatmir Haxhiu, që luftoi dhe besoi shumë në lirinë e vërtetë e dinjitetin e njeriut, gjatë jetës së tij ndjeu dhe provoi falsitetin, intrigën, shpifjen, cmirën. Ai që u fali të tjerëve mirësi, sinqeritet, duke i shprehur hapur mendimet e tij, në shumë raste provoi të kundërtën. Siç dëshmon në kujtimet e veta, i biri, Artan Haxhiu, piktori në vitet 1981 – 1982, në kulmin e kokëprerjeve në ushtri nga diktatura, kaloi një traumë të vërtetë: në një foto të madhe botuar në gazetë, ku me “udhëheqësin” kishin dalë shumë piktorë e skulptorë, portretin e tij e retushuan, pastaj nxituan ta largojnë si pedagog nga Instituti i Lartë i Arteve, tablonë “Kalimi Divizionit të Parë në Veri” e dogjën, në emisione të Radiotelevizionit nuk e ftonin më si dikur etj., etj. Piktori kishte të drejtë: kuajt ishin më të çiltër, më fisnikë, më të mirë. Kur unë, (mund të ketë qenë viti 1999), i tregova se doja të shkruaja një novelë për kuajt dhe ëndrrat e tyre, Fatmiri sa herë që e takoja, më fliste me pathos, për botën fisnike të kuajve, kodet e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit mes tyre dhe njeriut, për dashurinë që fal kali, kur e kupton se i zoti e do me të vërtetë, për sakrificat që bën gjithashtu ai për njeriun, apo për egërsinë e tij, kur nuhat pabesinë e njeriut. …Dhe kur pashë të përfunduar tablonë “Dashuria e kuajve” (1998), ndoshta e fundit me këtë motiv, kuptova botën e madhe, përtej njerëzores të kalit. Tabloja në fjalë, e cila ndodhet ne Spanjë, ka shumë mirësi, shumë ngrohtësi, shumë fisnikëri edhe nga krijuesi i saj Fatmir Haxhiu. Ajo, me gjuhën e ngjyrave, ku dy kuajt e përqafuar me njëri-tjetrin në një hapësirë të jashtëzakonshme dhe atmosferë tejet të tejdukshme, duket se i flet shumë botës së trazuar njerëzore, për fat të keq e mbytur nga vesi dhe shumë prapësira të tjera.

***

Fatmir Haxhiu - Vrana Konti me Trimat
Fatmir Haxhiu shkoi në prag të Ditës së Verës, më 10 mars të vitit 2001. Them “shkoi”, sepse fjala vdekje ose ndërroi jetë, tingëllon keq para emrit të çdo krijuesi të fushës së artit, kulturës apo shkencës. Ai pati një goditje të beftë në zemër, jo në ndonjë fushëbetejë lufte, por në një fushëbetejë tjetër: atë të shahut. Vetëm kështu mund të shkonte ai si qindra luftëtarë të tablove, që kishte pikturuar gjatë gjithë jetës. Fatmir Haxhiu shkoi me një peng të madh, sepse nuk arriti të realizojë, ndoshta ëndrrën e tij të fundit, pikturën murale “Beteja e Fushë Kosovës”. Gjatë vitit 2000 dhe pak kohë para se të shkonte, piktori kishte rrugëtuar për në Kosovë, ku ishte njohur me vendin, ku më 1389 ishte zhvilluar beteja e ballkanasve të bashkuar me ushtrinë otomane. Në Tiranë ai punoi intensivisht dhe bëri gati bocetin, që do ta realizonte gjatë muajve prill ose maj në Muzeun e Prishtinës. Pikturën murale do t’ia dhuronte Kosovës. Boceti mbeti i parealizuar dhe është në dhomën studio të shtëpisë së piktorit ku ruhet me kujdes nga familja e tij. Tashmë që Kosova që prej 17 shkurtit të këtij viti është e pavarur, nuk e di pse, ashtu si në poemën “Milosao”, ku në fund personazhi kryesor kërkon të shohë për të fundit herë Shkodrën, unë kërkoj që të hapet dritarja e madhe e shtëpisë së piktorit Fatmir Haxhiu, nga ku shpirti i tij të mund të shohë Kosovën e lirë e të pavarur dhe kuajt jo më të ngrirë që prej 600 vitesh të Fushë Kosovës.

Tiranë, më 09.03.2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora