| E diele, 24.06.2012, 06:32 PM |
POEZI
YJET E QIELLIT I KAM KRUSHQ
Nga Pëllumb Gorica
Kohë për shi
Pamja më vidhet në qiellin e ngjyrosur
Si s’po shoh pakëz kaltërsi,
Shkel pëlhurës së zhubrosur
po piklat gënjeshtare lozin me sytë e mi.
Si deshë rroken retë prej erës së marrë,
hapësirën gjëmimet përpijnë,
Errësira trishtimin ma bën më të gjallë
Ndaj fshihem mes tij si klandestinë.
Yjet e qiellit i kam krushq
Mbrëmë qiellit u var hëna, si një grua,
ndaj heshtja e bukur ka rënë,
Sonte ajo vjen apostafat për mua,
takim buzë detit me të kam lënë.
Në plazhin e heshtur, rri një meduzë,
vala krijon me erën një refren.
Gjithë yjet e qiellit i kam krushq,
zemra ime tek ti ç'kërkon, gjen.
Po varet një hëne mbi qiellin e trishtë,
tek - tuk yjet kuqëlojnë nëpër natë.
Dëshira arsyen thellë ma gërvisht,
ëndrrat rreth gjithësisë lëvizin si kometë.
O hënë e bukur, veç ti më kupton
çdo brengë në rendje ditësh- mall,
Ëndrrat e mia dëshira i shpon,
Largësia le të shporret në djall....
A thua ishte ëndërr?!
Në lajkat e ëndrrës tinzare,
Gjumi, atë natë, m’u trazua.
Më joshe, më dehe, lozonjare,
Parajsë, gjithçka bëre për mua.
Dora ime ajrin ledhatoi përgjëruar,
Të të prekja desha ty, Gërzhetë,
Ëndërrat e buzëve për puthje malluar
Errësirën e ndriçoi si kometë.
Me jehonën e zërit kumbues, ëndrra
E trembur, u step si e ndjerë në faj
Kraharori vetveten s’e mbajti brenda
Dhe mbeti mahnitur prej saj.
Psherëtima miqësie
U fikën yjet përmbi Dajt,
Fjala hesht, si zog i vrarë.
Kujtimet më çojnë larg,
Atje, ku kam miqtë e parë.
Përmbi rrafshnalta pikëllimesh,
Ballkone shpirtrash, pa kufi,
Me ju kam lënë data takimesh,
E s’më pengon askush të vij.
O miqtë e mi të paharruar,
Varganë stinës gjethe plot.
Me ju flas si pa kuptuar,
Herë si një diell, herë si lot.
Përbrenda meje keni mbetur,
Si klorofili nëpër pemë,
Ndaj një ditë, kur të jem tretur,
Mes jush prapë do të jem!
Dashurikëputura
Si krahu i zogut në fluturim
Në udhët e jetës sime hareshëm
Pranverë poleni shkunde shpirti im
Ngjyra jete, ngrohtësi zemre dehshëm.
Ti hyre pandjerë si një muzë
Valëzime yjesh, gazmend pa kufi
Sot brengë, gjysëmfjale në buzë
Se me dikë tjetër, je ti.
Si endacake në rrugën pa kthim
Ëndërrat tona zezojnë qiellit gri
Vakumi më vret çdo kujtim
Dhe ajri më klith me bezdi.