Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Nëpër udhëkryqet e jetës kërkon vetveten
E enjte, 21.06.2012, 05:34 PM
NËPËR UDHËKRYQET E JETËS KËRKON VETVETEN
Shënime për vëllimin poetik “Nëpër ikjen e ditëve” të poetit durrsak Pirro Minguli.
NGA PËLLUMB GORICA
Udhëkryqeve
të jetës, poeti mediton dhe pasi gërmon thellë në ndërgjegjen e tij poetike e
gjen rrugën e duhur drejt horizonteve.
Në vëllimin
poetik “Nëpër ikjen e ditëve“, Pirro Minguli tregon se është një poet që e
jeton intesivisht çdo orë të ditës e çdo muaj të vitit. Në ardhjen dhe ikjen e
ditëve ai futet natyrshëm me penën e tij dhe për një çast duket sikur humbet në
morinë e tyre. Ai është gjithmonë vetvetja, jo vetëm kur merr penën e shkruan
poezi, por edhe kur është në një aktivitet, kur bisedon me shokët, edhe kur jep
mendime për një ngjarje apo fenomen.
“Po unë,
Ku jam unë
në këtë ardhje e ikje ditësh,
kërkoj
vetveten
Nëpër udhëkryqet
e jetës”
Koha, si
pjesë e realitetit objektiv, edhe si një formë reale e ekzistencës së shoqërisë,
është element kryesor në vëllimin me poezi “Nëpër ikjen e ditëve“ të poetit
Pirro Minguli. Si koncepti i kohës edhe nocioni i zhvillimit është vlerësuar
nga poeti. Simbolika është domethënëse që në titullin e vëllimit. Nëpër ikjen e
ditëve poeti i përjeton të gjitha, shijon nektarin e ëmbël apo të hidhur të jetës
dhe mundohet të kapë ritmin e tyre. Mesazhi poetik është i qartë: Koha ikën e më
nuk kthehet. I lumtë atij që di të përshtatet me kohën dhe të shfrytëzojë në maksimum
çdo sekondë të saj. Duke ndjekur materialisht zhvillimin, për të është e qartë se
objektiviteti është i pakufizuar në hapësirë dhe i përjetshëm në kohë. Për
poetin koha është jeta ku çdo qenie merr frymë e vetëpërshtatet, është dita që fillon
me mëngjesin e bezdisshëm për të shkuar në punë kalon edhe me një kafe apo
shaka mes shokësh. Koha është edhe tringëllima e orës së madhe të qytetit, është
dinjiteti njerëzor, bashkëjetesa në familje, është nata dhe gjithësia, që poeti
me figuracionin e tij mundohet që nga thellësia e ndjenjave kërkon të zbulojë misteret.
“ Dita rrëshqet
nëpër gishtat e kohës
Si trupi
i brishtë i një vajze
Përpiqemi
ta kapim
Por sa e
prekim lehtë, pak sa”
Jeta dhe
koha janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëra -tjetrën në poezinë e Pirro
Mingulit. Koha jep mundësinë e zhvillimit të jetës si nocion fiziologjik, por
edhe jeta sakrifikon shumë për t’iu përshtatur asaj. Të jetosh e të ecësh me
ritmin e kohës për poetin është thelbësorja, alfa e filozofisë dhe dinjitetit
njerëzor. Poeti Pirro Minguli, duke shkruar metaforikisht, ka evokuar
intensitetin dhe brishtësinë e rrjedhave kohore. Pak si me melankoli i vjen keq
për mënyrën se si ecën jeta, duke kujtuar se çdo orë e minutë ikën dhe lum ai që
regjistroi diçka të bukur e të mirë në fletët e librit të madh të jetës:
“Ditët me
dhëmbët e orëve
gërryejnë
monotonisht trupin e jetës
ditët palosen
mbi njëra – tjetrën
si korale
duke formuar ishujt e viteve”
Për
poetin jeta është edhe dhimbje, edhe gëzim, edhe lot edhe këngë, edhe vrull
edhe plogështi, edhe sëmundje edhe vdekje. Megjithëse poeti është i ndërgjegjshëm
se nuk i shmang dot as sëmundjen e rëndë e as vdekjen si procese fiziologjike,
ai përsëri kërkon të sfidojë në emër të ardhmes së shëndoshë të të gjithë njerëzimit.
Dhe si poet i zhvillimit Pirro Minguli nuk e duron as një çast plogështinë, sëmundjen,
mërzitjen, ngecjen në vend, por vrapon pas nervit jetësor, duke e kthyer atë në
himn.
“ditë sëmundjesh,
ju urrej
dhe ju
luftoj“
Poeti ka
një zemër të madhe e kërkon të fusë brenda saj tërë frymëmarrjen dhe pulsin e
një jete që ripërtërihet e rilind breza:
“Dhe unë që
dua të jem në petalet e jetës
me
blerimin e përhershëm të ndjenjave
mes
oshtimës së zërave njerëzorë
ku
gurgullon rrjedha e hijshme e mrekullisë së dritës
ku ruhen
në përjetësi
kufijtë e
jetës“
Çdo njeri
e ka vetë në dorë të ndërtojë jetën ashtu siç e dëshiron ai, duke i bërë vend
vetes. Dhe para vrullit të jetës nuk duhet të bjerë kurrë në fatalitet. Thelbësore
është që njeriu t’i marrë në dorë vetë me guxim frenat e jetës dhe të orientohet
në udhët e bleruara e të praruara ku dëshiron ai dhe jo ta marrë jeta zvarrë e
ta përplasë honeve të fatkeqësive dhe poshtërimit.
“kam
hapur kaq e kaq dyer ditësh
për të gjetur
të gjelbrën e jetës”
“Çmoje
veten dhe gjej vendin midis njerëzve”- thotë një i ditur. Ndaj këtë mesazh të madh
dhe frymëzues kërkon të japë poeti Pirro Minguli edhe në vëllimin e tij “Nëpër
ikjen e ditëve“ kur shkruan në një nga poezitë e tij të bukura:
“Mënyrën
e rendjes së ditëve
në dorë e
kemi vetë”